Samiu, enciklopedisti ndërkombëtar

Samiu, enciklopedisti ndërkombëtar

1222
0
SHPËRNDAJE

Sami Frashëri ka hyrë në historiografinë shqiptare si një nga ideologët e Rilindjes, si një poliglot, shkrimtar por dhe hartuesi i Encklopedisë më të madhe turke. Ishte një njeri erudit, një nga më të rrallët e më të vyerit personalitete shqiptare. Vepra e tij është tronditëse dhe e çuditshme për frymën dhe idetë që përmban. Ajo i ka rezistuar kohës dhe do jetojë në jetë të jetëve, duke e bërë këtë shkencëtar të zërë vendin në piedestalin e lavdisë së personaliteteve ndërkombëtare.

Samiu do të lindte në Frashër në vitin e largët 1850 dhe mësimet e para do t’i kryente pranë hoxhës së fshatit. Të mbetur shpejt në moshë të njomë pa prindër, vëllai i madh, Abdyli vendosi të transferohej në Janinë, në mënyrë që vëllezërit dhe motrat e tij të shkolloheshin.

Së bashku me të vëllanë Naimin, Samiu u regjistrua në gjimnazin “Zosimea” ku do të ishte një nxënës i shkëlqyer. Do të mësonte të gjitha shkencat dhe lëndët shoqërore që bëheshin në gjimnaz dhe disa gjuhë të huaja. Kur shkoi në Stamboll ishte 21 vjeç. Duke qenë se zotëronte një kulturë të pëlqyeshme do të nisë menjëherë punën për të botuar romanin e tij të parë në letërsinë turke. Vepër që do e pasojnë 60 vepra të tjera të shkruara në shqip, turqisht, arabisht, persisht, etj. Por do ishte një nga personalitetet që do linte gjurmën e tij në të gjitha gazetat e kohës duke shkruar artikuj shumë cilësorë.

Në krijimtarinë e tij të ndritur do të shkruajë dhe vepra në gjuhën shqipe. Ai do të ngrejë aty problematika dhe çështjet më të ndjeshme shqiptare dhe që ishin në interes të kombit. Ai do të hartojë një alfabet shqip, gramatikën shqipe që ai do e quajë “Shkronjëtore e gjuhës shqipe”.

Vepra e tij më madhore që me të vërtetë do të hyjë në pantheonin e krijimtarisë shqiptare është vepra “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet?”Një vepër që qëndron aktuale dhe sot. Që përpara një shekulli e ca, ai do të shtrojë pikëpamjet e tij demokratike për Shqipërinë dhe udhën drejt demokratizimit të saj.

Një kontribut të jashtëzakonshëm Samiu do të tegonte me krijimin e fjalorëve për gjuhën turke. Do të hartojë fjalorët: Frëngjisht-turqisht me afër 50 mijë fjalë; Turqisht-frëngjisht me afër 35 mijë fjalë; Arabisht-turqisht ; Fjalori i gjuhës turke me 1575 faqe, me afër 45 mijë fjalë.

Por vepra më e madhe që do t’i jepte famë ndërkombëtare Samiut, do të ishte Kamus Al A’lam. U shkruajt në gjuhën turke të asaj kohe dhe përmban 4830 faqe. Është enciklopedi historiko-gjeografike. Kjo vepër botohet brenda viteve 1889-1898.

Duke studiuar këtë vepër të madhe të Samiut të bëjnë përshtypje disa shënime të tij. Samiu thotë:  “ka dallime në mes historisë evropiane që e kanë marrë nga grekët dhe historisë lindore që interpretohet nga Firdevsi. Këto dy histori janë shumë kontradiktore, sigurisht njëra prej tyre është e gabueshme, por si të bindemi se tjetra është e vërtetë?” – pyet Samiu.

Ai u bën thirrje historianëve të jenë të kujdesshëm dhe objektivë.  “Është detyrë e atyre që merren me histori që të mos marrin gjithnjë si të vërtetë atë që shkruhet në libër pa i analizuar ngjarjet, pa i verifikuar burimet…”

Por krahas këshillave,  duke qenë një shqiptar i jashtëzakonshëm  në Enciklopedinë e tij nuk do të harrojë shqiptarët dhe Shqipërinë e tij.

Dhe në fakt në artikullin e tij Arnautllik do të shkruajë për të gjitha territoret e Shqipërisë, kufijtë, qytetet, kasabatë, malet, fushat, liqenet, duke treguar të gjitha karakteristikat e tyre. Ndërsa për shqiptarët merret në mënyrë të veçantë me trimërinë, krenarinë, moralin, sinqeritetin, besnikërinë e gruas shqiptare, etj.

Vepra është quajtur Enciklopedia më e mirë turke dhe vazhdon të ribotohet dhe sot. Thellësia dhe kultura e tij, shpjegimet e qarta dhe njohuritë që ai përfaqëson, e kategorizojnë Kamus al-a’lamin, dhe hartuesin e saj, Samiun,  shkencëtar të niveleve ndërkombëtare..