Suzana, mbreteresha shqiptare

Suzana, mbreteresha shqiptare

1359
0
SHPËRNDAJE

Australiania qe i tha “po” marteses me Leka Zogun, del nga hija e misterit dhe heshtjes. Dhe rrefen per dashurine per princin e saj te kalter, qe e shtyu te braktise gjithcka, per nje jete plot vuajtje dhe kufizime. Adhurimi per Geraldinen, perkushtimi per jetimet, zemerimi kunder luftes ne Irak. Rrefimi i nje mbretereshe te mohuar, qe shqiptaret nuk e deshen. Dhe ndoshta nuk e meritonin.

Nga Sokol Balla

Vetem shqiptaret mund te shkojne me vonese ne takim me Mbretereshen. Por ate dite qe duhet te takonim gruan e Leka Zogut, Tirana ishte kthyer ne nje mish mash makinash me flamuj kuqezi tifozesh qe prisnin fitoren me Irlanden ne futboll dhe gjithkush mund te shfajesohej me ferrin e trafikut te kryeqytetit. Por me Suzanen kjo nuk ishte e nevojshme. “S’ka gje, mjaft qe sot te fitojme”. Gruaja fisnike qe megjithe vitet qe i rendojne se bashku me vuajtjet e posacme te te qenit pjesetare e familjes mbreterore shqiptare, ruan ende bukurine e rralle qe te gjithe te huajt thone se eshte e vecanta e femrave australiane. Por vajza nga Oz – keshtu njihet shkurt shteti kontinent ne vendet anglishfolese, pasoje e shqiptimit te emrit te Australise ne anglisht “Oztrellia” – ka se paku 28 vjet qe nuk eshte me e tille. Megjithese handikapi i gjuhes shqipe e ka lene ate shpesh ne hije te interesit te medias – ajo gjithmone eshte quajtur nga shtypi i Tiranes si e huaja ne hije e familjes mbretnore – Mbreteresha Suzane eshte me shume shqiptare se c’duhet. Dhe kjo per shume arsye. Gjithsesi para se te filloje rrefimin e saj, Mbreteresha nuk menon te shprehe entuziasmin per fitoren ndaj ruseve ne futboll. Dhe nje keqardhje: se nuk kishte lene princin Leka te shkonte ne Shkoder. “Duhet te merrte rojet dhe nje shpure me vete, pa permendur shoket. Kishte shume harxhime. Ndaj e ndalova te shkonte”. Natyra e saj xhenuine dhe e bute australiane ka fituar ne 28 vjet bashkejetese me Leka Zogun, ashpersine e nje gruaje shqiptare te Veriut. Por nuk eshte thjesht roli i saj si edukatorja e trashegimtarit te fronit, qe ende burri i saj e pretendon. Mbreteresha Suzan nuk lejon qe familja te reflektoje luks te tepruar. Megjithese me pak se nje vit ne Tirane, ajo eshte e ndergjegjshme se ku jeton. Para pak ditesh princi Leka kishte ditelindjen. Shume pak vete e kane marre vesh. Nje nate me pare e kishte festuar me grupin e te rinjve qe tani jane shoket e tij te rinj, ndersa ditelindja ka kaluar ne nje dreke te thjeshte me familjare dhe miq. Kaq. “Nuk mund t’i lejonim vetes luksin qe meriton nje princ trashegimtar, ndersa me mijera shqiptare po vdesin urie”. E njejta gje pritet te ngjase me 5 prill, ditelindja e mbretit Leka. Nje ceremoni e profilit te ulet ne 64 vjetorin e pretendentit te fronit dhe shume lutje per te varferit dhe vecanerisht jetimet. Femijet pa prinder jane ne epiqender te fushates se bamiresise se Mbretereshes. Interesi i saj eshte i madh, saqe ajo tashme ka bere jo vetem turin e plote ne institucionet publike te strehave vorfnore, por ka vizituar shpesh familje me baballare apo nena te vrara, ne Bathore apo edhe fshatra e zona te thella te Shqiperise. Pakkush nga ne te mediave e kemi marre vesh kete. Sic konfirmojne edhe burime te Oborrit, ketu Mbreteresha ka qene e prere ndryshe nga zonja e pare e kryeministrit Xhoana. “Ne keto vende dua te shkoj vetem”. Ajo nuk deshiron publicitet, per dicka qe ajo e quan thjesht detyre. Nuk eshte e lehte qe Suzanen ta pyesesh nese eshte ne dijeni se “rivale” ne kete “gare” bamiresie ndaj jetimeve, ajo ka gruan e kryeministrit. Qe ndryshe nga mbreteresha e mohuar e shqiptareve, ka zgjedhur rrugen tjeter, ate publike dhe agresive ne mbrojtje te jetimeve, duke mos mohuar e deri diku perdorur para kamerave edhe statusin e saj pa baba. Por kjo nuk eshte zgjedhja e Mbretereshes Suzane. Ajo ka zgjedhur nje rruge tjeter, ate te heshtur per t’i fituar zemrat shqiptareve.

