Gjeniu analfabet i këngës popullore qytetare elbasanase

Gjeniu analfabet i këngës popullore qytetare elbasanase

1671
0
SHPËRNDAJE

Tradita jonë e këngës daton aq larg sa asnjë nuk e mban mend, po një nga të mëdhenjtë që e ngriti atë në një piedestal edhe më të lartë është pikërisht gjeniu i këngës popullore, Isuf Myzyri. Myzyri ka lindur në Elbasan në vitin 1881, në një familje të vogël e shumë të varfër, por kjo nuk e pengoi aspak atë që të bëhej një nga mjeshtrat më të mëdhenj të muzikës popullore qytetare elbasanase. Megjithatë, iu desh të kalonte shumë peripeci derisa të arrinte majat. Kur ishte fare i ri, Myzyri, për të siguruar bukën e gojës, nisi që të punonte në disa profesione. Si fillim ka nisur si bahçevan, duke u kujdesur për kopshtet e pasanikëve të kohës, por duke qenë se kjo punë nuk i sillte shumë të ardhura, e la dhe iu fut profesionit të berberit, por edhe ky nuk bënte për të,  kështu që shkon në Tiranë në vitin 1909-1910 dhe atje, me ndihmën e mikut të tij, Rexhep Murthi, mëson zanatin e qeleshepunuesit. Për të ishte një punë shumë e bukur, pasi merrej edhe me andrimin e veshjeve popullore shqiptare, ku edhe u lidh shumë me traditën e tij.

Sipas bashkëkohësve, Isuf Myzyri ishte usta i mirë për të tria profesionet. Më të vjetrit tregojnë se gjatë punës usta Myzyrit nuk i pushonte goja, vetëm fliste, e në mos fliste, ishte duke kënduar. Ai këndonte vazhdimisht e vazhdimisht me zërin e tij të ëmbël e të qetë, duke zbuluar prirjen e tij për muzikë që në moshë të re. Nuk i mjaftonte vetëm puna për të kënduar, por edhe jashtë saj bëntë “koncerte” muzikore.  Pas pune mblidhej tok me shokët dhe miqtë e tij dhe këndonte këngë të muzikës popullore dhe shumë shpejt u shqua për zërin e ëmbël dhe veshin muzikor. Ndaj vendos të largohet nga profesionet e mëparshme dhe i përkushtohet muzikës. Qyteti e etiketon “usta”, jo prej profesioneve që kishte, por prej muzikës që këndonte.

Duhet thënë se Isufi ishte analfabet, pra nuk dinte as shkrim e as këndim pasi duhet marrë parasysh koha në të cilën ai ka jetuar, pra gjatë pushtimit Osman. Megjithatë Myzyri njihet si autodidakt i paparë në fushën e muzikës dhe instrumenteve popullore. Pasi braktis profesionet e mëparshme, mëson në mënyrë të pavarur violinën. Më pas nis të krijojë tekstet e tij dhe t’i kompozojë ato. Isuf Myzyri ishte analfabet, por kjo nuk e pengoi që ai të bëhej “gjeni” në lëmin e muzikës popullore qytetare. Hapin e parë të një pune të mirëfilltë të organizuar në fushën e muzikës e hedh në vitin 1905, kur ai themelon orkestrinën popullore të Elbasanit, e cila fillimisht këndonte dhe përhapte folklorin e zonës dhe traditën shqiptare. Grumbullon në orkestrën e tij instrumentistët më në zë të kohës, si Thoma Priftin në klarinetë, Musa Bebetin në mandolinë, Simon Velën në cyr, Mahmud Ashikun dhe Mehmet Balashin në lahutë, Arif Cermën (Topallin) në darje etj. Isuf Myzyri ishte udhëheqës dhe “dirigjent” i orkestrinës. Me këtë orkestër u bë i famshëm në të gjithë qytetin dhe zonën përreth. Me orkestrën e tij merrte pjesë në dasma e gëzime familjare, luante në sheshe dhe në pika turistike, sidomos në ditë festash. Repertori i orkestrinës ishte shumë i gjerë. Tradita gërshetohej me këngët e reja të krijuara nga vetë ustai, të cilat pëlqeheshin më shumë se folku më i mirë i grumbulluar nga thellësia e viteve. Më muzikën e tij arriti të cekë në zemër dhe shpirt të madh e të vogël në qytet pasi iu përkushtua tematikës erotike dhe historiko-patriotike në këngët e tij.

Isuf Myzyri njihet si vjershëtar dhe këngëtar i shquar i muzikës popullore, Artist i Popullit. Themeloi orkestrinën e parë popullore në Elbasan dhe është autor i 90 krijimeve poetike e muzikore, prej nga, për fat të keq, njihen vetëm 21 prej tyre, ndaj mund të konsiderohet si “humbës i madh” në këtë drejtim. Kulmin e krijimtarisë e arriti gjatë viteve ’30 të shekullit të kaluar duke lënë pas perla të muzikës popullore qytetare. Këngët e Isuf Myzyrit janë të njohura në të gjithë vendin, madje në shumë vende të botës. Krijimtaria dhe këngët e Isuf Myzyrit u përhapën në të gjithë vendin. Këngët e tij bënë jehonë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Për shkak të ndikimit oriental në krijimtari, këngët e Isuf Myzyrit janë pritur me sukses të plotë në vendet turko-orientale. Sot krijimtaria e tij bën pjesë në fondin e artë të folklorit shqiptar. Artisti i Merituar Alfons Ballici shprehet se ”krijimtaria e Isuf Myzyrit u bazua në atë të popullit, meloditë e tij u bazuan në intonacionet popullore, gjithashtu vjershat e tij gjetën frymëzimin në popull”. Krijimtaria e autorit u mbajt gjallë nga bashkëkohës të tij, siç janë Arif Topalli, Mehmet Gurra, Ali Zena, Muç Jolldashi, Xhemal Braçja, për të vazhduar më vonë me Tahir Gurakuqin, Albert Tafanin, vëllezërit Zena, Zina Zdrava, Zeliha Sina, Mustafa Mehja, etj.

Isuf Myzyri vdiq më 22 Tetor 1956. Si njeri, si qytetar dhe artist la mbresa të paharruara me veprën e tij. Në vitin 1956, me rastin e 76-vjetorit të lindjes, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi me “Urdhrin e Punës së Klasit të Dytë”.  22 vjet më vonë, më 7 qershor të vitit 1978, u nderua me titullin “Artist i Popullit”, ndërsa Elbasani, qyteti i tij i lindjes, e ka shpallur “Qytetar Nderi”.

Njerëz të tillë nuk vdesin kurrë…

/konica.al/