Vetërrëfimi i Ali Pashës

Vetërrëfimi i Ali Pashës

778
0
SHPËRNDAJE

Një intervistë me studiuesin dhe njohësin e mirë të Ali Pashë Tepelenës, për një libër i veçantë mbi pashanë që bëri histori “në të mirë e në të keq”. Tashmë jo duke përmbledhur çfarë thonë të tjerët për të, por çfarë thotë, urdhëron, dikton e shkruan ai vetë përmes korrespondencave të ndryshme. Të gjetura, sistemuara e përkthyera nga prof.dr Irakli Koçollari.

Z.Koçollari, kemi në duar botimin tuaj të fundit “Korrespondencë dhe dorëshkrime të Ali Pashë Tepelenës”. Mund të na thoni çfarëtë reja sjell ky libër në raport me tërë botimet tuaja të mëparshme?

Në thelb ky libër është krejt i veçantë dhe ndryshe nga të gjitha botimet e gjeritanishme për këtë figurë, Ali Pashën, i cili ka një vend të rëndësishëm në historinë e kombit tonë. Është “krejt ndryshe” nga e tërë tradita dhe botimet që njohim, pasi profilin e këtij njeriu gjer më sot ne e kemi ndërtuar mbi bazën e pohimeve, rrëfimeve, dëshmive apo dokumenteve të të tjerëve, pra kryesisht të huajve që e njohën Ali Pashën dhe shqiptarët, pasi mbërritën në këto anë.

Për herë të parë, ndryshe nga ç’kemi dëgjuar dhe parë gjer më tani, ne kemi dëshmi dhe pohime jo më të të huajve, por të vetë monarkut – Ali Pashës, dokumente të shkruara nga dora e tij dhe e shqiptarëve apo grekëve të tjerë që e rrethonin.

Në këtë rast situatës mendoj se do t’i shkonte për shtat shprehja: “Mirë që gjer më tani kemi dëgjuar të flasin të tjerët për Ali Pashën…. Pa të dëgjojmë një herë çfarë thotë vetë Ali Pasha!”

Përse i mëshoni faktit që botimi është “krejt ndryshe dhe i veçantë” në raport me tërë botimet pararendëse?

E theksoj këtë sepse këtu qëndron vlera e vërtetë e materies, lëndës që sjell për herë të parë ky botim, – jo vetëm për faktin se këtu renditen një numër i madh dokumentesh historike të panjohura gjer më tani nga historiografia shqiptare, por – për faktin se këto dokumente janë të shkruara nga dora dhe mëndja e shqiptarëve të kohës, nga sekretarët e kancelarisë së Ali Pashës, nga ushtarakë shqiptarë dhe grekë, nga funksionarëve të administratës së pashallëkut, personazhe të  familjeve të njohura apo banorë të thjeshtë dhe anonimë të Kolonjës, Korçës, të Skraparit, të Tepelenës, Labërisë, Vlorës, Salarisë, Kurveleshit, Beratit, Përmetit, Lushnjës, Elbasanit, Dibrës, Devollit, Shkodrës, etj.

Të gjitha këto na japin mundësinë ta prekim, ta shohim dhe ta njohim, për herë të parë realitetin dhe botën shqiptare jo më nga optika e të huajve, por nga vetë shqiptarët, nga mendësia, gjykimi, logjika, dora dhe këndvështrimi i tyre.

Këto dokumente janë një burim i ri dhe mjaf i rëndësishëm informacioni për të shkuar tek e vërteta historike. Një parim i lashtë mbi drejtësinë thotë: “Për të shkuar tek e vërteta nuk mjaftojnë vetëm pohimet e dëshmitarëve, duhen dëgjuar edhe pohimet e të akuzuarve….”

A përputhen, a janë në sinkron dëshmitë dhe dokumentet që ne kemi njohur gjer më tani, pra ato që kanë lënë të huajt për Ali Pashën dhe shqiptarët, me ato që zbulojnë dhe përshkruhen në dokumentet e këtij vëllimi?

