Vlorajt, patriotë me nam për Shqipërinë

Vlorajt, patriotë me nam për Shqipërinë

1071
0
SHPËRNDAJE

Kontributi i kësaj familjeje në fatet e Shqipërisë është i pakontestueshëm nga askush. Ky fis me nam udhëhoqi jo vetëm Vlorën por gjithë Shqipërinë, duke krijuar shtetin e brishtë shqiptar që gjatë gjithë historisë ka vuajtur luftra dhe pushtime të pafundme.

Familja Vlora e ka origjinën nga Kanina e famshme dhe për 350 vjet ajo nxori figura të mëdha historike që zunë vende të rëndësishme në Perandorinë osmane dhe nxorën në dritë një yll përmbi yll që është Ismail Qemali, babai i kombit shqiptar.

Themeluesi i kësaj familje me nam të madh është Sinan Pashë Vlora(1455-1505). Në vitin 1481 ai do të ishte admiral i madh i deteve dhe do të bëhej kryeministër  i Perandorisë Osmane, pra Vezir i Madh.  

Sipas Ismail Qemalit “Familja jonë, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë e pushtet, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim shumë të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Për mëse katër shekuj familja jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapshtitë, tirania dhe tekat e sundimtarëve absolut osmanë”.

Mustafa Pashë Vlora do të ishte një figurë e shquare kësaj familjeje. Ai do të ishte një nga eksponentët kryesorë të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, Anëtar i Komitetit të fshehtë të Janinës dhe i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, i njohur me emrin “Komiteti i Stambolli”. Ka qenë po ashtu anëtar i delegacionit që do të paraqiste dhe mbronte përpara Portës së Lartë rezolutën e nënshkruar nga Kuvendi i Dibrës, 1 nëntor 1878, e cila përmbante po ato kërkesa që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit. Mustafa Pashë Vlora ka vepruar për Lidhjen e Prizrenit edhe si kryetar i degës saj në Vlorë. Pas shtypjes se Lidhjes u arrestua dhe u internua ne Çarmakala, ku u mbajt në një kështjellë për tre vjet i mbyllur.

 Neshet Pashë Vlora, ishte kryembikqyrës i pasurive të kurorës dhe në Stamboll ishte këshilltar shtetëror. Kryesonte pleqësitë e fshatrave të Mesaplikut për mosmarrëveshjet e ndryshme që kishin. 

Syrja bej Vlora (1860 – 1940), drejtor i doganave osmane, deputet i parlamentit turk, pas vitit 1908, ambasador i Shqipërisë në Vjenë në vitin 1914, kundërshtar i kushëririt të tij Ismail Qemalit.

 Ismail bej Vlora, është  gjyshi i Ismail Qemalit. Ai pati tre djem:Mahmut bej Vlora, babai i Ismail Qemalit, Selim Pashë Vlorën dhe Beqir bej Vlorën.

Ismail bej Vlora, ka qenë patriot dhe kryetar i Kuvendit të Madh Ndërkrahinor të Beratit. “Në një letër të datës 29 nëntor 1828, drejtuar pjesëtarëve të elitës shqiptare të kohës, Ismail bej Vlora i drejtohet Sulejman bej Konicës, Tahir aga Abazit (një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ali Pashës), Veli bej Grebenesë dhe krerëve të tjerë shqiptarë të viseve të jugut të Shqipërisë dhe u propozon që ata të mos merren me shtypjen e kryengritjes greke, siç ishin urdhëruar nga Porta e Lartë, por u kërkon që të takohen në qytetin e Beratit “për të diskutuar për të ardhmen e Shqipërisë me kushtin që atje të bisedojmë si bij të denjë të këtij vendi”.

Kur populli grek po luftonte për liri e pavarësi,1822-1824, në përbërjen e ushtrisë turke në Misolong ishin edhe trupat e sanxhakbeut të Vlorës, nën komandën e Sulejman pashë Vlorës, dhe kushëririt të tij, Ismail bej Vlorës. Ismail beu nuk pranoi të luftonte, u tërhoq nga lufta dhe u kthye në Vlorë. Ai u deklarua kundër sanxhakbeut dhe pushtetit qendror. Sulltani e shpalli tradhtar. Sulejmani vdiq me porosi vitin 1827, në Përmet.

Më 17 prill 1829, Sadrazemi, Mehmet Reshit pasha, i shkroi Ismail beut se kishte dalë fermani që e falte për tradhtinë në Misolong dhe e emëronte vali të tre sanxhakëve: Janinës, Delvinës dhe Vlorës, ndaj ishte i lutur që të shkonte në Janinë për të marrë dekretin në mënyrë ceremoniale. Miqtë, ndërmjet të cilëve Çelo Picari një trim besnik nga Kurveleshi, e paralajmëruan të mos shkonte në Janinë se Reshid pasha kërkonte kokën e tij. Ai nuk i dëgjoi miqtë dhe më 5 maj të vitit 1829, i shoqëruar nga 600 trima arriti në Janinë.

