Dosja me pseudonimin “Livadhi”, si jepej informacioni dhe zbatoheshin detyrat nga operativët

Dosja me pseudonimin “Livadhi”, si jepej informacioni dhe zbatoheshin detyrat nga operativët

534
0
SHPËRNDAJE

Mëkatarët/ Nga libri më i bujshëm në këta 25 vjet për dosjet e Sigurimit të Shtetit, rrëfimi i kreut të Komisionit të Kontrollit të Figurave, Nafiz Bezhani

Tani po i referohem dokumentacionit të një shefi tjetër rajoni, kapiten Sherif Ali Doku, ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në kategorinë e informatorit, me pseudonimin “Livadhi”. Dosja e tij në kategorinë e informatorit, me pseudonimin “Livadhi”. Dosja e tij me nr. 23642 ishte plot me informacione dhe analiza të hollësishme, në zbatim të detyrave të një operativi “Zemër ujk”, të përcaktuara në “vija sjellje”, shumica e të cilave me përmbajtje antiligjore. Por duke i lexuar me kujdes raportet e tij, vëren me kënaqësi se ato janë tërësisht objektive dhe nuk u janë përgjigjur qëllimeve denigruese të operativit. Edhe pse në “vijat e sjelljes” flitej hapur për elementë armiq të sistemit socialist, informatori nuk ka raportuar asnjë provë që do të shërbente për inkriminimin e të prezumuarve armiq. Edhe për këtë ish-informatori të Sigurimit të Shtetit propozova të ndiqej e njëjta praktikë, pra, t’i kalohej për kompetencë ministrit të Punëve të Brendshme. Por një nga anëtarët e theu heshtjen dhe pyeti:

-Cili është operative që ka përpiluar këto “vija sjellje”?

-Ai është Martin Lasku, por aktualisht ndodhet në emigracion.

Meqenëse nuk kishte pyetje të tjera, fillova të lexoj një listë me ish informatorë të Sigurimit të Shtetit që aktualisht punonin si shoqërues personalitetesh apo në shërbime të tjera të Gardës së Republikës, që gjithashtu ishte në vartësi të Ministrisë së Punëve të brendshme. Kjo listë ishte me gjashtë persona, por vetëm njëri prej tyre paraqiste rëndësi shqyrtimi. Një nga oficerët me pseudonimin “Morgan”, i caktuar me shërbim pranë Kuvendit Popullor, nuk kishte asnjë aktivitet, ndërsa shoqëruesit me pseudonimin “Shkumbini”, “Zgalemi”, “Bredhi” dhe “Valbona”, ishin tërhequr si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit në kategorinë e informatorit gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak dhe dosjet e tyre nuk kishin asgjë të rëndësishme. Por, një paraqitje tjetër kishin dokumentet e ish “Rezidentit” me pseudonimin “Stilografi”, i cili kishte ushtruar një aktivitet të gjerë me gjashtë informatorët që kishte në drejtim të tij. Prandaj, me qenë se ai ishte ngarkuar me detyra të rëndësishme, shpreha mendimin se duhej të relatohej Dikasterit përkatës me hollësitë e nevojshme.

Kur mbarova leximin e listës, së bashku me propozimet e mia, një nga anëtarët e Komisionit, që shpesh tregohej më i vendosur nga të tjerë dhe kritik në marrjen e vendimeve, e mori menjëherë fjalën dhe tha:

-Mendoj, zoti Kryetar, se gjërat nuk duhen kaluar kaq lehtë. Ne na është besuar kjo përgjegjësi e madhe nga Shteti dhe përgjigjemi për fatet e demokracisë. Si mund t’i kalojmë kaq lehtë këto gjëra? Kemi të bëjmë me persona të rrezikshëm, që kanë qenë sigurimsa, që kanë bërë krime dhe tani mbahen në poste të rëndësishme, në vend që të japin llogari. A, të lutëm… Ata duhet të largohen menjëherë nga funksionet që kanë. Ndërhyrja flakë për flakë dhe me ton të ashpër e të vendosur i këtij antari të Komisionit ngjalli habi në të gjithë kolegët, sepse në mbledhje u procedua sipas ligjit, duke diskutuar një për një dhe në përshtatje me kompetencat që i janë caktuar Komisionit. Ne, nuk mund të zbatonim kompetenca më të zgjeruara nga ato që na ka caktuar ligji, pra, nuk mund të shkarkojmë nga detyra rojet e Ministrave për shkak se kanë qenë informatorë të Sigurimit të Shtetit. Kjo është kompetencë e tyre ligjore. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje dhe më krijoi një shqetësim të papërmbajtur, ishte vërejtja që më bënte kolegu im për të qenë më i rreptë me ish sigurimsat, kriminelë! E, pra, pikërisht ai po më tregonte mua Sigurimin e Shtetit, që vuajta për 35 vjet, prej tij. Dhe këtë po ma tregonte një ish komunist i flaktë, po kaq fanatik në zbatim të vijës së Partisë, e veçanërisht në zbatim të luftës së klasave.

