“Dorëzimi i armëve”

“Dorëzimi i armëve”

823
0
SHPËRNDAJE

NË GALERINË E JASHTËZAKONSHME TË VEPRAVE TË KEL MARUBIT PËRFSHIHET EDHE FOTOGRAFIA E TITULLUAR “KAPITENI MARK RAKA DHE BAJRAKTARI I SHALËS”, REALIZUAR NË VITIN 1922. KJO FOTOGRAFI ËSHTË PËRFSHIRË EDHE NË ALBUMIN “THE PHOTO BOOK”, LONDËR 2000(2), TË SHTËPISË BOTUESE PRESTIGJIOZE “PHAIDON”

NË RRJEDHËN E NGJARJEVE, KU ISHTE PËRFSHIRË SHQIPËRIA E ATYRE VITEVE, PERSPEKTIVA E SAJ VIHEJ PËRBALLË SHUMË PIKËPYETJEVE. A DUHEJ TË FUTEJ NË RRJEDHËN E ZHVILLIMIT, DUKE PASUR SI MODEL PROFILIN PERËNDIMOR, APO DUHEJ TË MBAHEJ DHE TË MBETEJ PENG I REALITETEVE TË SË SHKUARËS SË AFËRT DHE TË LARGËT

MERITA E MADHE E QERIM VRIONIT, NË KËTË ANALIZË-STUDIMORE, NUK QËNDRON THJESHT DHE VETËM TE ZBËRTHIMI I FOTOGRAFISË SË MARUBIT NË ÇDO ELEMENT TË SAJ, POR NË KONSTRUKTIMIN DHE NGRITJEN E NJË PIRAMIDE TË KONSOLIDUAR IDESH DHE PËRGJITHËSIMESH

90 vjet fotografia e Kel Marubit

Një ngjarje e madhe historike, një gur themeltar në rrugën drejt krijimit të shtetit shqiptar, e fiksuar përgjithmonë

Harilla Koçi

Gjatë këtij viti, në rrethet artistike amerikane u përkujtua 80-vjetori i një fotografie të rrallë, që fiksonte një grup punëtorësh mbi një skelë horizontale në katet e sipërme të një qiellgërvishtëseje që po ndërtohej.

Përkundër kësaj ngjarjeje në fushën e fotografisë, që, përtej Atlantikut u evokua në të gjitha dimensionet që meriton një rast i tillë, në Shqipëri nuk ndodh e njëjta gjë. Madje edhe kur bëhet fjalë për një nga realizimet më të mira të artistit të njohur të fotografisë, Kel Marubi.

Në galerinë e jashtëzakonshme të veprave të Kel Marubit përfshihet edhe fotografia e titulluar “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës”, realizuar në vitin 1922. Kjo fotografi është përfshirë edhe në albumin “The Photo Book”, Londër 2000(2), të shtëpisë botuese prestigjioze “Phaidon”. Në këtë album janë riprodhuar 500 foto të zgjedhura nga 59 vende të botës të bëra gjatë 150 vjetëve të historisë së artit fotografik. Duke iu referuar kësaj ngjarjeje, studiuesi i njohur, Qerim Vrioni, saktëson: “Autorët e albumit shkruajnë ndërmjet të tjerash, se në foto ‘…nuk kuptohet qartë se çfarë ndodh’” (The Photo Book – LONDON, 2000-fq 302). Të njëjtin përfundim për këtë foto, sipas studiuesit shqiptar të fotografisë, jep edhe albumi “Albania. Volto dei Balcani”, scritti di luce dei fotografi Marubi, Torino, 1996(3), ku, krahas disa mangësive të tjera, për subjektin e fotos jepen disa hamendësime, të gjitha të pezullta dhe në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Në këtë mënyrë, përpara studiuesit shqiptar, dilte një detyrim i madh, që lidhej me studimin analitik të kësaj fotografie që të huajt e kanë vlerësuar dhe çmuar më shumë e më mirë se ne që e kemi tonën. Prandaj dhe ai i hyri punës, për të saktësuar gjithçka që ka të bëjë me përmbajtjen e kësaj fotoje, për të evidentuar të plota të gjitha vlerat e saj, përmes një procesi që nis nga argumenti vizual në atë dokumentar. Sot, ne kemi të qartë atë që disponon dhe përcjell fotografia “Kapiteni Marka Raka dhe Bajraktari i Shalës”, saktësuar dhe modifikuar në emërtim, “Dorëzimi i armëve…”, nga studiuesi Qerim Vrioni. Janë të identifikuara të gjitha personazhet e kësaj fotografie, të cilët vijnë nga ajo periudhë e largët e vitit 1922, si produkt i punës së madhe studimore të Qerim Vrionit.

