MOIKOM ZEQO:Miti i manipuluar i Eneas së Butrintit

MOIKOM ZEQO:Miti i manipuluar i Eneas së Butrintit

382
0
SHPËRNDAJE

Mitizimi shpesh edhe politik i historisë së Butrintit duhet ballafaquar me shkencën rigoroze, – kjo pikë inkandeshente e bën arkeologun një dijetar të pavarur, me dyshim dekartian, dhe me maturi arsyetimi dhe optikë të patjetërsueshme zbulimi.

Nga MOIKOM ZEQO

E kam takuar dy herë arkeologun anglez Oliver Gilkes në Butrint dhe në Tiranë. Kemi biseduar për arkeologjinë dhe posaçërisht për Butrintin. Oliver Gilkes është kërkues shkencor në Institutin e Arkeologjisë Botërore në Norwich të Anglisë. Oliveri ka mbi 10 vite që punon në ekspozitat arkeologjike në qytetin e madh antik të Butrintit. Ai trajnon në mënyrë konceptuale arkeologët dhe studentët e rinj.

Oliver Gilkes gjithashtu ka shkruar sintezat e tij shkencore për gërmimet në Butrint, për metodat moderne të arkeologjisë dhe të leximit të qartë të relikteve dhe dëshmive historike. Mitizimi shpesh edhe politik i historisë së Butrintit duhet ballafaquar me shkencën rigoroze, – kjo pikë inkandeshente e bën arkeologun një dijetar të pavarur, me dyshim dekartian, dhe me maturi arsyetimi dhe optikë të patjetërsueshme zbulimi.

A është Butrinti Troja e Re? Përse Virgjili e përfshin Butrintin në rrëfenjën e tij si strukturë vizionare perandorake romake të Oktavian Augustit?

 Para unë eci e shoh një Trojë ndërtuar sipas shembullit të së madhes,

Një Pergam dhe një përrua të thatë me emrin e Ksanthit,

Duke hyrë putha pragun e portës Skea.

(Virgjili “Eneida” III 346-351)

Nga emocionet që përftohen duke parë Bradd Pitin në prodhimin hollivudian “Troja”, shumëkush mund të harrojë që Troja e dytë shtrihej në Butrint, në Shqipëri. Për shekuj me radhë, rrëfimi i Virgjilit se si Enea i shpëtoi rënies së Trojës, ka shërbyer si burim frymëzimi për studentët e botës klasike. Kështu me radhë nga Qirjaku i Ankonës, humanisti i shekullit të 15 që vizitoi Butrintin, te vizitorët e mëdhenj që vizituan Shqipërinë dhe Greqinë në shekullin e 19, e deri te Heinrich Shlieman. Këtë të fundit, mbresat e pashlyeshme, qysh nga fëmijëria e hershme, nga një imazh i Eneas duke shpëtuar nga qyteti i shkatërruar, e frymëzuan vite më vonë për të kërkuar qytetin e lashtë.

Poema e Virgjilit, “Eneida”, ndjek gjurmët e heroit trojan gjatë rrugës që ai bën për të plotësuar misionin e tij historik, për themelimin e Romës. Përgjatë rrugës, ai dhe shoqëruesit e tij patën shumë aventura, iu desh t’u bënte ballë shumë tundimeve që i viheshin qëllimisht përpara për ta shpërqendruar nga misioni i tij i vërtetë. Një nga këto ishte dhe ndalesa në Butrint, ku ai gjeti një koloni të vogël refugjatësh trojanë midis të cilëve gjendeshin dhe Helenusi, djali i mbretit Priam si dhe Andromaka, gruaja e Hektorit. Përse atëherë Virgjili e përfshiu Butrintin, historia dhe arkeologjia e të cilit flasin për një qytet jo shumë të madh, në rrëfenjën e tij?!

Shpjegimi është i lidhur me shumë arsye më të gjera që lidhen me faktin që Virgjili nuk ishte thjesht një poet, por një fenermbajtës për programet e Oktavian Augustit në fund të shek. I p.K. Augusti kishte arritur vendin e parë në Shtetin Romak pas një sërë luftërash të përgjakshme civile që u zhvilluan pjesërisht edhe përgjatë bregdetit shqiptar.

