Një histori shqiptaro – amerikane

Një histori shqiptaro – amerikane

625
0
SHPËRNDAJE

SAG HARBOR, (New York) – Ishte prilli i vitit 1993, kur në Racine të shtetit Wisconsin (SHBA) takova dy vëllezër nga katundi Llapkindoll i Kërçovës, të cilët më treguan një ngjarje interesante. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, banorët e katundit Llapkindoll, tek mali i Bistrës, i paskëshin shpëtuar nga vdekja dy oficerë amerikanë.
– Janë gjallë oficerët? – i pyeta, porsa përfunduan tregimin.
– E kemi takuar njërin në Amerikë, shumë vjet më parë. Tani nuk e dimë ku ndodhet, – tha Xhaviti dhe tregoi adresën e vjetër të oficerit, kur ai jetonte në shtetin Maryland.

 

* * *
Harold Helfrich e David Fisher në maj të vitit 1944, në Ploest të Rumanisë kishin kryer misionin ushtarak dhe po fluturonin me aeroplan mbi territorin e Maqedonisë. Misioni i oficerëve amerikanë kishte përfunduar tragjikisht në majat e thepisura të malit: dy të vdekur, gjashtë të zënë robër nga gjermanët dhe dy të lënduar (Helfrich e Fisher). Fshatarët e Llapkindollit, tutje në mal, kishin dëgjuar një shpërthim, pastaj ca klithma dhe një përplasje të fortë mbi shkëmb. Më pas klithmat ishin fashitur ngadalë, deri në harresë. Pas tri ditësh, një bari kishte dalluar dy njerëz të panjohur tek përpëliteshin në mal. Turma e njerëzve, me të marrë vesh lajmin se “dy njerëz kishin rënë nga qielli”, kishte vrapuar drejt pyllit. Harold Helfrich e David Fisher, të plagosur, të uritur, me frikën në palcë, ngjanin vërtet sikur të kishin rënë në tokë nga ndonjë planet tjetër. Nuk dinin ku ishin dhe kush banonte në këtë vend me aq shumë male e shkrepa. Fshatarët e Llapkindollit i kishin çuar oficerët në një shtëpi. Tri javë i kishin mbajtur në shtëpitë e tyre, që të mos u binin në gjurmë ushtarët gjermanë e pastaj i kishin dërguar deri te Misioni Anglez përtej kufirit, në Shqipëri.

 

