Mbreteresha Teuta

Mbreteresha Teuta

1141
0
SHPËRNDAJE

Mund të përllogaritet përafërsisht që ajo ka lindur rreth vitit 268 para erës së re. Për nga përkatësia fisnore, duhet të jetë nga fisi i ardianëve ose daorsëve, ngaqë kështjella dhe qyteti I Rizonit, ku ajo kishte selinë prindërore, gjendej në tokat e këtyre fiseve.

Është e kuptueshme që ajo i përkiste njerës prej familjeve më të shquara të aristokracisë fisnore, me pasuri, prona, gjë e kamje. Kjo, ngaqë martesat e asaj kohe, veç pëlqimeve dhe zgjedhjeve personale, kishin edhe karakter politik për të lidhur miqësi dhe aleanca.

Nusja shpinte pajë edhe troje apo krahina të tëra, që I bashkoheshin mbretërisë,por që të ardhurat administroheshin prej saj,për të patur njëfar pavarësie ekonomike.

Nuk bën përjashtim këtu as martesa e Agronit. Thuhet se ishte me bukuri të rrallë. Duhet ta besojmë, përderisa ajo u zgjodh për bashkëshorte nga princi trashëgimtar i mbretit Pleurat, Agroni.

Si vajza e madhe e një familje pa djem,(mund të supozohet se ishin tri motra:Teuta, Diteuta dhe Triteuta) ajo u ushtrua si të ishte djalë, kalëronte, delte në gjueti dhe përdorte harkun dhe shpatën, duke formuar një trup prej atleteje.

Ajo ishte fatlume, përveçse e bukur, dallohej për zgjuarësi, ishte femër krenare, dinjitoze, e vendosur dhe trime. Këto veti bënë që, ajo të ishte idealiste dhe me synime në jetë. Me Agronin, ajo jetoi pak a shumë rreth 18-19 vite, në kohën që ai ishte mbret i Ilirisë, me kryeqendër Shkodrën.

Me natyrën e saj kurajoze dhe të mençur, Teuta, me siguri përziej dhe merrte pjesë qoftë edhe jo drejtpërdrejt në qeverisjen dhe drejtimin e shtetit, duke qënë këshilltare e të shoqit për politikat dhe synimet e tij për një Iliri të madhe.

Kjo kohë ishte e mjaftueshme për të që të njihte mekanizmin e ngatrruar të drejtimit të mbretërisë, interesat, politikat, dredhitë , intrigat dhe forcat mbështetëse e kundërshtuese, që të krijonte bindjen se ajo mund të mbretëronte e të drejtonte njësoj si burrat. Ishte grua ambicioze, që e dëshironte pushtetin dhe luftonte për ta zotëruar atë.

Nga martesa Teuta nuk pati fëmijë
Si gjithë mbretërit e kohës, Agroni që të kishte trshëgimtar të fronit, u martua së dyti, me motrën e Teutës, që quhej Triteuta. Na lejohet të hamendësojmë se Agroni e ka bërë këtë zgjedhje për të ruajtur e forcuar raportet miqësore, me fiset e ilirisë veriore, ose për të patur mirkuptimin e Teutës dhe për të shmangur xhelozitë dhe zënkat që janë të zakonshme midis shemrave.

Po të nisemi nga zhvillimi I ngjarjeve pasardhëse, Triteuta, ngjante me të motrën nga bukuria, por ndryshe nga e motra kishte tjetër natyrë, më e qetë, e përmbajtur, pa prirje për tu përzier në politikë dhe punët e shtetit. Kjo natyrë e saj,ndofta u bë shkak që pas vdekjes së Agronit, të bjerë pre e intrigave të gjeneralit Dhimitër Fari dhe të martohet me të.

ajo lindi një djalë që e quajtën Pin(ose Pineus) dhe iu përkushtua familjes dhe rritjes së të birit, që ishte princi trashëgimtar. Ajo kënaqej me të qënit e saj”Nënë mbretëreshë”.

Teuta mbretëreshë
Mbreti Agron, për të arritur synimet e tij politike,që të zgjeronte më në jugë shtetin e vet(përtej lumit Vjosë) krijoi një flotë të fuqishme me mbi njëqind anije të tipit të famshëm liburn dhe ushtri që I kapërcente dhjetë mijë ushtarë. Flota ilire u bë sunduese në Adriatik. Për të patur shpinën të sigurtë në lindje,bëri aleancë me mbretin dhimitër II të Maqedonisë, I cili në këmbim të veprimeve ushtarake për çlirimin e qytetit Medion të Akarnanisë nga Etolianët, I linte Ilirisë dorë të lirë në Adriatik dhe Jon. Agroni e sulmoi dhe e nxori medionin nga rrethimi duke arritur një fitore të bujshme në tokat greke. Pak dit pas kësaj fitoreje,Agroni u sëmur nga pleuriti dhe vdiq papritur. Pas vdekjes së Pirros së Epirit, kjo ishte humbja më e madhe e Ilirisë.