Ne fakt ajo ia fitoi menjehere. Te pakten atyre mijerave qe e priten qe ne aeroport dhe qe me pas moren pjese ne martesen zyrtare te saj me mbretin Leka, ne nje dite me diell te 7 tetorit 1975, ne qytetin turistik te Biarritz-it, nje perle arkitektonike ne kufirin franko-spanjoll. Ne ceremoni ishin te ftuar tete mije vete. Mbreteresha Suzane e kujton kete dite, pervec asaj te lindjes se princit Leka, si nje nga ditet me te paharruara. Disa ore, per te cilat ajo do te sakrifikonte shume gjera ne jeten e saj.

Ne mesdite cifti mbreteror u nis drejt Bashkise se qytetit, ne rrugen e zbukuruar si te ishte nje qytet shqiptar. Me pas firmat ne regjister te dy deshmitareve, Selim Damani per Leken dhe Lady Jennifer Saxton, motra e madhe e mbretereshes se ardhshme, per Suzanen. Me pas banketi ne Hotel du Palace, dikur selia e Perandorit Napoleon III. Tre dite me vone erdhi Dasma Mbretnore ne Villa Imperiale, zbukuruar me flamuj dhe emblemen me perkrenaren e Skenderbeut dhe Kuroren Mbreterore. Dera e limuzines hapet dhe i pari del adjutanti i mbretit kolonel Xhemal Laci, me pas Sovrani me uniformen e gjeneralit, dhe e fundit Suzana me fustanin e nuserise qendisur me ar dhe xhubleten aristokratike shqiptare ngjyre floriri. Nje dasem qe u hap me Himnin Kombetar, kenduar nga nje kor vajzash arbereshe te ardhura nga Kalabria nen drejtimin e At Papas Sotir Ferrara. Me pas bekimet me radhe nga te gjitha besimet. Fillimisht Imam Vehbi Ismaili ne anglisht dhe Imam Isa Hoxha ne shqip. Me pas nga prifti anglikan australian Harry Thorpe dhe monsinjor Zef Oroshi ne emer te kishes katolike. Dhe ne fund betimi i saj para tete mije te ftuarve, shqiptare dhe nga oborret mbreterore te gjithe botes: “Se do jem ne krah te Lekes per begatine dhe lumturine e popullit shqiptar. Se lumturia ime eshte vetem perkrah mbretit Leka. Une e dua mbretin dhe Shqiperine time”.

Zgjedhja per nje jete strikt, tradicionale dhe deri diku patriarkale, nuk duhet te kete qene e lehte per studenten e arteve te bukura, dhe femren e bukur dhe te edukuar ne shtepine e Alan Robert Kullen Uard, nje familje qete, e pasur dhe me lidhje te largeta gjinore me familjen mbreterore te Anglise, e vendosur ne rrethinat e Sidneit. Por frika e pare per ta pyetur per arsyen e nje zgjedhjeje te tille, iken menjehere kur ajo nuk heziton te pergjigjet nje fragment sekonde me vone: “For love”. Ka qene dashuria me shikim te pare per shtatlartin dhe bukuroshin Leka, princin shqiptar qe e la pa mend, ajo qe e ka shtyre te braktise gjithcka. Familjen, shkollen, bursen pasuniversitare ne Sorbone. Ketu ajo nxiton te sqaroje nje keqkuptim te shtypit. Ne fakt Sorbonen e braktisi per mungese fondesh dhe burse. “Nuk mund te perballoja as edhe nje te treten e shpenzimeve”. Ajo para se te zyrtarizonte dashurine per Mbretin, i kishte dhene zemren “kingut” Leka. Kur ne Spanje pranoi te fejohej me te, duke i plotesuar menjehere kerkesen e tij te pare: “Suzan, me tha ai thjesht, tani nuk duhet te punosh me, se do te fejohemi bashke”. Ka mjaftuar nje po, per te lene gjithcka dhe fituar perjetesisht jeten me mbretin.