* * *
Me adresën e vjetër të Harold Helfrich-it në xhep, arrita në New York. Shkrova një letër në adresë të oficerit. Prita shumë kohë. Një javë, dy, disa muaj. Nuk mora përgjigje. Pyeta bashkëkombasit në New York, në Illinois e në Michigan nëse dinin se ku jetonin dy oficerët amerikanë që u shpëtuan prej shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë. U tregoja emrat dhe ngjarjen, siç e kisha dëgjuar. Për oficerët amerikanë, me sa dukej, nuk dihej as se ku ishin, në këtë botë apo në tjetrën.
Disa muaj më vonë, gjatë një udhëtimi në Washington e Virginia, u ktheva në Maryland. Me Shaqir Salihun i ramë kryq e tërthor qytetit Rockville për të takuar Harold Helfrich-in. Ndaluam në një shtëpi, më pas dhe në një tjetër. Më në fund gjetëm adresën: 14725 Janice Drive. Trokitëm njëherë, trokitëm dy herë, tri… Asnjë përgjigje. U kuptua se nuk jetonte njeri në atë shtëpi.
– Kë kërkoni?- pyeti fqinji i afërt.
I treguam si qe puna.
– Oh, ka shumë vite që ai nuk jeton më këtu. Iu dogj shtëpia dhe u shpërngul. Më duket se jeton diku në Long Island, – tha ai dhe kërkoi ndjesë që nuk mund të na ndihmonte më shumë.
U ktheva në New York, pa kryer punë. E vetmja ndihmë ku mund ta kërkoja kishte mbetur shërbimi informativ i telefonave. Kërko në një qytet e kërko në një tjetër e shërbimi telefonik përherë më kthente përgjigjen: “Më falni, ky emër është i panjohur për ne”. Më në fund, këmbëngulja ime e vazhdueshme dha rezultat: shërbimi informativ i telefonave në Long Island e kishte në listë edhe emrin e oficerit amerikan. Harold Helfrich jetonte në Sag Harbor, tri orë me makinë nga Manhattan-i.
Me Olloman Selën u nisëm një pasdite për atje, që të takonim Harold Helfrich-in. Kaluam shumë rrugë e kthesa, derisa arritëm në Sag Harbor, një vendbanim i vogël që natën ngjante si një katund i humbur në skaj bote në të cilin kalimtari i rastit e kishte tepër të vështirë të orientohej. Nuk shquheshin as tabelat e rrugëve e as numrat e shtëpive nëpër mjegullën e ngritur pas shiut, që s’kishte pushuar tërë ditën. Dhe ja, më në fund e gjetëm shtëpinë e oficerit amerikan.
Dera u hap dhe para nesh u shfaq një njeri i moshuar që mezi e mbanin këmbët. Harold Helfrich na përshëndeti ngrohtësisht dhe na priu drejt dhomës, ku ai kalonte kohën.
Mikpritësi nuk e fshehu gëzimin që po e vizitonin dy shqiptarë nga Ballkani.
– Shtëpia ime është e hapur për shqiptarët. Ata më kanë shpëtuar jetën, – tha ai me një zë të butë. Pastaj pyeti se si e gjeta adresën e tij. I tregova se kisha takuar rastësisht disa nga të familjes që e kishin shpëtuar nga kthetrat e nazistëve gjatë Luftës së Dytë. Shtova se kisha një vit e ca që po e kërkoja, ndërsa ai nuk pushonte së falënderuari.
Në muret e dhomës së oficerit kishte shumë fotografi. Njëra binte më tepër në sy, një fotografi aeroplani B – 24 në mes të qiellit të kaltër e reve të turbullta, i ngjashëm me atë që kishte rënë në Llapkindoll të Maqedonisë shumë vjet më parë, në një kohë të ndezur nga baroti e të trazuar nga gjëmimet e luftës.
Harold Helfrich zuri vend përballë nesh. I hodhi një vështrim fotografisë, sikur ta shihte për herë të parë. Pastaj solli shumë letra e dokumenta të tjera dhe i vuri mbi tavolinë. Si u qetësua pak, filloi të tregojë ngjarjen, që desh i mori jetën:
– Më 18 maj 1944 po ktheheshim nga një mision ushtarak në Ploesht të Rumanisë, ku hodhëm bombat. Një gjuajtje nga toka e artilerisë së armikut ishte fatale për ne se ishte goditur një motor i avionit dhe një bidon nafte. U mundova që ta drejtoja avionin nga deti Adriatik për të zbritur në bazën ushtarake në Italinë e Jugut, por kjo ishte e pamundur, për arsye të motit shumë të keq. Po kalonim nëpërmjet një rrebeshi të tmerrshëm shiu e tufani. Si të mos mjaftonin të gjitha këto, edhe motori tjetër u bllokua nga akulli. Duke parë rrezikun, ne vendosëm të hidheshim me parashutë. Njëri nga mitralierët nuk arriti të hidhej. Ndihmëspiloti im, që u hodh pas tij, pati po ashtu një fund tragjik. Parashuta e tij nuk u hap. Unë që isha pilot, komandant i skuadriles, u hodha i fundit në ajër. Disa çaste para se të bija në tokë, parashuta ime mezi u hap. Presioni i fortë që u shkaktua nga përplasja e avionit në tokë ndikoi që ajo të hapej dhe të shpëtoja nga kthetrat e vdekjes. Mora plagë të rënda në brinj e në gju. Pasojat e këtij lëndimi i ndjej edhe sot, – tha Harold Helfrich.
