Fshati shqiptar që jeton me ëndrrën se një ditë do të gjejë...

Fshati shqiptar që jeton me ëndrrën se një ditë do të gjejë ar në tokën e vet

3235
0
SHPËRNDAJE

Nga Entela Resuli

Të udhëtosh në këto ditë të nxehta vere në malet e Librazhdit, në momentin e parë nuk duket një ide e mirë. Por dëshira për ecur në një zonë pak të njohur, të tërheq.

World Vision na ka ftuar t’i bashkohemi këtij udhëtimi, për t’u njohur me jetesën e njerëzve në disa fshatra të Librazhdit. Rrugëtimin tonë në këmbë e nisim nga fshati Dardhë. Nuk ka Dardhë vetëm në Korçë… Një zonë malore, ku rruga automobilistike është me kilometra larg, ndërsa ky fshat përshkohet mes për mes nga “Via Egnatia”. Banorët e kësaj zonë krenohen më këtë fakt, madje të përmendin shpesh se këtu ka kaluar Çezari, Pompeu, ndërsa vajzat shtojnë se edhe Kleopatra ka shkelur në këto anë. Kjo u përkëdhel atyre sedrën dhe për pak “harrojnë” se sot, në vitin 2016 janë pa rrugë, ndryshe shekulli i II para Krishtit, kur daton ndërtimi i saj.

Në udhëtim na shoqëron Mondi Kurti, mësues i lëndës Histori-Gjeografi, në shkollën 9-vjeçare të fshatit Skroskë. Ai e njeh mirë terrenin dhe fshatrat e Librazhdit. Shpesh shoqëron turistë dhe bën rolin e ciceronit dhe guidës për ta.

Kjo rrugë, e cila 2000 vite më parë lidhte Bizantin me Romën, ka ende gjurmë të ruajtura mirë në shumë fshatra të Librazhdit. Rruga Egnatia ku jemi duke ecur ka njohur tregti, beteja historike, predikues të kryqit, religjione romake dhe otomane. E ndërtuar nga romakët në shekullin e dytë para Krishtit për të lidhur Perëndimin me Lindjen, Romën me Kostandinopojën, Rruga Egnatia tashmë duket se është kthyer në vëmendjen e turistëve.

Mes legjendës, historisë dhe thesarit që u del në ëndërr
Sipas tij “Via Egnatia”, niste nga Durrësi dhe ishte një rrugë ushtarako-tregtare, që shkonte drejt Lindjes. Dhe këto fshatra, por sidomos fshati Xhyrë vitet e fundit janë vazhdimisht në kërkim të thesareve në tokat e tyre. “Për shkak se në këtë rrugë, kanë kaluar shumë tregtarë, të cilët vinin nga India, Persia dhe që kishin marrëdhënie tregtare me perëndimin, mendohet se ata mbanin me vete shumë flori.

Shpesh edhe  nga frika se mos ua vidhnin, mendohet se një pjesë të mirë të tyre i kanë fshehur për gjatë kësaj rruge”, -thotë profesori Kurti, duke na e shtuar kuriozitetin për atë çka shpreh.Profesori na thotë në fillim se nga këto anë ka qenë bijë Donika, gruaja e heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, dhe është një krahinë e rëndësishme e vendit. Familja e Gjorg Golemit (Gjergj Aranit Komneni), babait të Donikës ka qenë e pasur dhe e pushtetshme.

Një tjetër arsye sipas tij është se kjo zonë ka rrahur shumë emigracionin, sidomos në periudhën osmane dhe si e tillë, pasuritë që ka mbledhur, i ka futur nën tokë. Ndaj, njerëzit në këto anë, janë vazhdimisht në kërkim të thesareve të fshehura.

Ndërsa kalojmë fshatin Dardhë, të cilën e ndanë nga Xhyra, lumi Shkumbin, sa më shumë ecim aq më shumë shohim gropa të hapura! Njerëzit, prej gati 20 viteve gërmojnë. Duan flori!

