Dr. Neki Dredha: Qyteti princëror i Kaninës

Dr. Neki Dredha: Qyteti princëror i Kaninës

702
0
SHPËRNDAJE

Ky nderim për Kaninën përmbledh brenda vetes ngjarje e personazhe historike, kulturore e fetare, që kanë lënë gjurmë të thella në jetën shqiptare e më tej.

Rrënjët dhe emri i kësaj kryeqendre zëmadhe vijnë prej kohëve nëpërmjet dëshmive e dokumenteve të ndryshme nga autorët antikë, të mesjetës e të kohëve të reja, si një qendër e rëndësishme e Kaonisë prej nga mendohet se rrjedh dhe emri Kaninë.

Mirëpo, autorë të ndryshëm; në ecurinë e kohës, kanë hamendësuar emrat: Oenea (M. Frashëri te Historia e Shqipërisë), Thronion (Pauzania), Kioninë (Prokopi i Cezaresë).

Mirëpo, sipas të dhënave të Prof. Pullumb Xhufit, mendimi më i saktë duket se është ai që shtron Zigizmondo Alberghetti në studimin e gjerë e të thelluar, që ai ia dërgoi Senatit të Venedikut në vitin 1691, ku mendon se emri Kaninë rrjedh nga emri Kaoni. “Kanina, sipas Alberghettit, shtrihej nga Gjiri i Vlorës deri në Butrint”. “Madje autorë të tjerë – vijonte ai – e njësonin Kaninën me gjithë Epirin”. Në këto rrethana, ka të ngjarë që te emri Kaoni, në rrjedhën e kohës, ka rënë shkronja “o” dhe është shtuar shkronja “në” e shquar. Pra, emri Kaoni ka mundësi që të jetë ndryshuar në Kaninë.

Ky emër shfaqet për herë të parë te shkrimet e disa bizantinologëve të shekullit të X-të. Sa për kohën e krijimit të kështjellës, ajo ka të ngjarë që të jetë e përiudhës së pellazgëve. Kjo mbështetet nga prania në themelet e saj të gurëve pellazgjikë dhe nga ngulimet trojane në rrethinat e maleve Keraune (Oriku, Amantia dhe Thronioni).

Këta, sipas Medi Frashërit, ka mundësi që të kenë vënë emrat Oenea, dhe Sinus Oenea, për Kaninën dhe gjirin e Vlorës. Po këtë le t’ua lëmë studjuesve të fushës.

Nga të dhënat e historisë duket qartë se Kanina ka qënë, në rrjedhën e shekujve, kryeqendra administrative, ekonomike, kulturore, politike, ushtarake e fetare më e hershme e trevës labërore e më gjerë. Ajo falë pamjes mahnitëse dhe pozicionit gjeo-strategjik të saj ka qënë syri, veshi, parzmi dhe shtylla kurrizore e luftrave për liri e Pavarësi, si dhe burim i pashtershëm urtimi e frymëzimi atdhedashës për bashkimin e trojeve të kombit Shqiptar në një shtet të vetëm.

Kanina ishte pjesë e Peshkopatës Justiniana Prima të Horit, qysh nga viti 1019, që kishte në varësi 17 peshkopata, me nga 40 klerikë e 30 patrikë. Madje, peshkopi i Kaninës emërtohej edhe i Ilirisë. Në Kaninë përmenden edhe sot emrat e kishave të rrënuara, si kisha e Shën Marisë, e Shën Netjasë, e Shën Onufrit, e Shën Parashqevisë e të tjera, si dhe Manastiri i Kallogjerit, ku përgatiteshin priftërinj për trevat e ndryshme të Arbërisë.

Neki Dredha

Kanina, pararoja e Labërisë, ka hequr të zitë e ullirit. Mbi të kanë vërshuar legjionet romake, bizantine, hunët e Atilës, normanët, anzhuinët, sllavët, osmanët, venecianët, italianë dhe gjermanët. Ata plaçkitën, dogjën, shfarosën e bënë të domosdoshëm emigrimin e popullatës, në radhë të parë, të banorëve rrufepritës të Kaninës. Ky është, ndoshta shkaku që në Kaninë një pjesë e fiseve janë të ardhur nga gjiri  i Labërisë e trevat e tjera Arbërore. Por popullata e saj, ashtu si feniksi mitik,  rilindte përsëri. Kjo rimëkëmbje ndikoi, për fat të mirë, që Kanina të qëndrojë gjithmonë në këmbë, se merrte përherë krahë e forcë, si Anteu, nga toka mëmë, Arbëria.

