Kur Shqipëria qeverisej nga misioni Alba

Kur Shqipëria qeverisej nga misioni Alba

510
0
SHPËRNDAJE

Ky shkrim për batalionin spanjoll “Alba” është realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga, për gazetën “Koha Jonë”, më 15 qershor 1997.

Dritare.net po e sjell të plotë, bashkë me intervistat për të cilat asokohe ndihmonte në përkthim, një pedagog i spanjishtes. Ai quhej Nikolin Janina.

Kanë kaluar 20 vjet që atëherë. Nikolini ka lënë përkthimin dhe ka hapur një biznes nga më elegantët dhe të dobishmit, në Shqipëri.

Ndërsa vetë Shqipëria ka ngelur aty, në kërkim të komunikimit me ndërkombëtare brenda.

Sot është një amerikan në Tiranë, për të na ndihmuar të merremi vesh shqip-shqip.

Nga Rudina Xhunga

Rudina Xhunga – Sa ushtarë kanë mbërritur në Shëngjin ditën e parë dhe a kanë ardhur të tjerë ndërkaq?

Kol. Enrique Alonso Marciu – Në 14 prill erdhën këtu 302 ushtarë. Mandej në fundprill mbërriti pjesa e skalioneve të avancuara të logjistikës dhe tanimë në total jemi 369 pjesëtarë të batalionit.

Kur erdhët ishit përgatitur moralisht dhe për plagosje, apo vdekje të mundshme nga plumbat e vendasve “rebele”?

Para se të vinim u dërgua një grup i posaçëm për riconjicion, i cili përgatiti gjithashtu kushtet e ardhjes sonë.

Batalioni spanjoll do të kujdeset për qendrat e votimit në Lezhë e Shëngjin, apo vetëm për të vëzhguar vëzhguesit e OSBE-së?

Gjithashtu s’kemi konfirmim për këtë fakt. Por nëse marrim një urdhër të tillë, padyshim do ta zbatojmë me rigorozitet.

Ku ka konsistuar detyra juaj e deritanishme?

Kemi shoqëruar organizatat ndërkombëtare që kanë ardhur për t’u njohur me zonën dhe nevojat e saj për ndihmë si dhe ndihmat që ato kanë sjellë.

E megjithatë kemi takuar në Shëngjin njerëz që nuk janë të qartë pse keni ardhur ju këtu?

Është detyra e të tjerëve, ndoshta dhe e shtypit, t’i sqarojë. Detyra ime është të zbatoj urdhrat që më janë dhënë dhe t’i realizoj ato me përpikmëri. Megjithatë, çuditem kur dëgjoj se këtu paska njerëz fare të pasqaruar, kur shumëkush e di se nga mjekët tanë janë kuruar nga prilli në qershor gati 2000 njerëz. Gjithashtu kush është shtruar i plagosur në spitalin e Lezhës e di se ne i dhurojmë këtij spitali gjakun që na vjen nga Spanja për çdo javë dhe për fat të mirë s’na është dashur për vete. Doja të shtoja këtu diçka tjetër; në Spanjë kemi një zakon, që kur ndërrohen stinët, rrobat e përdorura përgjatë kësaj kohe, ia dërgojmë kishës që të mund t’i marrin ata që kanë më pak mundësira. Këtë herë gjithë familjet e legjionarëve i kanë mbledhur rrobat e tyre dhe i kanë dërguar këtu. Ne kemi shpërndarë kështu rroba dhe lodra për fëmijët e familjeve të Shëngjinit dhe ky akt na ka sjellë shumë kënaqësi. Ndërkaq jemi në pritje të shtimit të ndihmave, e kësisoj shtimit të punës sonë.

Gjatë patrullimit tuaj të përditshëm Lezhë-Koplik, keni pasur ndonjë incident të papëlqyeshëm?

Falë Zotit asnjë aksident, apo incident ndonëse deri tani kemi përshkuar rreth 100 000 km.

Marrëdhëniet me vendasit i kemi të mrekullueshme. Neve nuk na lejohet të dalim spontanisht në qytete, apo të ulemi në kafene e të bisedojmë me vendasit, por megjithatë krijohen herë –herë dhe mundësi komunikimi të ndërsjella. Për shembull me rastin e festës së armës xheniere spanjolle, Shën Ferdinandit, në kamp, një grup artistësh të Lezhës erdhën për të na uruar dhe organizuar së bashku një koncert. Kënduan “Djemtë e detit”, u kërcyen valle tradicionale, u çel ekspozita e Pashk Përvathit dhe mandej ushtarët tanë kënduan këngë spanjolle. Ndërsa sot ju mund të shikoni vetë se një grup mjekësh të maternitetit të Lezhës, kanë ardhur në kamp për të ngrënë me ne ushqime tradicionale shqiptare.