– Në atë mision të kobshëm, – shtoi ai, – dy oficerë vdiqën, gjashtë u zunë nga gjermanët sapo zbritën në tokë, ndërsa unë dhe David Fisher kishim arritur të humbnim gjurmët.
Harold Helfrich e David Fisher kishin udhëtuar tri ditë, derisa kishin takuar bariun e deleve, “njeriun e lumtur e të buzëqeshur” e më pas dhe fshatarët e tjerë. Ishte hera e parë për dy oficerët amerikanë që takonin shqiptarë. Edhe për shqiptarët qe hera e parë që shihnin dy amerikanë me uniforma ushtarake, njerëz të molisur nga lëndimi e uria.
Ja si e përshkruan piloti amerikan atë çast:
– Po binte muzgu. Ne ishim ngjitur lart në shkëmb. Ç’njerëz të çuditshëm ishin këta shqiptarët? Ngjiteshin në shkëmb e zdirgjeshin si djalli. Na morën e na sollën në fshatin e vogël, në Llapkindoll. Pastaj u ngjitëm shkallëve të një shtëpie, lart në katin e sipërm. Në bodrum kishte bagëti, mbi të ishin një a dy dhoma. Nuk e kuptova se cila ishte kuzhina, cila dhoma e fjetjes dhe e ndejtjes. Nga rrëfimet e fshatarëve, përmes mimikës e figurave të vizatuara, morëm vesh se gjendeshim në tokat shqiptare të Maqedonisë. Ne rrinim tërë ditën si të ngujuar në atë shtëpi, për të mos na hetuar gjermanët. Natën shkonim nga një shtëpi në tjetrën. Bisedonim, për aq sa kuptoheshim, duke mos ditur gjuhën e njëri – tjetrit. Ndaj dhe bisedat nganjëherë merrnin ngjyra humori për shkak të këtyre barrierave gjuhësore. Atmosfera bujare dhe e dashur që fshatarët shprehnin për ne, nuk e qetësonte David Fisher-in që rrinte si në gjemba. Një ditë ma tha troç: “Nuk mund të qëndrojmë më këtu. Duhet të shkojmë…”.
Helfrich kishte shkruar edhe në ditarin personal për tërë ato ditë që kish qëndruar në mesin e shqiptarëve. Por bashkë me shtëpinë në Maryland, ishin djegur e bërë shkrumb e hi edhe të gjitha dorëshkimet e fotografitë. Një dhimbje të thellë ndjen ai tani për atë histori jete të humbur. Kishte shënuar në to shumë hollësi se si silleshin shqiptarët, emrat e atyre që e shpëtuan nga kthetrat e gjermanëve e plot detaje të tjera të jetës idilike të atij katundi shqiptar.
– Si u janë dukur shqiptarët në takimin e parë?- e pyeta.
– Më habiste mikpritja dhe çiltërsia e atyre njerëzve aq të dashur, të shoqërueshëm e inteligjentë. Kishin sens të thellë humori dhe më vinte keq që s’i kuptoja mirë, se do të isha kënaqur edhe më tepër duke qeshur. Uleshin rreth meje e bisedonin. Ata për ne vunë në rrezik jetën, sepse nuk qe e lehtë në atë kohë të strehoje të huajt që i ndiqnin gjermanët. Hanim e pinim bashkë. Ç’kishin ata, kishim edhe ne. Sa të shijshme ishin groshët! Ky ishte ushqimi më i zakonshëm i shqiptarëve. Fisher një natë hëngri aq shumë groshë, sa u sëmur nga stomaku. Sollën një doktor maqedonas që i dha një ilaç dhe ai u bë më mirë. Gjatë udhëtimit që bëmë më vonë në Shqipëri, banorët e atij vendi më dukeshin si njerëz të Biblës. I shihnim rrugës ashtu të varfër, duke udhëtuar me gomarë. Burrat uleshin nën hije pemësh me pushkë në gjunj dhe bisedonin vetëm për politikë, ndërsa punët i bënin të gjitha gratë. Ato ishin aq të angazhuara, sa nuk i pashë asnjëherë duke ndjenjur ulur. Kjo ishte diçka e ndryshme nga ajo që ishim mësuar të shihnim në Amerikë. Njëra nga temat më impresionuese të shqiptarëve ishte ajo për Amerikën. Flisnin me admirim për këtë shtet të madh mbase edhe nga fakti se Amerika e kishte ndihmuar Shqipërinë, – thotë Helfrich.
– Gjermanët nuk ranë dot në gjurmë të oficerëve amerikanë, edhe pse po i kërkonin gjithandej dhe kjo, na thotë Helfrich, tregonte se shqiptarët nuk bashkëpunonin me gjermanët. Sikur të kishte pasur të tillë, sigurisht që do të na kishin denoncuar, – përfundon mendimin ai.
Olloman Sela, si për të shtjelluar më tej idenë e tij, foli për mikpritjen shqiptare e për mysafirin që trajtohet si i shenjtë në shtëpitë tona.