Në Kaninë, në vitin 1368 lindi dhe mori hov djepi i fuqisë kastriote, kapedani i kështjellës, Pal Kastrioti, gjyshi i Skënderbeut, simbolit të krenarisë së kombit shqiptar.

Tek kjo zjarrishte liridashëse e gjithë kohërave, përzihet lashtësia e lavdishme e qytetit të Kaninës me besnikërinë e dhemshurinë e princeshës Rugjina (Rrexhina) Balshës, e cila luftoi me trimëri kundër osmanëve dhe u mbulua me dheun shpirtëror të Himarës në manastirin e Pondikonizit, në ujëdhesën e Korfuzit, ku prehet e malluar të kthehet në gjirin e Kaninës labërore.

Prej këtej Gjergj Araniti i Madhërishëm organizoi dhe udhëhoqi me trimëri herkuliane kryengritjet legjendare antiosmane të viteve 1431 e 1435. Fitorja e tyre e ngritën lavdinë burrërore të këtij gjigandi të lirisë gjerë në zenit.

Në këtë djep lavdiplotë lindi, u përkund dhe u mëkua me zgjuarësi e qëndrueshmëri të palëkundur Donika Kastrioti, mbretëresha zulmëmadhe e Shqipërisë, eshtrat e të cilës prehen ende në Valence të Spanjës.

Po këtu u lind, u rrit, u edukua dhe u arsimua me ndjenjën e dashurisë, dhemshurisë, urtësisë. bujarisë e përkushtimit fisnikëror kaninjot, Shënjtorja e Arbërisë ose më saktë e Kaninës, Angjelina Aranit Komneni (1440-1520), vajza e gjashtë e Gjergj Aranitit të madhërishëm dhe e konteshës Maria Muzaka. Eshtrat e saj prehen në manastirin e Krushedolit, në Vojvodin, afër qytetit të Sremit.

Te kjo brerore vezulluese u frymëzua edhe diplomati mendjendritur, largpamës e urtiplotë, Ismail Qemal bej Vlora,  i cili punoi me përkushtim atëror për ngritjen e Flamurit, Shpalljen e Pavarësisë dhe themelimin e Shtetit Demokratik të Parë Shqiptar.

Kanina ka qenë vatra e luftërave për liri e pavarësi. Qysh në vitin 1821 Seit Dalan Kanina luftoi me trimëri të pashembullt në krah të Not e Marko Boçarit kundër hordhive osmane, në afërsi të Artës.

Ishte Ismail bej Vlora i Parë, citon shpluhuruesi i historisë së Vlorës e më gjerë, Prof. Bardhosh Gaçe, që në nëntor të vitit 1828 krijoi “Besëlidhjen Shqiptare” në Berat. “Ka ardhur koha – theksonte Ismail bej Vlora – të punojmë për Shqipërinë”. Në atë kohë shqiptarët e kuptuan se çfarë duhet të bënin për vatanin, që ai të ishte i lirë, si gjithë shtetet e tjera të Evropës. Kjo shkëndijë liridashëse e ndezi më shumë gjakun e mëmëdhetarëve, që vlonte në dejet e Shahin Delvinës, Mahmut bej Vlorës e atdhetarëve të tjerë.

Në sheshin historik të Teqesë, aty te kubeja madhështore, ku prehen eshtrat e  kryeministrave kaninjotë, nisën kryengritjet e viteve 1428, 1434, 1447 të kryesuara nga Mahmut bej Vlora, Hadër Sulo, Beqir Velo Kanina i Parë, Dalan Seiti e Mustafa Bimo kundër reformave tinëzare osmane. Këta bashkë me djemtë syshqiponjë të Lumit të Vlorës, Dukatit e të Mallakastrës, me në krye Rrapo Hekalin, Zenel Gjolekën, Cane Miftarin e Dervish Aliun e të tjerë shpartalluan hordhitë osmane në Sinjë e në Greshicë. Në këtë kryengritje të përgjakshme dhanë jetën e tyre edhe 6 kaninjot fisnikë.

