Ikonat e nazizmit mbijetojnë ende në Shqipëri?!

Ikonat e nazizmit mbijetojnë ende në Shqipëri?!

1473
0
SHPËRNDAJE

Nga Armand Plaka

Mos u shqetësoni, nuk është ndonjë analizë, e as ndonjë koment që mund të atakojë ngjarjet e politikës së ditës, brenda e jashtë vendit, e ndoshta nuk do e meritonte të përbënte madje edhe asnjë ngacmim për të shkruar qoftë edhe dy radhë në një postim në Facebook, duke e trajtuar si ndonjë “zbulim”, apo “çudi”.

Sigurisht, nëse do të ishte vetëm një flamur i çfarëdoshëm, i çdo lloj kombi, çdo lloj ekipi futbolli, apo partie politike, logoja e të cilit do të flinte më së miri në një ndërtim “alla-shqiptar” që mund të gjendet rëndom kudo në Shqipëri.

Por këtë radhë puna ndryshon. Bëhet fjalë për një flamur që jo thjesht nuk ekziston më, por se thjesht posedimi i tij dhe shfaqja publike, mund të përbënte edhe vepër penale në legjislacionin e shumë vendeve të botës e sidomos të Europës.

Sigurisht se poseduesi i tij, thjesht ka menduar të mbyllë ndonjë vrimë e të mos lerë të hyjë asnjë rreze të pafajshme dielli në dritaren e ngrehinës së tij, në mos të jetë aty për ndonjë arsye tjetër, padyshim me sfond praktik e utilitar. Edhe unë vetë, foton e pata shkrepur para tri-katër viteve, ndërsa kaloja atje rastësisht, duke mos i dhënë ndonjë rëndësi, edhe për shkak të nxitimit dhe mungesës së kohës në dispozicion.

Por tashmë, kur e ripashë në fotoarkivën time, m’u desh t’a rivlerësoja, pasi nuk ndodh që të gjesh diçka të tillë në Shqipëri në formatin e vet origjinal, përveçse në ndonjë stendë muzeale. S’e di a bëra mirë apo keq që thjesht e fotografova e s’u interesova më tej për të, e as di të them se ç’bëhet tani me të, se kujt i përket, kujt i është marrë, nga cili vit e ka origjinën, 1943, apo 1944, por di të them se shkrepja është bërë në vitin 2014, ndërsa shkoja për në Kuz-Baba, si njëri ndër destinacionet turistike që vendosa se duhej të vizitoja, ndërsa shijoja pushimet në Vlorë, Radhimë e Orikum.

Flamuri nazist i fotografuar pranë Kuz Baba-it në Vlorë, në vitin 2014. Armand PLAKA / Të drejtat të rezervuara ©

Nuk e di gjithashtu, nëse i ka bërë përshtypje ndokujt tjetër, para apo pas meje, dhe as nëse është publikuar ndërkaq në internet. Sidoqoftë, mendoj se për të apasionuarit pas historisë, ai përbën një atraksion më vete, megjithëse kam frikë se për miqtë e huaj që kemi në rrjetet sociale, pamja e ndërtimit në fjalë, mund t’a ç’fokusojë vëmendjen që do të duhej të merrte flamuri nazist që vijon të mbijetojë në Shqipëri, edhe pse aspak krenar në pozicionim.

Si vëllain e tij do ta gjeni në fotot bashkangjitur këtij postimi, ku ai shihet i kapur si trofe nga trupat kanadeze në Francë në vitin 1944 për shembull, apo i mbajtur lart gjithë pompozitet në fundvitet ’30 nga nazistët, gjatë një marshimi rutinë që ata zhvillonin asokohe në Gjermani, dhe po ai, i përdorur nga neonazistët gjatë tubimeve të tyre në Gjermani në ditët e sotme.

Por dikur, jo shumë vite më parë, pata parë edhe një parullë që mund t’i zgjonte kujtime shumë të këqija, sidomos një komuniteti të cilin nazistët për pak sa nuk e çuan drejt zhdukjes. Bëhet fjalë për ARBEIT MACHT FREI, ose në shqip: PUNA TË BËN TË LIRË, e cila shihej në hyrje të kampeve famëkeqe naziste të punës dmth të shfarosjes, e të cilën e hasa në hyrje të një kompleksi ndërtimesh (pallatesh).

E bukura është se kur shkova të nesërmen, me mendjen mbledhur se do bëja ca foto të mira e ndoshta edhe ndonjë bisedë për të nxjerrë një reportazh për mediat e huaja me të cilat bashkëpunoja, nuk e gjeta më. Fatkeqësisht nuk posedoj asnjë foto, por këtë fakt e mbaj mend mirë dhe nëse puna e kërkon, mund t’ua tregoj edhe vendin se ku e pata parë, sidoqoftë, këtë radhë, në Tiranë.


Flamuri nazist i mbajtur lart gjithë pompozitet në fundvitet ’30 nga nazistët, gjatë një marshimi rutinë që ata zhvillonin asokohe në Gjermani

Flamuri nazist i përdorur nga neonazistët gjatë tubimeve të tyre në Gjermani në ditët e sotme.

Trupat kanadeze në Francë, në vitin 1944, duke mbajtur si trofe flamurin e kapur nazistëve.

Parulla famëkeqe ARBEIT MACHT FREI, në hyrje të kampit të shfarosjes në Auschwitz, ruajtur e paprekur në Poloninë e ditëve të sotme
/gazetadita.al/