dorezimi-i-armeve kel-marubi marubi marubi-veshje-shqiptare

Për të arritur këtu, atij iu desh të hynte në arkiva, të studionte e të përgjithësonte, të bënte analiza e krahasime, të interpretonte e të fokusohej te çdo element, që në pamje të parë duket si pa rëndësi. Janë rreth 28 objekte dokumentare, studime e përgjithësime të autorëve shqiptarë e të huaj, që u shfrytëzuan për të dimensionuar të plotë fotografinë, që zë një vend dinjitoz mes 500 simotrave të saj më të mira të kohërave, por, që, fatkeqësisht, ne shqiptarët nuk e njohim mirë. Përmes një procesi studimor shumëplanësh, Vrioni hyn në atmosferën e kohës. Atë element që lidhet me datën e realizimit të fotografisë, ai e shfrytëzon fare mirë për ta përdorur si një argument bazë në procesin e eksplorimit, si një çelës të zbërthimit të saj. “Çelësi i zbërthimit të subjektit të kësaj fotografie është viti 1922, kur ajo është realizuar. Në këtë vit, në bazë të një ligji të miratuar nga Këshilli Kombëtar (Parlamenti i asaj kohe), popullsia civile detyrohej t’i dorëzonte armët shtetit, pra është bërë çarmatimi i atyre që nuk duhej t’i kishin ato”, shkruan Vrioni, për të cilin tashmë ka një bazë orientimi për të arritur objektivin.

Në rrjedhën e ngjarjeve ku ishte përfshirë Shqipëria e atyre viteve, perspektiva e saj vihej përballë shumë pikëpyetjeve. A duhej të futej në rrjedhën e zhvillimit, duke pasur si model profilin perëndimor, apo duhej të mbahej dhe të mbetej peng i realiteteve të së shkuarës së afërt dhe të largët. Shqipëria ishte ende e brishtë. Mbizotëronte një situatë e paqëndrueshme me plot probleme në fushën e rendit e të qetësisë, çka shtronte domosdoshmërinë e një vendimmarrjeje të qartë që të garantonte të ardhmen e vendit dhe të qytetarëve. Një ndër këto ishte edhe miratimi i ligjit për çarmatimin e popullsisë civile, e cila rezultonte e armatosur për shumë faktorë dhe arsye, që lidheshin me mentalitetin dhe ngjarjet historike, nëpër të cilat kishte kaluar vendi. Më e fundit ishte Lufta Botërore. Më 5 prill të vitit 1921 ishin zhvilluar zgjedhjet për Këshillin Kombëtar (Parlamenti i asaj kohe), me 75 deputetë. Më pak se një vit më pas, në 6 shkurt të vitit 1922, miratohet ligji për çarmatimin e popullsisë. Klasa politike e kohës, e vlerësoi këtë si një akt të domosdoshëm në rrugën drejt progresit, i cili do të niste të zbatohej shumë shpejt, pavarësisht se Këshilli Kombëtar, për shkak të paqëndrueshmërisë politike, do të shpërndahej për atë legjislaturë vetëm 3 javë më pas. Këtë ngjarje madhore do të fiksonte Marubi i famshëm me aparatin e vet, duke zgjedhur, sipas Vrionit, një nga krahinat më në zë në historinë e vendit, atë të Shalës në Shkodër. Gjatë atij procesi në vend, do të mblidheshin 34140 armë krahu, që duke iu referuar numrit të popullsisë, përbënte një potencial të jashtëzakonshëm. Në këtë këndvështrim, për studiuesin shqiptar të fotografisë, Qerim Vrioni, kjo vepër e Marubit vjen jo vetëm me vlerat e veta artistike, por, po aq e ndoshta më shumë edhe për ato historike e dokumentare, me mesazhe të fuqishme, që mbeten mjaft aktuale edhe sot në një dimension shumëplanësh. Fotografia “Dorëzimi i armëve” mund të quhet dhe konceptuale, çka do të thotë se autori e kishte fare të qartë atë që do të bënte. Prandaj, mjeshtër Marubi nuk nxiton. I vendos personazhet e veta sipas projektidesë së konceptuar në mendjen dhe fantazinë e tij, kërkon që gjithçka të jetë e përkryer, asgjë të mos jetë e tepërt dhe, aq më tepër, të shkojë në rrjedhën e kundërt të asaj që ka në mendjen e vet. Marubi, si artist shumëplanësh, kujdeset që vepra e tij të përmbajë të gjitha elementet, ku edhe mënyra e qëndrimit dhe veprimit të secilit personazh, përfaqëson jo thjesht një gjendje të momentit, por një psikologji, një mentalitet, një pikëpyetje, një besim, apo mosbesim. Çdokush prej personazheve ka një rol të caktuar në këtë foto dhe të gjithë bashkë, i shërbejnë një qëllimi. Prandaj dhe Vrioni ndalet në secilin prej tyre, analizon çdo qëndrim, çdo gjest që flet shumë, çdo moment që nevojitet për të arritur objektivin. Pushka, e kthyer mbrapsht (kështu realizohej dorëzimi i saj, sipas Vrionit), që zbret gradualisht nga dora ende e palëshuar mirë e Bajraktarit të Shalës (Lush Prelës), te të dy duart e kapiten Mark Rakës, është momenti i duhur, për fiksimin e të cilit nevojiten aftësi profesionale, përqendrim e vullnet. Jo çdokush mund ta realizojë atë. Në këtë çast ndalet studiuesi Qerim Vrioni, për të bërë një analizë të detajuar dhe për të nxjerrë përfundime. “Fotografimi i malësorit e aq më tepër bajraktar, duke dorëzuar armën, nuk duhet të ketë qenë më i lehtë se dorëzimi faktik i saj”, shkruan Vrioni, sipas të cilit po fiksohej heqja e “gjymtyrës së pestë” të shqiptarit, gjë që do të shoqërohej doemos me dhimbje si çdo operacion. Prandaj dhe ai saktëson se, për të bindur malësorin plak që të fotografohej, Marubit tashmë burrë i pjekur i ka shërbyer emri shumë i mirë si atdhetar, fotograf e njeri i ndershëm, si dhe aftësitë e tij komunikuese dhe respekti që gëzonte në Shkodër e në krahinat e saj. Në këtë kontekst, ngarkesa dhe sjellja psikologjike në çastin e fotografimit, nga ana e çdo personazhi, përbën një plan të veçantë për studiuesin Vrioni, në nxjerrjen e përfundimeve dhe pikësimin e objektivit të tij përfundimtar. Për të, Fotografia “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës” nuk është shkrepje çasti. Fotografi e ka kuadruar mirë e bukur gjithçka do të fiksonte në pllakën e xhamit, çka bën që në foton e stampuar ka fare pak sipërfaqe parazitare.