Idet e Mahmut bej Vlorës dhe zëri liridashës i kaninjotëve të tjerë ushtoi edhe në Lidhjen e Prizrenit (10 qershor 1878). Atje Mustafa Pashë Vlrora u zgjodh zëvendës kryetar për Toskërinë. Në vazhdën e luftrave për liri dhe pavarësi gojëtari i shquar Abaz Nuri (Hamzarai) dhe Arshi Selfua krijuan “Shoqatën e Gjuhës Shqipe”, më 14 janar 1902. Vehbi Nuri (Hamzarai), Xhevit Aliu, Hamdi Dervishi, Mahmut Myftiu, Beqir Velo, Elmaz Xhaferi, Halil Cano, Neim Bimo e të tjerë përhapën mësimin e gjuhës shqipe edhe te foletë e shqiponjave, në Labëri e gjetiu. Më 1908 ata hapën shkollën e parë të gjuhës shqipe në Kaninë me 40 djem e vajza. Mësuesi i saj ishte atdhetari mendjendritur Jani Minga.

Kanina dhe Vlora, mbështetur te Labëria syshqiponjë, ishte djepi i luftës për shpalljen e Pavarësisë dhe ngritjen e Flamurit të Gjergj Kastriot Skënderbeut më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemal bej Vlora, Isa Boletini e të tjerë.

Arshi Selfua ishte ndër të parët që priti Ismail Qemalin, kur zbriti nga lundra në Novoselë. Ditën e Shpalljes së Pavarësisë, midis gazit dhe haresë së papërshkrueshme, që shpërtheu te Sheshi, ku u shpalos Flamuri nga Ismail Qemal bej Vlora, Sali Hyseni, mëmëdhetari sypatrembur kanininjot, veshur gjithë nur me rroba kombtare hoqi mirë e bukurë vallen, shoqëruar me vargjet e këngës, që thuri aty për aty:

 

O Smail beu me halle,

Jeshe djalë, e kur m’u zbardhe,?

Dyzet vjet nëpër krale,

Bëre një punë të madhe,

Në Vlorë lirinë e shpalle,

te osmanlliu s’u fale.

 

Këto vargje fjalëzjarrtë e ndezën më shumë këngën dhe harenë në “Sheshin e Flamurit”.

Pas shpalljes së Pavarësisë Elmas Xhaferi u emrua prefekt i Vlorës, kurse Muhamet Beshua komandant i policisë së Vlorës. Ismail Qemali e krijoi gardën e shtetit në shtëpinë e Hamzarajve me djelmoshat e Kaninës dhe me malësorët e Isa Boletinit, të cilët u strehuan e u mirëmbajtën me veshje e ushqime në vatrat bujare kaniniote.

Më 19 dhjetor 1912 Çeta e Kaninës, me në krye Beqir Velon e Idris Sadirin, bashkë me krerët e Dukatit, shpartalluan andartët grekë në Llogora. Në këto luftime u shquan: Muhamet Bedini, Jaho Veliu, Mehmet Halili, Halil Canua, Mustafa Luzi,  Sali Hyseni e të tjerë. Në rrjedhën e punimeve të Kongresit të Lushnjes Myqerem Hamzarai u zgjodh senator.

