Jehona e fejesës dhe martesës së Mbretit Zog në gazetat franceze të...

Jehona e fejesës dhe martesës së Mbretit Zog në gazetat franceze të 1938

184
0
SHPËRNDAJE

Nga Aurenc Bebja *

Në pritje të dasmës mbretërore të Naltmadhnisë së tij, Princ Leka II, gjatë 8 tetorit të këtij viti, po sjell, për lexuesin matjan dhe atë shqiptar në tërësi, një tjetër lidhje martesore të vitit 1938, të Naltmadhnisë së tij, mbretit të Shqipërisë nga Mati, Zogu I.

Edhe pse Shqipëria ishte asokohe një vend tepër i varfër, e izoluar dhe shumë pak e njohur në Perëndim (përveçse prej disa intelektualëve), fejesa dhe martesa e mbretit Zog I me Konteshën hungareze, Geraldina, në muajin prill të 1938, ka bërë jehonë në shtypin francez.

Gazetat kanë trajtuar tema nga më të ndryshmet për këtë lidhje, si për shembull : moshën dhe fenë myslimane të mbretit, bukurinë magjepse të mbretëreshës Geraldinë duke e trajtuar atë si « Tëndafili i bardhë i Hungarisë », realizimin e dasmës po në të njëjtën datë me atë të heroit tonë Skënderbeut, përshkrimin e gëzimit dhe festave popullore në Tiranë, Durrës dhe në trevat e tjera shqiptare, amnistinë ndaj të burgosurve politikë apo faljen e dhuratave ndaj shtresave të varfëra.

Për më shumë, ja se çfarë shkruante shtypi francez për këtë fejesë dhe martesë mbretërore :

Paris Soir, 28 Janar 1938, në faqe të parë dhe n° 3: « Mbreti Zog i Shqipërisë dëshiron të martohet me vajzën e ish – administratorit të madh të Perandorit Franz – Jozef. Por vajza e re, Geraldina Apponyi, a do të pranojë të bëhet myslimane ashtu siç e detyron ligji shqiptar ? »

image (1)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Naltmadhnia e tij, Zogu I, mbret i Shqipërisë, do të martohet. Të paktën ky thashethem qarkullon nëpër Tiranë. Ky monark dyzet vjeçar ka vendosur ti dhurojë fronit më të vogël në botë një konteshë magjepse, të bukur, bjonde, elegante dhe të dashur.

…Geraldina e ka njohur Zogun në Itali, në qytetin e Venecias. Mbreti i ka folur asaj për shtetin e tij të vogël shkëmbor e të egër, të burrave krenarë dhe të bukur, që kanë një ndjenjë të fortë ndaj besës (nderit)…

Në qofte se ia arrin, ky mbret i ri dhe i pashëm do të udhëheqë në krye të fronit një vajzë të re hungareze, ku kaçurrelat bjonde do të jenë fshehur nga vellot prej floriri të grave fisnike të Tiranës.

Dhe xhevahirët modernë të Konteshës Geraldinë Apponyi do të zëvendësohen nga hajmalitë e shtrenjta. Në qoftë se mbreti e dashuron me të vërtetë Geraldinën…Po nëse Geraldina konvertohet në myslimane. Gjë që ka shumë gjasa të ndodhë.

Në pritje, Tirana është në festë, sepse e duan mbretin : ky mbret që ishte ministër, President i Republikës, para se të bëhej sovran. Zogu I i ka mbush të dyzetat. Thuhet se sa ardhur koha që ai ti sjellë një mbretëreshë popullit të tij. Kështu, Kontesha e bukur Geraldinë është e pritur po me aq respekt sa dhe kuriozitet, ndërsa në Budapest, diplomatët dhe kompozitorët flasin me pasion për këtë ceremoni të re dasmore.

Le Journal, 28 Janar 1938, në faqen n° 5 : «Fejesa e mbretit Zog »

image (2)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Thashethemet në lidhje me fejesën e Konteshës Geraldinë Apponyi me mbretin Ahmet Zogu janë konfirmuar në mjediset hungareze në Romë. E fejuara e sovranit shqiptar ndodhet prej tri ditësh në Tiranë, ku u nisën sot nga Roma, Zoti Baghy dhe gruaja e tij, e cila është motra e Konteshës Geraldinë. Zyrtarizimi i fejesës do të ndodhë së shpejti.

Figaro, 12 Shkurt 1938, në faqen n° 2 : «Oborri mbretëror»

1472028042

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Sipas mjediseve zyrtare, dasma e NMT, mbretit të Shqipërisë, Zogut, me konteshën Gerladinë Apponyi, do të festohet me 26 prill, në pallatin mbretëror të Durrësit. Do të jetë një dasëm civile, ku dëshmitarët do të jenë Z.Kota (kryetar i parlamentit) dhe Z.Koçi (senator).

Kontesha Apponyi do të ruajë fenë katolike.

Theksohet në mjediset e oborrit mbretëror që është një martesë me dashuri dhe se mbreti Zog dëshiron ti lë nuses së tij të ardhshme të gjitha liritë përsa i përket fesë dhe edukimit të fëmijëve të lindur nga kjo lidhje martesore.