Ajo, sipas Vrionit, është e studiuar dhe e kompozuar si një çast skene në teatër ku zhvillohet një dramë, e po ashtu na kujton edhe bocetet e piktorëve të filmave kinematografikë, që përmbledh në një pamje të vetme dramacitetin e një akti të tërë, duke shpalosur kështu aftësitë e mjeshtrit fotograf si një regjisor dhe skenograf. “Qendra e rëndesës problemore e fotos përfshin treshen që përbëhet nga civili me kostum të zi që lexon dhe dorëzon letrën e Qeverisë, bajraktarit të Shalës që merr letrën dhe dorëzon armën dhe kapiten Mark Raka, i cili po merr me të dy duart pushkën”, citon studiuesi shqiptar, në analizën e tij. Të tri këto personazhe janë vendosur në një marrëdhënie jo vetëm artistike, por edhe institucionale. Bajraktari merr vlera të veçanta në këtë moment, teksa shtrihet simbolikisht në dy plane veprimi dhe psikologjikë. Me një dorë ai merr letrën zyrtare që i dorëzohet nga përfaqësuesi i shtetit, ndërkohë që me tjetrën dorëzon armën. Plaku reflekton një dyzim, gjithsesi të justifikueshëm, që ka të bëjë me të shkuarën, që përfaqësohet nga pushka që ai dorëzon dhe të ardhmen, e cila i garantohet nga qeveria, ku ai ka besim, prandaj dhe pranon të kryejë atë veprim. Ndërkohë, sipas Vrionit, malësori, vërtet po dorëzon pushkën e krahut, siç parashikon ligji, por në brez ai ka një nagant, çka e bën atë po aq dinjitoz, ndërkohë që në raport me kapiten Mark Rakën e ulur, ai ka edhe një epërsi, ndonëse të përkohshme, një element ky, gjithsesi i justifikueshëm, duke iu referuar kontekstit të kohës, mentalitetit dhe psikologjisë.