Ma tregonte një komunist që mbajti deri në fund triskën e asaj Partie që polli luftën e klasave, të asaj partie që legjitimoi krimin dhe duhej të përgjigjej për të gjitha veprat antinjerëzore. Dhe, në kushte të tilla, anëtarët e saj do të ishte mirë të punonin për demokracinë me kokën ulur, në vend që të kërkonin të mbajnë flamurin e luftëtarit demokrat.

Nxitimi i kolegut për të më dhënë ato këshilla, tregonte një mllef të pashpjegueshëm. Nuk mund të motivohet një urrejtje kaq e madhe për Sigurimin e Shtetit, kur personalisht ai dhe i gjithë rrethi i tij familjar, kanë qenë të privilegjuar e të përkëdhelur nga ai regjim. Prandaj m’u duk i përçmuar, jo vetëm për urrejtjen patologjike, që shprehu kundër njerëzve të thjeshtë, ish bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, por edhe për atë kërkesën antiligjore për të vendosur shkarkimin e tyre nga detyra jashtë kompetencave që na njeh ligja. Te kryesh veprime të tilla në kundërshtim me ligjin, do të thotë të biesh në pozitat e tyre. Luftëtarët për demokraci, dallohen nga të tjerët pikërisht për faktin se ata janë luftëtarë për mbrojtjen dhe zbatimin e ligjit. Dhe duhet pranuar me kënaqësi se Komisioni e ka bërë detyrën e vet në mbrojtje dhe zbatim të ligjit. Kush kërkon shkelje të normave ligjore, kërkon të na kthejë në inkuizitor, njëlloj si Sigurimi i Shtetit.

Komisioni, në tërësinë e vet, përbëhej nga anëtarë me përvojë dhe me pjekurinë e nevojshme për të trajtuar drejt problemet. Ata reaguan me arsyetime të shëndosha, duke bërë që të reflektonte dhe kolegu parafolës.

Në këtë mënyrë u arrit që të firmosej nga të gjithë vendimi që çështja e diskutuar t’i relatohej ministrit të Punëve të Brendshme. Në këtë çast, u krijua përshtypja sikur mbledhja mori fund dhe mbajtësi i procesverbalit më dorëzoi procesverbalin. E shikova me habi dhe e pyeta me të qeshur:

-U mërzitët?

-Pse, nuk mbaruam?
-Dhëndri rruhet në fund”, – thotë populli. Dhe ky fund mund të jetë edhe më i vështirë, prandaj mbaje e mos e lësho nga duart.

Ishte me të vërtetë pjesa më e vështirë e mbledhjes. Për herë të parë Komisioni do të diskutonte dhe do të vendoste për rehabilitimin e dy të penalizuarve, kërkesë që nuk mund të kalonte lehtë, jo vetëm se personat e propozuar për rehabilitim kishin qenë kuadro drejtuese të Sigurimit të Shtetit, por edhe për faktin që nuk kishte veçse pak muaj që ky komision kishte shqyrtuar pastërtinë e figurës së tyre dhe kishte vendosur shkarkimin e menjëhershëm nga detyrat që u ishin ngarkuar.