Kanina, që vallëzonte në gojën e ujkut, luajti një rol të rëndësishëm edhe në Luftën për Çlirimin e Vlorës, më 1920. Në kuvendin e Barçallas e të Beunit Myqerem Hamzarai u zgjedh antar i Komitetit Drejtues të saj. Më 1 qershor 1920 u krijua Çeta e Kaninës me mbi 50 luftëtarë syshkëndijë, si Idris Sadiri, Adem Latifi, Muhamet Besho, Muhamet Bedini, Musa Osmani e të tjerë. Kryetar i çetës u zgjodh Beqir Velo. Çeta e Kaninës kreu një sërë aksionesh. Në të gdhirë të 22 korrikut 1920 nëntë kaninjotë trima (Isa Kocaqi, Zeqir Rakipi, Musa Osmani, Salo Sadedini, Idris Sadiri, Muhamet Bedini, Sheme Hoxha, Mustafa Lamçe dhe Ramo Shaho [nga Berati]), dogjën 10 ballonë në Fushën e Aviacionit, në Ujin e Ftohtë. Çeta e Kaninës, me në krye heroin e luftrave për liri, Beqir Velon,  mori pjesë në rrethimi e kështjellës së Kaninës dhe luftoi trimërisht krah për krah me Çetën e Sali Muratit (Vranishtit) për çlirimi e saj nga italianët. Kurse në vitin 1923, nën ndikimin e Shoqatë atdhetaro-kulturoro-politike “Bashkimi”, paria kaninjote krijoi “Shoqatën e Djelmoshave të Kaninës”, me kryetar Mustafa Bega. Kjo Shoqatë ka kryer e kryen veprimtari atdhetaro-kulturore të mirëfilltë edhe nën drejtimin e shkëlqyer të oficerit urtiplotë, Sezai Osmani, mësuesit Agaçe Yzeiri dhe të artistit me fatazi krijuese, Fate Velaj.

Disa nga figurat e shquara kaniniote kanë qënë firmëtarë të Pavarësisë, si Zini Abaz Kanina dhe deputetë në Parlamentin e Shqipërisë, si Ibrahim Xhindi (dhe senator), Arshi Halili, Elmaz Xhaferi, Eqerem bej Vlora, Ibrahim Dervishi, Manush Myftiu e Aranit Çela. Kryetarë të Bashkisë së Vlorës kanë qënë Xhemil bej Vlora, Nuredin bej Vlora, Arshi Halili si dhe autori i këtij shkrimi.

 

***

Më 6 prill 1939 mbi 150 bijë të Kaninës, nën drejtimin e Muhamet Bedinit, zbritën në Vlorë, për të luftuar kundër italisë fashiste.

Kanina ka qenë ndër zjarrishtet e para të epopesë së lavdishme të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Qysh në fillim të luftës u rreshtuan mbi 100 të rinj e të reja kaninjotë në Çetën e Kaninës, drejtuar nga oficeri i talentuar, Tasim Bonjaku. Më vonë vendin e tij e zuri Faslli Jaho. Çeta e Kaninës ishte gur themeli në krijimin e Çetës Plak në Gjorm. Faslli Jahua ishte antar i shtabit drejtues të Zonës Operative Vlorë-Gjirokastër. Kurse Mynyr Xhindi, inxhinieri, u zgjodh Sekretar Organizativ i Qarkut të Vlorës, Manush Myftiu ish zv. komisar i Brigadës së V dhe Ibrahim Dervishi përgjegjës për sektorin e shëndetësisë. Në këtë luftë u shquan shumë bijë e bija kaninjote. Mbi 20 luftëtarë kaninjotë trima dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë, të cilët prehen në alltarin e ndritur të dëshmorëve të atdheut.

Kanina ka nxjerrë përherë figura të shquara historike e kulturore, siç ishte edhe ajo e gjeniut të letrave shqipe, filozofit, poetit e historianit erudit Prof. dr. Isuf Luzaj, “Nderi i Kombit”. Ai ishte i lidhur, si mishi me kockën, me Kaninë, vendlindjen e tij të dashur, ku kërkoi me ngulm të prehet përjetësisht trupi i tij. Këtë dëshirë e kanë shfaqur qysh herë edhe kaninjotët e mëdhenj, si Ismail Qemal bej Vlora, Nermin Vlora Falaschi,  bashkë me të shoqin, diplomatin e shquar italian, Renzo Falaschin.

