1981: Trazirat e Prishtinës dhe refuzimi i Enver Hoxhës për të pasur...

1981: Trazirat e Prishtinës dhe refuzimi i Enver Hoxhës për të pasur kontakte me Kosovën

841
0
SHPËRNDAJE

Publicisti i famshëm gjerman Viktor Meier mbi demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë, prapambetjen ekonomike të Kosovës, «proletarët intelektual» pa përvojë jetësore dhe Shqipërinë e Enver Hoxhës, e cila refuzonte kontaktet me Kosovën për shkak të atmosferës më të lirë dhe më liberale, e cila mund të kishte ndikim «subversiv» ndaj Shqipërisë.

«Përkundër shumë intervistave dhe bisedave autori deri në ditën e sotme nuk ka arritur ta ketë as për së afërmi të qartë se çfarë dëshironin konkretisht demonstruesit shqiptarë të marsit dhe prillit 1981. Shqiptarët si kombësi në Jugosllavi dhe krahina e Kosovës si «element konstituiv» tashmë ishin konfirmuar: politikanët kryesorë shqiptarë në Kosovën e asaj kohe, një kombinim deri-diku funksional i njerëzve më të vjetër dhe të rinjve, përfitonin nga zhvillimi në përgjithësi i suksesshëm. Nga fondi federativ për republikat dhe krahinat e pazhvilluara rridhnin mjete të konsiderueshme në Kosovë, e cila në kuadër të balancës financiare madje dukshëm u favorizua në krahasim me rajonet e tjera të pazhvilluara të Jugosllavisë. Natyrisht edhe atëherë kishte pikëpamje se mjetet për investim që transferoheshin në krahinë keqpërdoreshin. Prishtina u bë kryeqytet reprezentativ. Pas godinave ambicioze mund të shihje dëshirën e shtresës së re intelektuale të Kosovës që këtu të krijohet një qendër së paku e barasvlershme e kombit shqiptar në raport me Tiranën. Rëndësi të veçantë kishte zgjerimi i shpejtë i Universitetit të Prishtinës, i cili që në vitin 1979 kishte nëntë fakultete dhe ndiqej prej 24 mijë studentëve, prej tyre 17’700 shqiptarë.

Nga ana tjetër është e saktë se zhvillimi ekonomik i Kosovës përkundër të gjitha kontributeve mbeti edhe më tutje pas zhvillimit jugosllav dhe distanca mes Kosovës dhe republikave të zhvilluara të Jugosllavisë u bë më e madhe në vend se të ngushtohej. Përgjegjës për këtë ishte para së gjithash shtimi i lartë i popullsisë. Mes viteve 1971 dhe 1981 popullsia e Kosovës u shtua për 27,4 për qind kundrejt 8,9 për qind të mesatares jugosllave. Ka pasur përherë shqiptarë, të cilët rritjen e madhe të popullsisë në radhët e nacionalitetit të tyre e shihnin si armë për afirmim kombëtar. Si pasojë e këtij zhvillimi të popullsisë në Kosovë kishte një numër të madh të papunësh. Në vitin 1979 numri i njerëzve që ishin në marrëdhënie pune ishte 107 në 1000 banorë kundrejt 253 në mesataren jugosllave. Por duhet marrë parasysh strukturën sociale të Kosovës; si atëherë edhe sot mbizotëronte bujqësia dhe në familjet e mëdha nocionet punësim dhe papunësi zakonisht përzihen. Përndryshe në rastin e ish-Jugosllavisë është treguar se elementi ekonomik ka luajtur rol minor me rastin e shpërthimit të konflikteve të ndryshme. Këtu nuk mund të shihet një arsye qenësore për demonstratat e vitit 1981. Sidomos ata që i organizuan në mënyrë esenciale demonstratat, pra studentët e Universitetit të Prishtinës, vuanin më së paku nga deformimet ekonomike.

Azem Vllasi, i cili pas vitit 1981 u ngjit në qiellin e Kosovës si yll i ri politik dhe një kohë të gjatë, deri kur kërcënimi serb u bë dominues, konsiderohej ithtar veçanërisht i zellshëm i vijës «jugosllave» në mesin e shqiptarëve të Kosovës, në biseda vazhdimisht ka thënë se demonstratat e vitit 1981 ishin organizuar nga grupet tejet sektare, pjesërisht reaksionare-komuniste, pjesërisht reaksionare-nacionaliste, në përfytyrimin e të cilave komunizmi reaksionar u ndërlidh në mënyrë konfuze, me njohje sipërfaqësore të rrethanave, me romantikën kombëtare të bashkimit. Bëhej fjalë, sipas tij, për pikëpamje tipike të «proletarëve intelektual» pa përvojë jetësore; ata e kishin marrë si model regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri dhe komunizmin e tij të epokës së gurit, pa e njohur atë; ata kishin besuar se duke e adoptuar atë dhe përmes bashkimit të shqiptarëve do të zgjidheshin si çështjet ekonomike ashtu edhe ato nacionale.

