Karakteri jogrek dhe josllav i Gadishullit tonë Ilirik, një histori ndryshe

Karakteri jogrek dhe josllav i Gadishullit tonë Ilirik, një histori ndryshe

454
0
SHPËRNDAJE

Asnjë popull që banon në këtë rajon dhe asnjë shtet që aktualisht përfshin të territorin e tij pjesë të rajonit gjeografik të njohur historikisht me emrin Maqedoni (krahina pellazge-ilire-shqiptare Emadhia, Maqedhonia) nuk ka të drejtë të ndërtojë identitet kombëtar, kulturor dhe gjuhësor, as edhe shtet kombëtar të veçantë…

Identitetet kombëtare dhe shtetërore nuk mund të ndërtohen mbi histori të falsifikuara, kultura të përvetësuara dhe territore të pushtuara, siç ka ngjarë me grekët dhe sllavët gjatë shekujve të fundit mbi trojet etnike ilire-shqiptare në Gadishullin Ilirik. Ky falsifikim dhe kjo përmbysje e së vërtetës historike ende mund të funksionojë në mentalitetin primitiv të popujve të këtij rajoni, por nuk mund të imponohet edhe në vetëdijen e popujve të qytetëruar të botës.

Fqinjësia e mirë, në paqe e harmoni, me mirëbesim dhe perspektivë evropiane mes popujve të këtij rajoni mund të ndërtohet vetëm mbi bazë të së vërtetës historike, e cila është falsifikuar dhe keqpërdorur deri më sot nga politikat shoviniste dhe ekspansioniste greke dhe sllave.

Asnjë popull që banon në këtë rajon dhe asnjë shtet që aktualisht përfshin të territorin e tij pjesë të rajonit gjeografik të njohur historikisht me emrin Maqedoni (krahina pellazge-ilire-shqiptare Emadhia, Maqedhonia) nuk ka të drejtë të ndërtojë identitet kombëtar, kulturor dhe gjuhësor, as edhe shtet kombëtar të veçantë, mbi bazë të këtij termi gjeografik, të rajonit i cili përfshin 67,000 km² dhe aktualisht është i ndarë në disa pjesë mes shteteve të këtij rajoni, Maqedonisë, Bullgarisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Serbisë.

Shqiptarët që janë populli i vetëm i lashtë dhe autokton në këtë rajon, duhet t’ua përkujtojnë grekëve dhe sllavëve, se ata janë të ardhur shumë vonë në këto hapësira, dhe përkundër falsifikimit të historisë, përvetësimit të kulturës, shkrimeve dhe besimeve fetare nga populli vendës, asnjëherë nuk do të arrijnë të ndërtojnë identitete të rrejshme kombëtare dhe shtetërore mbi territore të huaja, por vetëm duke i respektuar vlerat qytetëruese dhe duke kontribuar për fqinjësi të sinqertë e mirëbesim, në interes të paqes, sigurisë ndërkombëtare dhe progresit të përbashkët në këtë rajon.

Çmenduria nacionalshoviniste greke e kërcënon paqen në rajon dhe sigurinë ndërkombëtare 

Edhe gjatë ditëve të fundit nuk pushojnë protestat në Greqi kundër marrëveshjes së arritur mes qeverisë së Maqedonisë dhe qeverisë së Greqisë, me ndërmjetësim të OKB-së, për zgjidhjen e kontestit 25-vjeçar për emrin e shtetit të Maqedonisë.

Me dhjetëra organizata, parti politike dhe lëvizje fetare greke-ortodokse në këtë shtet kanë arritur të nxjerrin në protesta me mijëra qytetarë për ta kundërshtuar këtë marrëveshje, e cila nga faktorët ndërkombëtarë më të rëndësishëm është vlerësuar si zgjidhje optimale dhe e pranueshme për të gjitha palët.

Kjo eufori nacionalshoviniste është frymëzuar nga propaganda greke, e cila me dekada i ka helmuar qytetarët e saj, përmes literaturës, programeve shkollore, mediave dhe qëndrimeve të politikës zyrtare, të cilat kanë krijuar bindje dhe krenari të rrejshme tek këta qytetarë, kinse gjithçka që lidhet me emrin „Maqedoni“ është greke, madje edhe historia, kultura dhe gjuha e popujve jogrekë që jetojnë në rajonin gjeografik me këtë emër, i cili nuk përfshin vetëm pjesën e Maqedonisë e cila aktualisht gjendet në shtetin grek, por edhe pjesë të rajonit gjeografik të Maqedonisë në shtetet tjera fqinje të saj, sidomos në shtetin e Maqedonisë dhe në Bullgari.