Por, merita e madhe e Qerim Vrionit, në këtë analizë-studimore, nuk qëndron thjesht dhe vetëm te zbërthimi i fotografisë së Marubit në çdo element të saj, por në konstruktimin dhe ngritjen e një piramide të konsoliduar idesh dhe përgjithësimesh. Ai ka hyrë në psikologjinë e Marubit, në perceptimin e tij për produktin që përgatitej të realizonte. Sepse ai nuk kishte thjesht si qëllim të editonte një fotografi, qoftë edhe duke fiksuar një moment mjaft të rëndësishëm në udhëkryqin e zhvillimeve në Shqipërinë e fillimeve të shekullit XX. Kjo vepër e tij duhej t’i qëndronte kohës, të lexohej dhe të përcillte mesazhe, të kishte vlera edhe në brezat e ardhshëm. Por, për të bërë këtë, nevojitej perfeksioni, perfeksion lëvizjeje, idesh e qëndrimesh, perfeksion artistik e psikologjik. Për Vrionin, këto elemente janë ndërthurur në një kompozim të përkryer, ku ka rëndësi çdo detaj, qoftë edhe ajo e një mënge të bardhë të vendosur në dorën që mban pushkën që dorëzohet, si një simbolikë e dorëzimit pas një beteje, ku fiton e ardhmja, apo në mënyrën se si janë fiksuar dhe në çfarë raportesh janë dy personazhet që qëndrojnë në dy akset e kundërta të fotos, në këmbë dhe plot dinjitet. Shqiptari po i dorëzon armën shtetit. Ky është një çast solemn që duhet respektuar. “Fotografia të mban gjatë duke e shikuar. Ka një qetësi solemne, po ashtu edhe përzemërsi, që duket edhe nga afërsia fizike e personave, si dhe nga duart e hedhura mbi supet e njëri–tjetrit”, shprehet Vrioni, duke reflektuar edhe vetë atë optimizëm që ai percepton dhe zbërthen tek autori që e ka ngërthyer atë 90 vjet më parë, teksa qëndronte përballë 11 personazheve të tij, duke i bërë ata të pavdekshëm përmes objektivit, në një çast solemn.

Në funksion të kësaj është edhe teknika e fotografimit. Sipas Vrionit, Marubi e ka realizuar fotografinë në një mjedis me dritë natyrore të shpërndarë që u bie figurave nga krahu i djathtë. Ajo nuk krijon hije të forta dhe të theksuara, por është e mjaftueshme për të ndriçuar fytyrat e pothuajse të gjithë pjesëmarrësve në mënyrë të atillë që të pasqyrojë qëndrimin e tyre ndjesor për atë që po ndodh. “Fokusimi i pamjes, diafragma e aparatit dhe koha e ekspozimit janë ndërthurur nga mjeshtri fotograf në kufijtë e përsosmërisë, duke na dhënë një fotografi mjaft të pastër teknikisht”, dhe gradualisht, studiuesi shqiptar zbret tek ai element që paraqet një interes të veçantë. Cilët janë këto personazhe që janë fiksuar nga Marubi në një nga fotot më të realizuara anembanë globit në më shumë se 150 vjet të historisë së fotografisë.

Dy personazhet kryesore të fotografisë janë kapiteni Mark Raka, oficeri në qendër të fotos ulur, që merr armën, dhe kryetari i fisit të Shalës ose bajraktari i Shalës që në vitin 1922 ishte Lush Prela, plaku me veshje malësori që dorëzon armën, pinjoll i një familjeje me emër dhe me kontribute në lëvizjen atdhetare në veri të vendit, nipi i Mark Lules, përfaqësues i Shalës së Dukagjinit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, i shquar në luftërat për Pavarësinë e vendit…”. Prela u vra nga shërbimet sekrete serbe në tokat shqiptare në Malin e Zi në vjeshtën e vitit 1925, bashkë me dy djemtë e tij. Kapiteni Mark Raka, është formuar si ushtarak në Austri dhe Itali, pjesëmarrës në Revolucion Demokratik të Qershorit, ndërkohë që eliminohet nga qarqet shoviniste antishqiptare në kryeqytetin e Malit të Zi, në vitin 1926. Më 1993-shin, Kuvendi i Shqipërisë e dekoroi (pas vdekjes) me “Urdhrin për veprimtarinë patriotike”, të Klasit të Parë. Në foto përfshihen edhe personazhe të tjera, Gaspër Pali, Serafin Mazreku, që ishte martuar me motrën e Luigj Gurakuqit dhe baba i Anton Mazrekut, Mul Deliu, Gjysh Deda, Gaspër Mosi, Kol Çamuku.

Të gjitha këto personazhe që kanë jetuar në realitetin e Shqipërisë së asaj kohe, të njohur në Shkodër dhe në krahinën e Shalës, por edhe më gjerë, përbëjnë skenën e fotos së Marubit “Dorëzimi i Armëve”, e zbërthyer dhe e “pagëzuar” kështu nga studiuesi Qerim Vrioni.

Shqipëria e asaj kohe, që po përfshihej në rrjedhën e transformimit nga koha e bajraktarëve dhe kapedanëve në atë të respektimit të institucioneve dhe ndërtimit të shtetit, vjen e gjallë edhe sot, në një moment madhor të procesit të integrimit në Europë. Gjithsesi, fotoja nuk ka vetëm vlera historike, por edhe forcë agjitative aktuale, kur ende mjaft armë ndodhen në duar civilësh dhe vazhdojnë të “mbjellin” ende vdekje.

/gazeta-shqip.com/