Detyra e tij kryesore ishte të siguronte stabilitet dhe një “epokë të re të artë” si dhuratë për Mesdheun. Virgjili ishte vetëm njëri nga një rreth shkrimtarësh ku bënin pjesë dhe poetët Ovidi dhe Horaci si dhe historiani Livi, që gëzonin përkujdesjen e Augustit në përpjekjen e përbashkët për të hedhur themelet e një Rilindjeje Kulturore.

Në poemën e Virgjilit, udhëtimet e Eneas paralajmërojnë fundin e periudhës Perandorake të Romës. Virgjili zgjodhi si një nga vendndodhjet e ngjarjeve të tij Butrintin dhe Epirin për shkak të lidhjeve midis Augustit dhe fitores së tij mbi Antonin dhe Kleopatrën në Aktium, për shkak të marrëdhënieve shumë të afërta që kishte në atë kohë midis Epirit dhe Italisë për mëse një shekull. Roma pat vendosur një farë niveli kontrolli politik gjatë luftërave me Mbretërit Maqedonas, Filipi V dhe Perseu, gjatë të cilave seksione të tëra të Epirit (me përjashtim të rajonit të Butrintit) shtriheshin të pashfrytëzuara.

Gjithnjë e më tepër Butrinti filloi të bëhej një vend i modës për aristokratët romakë për të gjetur kënaqësitë pastorale të fshatit dhe shijuar kulturën e helenizuar. Oktavian Augusti vetë studionte për filozofi në shkollat e Apolonisë deri sa vrasja e Cezarit, ungjit të tij, e detyroi të hynte në punët publike. Edhe i famshmi Pompon Atiku, miku dhe letërkëmbyesi i Ciceronit, zotëronte toka pranë Butrintit dhe filloi të interesohej shumë për punët e qytetit dhe të punonte në emër të tij, në kohën kur aty u ngrit një koloni nga Cezari dhe Augusti. Miti i Eneas shpjegon edhe pjesën më të madhe të interesit të treguar për Butrintin, por vetëm në vitin 1930, u bë një përpjekje për ta provuar këtë shkencërisht duke aplikuar teknikat arkeologjike. Në vitin 1928 një Mision Arkeologjik italian u dërgua nga Musolini, ekipi drejtohej nga Luigi Ugolini. Qëllimi i vërtetë ishte të ngrihej në Shqipërinë e Jugut një prezencë Italiane si pjesë e një programi politik dhe penetrimi ekonomik. Ekzistonte gjithashtu një justifikim më filozofik, fashistët kthenin kokën mbrapa te një Romë mitike dhe Perandorake si paraardhëse të tyre.

Mussolini e shihte veten e tij si kulminacionin e vazhdës së gjatë të heronjve romakë që zinin fill me Enean për të vazhduar te Romuli e Augusti.

Ugolini ishte dërguar për të gjetur gjurmët e Eneas.

Në 15 vite gërmimi, shumë monumente madhështore u zbuluan në Butrint, shumica datonin në periudhën e mbretit Pirro ose dhe më vonë. Ndërmjet këtyre ishin rrethimet e mureve të qytetit me portat e hyrjeve, një nga të cilat e njohur si Porta e Liqenit, është një shembull i shkëlqyer i ndërtimit helenistik të shek. VII p.K. I shtyrë nga dëshira për të gjetur dëshmi të ndalesës së Eneas në Butrint, Ugolini e pagëzoi këtë portë si Porta Skea, dhe argumentoi që Heroi Trojan hyri që këtu për në qytet për të takuar Mbretin Helenus. Kjo u përdor si një mjet i fuqishëm propagande me rastin e përvjetorit të 2000 të ditëlindjes së Virgjilit, në vitin 1931, dhe u prodhua një pullë që tregonte portën Skea prej nga ku Helenusi përshëndeste me dorë Enean në anijen e tij, që përngjasonte shumë me përshëndetjen e njohur fashiste.

Thellë brenda vetes, Ugolini megjithatë nuk besonte që Butrinti ishte pikërisht vendi ku kishte ndaluar Enea. Fare qartë ai besonte që legjenda e kishte një bazë të vërtetë, por mendonte që Enea pat ndaluar në Kalivo, në një qendër të Periudhës së Bronzit që shtrihet në bregun Jugor të Liqenit të Butrintit. Ai argumentonte që ky vend ngjante më shumë me përshkrimin e Virgjilit për “qytetin e lartë Buthrot”.