La Revue Diplomatique, 28 Shkurt 1938, në faqen n° 11 : « Dasma e Mbretit të Shqipërisë »

image (5)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Sipas lajmeve nga Tirana, dasma e NMT Mbretit Zog të Shqipërisë me Konteshën hungareze Geraldina Apponyi do të festohet në kryeqytetin shqiptar 26 prillin e ardhshëm.

Në fakt, me këtë datë, sipas traditës, u bë dasma e  Skënderbeut, heroit kombëtar të Shqipërisë.

Le Temps, 25 Prill 1938, në faqen n° 2 : «Shqipëri. Para dasmës së mbretit Zog» 

image

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Telegraf nga Tirana :

E gjithë Shqipëria po përgatitet të festojë dasmën e mbretit Zog me Konteshën Geraldina Apponyi.

Tirana ka marrë ngjyra festive. Qyteti është stolisur dhe disa harqe triumfi janë ngritur në pikat kryesore.

Personalitete të shumta të huaja tashmë kanë mbërritur.

Festat do të fillojnë mëngjesin e 25 prillit me valle e kortezhe. Në ato do të përbëhen dasmat e 14 çifteve në sheshin e bashkisë në nderim të sovranit, inagurimi i aerodromit të Tiranës dhe ceremoni të ndryshme pritjesh.

Martesa do të celebrohet me 27 prill, në orën 10 : 30 ; pastaj, çifti mbretëror do të shkojë në Durrës, ku një vilë është përgatitur mbi një kodër me pamje nga deti.

Festimet do të transmetohen në radio.

L’Ouest – Eclair, 26 Prill 1938, në faqen n° 3 : «Mbreti i Shqipërisë do të martohet»

Screenshot_3

Tiranë, 25 Prill – Festat e dasmës së mbretit Zog kanë filluar sot në mëngjes. Festivitetet janë çelur zyrtarisht me dorëzimin e kurorave (mbretërore) përballë mauzoleumit të nënës – mbretëreshë nga personalitetet diplomatike, parlamentare e ushtarake, dhe gjithashtu nga kryetari i bashkisë dhe këshilli bashkiak i Tiranës.

L’Homme Libre, 27 Prill 1938, në faqe të parë : «Dasma e mbretit Zog festohet sot»

image (6)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Tiranë, 26 Prill. Që nga mëngjesi i sotëm, me mijëra fshatarë e barinj, në kostumet e tyre piktoreske kombëtare, mbërrijnë në Tiranë, për të qenë të pranishëm në dasmën e mbretit Zog me Konteshën Geraldina Apponyi.

Sovrani ka shpallur një amnisti të gjerë që shtrihet edhe për pesonat që kanë bashkëpunuar në mënyre aktive në revoltën kundra tij dhe qeverisë shqiptare.

Sot në mëngjes u festuan në bashkinë e Tiranës dasmat e 14 çifteve, të quajtur ndryshe « çiftet e Skënderbeut ». Në të njëjtën kohë u festuan në të gjithë Shqipërinë edhe 152 dasma të tjera të këtij lloji.

Çiftet Skënderbege mbajnë këtë emër në kujtim të heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut, i cili është martuar me 27 prill para 450 vitesh, dhe më këtë rast u dha dhurata të çmuara 150 të rinjve të martuar.

Tri motrat më të reja të mbretit, që janë kthyer nga një udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej pak kohësh, morën pjesë sot me uniformë ushtarake me amazonat shqiptare, të rekrutuara nga vajzat më të reja të familjeve më të mira shqiptare dhe realizuan disa marshime ushtarake…

Mbreti ka falenderuar përzemërsisht popullin për dhuratat që ka marrë, por ka vendosur që ato në lek t’ua dhurojë të varfërve të vendit, sidomos 50 000 franga floriri, një donacion për çiftin mbretëror nga Shoqëria Elektrike e Tiranës…

Martesa do të celebrohet nesër në orën 10 : 30. Tualetet (makijazhet) e të gjitha zonjave aristokrate shqiptare vijnë nga Roma.

Le Matin, 27 prill 1938, në faqe të parë dhe n° 10 : «Sot në Tiranë mbreti Zog martohet me Konteshën hungareze Géraldina Apponyi».

image (1)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga i dërguari special i gazetës « Matin » :

Tirana, 26 Prill : Me telefon – Gëzimet popullore për dasmën e mbretit Zogu I me Konteshën Geraldina Apponnyi, që do të celebrohet nesër në mëngjes, në pallatin mbretëror, kanë vazhduar sot, në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Kudo kanë organizuar valle, festa dhe pritje.

Ambassades et Consulats, Qershor – Korrik 1938, në faqen n° 27 : «Dasma e mbretit Shqiptar – Fotografi»

image (3)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në fotografinë shkruhet : Bashkëshortët mbi shkallët e pallatit të Tiranës pas ceremonisë. Në të majtë, zonjat e nderit (dëshmitaret) e Naltmadhnisë Mbretëreshës Geraldinë ; Në të djathtë, motrat e Naltmadhnisë Mbretit Zog I.

*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albaniahttp://www.darsiani.com/opinion/jehona-e-fejeses-dhe-marteses-se-mbretit-zog-i-nga-mati-ne-gazetat-franceze-te-1938/