Rehabilitimi i personave në diskutim ishte kërkuar nga Ministri i Punëve të Brendshme dhe Kryetari i SHIK-ut, të bazuar në ligjin nr. 8020 dt. 15.1.1998, ku Komisionit të Kontrollit të Figurës së Zyrtarit në funksione të larta shtetërore i njihej e drejta edhe për rehabilitimin e personave me pengesa ligjore, kur çmohej se me veprimtarinë e tyre të specializuar i janë përkushtuar besushmërisht zhvillimit të proceseve demokratike, n.q.s. kërkohen nga institucionet përkatëse për procese të specializuara që kërkojnë njohur të veçanta dhe aktualisht paraqesin nevoja të rëndësishme. Siç shihet, ligjvënësi kërkon që për interesa të veçanta të shtetit, si dhe në kushte të caktuara me ligj, të aktivizohet kapacitetit shkencor i personave të inkriminuar me të kaluarën, për t’i shërbyer zhvillimit të proceseve demokratike. Në këto kushte, ligji ngarkon me përgjegjësi të veçantë Komisionin e Kontrollit të Figurës së Zyrtarit, për saktësinë e kontrollit të figurës së tyre, si dhe për bazueshmërinë e vendimit që do të japin për rehabilitimin e tyre. Siç shihet, analiza të tilla mbartën përgjegjësi, por edhe konflikte, prandaj çmova që kjo çështje të shqyrtohej e veçuar nga të tjerat dhe me qetësinë dhe përgjegjësinë e nevojshme. Kontrolli i figurës për dy personat në diskutim, ishte bërë nga unë me kujdesin më të madh.

Por gjykova, se para se të parashtroja hollësitë që dilnin nga ky kontroll të paraqisja para Komisionit motivet zyrtare mbi bazën e të cilave kërkohej ky rehabilitim. Për këtë qëllim lexova shkresat zyrtare dërguar Kryetarit të Këshillit të Ministrave një kopje e të cilave ishte dërguar për njoftim edhe këtij komisioni. Në këto shkresa thuhej se: “ushtarakët e mësipërm, pas largimit nga funksionet që mbanin, konform vendimit të Komisionit, u ngarkuan me detyra të tjera që ishin në pajtim me ligjin. Gjatë gjithë kësaj periudhe, veprimtaria e tyre është karakterizuar nga zbatimi me korrektësi i detyrave, si dhe nga veprime të ndërgjegjshme për mbarëvajtjen e sektorit. Prandaj, duke patur parasysh edhe aftësitë e tyre të specializuara, jemi të bindur se kontributi i tyre do të bëjë që të rritet efektivitetit i shërbimit informative”.

Edhe pse akoma nuk i kisha dhënë fund leximit të shkresave, anëtari “revolucionar” i Komisionit, që i kishte qejf debatet, nxitoi të thotë:

-Për mendimin tim, kjo kërkesë, nuk ka fuqi bindëse. Nuk ja dakord.

-Mendoj se çështja mund të zgjidhet drejt kur ne të jemi më të duruar, të dëgjohen me kujdes dhe deri në fund kërkesat e institucioneve, por mbi të gjitha të dëgjohen dhe relatimi për punën që kam bërë unë për kontrollin e figurës së tyre. Para se të kundërshtojmë duhet të njihemi edhe me këto. Apo, zotërinj?

Zv.kryetari i Komisionit, që zakonisht rrinte në krahun tim, më kërkoi fjalën me mirësjellje dhe siç e kishte zakon, me tonin e butë e të qetë të fjalëve të tij, bëri që të ndryshonte atmosfera e kundërshtimit. Ai tha:

-Ka të drejtë zoti Kryetar. Natyrisht nuk mund të gjykohet apriori, pa u njohur hollësisht mbi veprimtarinë e tyre. Unë mendoj se pikërisht këtu qëndron rëndësia e kontrollit tonë, në gjykimin e drejtë të veprimtarisë së tyre, nga duhet të dalin garancitë për të ardhjen e tyre në shërbim të demokracisë. Mbi bazën e garancive të tilla mund të jepet edhe vendimi ynë.

Prandaj, unë jam i mendimit se duhet ta dëgjojmë deri në fund zotin kryetar, pastaj të themi pikëpamjet tona.

