Viktor Gjikolaj: Mirdita e Kuqe, një togfjalësh i moçëm

Viktor Gjikolaj: Mirdita e Kuqe, një togfjalësh i moçëm

114
0
SHPËRNDAJE

Kur kam udhëtuar jashtë Mirditës, më kanë pyetur shpesh: Përse krahinën tuaj emërmadhe e quajnë “Mirdita e kuqe”? E kam përcjellur me heshtje në fillim pastaj kam pyetur veten: Përse kjo kureshtje e bashkëbiseduesve të mi në Lezhë, Shkodër, Tiranë, Tepelenë, Vlorë, Gjakove… Më qe dukur disi provokuese, jo thjesht një kureshtje . Pastaj e vërteta ishte se nuk qeshë marrë kurrë me semantikën e këtij togfalëshi. Pyeta edhe unë, njerëz të moshave të ndryshme, shfletova për ta gjetur të shkruar gjëkundi në çfarë do trajte që të ish. Bashkëfolësit e mi, më përmendën disa këngë, që këndoheshin nga mirditasit dhe jo vetëm.

Këngë të shkruara në vitet ‘50-të e ‘60 të shekullit të kaluar, këngë që porositeshin nga Mirdita zyrtare për t’i kënduar në përvjetore të rënësh, në manifestime të madha folklorike, për katër heroinat e Mirditës, për personazhe të tjerë historikë të krahinës. (Ne disa këngë e ligjërata, thuhej: Mirdita e kuqe e Bardhok Bibës dhe Ndrec Ndue Gjokës). Ne mundëm të gjejmë në disa këngë të asaj kohe, togfjalshin, që përmendëm, si:

Skuqën malet katër nuse

Prandaj i thonë, Mirdita e kuqe.

Këto janë marrë nga një këngë e viteve ‘80- të , e cila u kushtohej katër heroinave të Mirditës.

Lot, mos qit Mirdita e Kuqe

Ballin nalt për jet e mot

Ka me t’ba partia nuse

Si e desht Bardhoku jot.

Marrë nga një këngë kushtuar Bardhok Bibës e shkruar në fillim të viteve ‚70-të dhe e kënduar nga  ansambli i Mirditës.

Shkrepi dielli i mëngjesit

Shkëlqen vesa mbi burbuqe

Mirëmëngjes, Mirdita jonë,

Mirëmëngjes, Mirditë e kuqe!

Është e viteve shtatëdhjetë, e kompozuar nga një kompozitor profesionist.

Në një kronikë të kohës së diktaturës lexova: Mirdita e kuqe e Partisë po i pret festat e nëntorit me rezultate të larta…

Ka dhe të tjera rasa, që për motive të kohës të jetë thirrur me këtë togfalësh nëpër koferenca, forma edukimi, gjyqe politike, etj.

Ndjeva se pyetjet, që më janë drejtuar, herë mbartnin ironi e jo rrallë nostalgji. Mirdita, shënjestra e terrorit të kuq, Mirdita e rezistencës epike anti-komuniste, që i dha kësaj epopeje shumë martirë dhe e pagoi me burgje dhe internime, në vitet e pluralizmit në Shqipëri ka mbështetur të majtën…(!!)

Natyrisht nostaligjikët duan ta evokojnë këtë kohë si epoka e kuqe e socializmit fitimtarë, si e mira që populli ynë kishte kërkuar në shekuj… Ata inspiruan që Mirdita në propagandën e kuqe të ishte vetëm e kuqe, nenkupto: e shtypur nga diktatura, që në kërthizë të saj i ngriti burgun më famëkeq të Shqipërisë komuniste, burgun e Spaçit. Edhe sot e gjithë ditën këto këngë i hedhin në rrjetet sociale .

