Misteret e tokës Ilire: Pogradeci, Enkelana e lashtë e Ilirisë

Misteret e tokës Ilire: Pogradeci, Enkelana e lashtë e Ilirisë

495
0
SHPËRNDAJE

Në hyrje të Pogradecit, rruga merr përpjetën drejt kalasë së qytetit. Shtegu i ngushtë, hera-herës bëhet i rrezikshëm, aq sa është e vështirë të thuash se kur mund të jetë mirëmbajtur për herë të fundit.

Pamja që ofron pjesa më e lartë është e jashtëzakonshme. Poshtë liqeni shkrihet ëmbël me qytetin, ndërsa nga pas, gjelbërimi është ana tjetër e medaljes.

Dukshëm, këtu shkrihen bashkë natyra dhe historia. E nëse natyra ka ruajtur elementët e saj, gjurmët e historisë duken të fjetura.

“Në këtë kala, që daton diku në shekujt e V-të dhe të IV-t para Erës sonë, ka rrënjët një nga qytetet më të bukura në Shqipëri: Pogradeci, apo Enkelana, qyteti i lashtë ilir, siç e kanë identifikuar arkeologë dhe studiues”.

Liqeni Lyhnid, siç quhej në lashtësi liqeni i Ohrit, mbante në rrethinat e tij shumë qytete antike ilire. Lynkestët, Enkelejtë, Dasaretët do të ishin zotërit vendas të këtyre qytetërimeve.

Historianët antikë, mes të cilëve edhe Polibi, përmendin Bojojën, Sationën, Kerakën, Lyhnidin e Enkelanën.

Kjo e fundit ishte kryeqendra e Enkelejve, që njihen më së shumti gjatë mbretërimit të Mbretit ilir Bardhyl, e më pas djalit të tij, Klitit. Arkeologu i mirënjohur, Skënder Anamali, e identifikoi në këto anë qytetin e Enkelanës, edhe pse sot asgjë nuk tregon vlerën e vërtetë të këtij vendi.

Mbreti i madh i Enkelejve, Bardhyli, gjatë fillimit të shekullit të IV-t para Erës sonë mundi të krijonte një perandori të fuqishme, duke thyer shumë mbretër maqedonas e duke i detyruar t’i paguanin edhe haraçe, filluar nga Mbreti Amynta, Aleksandri i dytë, dhe Perdika i tretë. Të gjithë u thyen nga Bardhyli.

Pas një periudhe të gjatë me dominim total, në mesin e shekullit të IV-t para Erës sonë, Bardhyli 90-vjeçar do të përplasej në një betejë të ashpër me Filipin e dytë të Maqedonisë.

Edhe pse ky i fundit mundi të fitonte, pësoi aq shumë humbje, sa e pati të pamundur të ndiqte kundërshtarët ilirë.

Perandoria e Enkelejve ra pas vdekjes së Bardhylit, por ajo mundi të rimëkëmbej disi nga djali i tij, Kliti. Pas rënies edhe të këtij të fundit, Mbretëria e Enkelejve e humbi rëndësinë, por nuk u shua. Në këto vise do të dukej fisi tjetër ilir i Dasaretëve.

Këta të fundit mendohet se i dhanë përforcime të reja kalasë së Enkelanës, e cila ka të dhëna se është restauruar edhe gjatë periudhës së dyndjeve barbare në shekullin e IV-t, edhe para dyndjeve sllave të fundit të shekullit të VI e atë të VII.

Qyteti, që deri në atë kohë ishte i vendosur në kala, nisi të zhvendosej nëpër kodra, e në shekujt në vazhdim do të zbriste poshtë, në rrëzë të kalasë, ku ngadalë do të merrte formë, përmes një toponimi sllav, Pogba Grada, që do të thoshte nënqytet. Pra, qyteti i ri ngrihej nën këmbët e qytetit të vjetër të Enkelanës.

“Askush nuk e mban mend saktësisht, se kur janë kryer gërmimet e fundit në këtë kala, ashtu siç është e vështirë të thuhet sesa kohë ka kaluar, që prej ndërhyrjeve të fundit restauruese.

Ajo që duket është se, bimësia dhe erozioni po mbulojnë edhe atë pjesë muresh, që është mbi sipërfaqe”.

Në gërmimet e kryera më se 40 vite më parë, nga arkeologu Skënder Anamali, kanë dalë në dritë mjaft objekte, siç përshkruan edhe Ndoc Kolë Kodheli, në vëzhgimet dhe studimet e tij për këtë kala. Mes tyre: maja shigjetash, enë të ndryshme, kupa, karfica, grepa, fragmente qeramikash e shumëçka tjetër, që tregojnë vlerën dhe identitetin e vërtetë të këtij qyteti.

Ndryshe nga sot, ku gjithçka duket e braktisur si mos më keq. Ende nën dhè prehen fragmente të shumta muresh, që presin të gërmohen siç duhet. Sot, në sipërfaqe dallohet vetëm një majë, kalaja është nëntokë.

“Gjetjet arkeologjike këtu kanë qenë të shumta, ndërsa sot flenë, ose janë bërë pasuri për kërkuesit e gërmuesit e jashtëligjshëm”.

Të orientohesh sot është e pamundur. Gjurma e parë dhe e fundit, që tregon e flet për Enkelanën, është shumë poshtë: një tabelë e thjeshtë, që duket si një formë për të larë gojën strukturat përkatëse.

Gjithçka tjetër po zhduket, e jo thjesht mure pa vlerë, por rrënjët identitare, që shkojnë përtej thjesht një qyteti. Kalaja i rezistoi maqedonasve, romakëve, bizantinëve, barbarëve, sllavëve, por mesa duket nuk po mundet t’i mbijetojë braktisjes aktuale, që ka sy e veshë për gjithçka, përveç monumenteve të historisë e kulturës.

Monumente të shumta të zonës së Pogradecit, Mokrës, Linit, Golikut; varret monumentale ilire të Selcës, sot janë lënë krejtësisht mënjanë.

Duket si një dorë, që kërkon t’i shkatërrojë me një neglizhencë dhe shpërfillje thuajse të frikshme.

E kjo bëhet edhe më e frikshme, kur shikon në krahun tjetër të liqenit, në Lyhnidosin e lashtë apo Ohrin e sotëm, faktin që kalaja ilire e po të njëjtëve zotër; Enkelejve, Dasaretëve e Lynkestëve; duhet të mbajë mbi shpinë identitetin bullgar të imponuar nga vendasit e rinj. E nëse në atë krah po vjedhin identitetin, në këtë krah po e shkatërrojnë, ndërkohë që mund të thithte mijëra turistë, që jo vetëm mund të preknin historinë, por edhe magjinë e liqenit me poezinë, muzikën, pikturën, artin e qytetit të tij.

“Nëse në këtë kala do të ndërhyhej, qyteti vlerëshumtë i Pogradecit do të përfitonte një tjetër vlerë, duke i treguar çdo turisti, jo thjesht bukuritë natyrore, por edhe historinë, nga ku i rrjedhin rrënjët e lashta”. /TCH