Por jeta me Leken do te provohej shume me e veshtire se kaq. Sot, pas 28 vjetesh martese, pas aventurave pa fund neper Europe dhe Bote, pas nje jetese te palumtur per te ne Afriken e Jugut, ku shkonte per shopping me pistolete ne brez, 18 vjet pa shkelur ne shtepine e te te afermeve ne Sidnej, Suzana me kokefortesine e nje malesoreje, i qendron fort zgjedhjes se saj. Me nje “por”: Se do te kishte dashur ndoshta nje jete jashte oborrit, jashte regjimit strikt te mbreterise, vetem me princin e saj te kalter, njeriut qe i vodhi zemren perjetesisht, Leken. “Me kujtohet kur e pashe per here te pare. Te gjitha vajzat e shihnin me kersheri. Por ai lumturisht me pa vetem mua”. Suzana rrefen se familja e saj e perkrahu ne zgjedhjen e bere dhe e pelqeu shume Leken. “Duhet thene se deri atehere per Shqiperine dhe shqiptaret, kishim degjuar te flitej vetem keq. Atehere ne Shqiperi sundonte Enver Hoxha. Por njohja me Leken i rrenoi keto histori”. Ne Australi jetojne shume shqiptare, por Leka a ishte i pari qe ajo kishte takuar? Mendohet pak. Eshte 63 vjec dhe hutesa ne memorien e saj te renduar me kujtime dhe histori te jashtezakonshme, eshte e kuptueshme. Por hezitimi zgjat nje sekonde. “Po, po, Leka ishte shqiptari i pare qe une takoja”.

Gati bashkemoshatare, ata kane kaluar bashke thuajse gjithe jeten e tyre. Merren vesh shume mire, por duke qeshur Mbreteresha thote se nuk jane te rralla edhe momentet e grindjes. “Une i versulem ta godas, por ai eshte gjigant. Me ve doren e stermadhe tek balli dhe krahu i tij i gjate me mban larg. Duart e mia tunden me kot ta godasin dhe ketu fillojme e qeshim te dy pa fund”, thote Suzana, qe ndez e fik, ndez e fik pa fund cigare “IMPERIAL”. Pranon pa hezitim se po te mos egzistonte humori, shume kriza do te kishin qene te paperballueshme. Bredhjet pa fund neper bote, veshtiresite financiare – ajo qesh me ironi kur i kujtoj akuzat e Hoxhes per Leken si trafikant armesh: “Te pakten nuk do te ishim kaq te varfer”.

Nese ka nje periudhe te jetes qe ajo deshiron ta harroje, jane vitet ne Rodezi – “ku pashe vdekjen me sy” – por vecanerisht ne Afriken e Jugut. “E urreja jeten atje”. Te mbyllur dhe me roje ne dacen e tyre ne periferi te Johanesburgut, ditet e gjata mbas mureve me tela me gjemba dhe copa xhami, blerjet ne supermarket me pistolete ne brez, netet e gjata me pistolete nen jastek. “Afrika e Jugut eshte nje komb ne vdekje, atje cdo 26 sekonda ndodh nje perdhunim”. Kur flet keshtu, ajo nuk eshte me mbreteresha Suzane, por gruaja e bardhe, e segreguar per vite ne nje jetese te izoluar, ne nje vend, ku hakmarrja e shumices me ngjyre qe tani eshte ne pushtet, nuk ka rreshtur ende.

Por ne Johanesburg ajo forcoi perfundimisht lidhjen e saj te forte me Nenen Mbretereshe. Kur permend emrin e saj, ajo dridhet dhe syte i skuqen nga lotet e padukshem, fshehur fort para te huajve, dhurate e pacmuar e edukates se saj britanike. Nena e saj natyrale Phylis Dorothea Murray, ka vdekur vetem tre jave me pare. Suzana ka 18 vjet qe nuk ka vizituar familjen e saj. As vdekja e se emes nuk e ka bere te kthehet atje. Por per nje arsye tjeter: “Nena kishte kohe qe ishte ne shtratin e vdekjes. Mund te kisha shkuar, por vendosa jo. Nena ime ishte nje njeri i forte, burim frymezimi per mua, sa here qe ndjehesha e dobet. Nuk doja te shihja te dorezuar njeriun qe me kishte ushqyer imazhin e gruas se hekurt. Do te prishja gjithcka kisha ne memorien time”. Jeta e solli qe per fat, te kalonte shume vite, perkrah nje tjeter gruaje te forte, princeshes se bukur hungareze Appony, apo sic do te quhej nga te gjithe, Geraldina, Nena Mbretereshe.