***

Teksa, studiuesi Preng Gjergj Gjomarkaj, po përgatiste për botim monografinë e hershme të Zef Mark Harapit, “Mirdita në gojëdhëna, histori dhe etnokulturë, deri në vjetin 1929”, gjeta të shkruar këtë togfjalësh, në një këngë të njohur të viteve 20-të, të shekullit të kaluar:

U çue Dibra me saruqe

Për me i ra Mirditës së kuqe.

Poeti popullor nuk e ka improvizuar togfjalëshin, thjesht e vetëm  për rimë. Ai e ka bart prej motesh e dëgjuar prej paraardhësve të tij. E thënë ndryshe Mirdita e kuqe qe thirrur shumë herët.

Ka do vjet që shkruhet për Mirditën, por edhe mbarë e prapë si thotë një fjalë e popullit. Jo rrallë e ngrenë në qiell, me një etnocentrizëm të pashembullt, hiberbola që veçsa ia ulin vlerat e vërteta identitare. Njerëz që i shpifen kësaj pune, që vetëshpallen “historianë”, poetë, gazetarë, rapsodë pafund, që e quajnë veten ,“kantautorë”, etj. Mirdita, është një unitet krahinor i krijuar jo shumë herët si i tillë, e që lidhet më së shumti me sagën e Derës Princërore të Gjomarkut.

Një unitet, që u formësua nëpër kohna, deri kur rreh vitit 1850, ajo si union numëronte dymbëdhjetë njësi (bajrakë, struktura lokale të Perndorisë Osmane, 1735, kryesisht në zona që banoheshin nga katolikët). Sigurisht në truallin e vjetër ilirian të Pirustëve, prinërve arbëror Progon e Dhimitër, të Dukagjinëve, ku Mirdita shtrihet si etnitet e territor.

Dikush ngrihet e thotë se Mirdita është 3000-vjeçare se “Asht zemra e kombit, ku u rrita..”. Diku mburret se: Jam Mirdita si kam qenë, një tjetër thërret: Qohu Mirdita e Kastriotit! Po kush po na sulmon?! Kujt kundër do ngrihemi?! Mirdita – Vadikani i Ballkanit e Mirdita republikë,etj, etj. Këto këngë këndohen ne mjedise publike e as kush nuk reagon…

***

Le ta rimarrim argumentin e të përpiqemi të themi se përse krahina e mori epitetit “e kuqe”.

Prej se, në ato male, brigje e kreshta, jetonte një fis luftarak? Se pirustët qenë metalurgët e parë, që i shkrinin ceherorët e bakrit e llava e kuqe ngrihej deri në qiell? A prej nenit të kodit penal të drejtës zakonore Gjak për gjak, pra të institucionit të gjakmarrjes?

Dikush mund të thotë me të drejtë: këto janë thjeshtë pyetje hipotetike, pjesë e procesit hulumtues. Krejt e drejtë.

Mirditasit janë të besimit katolik (besnikë të papërkulur te fesë katolike, por jo aq besimtarë). Të ketë marrë këtë mbiemër thelbësisht me ngjyresë religjioze (vena asht gjaku, e buka, korpi i Krishtit)?!

Pat ardh një kohë, kur Mirdita rrethohej e gjitha nga popullsi e besimit mysliman. Përpos kësaj krahina gëzonte autonomi nga Perandoria Osmane dhe për sa përmendëm, zonat për rreth ta kenë pagëzuar me epitetin “e kuqe”, për ta veçuar prej të tjerash?

Sa thamë nuk shkokëlojnë pse-në.

Në kostumet popullore të Mirditës dominojnë e kuqja dhe e zeza mbi sfond të bardhë. Duvaku i nuses gjithashtu, i kuq si flamuri ynë. Në letërsinë orale, simbolet,metaforat, krahasimet kanë të kuqen.

Kur vjen nusja në katund, gratë dasmore këndojnë:

Atje tej nji gur i kuq

Po na vjen nusja me krushq.

Në këngët liriko- erotike:

Mollë e kuqe, Ç’ban andej,

Merre udhën dil këtej…

Thua të jetë i moçëm sa kënga, togfajëshi Mirdita e kuqe…?!