***

Kaninjotët janë të penës, të punës, të dyfekut, të këngës e të valles. Kënga kaninjote safi feks si gur xhevahiri në gjerdanin llamburitës të këngëve dhe të valleve vendçe labërore. Kaninjotët japin edhe sot ndihmesë të pareshtur në rindërtimin e përparimin e shoqërisë demokratike Shqiptare.  Historia e Kaninës është aq e lashtë dhe e lavdishme sa do ta kishte zili çdo qytet europjan. Në këtë shkrim të thjeshtë paraqita vetëm disa copëza të madhështisë së saj. Kjo na bënë të jemi jo vetëm krenar, por na nxit të kryejmë me nder dhe rigorozitet detyrat që na ngarkon shoqëria demokratike shqiptare, si dhe të vlerësojmë e t’u jemi mirënjohës kujtdo, që bën diçka të mirë për Kaninën. Në festa e në takime të gëzueshme kemi dëgjuar me endje fjalën dritëdhënëse të hulumtuesit dhe shpluhuruesit të historisë së Vlorës e të figurave të ndritura të Kaninës e më gjerë, Prof. dr. Bardhosh Gaçes. Po ashtu, Dr. Bujar Leskaj, frymëzuar nga historia e lavdishme e Kaninës dhe nga ndjenja e lartë e atdhedashurisë, ka dhënë një ndihmesë morale e financiare të çmuar për përgatitjen dhe vendosjen në Kaninë të bustit të themeluesit të Shtetit Demokratik Shqiptar, Ismail Qemalit. Ai, me bujarinë e zjarrtë që e karakterizon i dhuroi Muzeut Kombëtar të Pavarësisë bustin e birit rrënjëthellë të Kaninës, Ismail Qemalit. Në këtë vepër mjeshtërore, “Skulptori i Popullit”, Muntaz Dhrami, e shfaq babain e kombit shqiptar, Ismail Qemal bej Vlorën, ulur në tavolinën e tij të punës, duke firmosur Aktin lavdiplotë të Pavarësisë. Kjo vepër artistike, me kuptim të madhe atdhetar, u porosit dhe u mbulua me shpenzime vetiake nga biri atdhedashës i Vlorës, Bujar Leskaj. Ky dashamirës dhe admirues i historisë së lavdishme të Kaninës labërore ishte nxitës i flaktë edhe për dekorimin e qytetit famëmadh dhe të birit të saj urtiplotë, Isuf Luzit, me dekoratën e lartë: “Nderi i Kombit”. Ne kaninjotët u jemi mirënjohës kujtdo që e ka për zemër Kaninën, po në mënyrë të veçantë i shprehim mirënjohjen Prof. Dr. Bardhosh Gaçes dhe Dr. Bujar Leskajt, për të gjitha këto virtyte të larta njerëzore, që vlojnë në zemrën fisnike të tyre.

***

Në këtë të shënuar, tashmë tradicionale, të qytetit zulmëmadh të Kaninës, u shpreh edhe një dëshirë e veçantë ë bashkëqytetarëve e, padyshim, të gjithë mëmëdhetarëve të kombit tonë faqendritur, të cilët kërkojnë mirëkuptimin e pushtetit e të shtetit Shqiptar, për  vendosjen e përmendores së Ismail Qemal bej Vlorës në një nga  sheshet kryesore të Tiranës. Po ashtu, është në nderin Tuaj dhe detyrë e pushtetit dhe e shtetit amë, si dhe kënaqësi e veçantë për ne dhe mbarë vendin të sjell në vendlindjen e tyre eshtrat e bijave të tij zemërzhuritur nga malli për atdheun, që prehen në dhe të huaj, sikurse janë eshtrat e princeshës së Kaninës, Rugjina Balsha, mbretëreshës së Shqipërisë, Donika Kastriotit dhe të shënjtores së Arbërisë, Angjelina Aranitit. Kjo përkujdesje atërore do ta lartësonte nderin e shtetit tonë dhe do ta kthente Kaninën në një vend pelegrinazhi, siç është Jeruzalemi dhe Meka.

Kaninjotët vlerësojmë pamasë urtësinë, largpamësinë dhe përçapjet e matura të qeverisë Rama për zgjidhjen e çështjeve madhore të shtetit e të kombit tonë. Ato pasqyrohen mirë e bukur kudo në Shqipëri, veçanërisht në Vlorën e kthesave të mëdha të kombit shqiptar. Po midis halleve dhe plagëve të shumta që ka vendi ynë, të cilat kërkojmë shërim të shpejtë, ne duam të investohet, me ngut edhe për qytetin e Kaninës, që basenet ujore të malit të Lungarit, mos të humbasin në zhavorret e skutat shkëmbore të Gjirit të Vlorës, por të futen në rrjetin ujësjellës të Kaninës, që të shuajnë etjen shekullore të banorëve fisnikë të këtij qyteti princëror, që rrezon si brerore mbi kryet e Vlorës.