Ugolini gërmoi aty, por vdiq në vitin 1936 përpara se të botonte tërë rezultatet e gërmimit të tij.

Related image

Cila pra është e vërteta e Trojës së Re?

Që në vitet 50 arkeologët që kanë gërmuar nëpër varreza në Iliri dhe Epir kanë zbuluar një sërë objektesh artizanati, qeramike dhe metali, shpata, etj. që ose ishin të importuara ose të inspiruara nga Bota Homerike e Egjeut. S’kishte trojanë atëherë, por shumë romakë. Nga qyteti i Butrintit ka mbishkrime që dëshmojnë bujarinë e familjes së Atikut dhe padronëve të tjerë të kolonisë romake. Gërmimet nga Instituti i Arkeologjisë dhe Fondacioni Butrinti në vilën në Diapor përtej Liqenit të Butrintit kanë zbuluar diçka nga bota e Virgjilit dhe Augustit. Drejtorët e gërmimit të Diaporit, Luan Përzhita dhe Will Bowden kanë zbuluar një vilë të madhe, një nga të parat e zbuluar me teknikat moderne në gadishullin e Ballkanit, me një histori të gjatë. Zhvillimi i saj i mëtejshëm ndodhi më vonë në gjysmën e dytë të shek. I p.K., kur banjat, dhomat e ngrënies dhe banesat elegante mbulonin një seri tarracash përballë.

Butrintit, përgjatë ujit. Shumë më vonë, në ditët e vdekjes së botës antike, rreth 480 p.K. një kishë dhe një manastir i vogël u ndërtuan në gërmadhat e Kompleksit Romak. E gjithë kjo strukturë, nën të, përshkohet nga fragmentet e një kompleksi vilash që datohen në kohën e Ciceronit dhe Atikut, në shek. I p.K. Gërmimet këtu, synuan për të eksploruar më tej këto fragmente për t’ia shtuar grupit të vilave të kësaj date që rrethojnë Butrintin.

Legjenda e Eneas, megjithatë nuk përbën vetëm një mjet të propagandës romake, megjithëse qytetarët antikë të Butrintit krenoheshin me prejardhjen e tyre.

Në mes të monedhave të prodhuara në Butrint, si një vend aleat i Romës, ishte një monedhë e vogël bronzi e gjetur në Diapor në vitin 2003 që është unike.

Megjithëse shumë e konsumuar ajo tregon Enean dhe mikun e tij Ulas duke mbajtur Paladiumin e shenjtë të shpëtuar në Trojë.

Që tregon se si bashkëkohësit e Atikut përpiqeshin t’i shfrytëzonin sa më mirë mitet dhe legjendat e tyre.

Kaq i qartë është Oliver Giles sa mund të thuash sa e hedh tutje grimin dhe makiazhin mitologjik për të zbuluar fytyrën e vërtetë të Butrintit.

Mistifikimi si manipulim politik është i dyfishtë: në antikitet, në shekullin augustian dhe në shekullin XX. Oktavian Augusti zgjodhi Virgjilin.

Në shekullin XX fashisti Benito Musolini zgjodhi Luigi Ugolinin.

Është e pabesueshme që edhe “Eneida” e Virgjilit u instrumentalizua banalisht si parafjalë e pushtimit fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939.

Miti se princi Enea i Trojës erdhi në Butrint s’ka asnjë bazë historike. Lufta e Trojës ka ndodhur në shekullin XIII para Krishtit. Pse edhe Enea qe i këtij shekulli, në atë kohë Butrinti nuk ekzistonte fare.

Ugolini e ka ditur këtë, prandaj mendoi të kërkonte arkeologjikisht në një stacion të bronzit në Kalivo, në bregun jugor të liqenit të Butrintit.

Pra emërimi i Portës Skea qe një falsitet, një mashtrim banal shkencor. Por megjithatë puna disavjeçare e Ugolinit për zbulimin e Butrintit kërkon një vlerësim pozitivist të kondicionuar historikisht, por edhe si dëshmi arkeologjike./gazetadita.al/