„Për ne, Maqedonia është Greqi dhe Greqia është Maqedoni“, ka deklaruar këto ditë në parlamentin grek ministrja për Maqedoni dhe Traki, Maria Kolia Caruha, nga radhët e partisë „Grekët e pavarur“.

Kjo deklaratë dhe jo vetëm, është tepër shoviniste, kundërhistorike, joshkencore dhe përbën kërcënim të hapur ndaj shteteve fqinje të Greqisë, duke pasur parasysh se rajoni gjeografik i Maqedonisë përfshin territore edhe të shteteve të tjera fqinje të Greqisë, si Bullgaria dhe Maqedonia, prandaj, kjo deklaratë duhet të trajtohet seriozisht dhe të dënohet edhe nga faktori ndërkombëtar.

Bullgaria në heshtje pretendon krijimin e shtetit të dytë bullgar në Maqedoni  

Në anën tjetër, Bozhidar Dimitrov, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar të Bullgarisë, disa herë ka deklaruar se emri i vërtetë i Maqedonisë duhet të jetë „Bullgaria Jugperëndimore”.

Sipas tij, Greqia ka të drejtë në kontestin për emrin sepse territori i Maqedonisë antike është përreth Selanikut. Dimitrov konsideron se Greqia nuk do të pranojë asnjë emër që përfshin emrin „Maqedoni”.

Dimitrovi disa herë ka deklaruar se në rajonin e Maqedonisë së sotme kanë jetuar popuj të tjerë, si Ilirët, Pajonët, Dardanët dhe se vendi është quajtur Iliri ose Dardani.

Këto qëndrime nuk i kanë konfirmuar, e as nuk i kanë demantuar organet zyrtare të shtetit bullgar, ndërkohë që është dashur të pasojnë reagime edhe nga organet e pushtetit në Maqedoni, por edhe nga shtetet tjera fqinje, Greqia, Serbia, Kosova dhe Shqipëria. Me ashpërsi dhe argumente shkencore, këtë deklaratë të zyrtarit bullgar në lidhje me emrin e ri të shtetit të Maqedonisë e kanë kundërshtuar disa studiues shqiptarë, njohës të mirë i historisë së popullit shqiptar dhe të rajonit.

Sipas deklaratës së zyrtarit bullgar, bëhet e qartë ajo që e kam përsëritur unë në dhjetëra shkrime dhe analiza, që nga simpoziumi shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, në vitin 1991, se dy shtetet fqinje të Maqedonisë së sotme, Serbia dhe Bullgaria, hapur ose fshehur, përherë e kanë konsideruar këtë shtet të krijuar në vitin 1944, përkatësisht më 1991, si shtet të dytë të tyre, si shteti i dytë bullgar, përkatësisht shteti i dytë serb.

Nga këtu edhe burojnë krizat e vazhdueshme politike dhe ekonomike në Maqedoninë e pas pavarësisë, jo vetëm për shkak të kontestit për emrin e shtetit me Greqinë.

Territori gjeografik i njohur historikisht me emrin Maqedoni, në vitin 1913 është ndarë me Traktatin e Bukureshtit, mes Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë. Në pjesën që e pushtoi Serbia, të njohur si „Maqedhonia e Vardarit”, pas luftërave ballkanike, e cila në pjesën më të madhe shtrihen mbi terrritoret etnike shqiptare, ku u krijua shteti i sotëm i Maqedonisë.

Çuditërisht, vetëm pala shqiptare ka heshtur gjatë gjithë kësaj kohe, edhe Tirana dhe Prishtina zyrtare, e sidomos përfaqësuesit shqiptarë në pushtetin e këtij shteti të pavarësuar pas shkatërrimit të ish federatës jugosllave, të njohur ndërkombëtarisht si ish republikë jugosllave.

Përmes kësaj deklarate të zyrtarit të lartë bullgar, një fakt është i pamohueshëm edhe për qarqet shkencore dhe politike të shteteve fqinje, se në territorin e Maqedonisë së sotme përgjatë historisë kanë jetuar dhe sunduar kryesisht ilirët, pajonët dhe dardanët, përkatësisht shqiptarët, të cilët edhe përkundër shpërnguljeve të shumëta, dhunës dhe terrorit të vazhdueshëm ndaj tyre nga pushtuesit dhe sunduesit e derisotëm, edhe aktualisht shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë në këtë shtet, janë i vetmi popull autokton dhe paraqesin faktorin kryesor për zgjidhjen e problemeve në Maqedoni dhe rreth saj, sot dhe në të ardhmen./tetovasot.com/