Suzana nuk fsheh aspak adhurimin per vjehrren e saj. “E kisha shoqe. Shpesh benim muhabete qe kapercenin kufijte e gjakut apo te tradites mbreterore, thjesht muhabete qe behen rendom mes grash. Lidhja jone e forte garantohej nga dashuria per nje njeri te perbashket, Leken. Te dyja e donim, njera si djale, tjetra si burre, por pa i hyre ne pjese njera-tjetres. Me shaka shpesh thonim, se e ndanim Leken me njera – tjetren”. Me pas lindja e Lekes, princit, do ta ngurtesonte perjetesisht lidhjen mes dy mbretereshave. “Ajo i tregonte perralla me Skenderbeun, sesi ai i priste kokat turqve. Djali thjesht e adhuronte”. Vdekja e Geraldines e ka goditur rende. Me arsim dhe edukate aristokratike britanike, e mesuar t’i kontrolloje emocionet, ajo gjithsesi as nuk mundohet te kontrolloje psheretimen dhe dhimbjen per njeriun qe per cdo grua tjeter, do te ishte pergjithesisht vjehrra, ose simboli i pengeses natyrale mes nuses dhe burrit. Pak dite me pare, ajo kishte shkuar serish tek varri i Geraldines, se bashku me Margret, gruan e mbretit bullgar kthyer kryeminister, Simeon. Ku duket se u ka lindur edhe ideja e pare, per nismen per shenjterimin e Geraldines. “Ishte thjesht nje ide, por nuk ka rendesi nese realizohet. Per mua ajo ishte nje shenjt”. Duket nje gare e pamundur, perballe burokracise se strukturave fetare. Edhe per nje arsye tjeter. Suzana nuk eshte shume fetare dhe me zotin flet me gjuhen e vet te vecante. “Une mund te lutem edhe poshte nje peme, nuk kam nevoje te shkoj ne kishe”. E lindur anglikane, por me nje formim liberal, me nje dashuri per kulture dhe artin, Suzana nuk ndez shpesh qiri ne jeten e saj.

Por ajo nuk harron se eshte mbreteresha e shqiptareve, nje populli derrmueshem mysliman. Dhe ketu vesh petkun zyrtar te bashkeshortes se sovranit. Suzana tund koken me deshperim, kur i kujtoj se 75 ushtare shqiptare shpejt do te nisen ne Irak, per te marre pjese ne nje lufte, qe nuk e dime ende nese eshte edhe lufta jone. “Ajo eshte nje lufte e padrejte, ku popullatat myslimane po masakrohen. Ti je gazetar, a me bind dot perse po behet kjo lufte?” i kujtoj me kot fantazmen e 11 shtatorit, te terrorizmit. “Te them une se cfare eshte terrorizmi. Me 1971 isha me Leken ne Londer. Sa dolem nga nje shfaqje teatri, kur nje nga kutite e kuqe te postes shpertheu. Leka me rrembeu dhe me futi pas nje muri”. Por jo ne kohe per te fshehur nga syte e saj sesi prej bombes se vene nga IRA, vdiqen cope – cope, pese vete. Suzana e irrituar thote se nese ka sot fondamentalizem, ai pa dyshim eshte kopjuar nga historia e krishterimit, e pasur ne kryqezata dhe beteja te pergjakshme. “Ne Irak po zhvillohet nje lufte e padrejte, ndaj nje shteti sovran dhe nje popullsie myslimane. Perkrahja e kesaj lufte per fat te keq, ishte nje gafe e rende diplomatike nga qeveria shqiptare”. Eshte ky reagimi me i ashper politik qe del nga Oborri i improvizuar mbreteor shqiptar, diku ne superstrade afer Vores, ne vilen e marre me qera, nga nje supermilioner shqiptar. Akuze e rende qe del nga goja e Suzanes, mbretereshes se mohuar te shqiptareve, cka tregon se nese burri i saj do te mbreteronte, qendrimi i Shqiperise do te kishte qene krejt tjeter. Por ky eshte nje realitet i larget. Leka, mbetet pretendent per fron, ndersa e tere familja dhe statusi i saj, mbetet peng i shantazhit te heshtur te politikes, qe do medoemos t’i beje keta mbreterore te vuajtur, pale. Por Suzana, vajza nga Oz, qe lutet nen peme, dhe qe do pikturen, bukuroshja qe ne cdo rrethane tjeter do te kishte qene nje “hippi” liberal dhe pacifist, sot bredh thuajse e vetmuar, ne oborrin e kufizuar te viles Xhani. I vetmi ngushellim dhe post aristokratik qe nuk ka qeveri qe ia mohon Suzanes, eshte statusi qe ajo i ka dhene me zemren e saj, Lekes si Princi i saj i Kalter. Dhe ata qe kujtojne se kjo eshte pak per te, sigurisht gabojne rende.

/albasoul.com/