Froni mbeti bosh
Në oborrin mbretëror u krijua pështjellim. Trashëgimtari, Pini, ishte fëmijë, një mbret që nuk mund të mbretëronte. Në linjë mashkullore mtonjësi i dytë ishte princi Skerdilaid, vëllai i Agronit, por sipas së drejtës së trashëgimisë ai nuk mund të shpallej mbret, sepse Agroni kishte lënë trashëgimtar. Mbetej që të caktohej një mëkëmbës deri sa mbreti të rritej. Nënës së mbretit, Triteutës, i mungonin vetitë qeverisëse, prandaj edhe po ta dëshironte, ajo nuk do të pranohej që të ishte mëkëmbëse. Teuta e shfrytëzoi gjendjen e krijuar, që si gruaja e parë e mbretit të vdekur, të shpallej mëkëmbëse e thjeshtrit. E drejta e trashëgimit dhe ajo zakonore e lejonin që një grua të shpallej mekëmbëse apo qoftë edhe mbretëreshë. Teuta ndërkohë përdori gjithë ndikimin e saj, që të bindte pleqësinë për aftësitë e saj qeverisëse, dha e mori premtime në antarët e pleqësisë të quajtur “Miqtë e Mbretit” dhe siguroi përkrahjen e Skerdilaidit i cili kishte ndikim në parinë Ardiane dhe pronarët e mëdhenj të tokave. Ajo i bindi ata se do të ruante dhe forconte shtetin e trashëguar, por do të luftonte për arritjen e ëndrrës së Agronit, për Ilirinë e madhe e të njësuar. Kjo do të thoshte më shumë hapësira,më shumë prona e skllevër, më shumë pasuri e pushtet. Kshilli familjar dhe i miqve, e shpalli Teutën mëkëmbëse të mbretit Pin. Ajo tashmë ishte mbretëreshë e Ilirisë.

Veprimtaritë dhe arritjet e mbretëreshës Teuta
. Për të qeverisur,Teuta krijoi këshillin e të urtëve, që ndryshe quhej “Miqtë e mbretit”, prej tyre u caktuan dinjitarët e lartë të shtetit, në ngjashmëri me ministrat në qeveritë e ditëve tona. Në krye të ushtrisë vendosi Skerdilaidin, por duke ruajtur për vete të drejtën e komandantes së përgjithshme, që shpallte luftën dhe miratonte paqen. Një e drejtë mbretërore e kohës.

Në politikën e brendshme dhe të jashtme
, iu përmbajt asaj të paracaktuar nga mbreti Agron: aleancë me Maqedoninë, (që ishte mbretëria më e fuqishme e kohës në siujdhesën ilirike), qëndrim të kujdesëshëm ndaj Romës, fuqizim të ushtrisë dhe flotës, çlirim nga sundimi roman dhe vënie nën kontroll e bashkimin me mbretërinë e qyteteve bregdetare të Dyrrahut, Apollonisë dhe ujdhesës strategjike veriperndimore të Isës që ishte koloni greke, por kontrollonte Adriatikun verior kundruall brigjeve italike. Qëllimi ishte që Adriatiku të mbetej thjesht një det i brendshëm ilir. Synimi tjetër strategjik ishte zgjerimi në jugë,duke dalë jashtë kufijve të shtetit, shkëputjen e Epirit nga aleanca Etolo-Ahejase (Greke) detyrimi i Epirit për tu lidhur në aleancë me mbretërinë ilire dhe vendosjen e kufirit të ilirisë drejtpërsëdrejti me tokat greke deri në gjirin e Ambrakisë. Marrja e ujdhesës së Korkyrës, shihej si një mundësi strategjike për sigurinë e jugut të Ilirisë. Siç shihet ishin synime ambicioze, të cilit iu përkushtua tërësisht dhe e bëri qëllim të jetës së saj. Arritja e tij do të krijonte kushtet e krijimit të Ilirisë së Madhe dhe do ta bënte Ilirinë fuqinë më të madhe e më të fuqishme të rajonit.