– Pas kësaj që më ndodhi mua, – ndërhyn Helfrich, – kuptova dhe mesazhin e Kanunit të shqiptarëve që e trajton mikun si të dërguarin e Zotit.
Pas tri javë qëndrimi në Llapkindoll, Harold Helfrich e David Fisher kishin shkuar pranë Misionit Anglez në Shqipëri.
– Ç’fat! Ndërsa kishim bërë një copë udhë, Davidi u ndal. Kishte harruar këpucët në katund. Nuk mund të ecte këmbëzbathur. Sa dëgjoi për këtë, njëri nga fshatarët që po na përcillte, u nis me kalë drejt fshatit dhe si vetëtima u kthye shumë shpejt me këpucët e David-it. Vazhduam rrugën. Nëpër ato monopate me gropa e gurë udhëtuam tri javë e më në fund arritëm në Shqipëri, ku ndodhej Misioni Anglez. Nuk kishim ushqim e nuk gjenim edhe ndonjë burim për të pirë ujë. Ujin e shiut, që mbanin gjethet, kemi pirë për të shuar etjen. Shumë herë jeta jonë ka qenë në rrezik gjatë atij udhëtimi. Ngjiteshim në majat e larta të maleve, ku s’kishte shkelur këmbë njeriu. Edhe zbritja poshtë faqes së malit për të arritur në lugina, nuk qe më e lehtë. Në një moment, po të mos ishte shoqëruesi, ai bariu i ri, unë do të kisha përfunduar në greminë e do të isha bërë copë – copë. Jo vetëm kaq, por ai më barti edhe në krah disa milje, derisa arritëm në një pllajë diku përtej kufirit me Shqipërinë. Më në fund, pas disa ditësh udhëtimi, arritëm tek misionarët anglezë që banonin në një tendë të improvizuar,- tregon Helfrich.
Oficeri amerikan qysh atëherë e kishte kuptuar se anglezët shihnin thjesht “interesat e tyre vetiake” në këtë pjesë të Ballkanit.
– Për mendimin tim, edhe sot e kësaj dite anglezët ndjekin të njejtën politikë, – thotë ai dhe më pas na tregon një episod të tmerrshëm, që edhe sot, pas gjysmë shekulli, nuk i shqitet nga mendja. Akoma pa u çlodhur mirë nga udhëtimi i gjatë, Helfrich merr urdhërin nga eprori anglez që të pushkatonte një italian të zënë rob. “Po si mund të bëj unë këtë?”, kishte pyetur i tmerruar veten. Me revole në dorë ai ishte detyruar të largohej disa metra larg kampit “për të zbatuar urdhërin”.
– Pasi u larguam disa hapa, i thashë italianit: “Mos u frikëso! Do të gjuaj në ajër”. Po ai s’më kuptonte dhe vazhdonte të dridhej nga frika. Pasi bëmë edhe disa hapa udhë, u futëm në një shesh të rrethuar nga lisa të lartë. Unë qëllova në ajër. Italiani ia dha vrapit. U ktheva në tendë dhe raportova tek oficeri anglez se misioni ishte kryer,- tregon Helfrich.
Ai na tregoi edhe një episod tjetër të asaj kohe:
– Një ditë, tek udhëtonim, njërës prej mushkave i shkau këmba dhe u përplas pas një peme. Thesi që kishte të ngarkuar u shqep e u derdhën dengjet e parave. Shqiptarët që na shoqëronin, i mblodhën paratë dhe i futën prapë në thes. Nuk e kuptoja se ç’do të bënin me tërë ato dëngje parash. Të varfërit nuk i ndihmonin. Gjëra të çuditshme, të tmerrshme kam përjetuar në atë kohë të turbullt. Në një fshat një familje e tërë u shfaros nga hakmarrja vëllavrasëse. Me sa kuptova, ky ishte një zakon i lashtë i vendit ndaj dhe mbylla gojën se, të them të drejtën, s’ma mbante të flisja.
Tre shqiptarët nga Llapkindolli që kishin shoqëruar Helfrich-in e Fisher-in deri te Misioni Anglez në Shqipëri, ishin përshëndetur me oficerët amerikanë, pa shpresuar se do të shiheshin ndonjëherë përsëri.
Harold Helfrich solli hartën e Ballkanit. Na tregoi me gisht fshatrat, qytetet dhe rrugët nga kishte kaluar, derisa kishte arritur në Itali. Atje ishte shtruar në një spital për të shëruar plagët, pasojat e të cilave i ndjen edhe sot, në moshën 76 vjeçare.
E pyeta për David Fisher-in se ku ndodhej tani.
-Ka shumë kohë që s’e kam parë. Kam një numër të telefonit të shtëpisë së tij në Iowa, ku shërbeu një kohë në polici. Pa ta provojmë njëherë, se ndoshta mund të jetë aty akoma, – tha Helfrich dhe i ra telefonit.
Nuk u përgjigj njeri.
David Fisher-i nuk banonte më atje dhe as nuk dihej në ishte gjallë, apo kishte vdekur. Dy shokët e luftës i kishin shkëputur lidhjet me njëri – tjetrin për dekada të tëra dhe nuk kishin komunikuar më.
-Kushedi, a është gjallë akoma?- tha Helfrich si duke psherëtirë dhe mori frymë thellë.