Hakun e Ismail bej Vlorës siç e kemi përshkruar në një shkrim tjetër të mëparshëm e mori Zenel Gjoleka.

 Mahmut bej Vlora, ishte babai i Ismail Qemalit. Më 3 nëntor të vitit 1839, u shpallën zyrtarisht reformat e Tanzimatit. Më 2 mars të vitit 1847, zyrtarët turk arritën në Delvinë, për të lexuar dekretin e reformave për Labërinë. Ata nuk dinin shqip, por edhe shqiptarët nuk dinin turqisht, prandaj përkthimin e bëri Mahmut bej Vlora, që nuk e kishte harruar vrasjen e pabesë të të atit.

Ai ia përktheu popullit, dekretin sipas mënyrës së vet: “Ata kërkojnë djemtë tanë. Puna e parë do t`ua presin perçen, do t`ua marrin pushkën dhe fustanellën dhe pastaj do u veshin çitjane që të duken si gra. Në u pëlqeftë t`ua marrin të gjitha shenjat e burrërisë me të cilat keni fituar në mijëra beteja, bukur, binduni rregullave të reja, në mos atëherë vendosni vetë se çfarë duhet të bëni”. Në fakt, me këtë gjuhë, Mahmut bej Vlora i  kishte bërë thirrje Labërisë të merrte armët. Si rezultat i shtypjes dhe mohimit të të drejtave të shqiptarëve, më 1847 vala e kryengritjeve popullore kundër reformave të Tanzimatit u përhap gati në të gjithë Shqipërinë.

Kryengritjet e viteve 1847 – 1848, dështuan, edhe pse e kishin tronditur Perandorinë Osmane. Ndërmjet krerëve të arrestuar ishte edhe Mahmut bej Vlora me të vëllain Selim Pashë Vlorën, i cili u mbajt në burg më gjatë se të tjerët së bashku dy kushërinj të tij.

Pas këtij arrestimi, familja e Mahmut bej Vlorës, e udhëhequr nga nusja e re e tij me një fëmijë 4 vjeçar, Ismailin, ai që do të ngrinte flamurin në Vlorë më 1912, e shpronësuar, e mbetur në mes të katër udhëve, shkoi në Selanik. Në këtë gjendje varfërie qeveria franceze, mbështetur në miqësinë me Ismailin dhe Mahmut beun, i lidhi nuses së re dhe të birit një pension.

Mahmut bej Vlora mbeti një njeri i ndershëm dhe patriot, cilësi që i trashëgoi edhe i biri tij. Në vitin 1854, kur grekët donin të merrnin Janinën,  Mahumut beu me trupat e tij nga Labëria i prapsi ata në Mecovë. Mirëpo qeveria nuk i shpërbleu ushtarët. Krerët protestuan dhe i thanë se ata e kishin ndjekur atë duke i besuar fjalës së tij. Mahmut beu shiti të gjashtë çifligjet e tij për të paguar ushtarët  “se nuk donte ta hante fjalën  dhe të nxinte fytyrën” dhe ra në varfëri. Këtë  varfëri trashëgoi edhe i biri Ismail Qemali, siç e përshkruan edhe Syrja bej Vlora.

  XHAFER BEJ VLORA (1856 – 1901), ishte martuar me motrën e gjeneral Esat pashë Toptanit dhe ishte kushëri i parë me vëllezërit Ferit, Neshet dhe Syrja Vlora.

Xhafer bej Vlora ishte njeri ndër udhëheqësit e “Lidhjes shqiptarë për Toskërinë”, themeluar në Labëri për mbrojtjen e trojeve shqiptare që kërkoheshin të gllabëroheshin prej Greqisë pasi ajo kishte fituar pavarësinë, 1822, dhe akoma nuk kishte përcaktuar kufijtë me Perandorinë Osmane.

 Ismail Qemali

Babai i kombit shqiptar. Njeriu që do pavarësonte Shqipërinë nga Perandoria e gjatë otomane dhe do krijonte shtetin shqiptar. Mund të konsiderohet si pinjolli më i denjë i kësaj familjeje. Lindi në 16 janar 1844 në Vlorë. Ishte djali i Mahmut bej Vlorës dhe Hedie hanëm Libohovës.

(të dhënat mbi familjen Vlora nga kujtimet e Enver Memishaj)

/konica.al/