Po me shtypin shqiptar njiheni?

Marrim përditë gazetat kryesore shqiptare; “Koha Jonë”, “Zëri i Popullit”, “Republika”, “Klani”, “Albania”. Ato shqipërohen nga përkthyesit tanë dhe mandej mund t’i lexojë kushdo. Deri tani kemi pasur probleme me gazetën tuaj, pasi kur dërgonim njerëzit tanë ta blinin, na përgjigjeshin gjithmonë se “KJ” kishte mbaruar. Kështu vazhdoi derisa mësuam se kjo gazetë në pjesën më të madhe falej në Lezhë dhe u detyruam të bënim një lloj abonimi për ta marrë përditë.

Sot pamë këtu dhe ushtarë italianë. Me ç’qëllim kanë ardhur?

Duke qenë se po tentojmë të dislokohemi dhe në afërsi të Shkodrës e për këtë forcat tona nuk mjaftojnë, i kërkuam ndihmë gjeneral Forlanit, i cili na ka dërguar së fundi një kompani italiane. Megjithatë mbetet ende tentativë ky dislokim i përhershëm pranë Shkodrës. Më vonë mund të flasim sërish për plane të realizuara dhe mundësi të reja, sidomos në fushën e ndihmave.

Shengjini si Marbella, plëzhi

perrallë i Spanjës, 

Komandanti Alvarez, shefi i sektorit të marrëdhënieve civile, na saktëson diçka më tepër mbi sasinë e ndihmës së ardhur dhe organizatat që e kanë sjellë, organizatat që kanë bërë testime, duke kontaktuar me vendasit dhe autoritetet lokale për të mësuar domosdoshmëritë e banorëve të zonës.

Deri tani përafërsisht janë shpërndarë 1000 ton ndihma humanitare në përgjithësi, që konsistojnë në rroba, ndihma mjekësore, fasule, vaj, miell, miell, miell dhe miell. Është vërejtur se mielli qëndron në krye të domosdoshmërive të zonës. Ndërsa zëdhënësi i shtypit Garzones shprehet se në letrat që ju dërgojnë familjeve, e përshkruajnë Shëngjinin si një vend i mrekullueshëm me kodër, mal, det, lagunë, port, pra pak a shumë si përralla e Spanjës,  plazhi i Marbellës. Ai nuk harron të shtojë se Marbella ka qenë si Shëngjini 40 vjet më parë. “Në planet tona- vazhdon ai, ndonëse ende jo zyrtare dhe të konfirmuara, ka shumë për të bërë për Shëngjinin dhe shpresojmë se koha do të tregojë sa e mbajmë fjalën”.Për shefin e shtypit nuk është e rëndësishme në do qëndrohet pak, apo shumë në Shëngjin, por sa do bëhet për qytetin dhe sa do mbahet mend nga banorët e tij ajo çka ata kanë bërë. E ndjenjë sidoqoftë më shumë mungesën e familjes, pasi në këtë qytet të vogël bregdetar ku janë dislokuar, nuk kanë asnjë mundësi daljeje spontane, apo njohjeje me shqiptaret, që janë bukuroshe padyshim. Në një izolim të tillë të detyruar ata e kanë quajtur zonën ku qëndrojnë “shkëmb uji”, ndërsa veten “myshqe deti”. “Gjithsesi jeta kalon- të thonë-, në pritje të ndonjë të papriture që deri tani s’ka ndodhur. Ne ishim të përgatitur për gjithçka, por vendi juaj është i qetë dhe mikpritës”.

Për zgjedhjet ata nuk dinë të kenë marrë ndonjë urdhër nga eprorët, por kanë mësuar nga gazetat shqiptare se “Alba” do të luajë një vend të rëndësishëm në ruajtjen e vëzhguesve të OSBE-së. Ndërkaq, pasi ne kemi përfunduar pyetjet, na ftojnë të shijojmë gatimin karakteristik spanjoll dhe nisin ata intervistën e tyre për gjendjen në Tiranë, bombat për të cilat kanë dëgjuar, përqindjet e votimeve, publikuar paraprakisht, në do të fitojë drejtori i “Koha Jonë” në zgjedhje dhe ç’mundësi ka ai për të ndihmuar Lezhën.

Ndërkaq na afrohet një ushtar spanjoll të cilin shokët nuk e thërrasin më Pepe, por Skënderbe. Me këtë emër e kanë pagëzuar lezhjanët, të cilët e thirrën kështu qysh ditën e parë kur e panë. Pepe shpjegon se është interesuar për historinë e Skënderbeut dhe e kënaq shumë emri i ri, madje dhe kur të shkojë në Spanjë do vazhdojë të quhet Skënderbe, jo më Pepe.