Nuk ishin autoritetet e Kosovës që kundërshtuan kontaktet me Shqipërinë. Më 1972 përfaqësuesit e Kosovës në Kongresin mbarëshqiptar të Drejtshkrimit në Tiranë kishin pranuar adoptimin e gjuhës letrare të bazuar në dialektin tosk, i cili ishte në fuqi në Shqipëri, dhe në fund të viteve ’70 një grup profesorësh nga Tirana, kryesisht të shkencave natyrore, jepte mësim në Universitetin e Prishtinës. Ishte regjimi i Enver Hoxhës në Shqipëri, i cili kundërshtoi zgjerimin e kontakteve; ai kishte frikë se atmosfera më e lirë dhe kryesisht për shkak të gastarbajterëve më liberale në Kosovë, ku mund të praktikoje fenë lirshëm, mund të kishte ndikim «subversiv» ndaj Shqipërisë. Në Shqipëri refugjatët nga Kosova izoloheshin, burgoseshin apo iu dorëzoheshin autoriteteve jugosllave.

Gjatë një vizite në Shqipëri në vitin 1982 lehtë mund të konstatoje se atje në të vërtetë në mënyrë rutinore verbalisht shprehej solidaritet nacional me Kosovën, por atmosfera karakterizohej më shumë nga mosbesimi dhe antipatia. Sofokli Lazri, më herët kryeredaktor i organit partiak «Zëri i Popullit» dhe pastaj drejtor i Institutit për Politikë të Jashtme, këtë e arsyetonte si vijon: Mahmut Bakalli i paskësh thënë atij se në vitin 1968 Tito qartë ua kishte lënë duart e lira shqiptarëve të Kosovës për definimin e marrëdhënieve me Shqipërinë; këtë Bakalli e paskësh ndërlidhur me vërejtjen se zgjerimi i këtyre marrëdhënieve duhet të shoqërohet me përmirësimin e përgjithshëm të raporteve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Kjo, sipas Lazrit, në Tiranë kishte zgjuar dyshimin se Tito dëshironte t’i përdorte kosovarët për ta «zbutur» regjimin në Shqipëri. Kështu, thoshte ai, mund të shpjegohet mosbesimi. Shqipëria, vazhdonte Lazri, nuk dëshiron të përzihet drejtpërdrejtë në Kosovë; ky problem duhet të zgjidhet në kuadër të Jugosllavisë, dhe Shqipëria është e interesuar për një Jugosllavi stabile. Simpati direkte për regjimin e Enver Hoxhës nuk mund të vërehet te demonstruesit në Kosovë, momenti nacional është vendimtar, deklaronte Lazri.

Pa marrë parasysh se nga cila anë i vështron gjërat, prapëseprapë imponohet përfundimi se demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, për dallim nga ato të vitit 1968, është vështirë të justifikohen. Për shqiptarët, por natyrisht edhe për mbarë zhvillimin jugosllav, ato patën ndikim katastrofal. Po aq katastrofal ishte edhe reagimi i udhëheqjes së atëhershme politike shqiptare në Kosovë. Me besimin e patundur në Jugosllavinë federative, socialiste dhe me pikëpamjen kategorike se e ardhmja e Kosovës mund të jetë vetëm brenda saj, udhëheqja kosovare reagoi me kundërdhunë ndaj kryengritjes irracionale të një pjese të elitës së saj të re kundër rrugës jugosllave. Ajo besonte se «njollën» e demonstratave mund ta pastronte me mjete të ashpra nga gëzofi i vet, në mënyrë që pastaj e pastër të mund të futej në rreshtin jugosllavo-socialist. Me metodat e saj ajo dobësoi solidaritetin dhe rrjedhimisht edhe fuqinë kryengritëse politike të shqiptarëve të Kosovës bashkë me strukturat e tyre politike. Më vonë u pa se Jugosllavia socialiste nuk dëshironte t’i mbronte as statusin kushtetues të Kosovës, as të drejtat e kombësisë shqiptare kundrejt nacionalizimit serb.

(Përktheu: E.R.)

[Shkëputur nga libri i Viktor Meierit: «Si u humb Jugosllavia»]