Një pauzë e shkurtër në pritje të ndonjë diskutimi tjetër, por asnjë nuk kishte gjë për të thënë. Në këto kushte më takoi mua ta marr përsëri fjalën:

-Duke patur parasysh rëndësinë e veçantë që ka rehabilitimi i ish kuadrove të larta të sigurimit të shtetit, për fatet e demokracisë, kam ndjekur të gjitha rrugët e mundshme dhe ligjore për kontrollin e figurës së tyre. Kam kontrolluar veçanërisht materialet që ndodhen në dosjet e punës dhe ato të arkivit sekret. Për ish kryetarin e degës së punëve të brendshme për rrethin e… zotin Elmas Koçi, rezulton se është një kuadër me arsim të lartë. Dosja e tij është e mbushur me karakteristika të shumta, të firmuara nga Sekretari i Parë i Partisë për rrethin. Në një nga këto karakteristika, e datuar qershor 1986, thuhet se “Shoku Elmas është kuadër besnik i Partisë, i përgatitur dhe me perspektivë”. Po në këtë vit, me firmën e Sekretarit të parë të Partisë të Rrethit, Elmazi është propozuar për t’u dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”, me rastin e 45 vjetorit të themelimit të partisë. Dhe dekorimi i tij u bë me ceremoni të veçantë, ku foli edhe Sekretari i Parë i Partisë për Rrethin.

Por çuditërisht, një vit më vonë, gjërat ndryshuan në mënyrë të pabesueshme. Elmazit i vjen një vërejtje në kartën e regjistrimit për “humbje të vigjilencës revolucionare ndaj armikut të klasës”. Faji i tij i vetëm ishte se kishte shkuar me shërbim në një qytet bregdetar dhe rastësisht kishte pirë kafe me vëllain e një armiku të Partisë. Në fakt ai e pranonte që kishte pirë kafe me një burrë rreth të gjashtëdhjetave, por as e kishte parë ndonjëherë tjetër dhe as e dinte që ishte vëllai i një armiku të partisë. Ai kishte hyrë në kafe të mbushur me plot njerëz. Vetëm tavolina ku rrinte vëllai i armikut të Partisë kishte vende bosh. Me sa duket atij I ruheshin të gjithë, por Elmazi nuk e nuhati këtë gjë dhe u drejtua tek ai. Natyrisht, siç ndodh zakonisht në raste të tilla, janë shkëmbyer edhe biseda të thjeshta, të cilat janë përfshirë në raportin e informatorit “lajthia” dhe që gjenden në dosjen sekrete të tij.

Rasti i Elmazit është shumë interesant. Ky rast tregon se në platformën e Sigurimit të Shtetit, nuk përjashtoheshin nga kontrolli as kuadrot e larta të tyre. Edhe ata gjurmoheshin, edhe ata raportonin njëri-tjetrin, edhe ata kishin dosje në ruajtje, edhe ata ktheheshin në objekt të luftës së klasave.

Rezulton se Elmazi i kishte dhënë të gjitha hollësitë e nevojshme për ngjarjen, por kush e besonte? Tanimë “e kishte marrë ferra uratën”, ai ishte kthyer në një objekt vëzhgimi dhe mosbesimi. Sekretari i parë i Partisë për Rrethin, që më parë e trajtonte si mik, tani i kishte kthyer krahët dhe nuk e merrte më në telefon. Kur një ditë guxoi Elmazi ta marrë në telefon për një problem që duhej t’i raportonte atij, priti një përgjigje të prerë: “Për çdo problem që do të kesh, do të komunikosh me instruktorin!” Dhe kishte përplasur me nervozizëm receptorin e telefonit. Elmazi kishte mbetur i shtangur duke imagjinuar ditë tjera më të vështira. Si është e mundur vallë, që kaq shpejt të zhduket si shkumë sapuni një mal me lëvdata e dekorata për punën e ndërgjegjshme që kishte bërë, si u zhduk kaq shpejt ajo miqësi dhe ai besim i madh që kishte partia për të dhe t’i vihej një kryq punës së tij disavjeçare? Të gjitha këto nuk mund t’i kalonte qetë njeriu që e shihte veten në prag të greminës. Me nerva të tendosura vendosi t’i kërkojë takim Sekretarit të parë të Rrethit. Letra që i dërgoi atij ndodhet në dosje, bashkë me përgjigjen fyese të Sekretarit. Tani më, ishte e qartë se diçka shumë e rëndë përgatitej për jetën e tij. Dhe nuk vonoi kur i dërguan atë copë letër që priste, shkarkimin nga detyra.

(Kosova Sot)