Për të arritur këto synime, teuta u tregua një mbretëreshë jo vetëm autoritare por edhe reformatore. Forcoi pushtetin qendror dhe u pakësoi të drejtat vendimmarrëse krerëve të fiseve të mëdhenj që ishin pjesë e mbretërisë duke i bërë ata më të varur, vuri nën kontroll prerjen dhe qarkullimin e monedhave në sasi të mjaftueshme e metale me vlerë për të siguruar tregëtinë dhe qarkullimin e mallrave, shpalli monopolin mbretëror mbi prodhimin dhe shpërndarjen e kripës dhe shfrytëzimin e minierave të arit, argjendit, hekurit dhe bakrit, ku angazhoi një numër të madh skllevërish. Për nevojat e luftës, ngriti puntoritë për prodhimin e anijeve të famshme“Liburne”, nxiti prodhimin e armëve dhe pajisjeve për ushtrinë, zejtarinë dhe manifakturën dhe gjallëroi jetën ekonomike të qyteteve, vuri kontrollin mbi eksportin e drithrave, siguroi rrugët e brendshme për të mbrojtur tregtarët nga kusaria etj.

Në respekt të një tradite të vjetër,Teuta lejoi dhe nuk e ndaloi veprimtarinë e piratëve ilirë në detin Adriatik. Anijet pirate të ilirëve, sidomos ato të liburnëve dhe labeatëve, bënin zullume jo vetëm në Adriatik por edhe thellë në jon në brigjet greke, bile edhe në detin e Libisë. Pre e tyre ishin kryesisht anije tregtare të popujve fqinjë, përfshi edhe ato romake. Siç do ta shohim ,kjo nuk mbeti pa pasoja.

Për të krijuar një ide për gjithësa u tha më sipër, na ndihmon kronika e shkurtër e veprimtarisë së Teutës gjatë tre viteve të mbretërimit të saj:

Viti 231 p.e.r. Aleanca me Maqedoninë,qëllimi: të siguronte krahun lindor nga rreziku maqedonas dhe të zbriste në jugë të Ilirisë, në Epir,për të krijuar një shtet të madh që të përfshinte dhe Epirin.

-Lufta kundër Etolisë dhe Akaisë që kishin rrethuar qytetin Medion të Akarnanisë, aleate e Maqedonisë. Sulmi nën drejtimin e Agronit, me 100 anije dhe 5000 luftëtarë. Fitorja në Medion.Fitorja pati jehonë të madhe pasi etolët kishin ushtrinë më të fortë të greqisë. Qëllimi ishte ndarja dhe izolimi i Epirit nga bota greke.

-Vdekja e Agronit disa ditë pas fitores nga pleuriti.

Viti 230 p.e.r. Teuta u shpall mbretëreshë.

-U ruajt aleanca me Maqedoninë. Qëllimi:krijimi I një shteti të fuqishëm ilir nga Narona në veri deri në gjirin e Ambrakisë në jugë. Pengesa ishte Epiri. Teuta urdhëroi luftën kundër Epirit si aleat i Etolëve dhe Ahejve. Angazhimi I flotës dhe këmbësorisë tokësore nën komandën e Skerdilaidit. Pushtimi I Foenikes, kryeqytet i Epirit. U nënshkrua paqja me Epirin dhe ai, së toku me Akarnaninë u bënë aleatë të mbretërisë ilire.

-U arrit shkëputja e Epirit nga Etolët, aleanca me akarnanët bëri të mundur krijimin e një kufiri të largët midis Lidhjeve greke dhe shtetit Ilir.

Viti 229 p.e.r. Roma sheh me shqetsim fuqizimin e Ilirisë dhe aktet e piraterisë së saj në Adriatik. Dërgon ambasadorë te Teuta. Ajo nuk duroi arrogancën si u sollën dhe kushtin që vunë. Njeri prej tyre (Gai) që e fyeu, me urdhër të Teutës u vra në det në anijen që e shpinte në romë. Ky u bë shkak që Roma të përgatitej për luftë.

-Në pranverë: Teuta u përgatit për luftën e pritshme: qetësoi fiset që ishin shkëputur pas një sulmi të dardanëve; e shpalli anëdetin “Tokë armike” dha urdhër që të goditej çdo anije e huaj ose përpjekje për zbarkim. U përcaktuan pozicionet e rëndësishme ku mund të drejtoheshin romakët: Isa në veri, dy qytete bregdetare Dyrrahu e Apollonia dhe Korkyra në jug. Përpjekjet për pushtimin e Dyrrahut Apolonisë dhe Korkyrës dështuan, por u vunë nën rrethim dhe bllokadë.

-Lufta në Korkyrë, fitorja kundër flotës Etolo-Ahejase, pushtimi I ujdhesës së Paksosit dhe Korkyrës. Vendosja e garnizoneve ilire dhe flotës nën komandën e Dhimitër farit.

-Adriatiku u kthye në det I “Mbyllur” dalja në Mesdhe u bllokua nga flota ilire.

