Arbëria e Arianitëve

Arbëria e Arianitëve

2041
0
SHPËRNDAJE

Arianitët ishin një nga familjet më të njohura fisnike shqiptare. Zotërimet e tyre shtriheshin përgjatë luginës së Shkumbinit, Rrugës Egnatia dhe në lindje arrinin deri në afërsi të Manastirit.

Emri i kësaj familjeje fisnike, për herë të parë haset në shekullin XI në veprën “Përmbledhje historish” të Gjergj Kedrenit. Ai tregon se në fillim të shekullit XI perandori i Bizantit emëroi patricin David Arianiti si strateg të Selanikut dhe më pas si strateg të Shkupit. Ai luftoi kundër bullgarëve në Strumcë dhe në Shkup. Djali i tij Kostandini përmendet në vitet 1049-1050 si ushtarak në shërbim të Kishës Bizantine.. Në marrëveshjen që Karl Anzhu lidhi me fisnikët shqiptarë do të përmendet edhe sebasti Aleks Arianiti. Emri i pinjollëve të kësaj familjeje do të përmenden dhe në vitin 1304 nga Filippi i Tarentit. Ai deklaron se Arianitëve ashtu si shumë princërve të tjerë të mëparshëm do t’u njiheshin privilegjet që kishin.

Nga të gjitha të dhënat del qartë se Arianitët ishin një familje fisnike e vjetër e Shqipërisë Qëndrore, një ndër më të njohurat dhe me ndikim të veçantë dhe për shkak se kishin në zotërim rrugën Egnatia nëpër të cilën lëviznin të gjitha karvanët e tregtisë së drithit, kripës dhe mallrave të tjera.

Veprimtaria politike e Arianitëve do të pasqyrohet më mirë në dokumentet e shek. XV, kur ata, prej pushtimeve osmane, humbën rajonet e pasura lindore dhe filluan të ndiqnin një politikë më aktive, sidomos qysh nga vitet 30 e më pas, kur Gjergj Arianiti korri një varg fitoresh kundër ushtrive osmane.

Arianitët kishin dhe mbiemra të tjerë si Komneni, Golemi, Çermenika si dhe shumë tituj fisnikërie. Titujt ishin të trashëguar dhe dëshmonin për lidhjet e fuqishme krushqie që kishin me familjet e tjera fisnike, duke përfshirë dhe ato të Bizantit nga ku morën mbiemrin Komneni. Arianitët kishin simbolet e veta.

Pema gjenealogjike e kësaj familjeje nuk mund të ndërtohet shumë e qartë. Sipas Marin Barletit i ati i Gjergj Arianitit ishte Komnen Arianiti. Ky qe martuar me vajzën e Nikollë Sakatit, që kishte edhe mbiemrin Zaharia, zot i qytetit port të Buduas. Komnen Arianiti pati tre djem (Gjergjin, Muzakën dhe Vladanin), si dhe një vajzë që u martua me Pal Dukagjinin.

Muzakë Arianiti kishte vetëm një djalë, Moisiun, bashkëluftëtarin e njohur të Skënderbeut, që njihet kryesisht me mbiemrin Golemi (Moisi Golemi). Ky u martua me Zafinë Muzakën, ish-gruan e Muzakë Topisë, i cili u rimartua me të motrën e Skënderbeut, Mamicën. Vëllai i vogël i Gjergj Arianitit, Vladani, u martua me vajzën e Gjon Kastriotit, Angjelinën, shumë kohë përpara se Skënderbeu të dilte në krye të luftës antiosmane të shqiptarëve. Djali i tyre Muzaka (i cilësuar si Muzaka i Angjelinës, për t`u dalluar nga i ungji) do të ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës të vitit 1444.

Veprimtaria politike dhe ushtarake e djalit të madh të Komnen Arianitit, Gjergjit, i dha familjes fisnike shqiptare të Arianitëve emër e peshë të veçantë në jetën politike të Shqipërisë.

Gjergj Arianiti u martua me Marie Muzakën, me të cilën pati tetë vajza. Vdekja e saj bëri që, më pas, Gjergji të martohej me italianen Despina (ose Petrina) Frankone, vajzë e guvernatorit të qytetit Leçe të Mbretërisë së Napolit. Me të Gjergj Arianiti pati tre djem (Thomanë, Kostandinin dhe Arianitin) dhe një vajzë.

Zotërimet që i përkisnin Arianitëve si dhe shumë fisnikë të tjerë shqiptarë herë ngushtoheshin e herë zgjeroheshin. Por duke pasur zotërimet në një zonë shumë strategjike, Arianitët gëzonin një pozitë të veçantë në jetën ekonomike dhe politike të Shqipërisë. Dhe këtë gjë e tregonin dhe martesat me peshë që bënë Arianitët duke u lidhur me Kastriotët, Muzakajt, Dukagjinët e deri tek despoti serb Brankoviç si dhe me guvernatorin e Leçes.

Shtrirja e shtetit të Gjergj Arianitit në lindje ishte e thellë dhe kjo do të thoshte që ai kishte në zotërim fushat e Manastirit dhe Follorinës, që ishin rajone ku kultivohej drithi aq i domosdoshëm për popullatën dhe që kishte një çmim të ulët se në të gjitha rajonet e tjera. Për një kohë të gjatë nën zotërimin e tij ka qenë dhe rajoni i Ohrit, nga ku siguroheshin të ardhura të mëdha nga peshkimi.

Nën zotërimin e Arianitëve mund të kenë qenë për një kohë edhe qytetet e Manastirit e të Follorinës, para se të binin nën pushtimin osman. Në këtë rajon Arianitët kanë zotëruar kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradi), që osmanët e ripagëzuan me emrin Demir Hisar, kështjellë në një pozicion kyç, nga mund të kontrolloheshin disa rrugë tregtare shumë të rëndësishme. Si kufij natyrorë jugorë të shtetit të Gjergj Arianitit kanë qenë lumi Devoll dhe zotërimet e Muzakajve, kurse në veri shteti i Kastriotëve. Në perëndim Arianitët kanë pasur dalje të gjerë në detin Adriatik në jug të Durrësit dhe në rajonin e Myzeqesë.

Gjergj Arianiti kërkonte të kishte nën zotërimin e tij edhe Vlorën e Kaninën bashkë me rrethinat e tyre, që formonin rajonin bregdetar shqiptar, i cili, në rrugë detare, ishte më afër bregdetit italian. Këto synime të Gjergj Arianitit kanë zënë vend në aktet zyrtare të marrëdhënieve të tij me Mbretërinë e Napolit. Gjurmë të tyre mbetën edhe pas vdekjes së Gjergjit. Një djalë dhe një nip i tij ushtruan detyrën e funksionarëve të lartë osmanë në rajonin e Vlorës. Në një dokument të fundit të shek. XV, ky rajon është shënuar si pjesë e “Arbërisë së Arianitit”, emërtim i përdorur krahas “Arbërisë së Skënderbeut”.

(Historia e Shqipërisë) – /konica.al/