1-ok 2-ok 4-ok

Harold Helfrich erdhi në New York në vjeshtë të vitit 1944. Gruaja e tij, Gertrude Helfrich, ishte shtatzanë kur ai qe nisur për në luftë. Ata qenë martuar në një bazë ushtarake amerikane në Smyrna (Tennessee) në tetor të vitit 1943, pak kohë para se Helfrich të nisej me mision ushtarak për në Evropë.
Kërkuam edhe nga e shoqja të shtonte ndonjë gjë për historinë e bashkëshortit.
– Ishte kohë e vështirë, – tha ajo. – Për muaj të tërë nuk kam ditur fare për fatin e burrit tim. Një ditë mora një telegram ku thuhej se im shoq kishte humbur në një aksion luftarak. U trondita shumë. Nuk dija ç’të bëja. Kisha parandjenjën se do të kthehej. Lutesha ditë e natë për të… Dhe ja, një ditë, ai erdhi. Ishte shtator, fëmija i parë lindi në dhjetor. Harold-i nuk e dinte se unë isha shtatzanë. Kur mori vesh se në dhjetor do të kishim një fëmijë, nuk përmbahej nga gëzimi. Ishte ky një shpërblim për jetën plot rreziqe e sakrifica që kaloi. Tani kemi shtatë fëmijë dhe jemi të lumtur, – thotë ajo.
Më 1971, Harold Helfrich, kur punonte në Washington në Departamentin e Transportit dhe Administratës Federale të Aviacionit, u takua me disa shqiptarë nga Llapkindolli, Rexhep Ajazin, Muhadin e Xhavit Saliun e të tjerë. Vite më parë, para se të takohej me ta, kishte marrë disa letra nga Llapkindolli i Kërçovës. I shkruante Rexhep Ajazi më 1947, njëri nga ata që kishte sakrifikuar për oficerin amerikan: “Dua t’ju takoj prapë. Nuk e harroj atë kohë e atë ndarje”.
Harold Helfrich na tregoi edhe letrat që kishte marë nga Rexhep Ajazi, edhe ato që kishte dërguar vetë ai në adresë të Zyrës së Emigracionit Amerikan, për të ndihmohen shqiptarët e Llapkindollit për të rregulluar statusin e qëndrimit në Amerikë. Në çdo letër theksonte bujarinë shqiptare, sakrificat që kishin bërë për të Rexhep Salihu, Shefki Salihu e të tjerët. Ai i lutej Zyrës të kishte mirësinë për të ndihmuar shqiptarët. U shkroi edhe ambasadave amerikanë në Beograd e në Vjenë për t’u dhënë shqiptarëve një vizë amerikane. Ata e kishin ndihmuar atë në çastet më të vështira të jetës, ndaj edhe ai e ndjente për detyrim t’i ndihmonte ata për të ardhur në Amerikë.
-Unë do t’ia besoja pa frikë jetën çdo shqiptari. Shqiptarët më shpëtuan. Çfarë do të ndodhte me mua, po të mos ishin ata?- përsërit Helfrich.
– Zot, shpëtoje këtë popull fisnik! Ndihmoi që të gëzojë të gjitha të mirat e kësaj bote!- flet e emocionuar Gertrude Helfrich.
– Nuk do t’i harroj shqiptarët, që më shpëtuan jetën-, tha për të satën herë Harold Helfrich.
– Nuk do të të harrojnë as ty shqiptarët,- i thashë kur u ndamë.
Ai qëndroi në oborr duke na ndjekur me sy e duke na përshëndetur me dorë derisa ne humbëm tej rrugës. (Marrë nga libri Shqiptarët e Amerikës) /illyriapress.com/