Legjendat që qarkullojnë janë të ndryshme, shpesh dhe hipnotizuese. Profesori na thotë se një banor i Xhyrës, teksa emigroi në Itali vitet e fundit, takon atje një italian të moshuar, i cili kur kishte mësuar se nga ishte djali, i kishte thënë se, ai nuk ka arsye të vijë në Itali, pasi thesarin e ka në fshatin e lindjes. “Kam qenë ushtar në Shqipëri dhe gjatë luftës, në një pus nëntë metra të thellë në fshatin Xhyrë, kemi fshehur 13 arka me flori”, -citon profesori nga Librazhdi të moshuarin italian. Kjo fjalë është përhapur me shpejtësi në fshat, gjë që u ka zgjuar ëndrrat e banorëve se toka e tyre “lundron” në ar.

Nuk kanë munguar as ata guximtarë, që kanë bërë investime të çmendura. Kanë blerë fadroma, makina të larta dhe kanë kryer gërmime rrëzë shkëmbinjve në këto anë. Por më kot. Deri më tani, asnjë verdhushkë nuk ka dalë në dritë.

“Unë gjatë një periudhe u fiksova keq. Së bashku me një shokun tim, kërkonim shpellë më shpellë. Herë na dukej vetja të çmendur dhe herë u besonim gojëdhënave. Shpesh historia përputhet me ato çka na tregojnë. Ndaj, çdokush që i dëgjon këto fjalë, ka dëshirë të besojë, më shumë sesa beson vërtet dhe investon në kërkim të pasurisë së fshehur nën tokë”, -thotë Mondi Kurti për Dita-n.

Edhe kryeplaku i fshatit, Vero Pali na e konfirmon këtë. “Njerëzit bëjnë vazhdimisht gërmime. Kanë shpresë se mund të gjejnë thesare të fshehura. Dikush ka gjetur dikur në një vend që ne i themi ‘dogana’, por të tjerët, kanë bërë vetëm përpjekjet, rezultati ka qenë i dobët”, na thotë ai.

Kur shohim aq shumë gropa dhe dëgjojmë njerëz që të flasin për thesare, të kap dëshira të marrësh lopatën dhe t’i futesh punës. Në fund të fundit, më mirë një fshat që jeton me një shpresë, se sa të jetosh pa të fare. Por këto histori, mund t’i shohim edhe si atraksion turistik. Pse jo, t’u tregohet turistëve se sa shumë gërmohet në kërkim të arit…Kur flitet për gjëra të çmuara të gjithë të dëgjojnë më vëmendje, ndaj, ata që bëjnë guida nga këto anë, ta përdorin si karrem.

Jo vetëm “ar”

Në këto anë, pavarësisht se flitet për flori, jeta nuk është e tillë. E kundërta qëndron. Fshatrat e Librazhdit, duket sikur kanë një karakteristikë të çuditshme, shtëpitë janë larg njëra-tjetrës dhe në shpate të thepisura. Vështirë se mund të gjesh një lagje me 30 banesa bashkë. Lidhjen me rrugën automobilistike e kanë të largët dhe për këtë arsye zhvillimi i ekonomisë është i dobët.

World Vision, ka hyrë në këto zona të thella për t’i ardhur në ndihmë sidomos fëmijëve, të cilët, për të shkuar në shkollë, u duhet të bëjnë të paktën një orë e gjysmë me këmbë. “Ne kemi nisur punën në periferi dhe fshatrat e Librazhdit që prej rreth 9 vjetësh. Janë thuajse 4 000 fëmijë pjesë e programeve tona të mbrojtjes dhe edukimit dhe dhjetëra të rinj pjesë e programit te rinisë. Shumë prej këtyre fëmijëve jetojnë në fshatrat që përshkruam në këtë rrugëtim”-thotë për Dita-n Olti Drabo, menaxher i WV për Librazhdin.

Këta fshatra, emigracionin kanë burim të parë të ardhurash, ndaj shpjegohet dhe ka një ëndërrim aq të madh për thesare sepse toka është e papunueshme dhe sipas statistikave, 36 për qind e banorëve duan të emigrojnë. Ne ecëm, për një ditë në këto anë, por të ecësh çdo ditë me këpucët e tyre, nuk është e lehtë dhe ndjen se të vrasin./DITA