-Në vjeshtë: Lufta e parë Iliro-Romake. Roma sulmoi me 200 anije dhe 20 mijë legjionarë, që ishin sa dyfishi I ushtrisë dhe flotës ilire. Flota dhe ushtria drejtoheshin nga dy konsujt Albino dhe Centumalo. Në fillim flotëa sulmoi Korkyrën. Dhimitër Fari e tradhëtoi mbretëreshën. Dorëzoi flotën dhe ishullin,pa luftë. Forcat e këmbësorisë dhe flota u bashkuan në anëdetin e Apollonisë,e morën atë,pastaj në Dyrrah dhe në anëdetin verior të Dalmacisë,ku I hoqën rrethimin Isës. Me romakët u bashkuan edhe krerët e fiseve të ultësirës bregdetare dhe prapatokave të Dyrrahut dhe Apollonisë.

-Flota e Ilirisë,e tradhëtuar dhe e shpërndarë qëllimisht nën këshillat e Dh.Farit nuk mundi të bënte qëndresë frontale. Megjithatë ushtria dhe flota bënë beteja të veçuara kundër romakëve dhe u shkaktuan humbje, më e madhja e të cilave ishte ajo e qytetit Nutria.

-Teuta duke dyshuar se Shkodra mund të binte në duart e romakëve, me gardën dhe besnikët e saj u strehua në qytetin e Rizonit ku ishte më e sigurtë. Shkodra bëri qëndresë dhe nuk u pushtua nga romakët.

-Lufta vazhdoi gjashtë muaj. Me gjithë forcat e shumta,romakët nuk rrezikuan të hynin në rajonet e brendshme te ilirise,por pushtuan dhe vunë garnizone në bregdet dhe morën në “Mbrojte” disa fise duke krijuar një protektorat. Dhimitër Farit si shpërblim për tradhëtinë dhe shërbimet iu dha në qeverisje Isa, Fari, bregu dalmat deri në gjirin e Rizonit(sot Kotorrit)

Viti 228 p.e.r. Në pamundësi për të vazhduar luftën,pasi kishin shterrur burimet ekonomike dhe njerzore, u pranua kërkesa e Romës për paqe dhe u nis atje një dërgesë e ambasadorëve. Paqja që u arrit nën diktatin e Romës ishte nënshtruese. Nga mbretëria Ilire,mbeti pjesa nga veriu i Lezhës deri në gjirin e Rizonit, që iu la për mbretërim Pinit, u detyrua të derdhte tribute në të holla dhe të mos lundronte në jug të Lezhës me më tepër se dy anije të armatosura.

-Teuta dha dorëheqjen nga mëkëmbësia(mbretërimi), mëkëmbës I mbretit u bë Dhimitër Fari që ishte njerku I Pinit, burri I Triteutës

Pas kësaj, historia hesht dhe nuk thotë se çfar ndodhi me Teutën. Këtu mbaron edhe historia e saj.

A gaboj dhe ku gaboi Teuta? Natyrisht,në tërë këtë veprimtari të dendur, të pasur me ngjarje dhe vendimmarrje, Teuta beri edhe gabime, ndër to duhen shënuar: në fushën diplomatike,mbeti pa aleatë kur I duheshin.Kur sulmoi Roma, Maqedonia dhe Epiri nuk e ndihmuan,mbeti e vetme. Nuk qe në gjendje të tërhiqte në anën e saj Dardaninë. Bëri të pakënaqur disa nga prijsit e fiseve të mëdhenj me politikat për qëndërzimin e pushtetit dhe taksat; gaboi kur dha urdhër të vritej ambasadori romak; i dha besim dhe pushtet një ambiciozi e tradhëtari si Dhimitër Fari, gaboi kur dëgjoi këshillat e tij për copëzimin dhe ndarjen në shumë fronte të flotës dhe ushtrise
Në analizë të fundit,nuk ishin këto gabime që shkaktuan luftën me Romën dhe disfatën në këtë luftë. Roma, pas zotrimit të perëndimit dhe fitores mbi Kartagjenën kishte kohë që i kishte hedhur sytë në lindje dhe do ta bënte luftën edhe pa ato gjoja shkaqe. Pozita gjeo-politike e Ilirisë si urë midis lindjes e perëndimit, bëri që ajo të ishte objektivi strategjik i Romës si kryeurë për siujdhesën ballkanike: pushtimin e Maqedonisë,Greqisë,Trakisë,Dakisë,Bizantit dhe kalimin në Azinë e Vogël. Me gjithë qëndresën,fuqia romane ishte e papërballueshme.Ajo i arriti synimet e saj perandorake. Megjithatë iliria qëndroi, Romës iu deshë tre luftra për afro dyzet vjet që ta nënshtronte, deri sa konsulli Paul Emili, rrënoi,vidhisi e dogji shtatdhjet qytete. Edhe më pas shpirti liridashës ilir nuk u mposht dhe vijuan kryengritjet e njëpasnjëshme.

Teuta u dha emrin e saj viteve që sundoi dhe drejtoi, ajo bëri histori dhe mbeti në histori.