Shqiptarët e egër në sytë e serbëve

Shqiptarët e egër në sytë e serbëve

123
0
SHPËRNDAJE

Artikujt në shtypin e përditshëm serb, në periodikët e përjavshëm dhe të përmuajshëm, kushtuar shqiptarëve, kishin si qëllim pikësëpari zhvlerësimin e planeve të Austro-Hungarisë, jo dhe aq duke kritikuar politikën austrohungareze sesa me paraqitjen negative të hapësirës shqiptare.

Kështu, në një artikull te “Politika” (“Austria dhe Ballkani”, 29 tetor 1912, 3156, 1), autori i kritikon ashpër interesat austrohungareze në Ballkan, duke u kujtuar lexuesve se shtetet ballkanike e kishin kryer punën që e dëshironte Evropa, pra i kishin “dëbuar njerëzit e papërshtatshëm për përparim kulturor” (fjala është për turqit).

Më tej, autori në njëfarë mënyre “hidhërohet” me Austro-Hungarinë për shkak të përzierjes së saj, sepse “tani vjen ‘kulturtragerja’ evropiane, Austria, që me çmimin e paqes evropiane kërkon të mbajë në Ballkan elementin më të keq, duke u krijuar shtetin e pavarur arnautëve të egër dhe gjakatarë” , shkruan Millan Milkoviq, në pjesën e tretë të serisë imazhi mediatik i shqiptarëve në shtypin serb më 1912-1913, botuar sot në Koha Ditore.

“Arnautët, nën mbrojtjen e administratës turke jetonin vetëm nga plaçkitja”

Karakteri gjakatar i popullsisë shqiptare nënvizohet në shumë tekste, shpesh pa kurrfarë vetëpërmbajtjeje kritike ose relativizimi. Tekstet mediatike krijojnë në opinionin publik serb kushtet për ruajtjen e imazhit për popullin shqiptar si një subjekt parapolitik, i cili gjatë sundimit turk nuk është marrë me asgjë tjetër përveç me plaçkitje, rrëmbime dhe dhunë mbi popullsinë tjetër të krishterë.

“Arnautët, nën mbrojtjen e administratës turke jetonin vetëm nga plaçkitja. Elementi i krishterë në Perandorinë Turke ka qenë i detyruar të punojë, që arnautët, të cilët janë më shumë se një milion, të mund të jetonin nga mospuna… Egërsirat nën administrimin e popujve të kulturuar duhet doemos të zbuten, të bëhen të durueshme: arnautët duhet të mësohen me rendin dhe punën. (“Politika”, “Austria dhe Ballkani”, 29 tetor 1912, 3156, 1)

Prandaj, në shumicën e teksteve lihet të kuptohet se Serbia dhe Greqia janë zgjedhja më e mirë për patronatin mbi shqiptarët, sepse si vende evropiane moderne dhe të njohura kanë cilësi dhe fuqi për të realizuar emancipimin politik dhe shoqëror të shqiptarëve. Në këtë kontekst, veçanërisht interesant është teksti që “Politika” (“Socialistët për Shqipërinë”, 4 nëntor 1912, 3126, 1) e merr nga gazeta socialdemokrate gjermane “Zëri popullor”, duke krijuar përshtypjen se edhe shumë qarqe socialdemokrate evropiane janë “në anën” e interesave serbe. Duke referuar shkrimin nga shtypi gjerman, theksohet në plan të parë ideja, sipas së cilës ndarja e Shqipërisë midis Greqisë dhe Serbisë paraqet një zgjidhje edhe më të mirë madje sesa patronazhi i Austro-Hungarisë, sepse, përsëri sipas tekstit, shqiptarët mund të identifikohen si “indianë” të Ballkanit:

“Askush më tepër sesa socialdemokracia nuk ua njeh popujve të drejtën për vetëvendosje, por këtu nuk kemi të bëjmë me faktin nëse një popull i zhvilluar do të administrojë vetveten apo do të nënshtrohet brutalisht, por çështja është nëse indianët e egër evropianë, të cilët nga qytetërimi evropian kanë marrë vetëm pushkë, do të braktisen që të shtypen nga bajraktarët e tyre dhe të shuhen nga gjakmarrja me njëri-tjetrin”. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)