Heronjtë kombëtar jetonin midis nesh, fjalëpakë e punëshumë larg meritave dhe levdatave...

Heronjtë kombëtar jetonin midis nesh, fjalëpakë e punëshumë larg meritave dhe levdatave të pamerituara

1248
0
SHPËRNDAJE

Kaluam në një rrugë zjarri që la gjurmë në vetëdijen tonë kombëtare. Kemi nevojë hera herës ta kujtojmë dhe ta rikujtojme këtë pjesë të lavdishme të historisë tonë.

01_sylejman_abazi_trimi_kombitSot jemi përfshirë në rrugën e proceseve demokratike, por duke harruar shpejtë se deri këtu u desh të derdhej shumë gjak dhe të bëheshin shumë sakrifica njerëzore për të merituar Lirinë.

Nuk do të harrojmë kurrë që, Heronjtë e Kombit meritojnë nderimin dhe respektinë në çdo kohë.

Keqpërdorimi i sakrificës së tyre për interesa të ngushta politike, sot është e barazvlefshme me tradhëtinë që mund t’i bëhet interesave kombëtare.

Koha dhe rrugët e rrezikëshme nëpër të cilat po ecim, po vërtetojnë se po e harrojmë shpejtë Amanetin e tyre.

Është disi tragjike, por më mirë ta shikojmë të vërtetën e hidhur ballë për ballë.

Ne të gjallët rrojmë “të vdekur” dhe të përhumbur, duke pranuar para syve tanë se si shkelen dhe keqpërdoren çdo ditë parimet e Lirisë dhe të Amanetit të tyre.

Heronjte nuk e kishin të shkruar në ballë se një ditë do të bëheshin të tillë.

Heroizmin ata e kanë pasur brenda vetëdijes kombëtare, traditës familjare dhe gjenezës së tyre, duke respektuar parimet jetësore në interes të idealeve kombëtare.

Ata ishin njerëz të thjeshtë, jetonin midis nesh, fjalëpakë e punëshumë. larg meritave dhe levdatave të pamerituara.

Heshtja e tyre dhe veprimi aktiv i bënte të vetëdijshëm, se në rrugën e sakrificës njerëzore ishte pranuar sentenca shqiptare e ardhur nga tradita dhe lashtësia; Më mirë vetëm një ditë Shqiponjë, se sa të rrojmë një shekull laraska dhe korba.

Ata dhuruan gjakun dhe jetën e tyre dhe sot prehen të qetë në Panteonin e Lirisë, por ata janë të gjallë me emrin dhe veprën e tyre, ndërsa ne të gjallët zvarritemi ende “të vdekur” dhe të përhumbur në labirinthet e errëta të politikave servile e klienteliste, duke harruar Amanetin.

Me politikën tonë sipas mentalitetit bajraktar dhe egoizmit të shfrenuar, ne po sjellim vetëm marrëzinë në këtë botë, duke lejuar të na dhunojnë dhe diskriminojnë duke përdorur mendësitë tona mesjetare.

Ata që ne sot i quajmë Heronj të gjallë, ne që iu nënshtruam Betimit Ushtarak dhe Betimit të Luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, ne njerëzit e përhumbur sot duhet të heshtin.

Të mos pretendojmë që po bëjmë gjithçka, kur para syve tanë ndodhin çuditë politike shqiptare dhe ne ulim kokën dhe heshtim.

Vetëm Heronjtë dhe Dëshmorët e Kombit e kanë bërë detyrën ndaj Shqipërisë.

Ne të gjallët e kemi detyrim të ecim në rrugën e zbatimit të parimeve të tyre shumë të larta dhe të plotësimit të Amanetit.

Kurrë të mos harrojmë atë që ka ndodhur.

Dhimbja është akoma shumë e fortë midis nesh, në vatrat familjare të dhunuara, në pasojat e luftës, në nëpërkëmbjen e pamerituar, deri në humbjen e shpresës për të ardhmen.

Të mos e humbasim këtë shpresë.

Një komb që beson në të ardhmen e tij, ai do të mbijetojë dhe nuk do të vdesë kurrë.