Gjeniu i Stambollit

Gjeniu i Stambollit

1219
0
SHPËRNDAJE

Ishtë një nga patriotët e mëdhenj shqiptarë. Do të hynte në historiografinë shqiptare jo vetëm si një rilindas i shquar por dhe një nga njerëzit më të ditur ndër intelektualë shqiptarë.

Ishte filozof dhe matematikan i shquar. Një dijetar i shkallës botërore dhe një atdhetar i madh i kohës së Rilindjes. Ai zotëronte disa gjuhë të huaja dhe ishte një njohës i shkëlqyer i shkencave të natyrës dhe atyre shoqërore, vëzhgues i dukurive mbi gjithësinë e rruzullin tokësor dhe do të ishte drejtues i të parit universitet shtetëror në sulltanatin osman që në fakt ishte i pari universitet ndërkombëtar. Do të ishte kryetar i Akademisë së Shkencave Osmane. Në shkencat turke ai do të ishte më i larti ndër më të lartët e shkencës.

Hasan Tahsini punoi dhe për alfabetin shqip dhe donte ta kishte të ndryshëm nga të gjitha alfabetet e gjuhëve të tjera për të treguar personalitetin e popullit të tij. Hasan Tahsini do të ishte mësuesi i Abdylit, Naimit, Samiut, Vaso Pashës, Jani Vretos, Ismail Qemalit.

I ati ishte nga Ninati i Sarandës dhe ishte një njeri shumë i ditur. Nga të gjitha biografitë shkruar për këtë shkencëtar dhe atdhetar thuhet se Osman efendiu familjen e mbante përherë mbas vetes në vend emërimet e tij në detyrë në perandorinë osmane dhe fëmijët i mësonte vetë.

Studimet në Paris

Kur qeveria osmane e pa të domosdoshme çeljen e universiteteve në sulltanatin osman, një nga dy të zgjedhurit e saj ishte Hasan Tahsini. Njoftimi qeveritar u shpall në fletoren zyrtare “Xheride-i Havadis”, datë 14. Xhemadi-ul-àhër 1273 H: “…Ka dalë dekret mbretëror që urdhëron të dërgohen në Paris Lartësitë e Tyre, Tahsin Efendiu dhe Selim Efendiu, dy prej myderrizëve të nderuar, për të mësuar studentët e dërguar në Paris nga zyrat e shkollat mbretërore si edhe për t’ua mësuar gjuhën e bukur turqisht nënshtetasve të krishterë të mbretërisë osmane që ndodhen në Paris. Së fundi, për të studiuar edhe ata të dy disa shkenca që do të mësohen në universitetin që është gati për t’ u hapur”.

Meqë dituritë e tyre nuk mjaftonin për fillimin e studimeve atje, Selim Efendiu u kthye në detyrën e lënë të zëvendës ministrit të parë të arsimit, kurse Tahsini qëndroi në Paris dhe filloi gërmimet nëpër bibliotekat e atjeshme… Brenda një viti ai arriti të fitonte tërë dituritë e nevojshme dhe u regjistrua në fakultetin e shkencave të natyrës. Madje, duke vazhduar studimet në të, ndoqi si i jashtëm studimet edhe në fakultete të tjerë. Bashkëkohës të tij, në veprat e tyre, theksojnë se ai përsosi frëngjishten dhe u thellua në fizikë, matematikë, kimì, biologji, filozofì, fiziologji, botanìkë, gjeologjì, shkencat shoqërore, e sidomos në filozofì, gjithësi e yjësì e psikologjì.

Hapja e Universitetit

Në mesin e shkurtit 1868, Tahsini u kthye në Stamboll. Oborri dhe Porta e Lartë e ngarkuan me ngritjen dhe drejtimin e Universitetit, sepse deri atëherë nuk ishte gjetur njeriu i duhur. Sigurisht që në sulltanat gjendeshin mjaft dijetarë, të zotë por asnjë nuk ishte si Tahsini. Dijetari i ndritur arriti të gjejë profesorë prej kombeve të ndryshme. Siç do shkruajë Sami Frashëri “ditën e caktuar, në pallatin “Nana Mbretëreshë” çeli me aq madhështi universitetin e parë në sulltanatin osman”. Në fjalimin e rastit, me zërin e tij kumbues para studentëve dhe të pranishmëve të tjerë, ai shpalli programin mësimor-shkencor që kishte parashikuar të zbatohej në atë qendër dijesh.”

Samiu do të shkruante se veç drejtimit të universitetit, Tahsini jepte mësime mbi filozofinë, yjësinë, gjithësinë e kiminë. Ishte një shkencëtar i përmasave ndërkombëtare.