Një pjesë e tyre përputhet, pra plotësojnë njëra tjetrën. Por, një pjesë tjetër e rëndësishme e dokumenteve dhe dorëshkrimeve të Arkivit të Ali Pashës vjen ndesh me pretendimet, parashtrimet, akuzat, alibitë dhe gjer fyerjet e padenja që ne i kemi dëgjuar dhe gjetur në shkrimet apo dokumentet e të huajve, kryesisht të francezëve dhe osmanëve.

Gjer tani ne kemi njohur dokumentet e shkruara nga diplomatë, ushtarakë, spiunë, shkrimtarë, politikanë të këtyre vendeve, të cilët e kishin parë Pashain dhe pashallëkun si objekt synimesh dhe interesash të caktuara politike, ekonomike apo ushtarake, ekspansioni apo aleancash të mundshme. Për pasojë edhe shkrimet e tyre pasqyrojnë këto interesa dhe këto raporte. Kështu, sa herë interesat, synimet dhe raportet e të huajve pajtoheshin apo plotësoheshin nga Ali Pasha, ne gjejmë dokumente dhe shkrime të të huajve që e glorifikojnë atë, që e vlerësojnë, e mbështesin dhe e kthejnë atë gati, gati në mit. Të tilla janë edhe shkrimet për shqiptarët e kohës.

Por, kur këto raporte janë lëkundur apo prishur, pra kërkesat e të huajve nuk janë plotësuar, pasi Ali Pasha ka reaguar përpara pretendimeve apo synimeve agresive politike, ushtarake apo ekonomike tëtyre, po këta autorë të lavdeve dhe vlerësimeve tëdikurshme, janë kthyer papritur në kritizerë cinikë, në fyes, në përçmues, ekzekutorë të pamëshirshëm, duke shkruar zi e më zi për Ali Pashën dhe shqiptarët!

Duke pasur në duar këto dokumente, tanimë ne mund të ndriçojmë dhe sqarojmë shkaqet e vërteta tëvlerësimeve kontradiktore, cinike dhe gjer agresive të këtyre autorëve, mund të rishikojmë shumë ngjarjeve dhe personazheve të prezantuara dhe të njohura ndryshe gjer më tash.

E vërteta ekziston si e tillë, por ajo duhet kërkuar dhe zbuluar, ndërsa gënjeshtra nuk ekziston, ajo shpiket!

Cilët janë konkretisht autorët që i hartuan dokumentet e këtij Arkivi?

Në këtë fond dokumentar renditen letrat e shkruara nga vetë Ali Pasha apo nga sekretarët e tij. Ato respektojnë tërë stilin, formatin zyrtar dhe formën protokollare të kohës, si në rastet kur ato u dërgohen kancelarive europiane, Stambollit aq edhe kur ato u dërgohen rangjeve vartëse brenda pashallëkut.

Një tjetër vlerë unike e këtyre dokumenteve qëndron në faktin se ato na sjellin për herë të parë një fond shkrimesh të hartuara nga duart e vetë shqiptarëve të kohës. Autorët e tyre janë ushtarakë, zanatçinj, nënpunës të administratës, spahinj, kadinj që japin dënime, policë, ushtarë në fronte luftimesh, të rebeluar, brigandë, të burgosur, borxhlinj, emigrantë, spiunë, komplotistë, bujq të thjeshtë, fisnikë, të njohur e të panjohur. E thënë me pak fjalë janë zërat, mendimet, morali, hallet, dertet, problematikat e tërë botës shqiptare të kohës, të panjohura gjer më tash nga ne.

Kujtojmë me këtë rast se asnjëherë më parë, të paktën që nga koha e pushtimit Osman, shekulli i XIV e më tej, për gati katër shekuj nuk kemi letra apo dokumente të shkruara nga shqiptarë të shtresave të ndryshme sociale, kaq masive, aq më pak të të gjitha krahinave apo të gjitha problematikave që gjallonin, në këto këto anë, në këto përmasa, me këtë larmi subjektesh dhe me këtërealizëm.

Dhe ju mendoni se meritën për krijimin e këtij fondi dokumentesh dhe korrespondence e ka Ali Pasha!?

Pa më të voglën mëdyshje merita ështëvetëm e këtij njeriu – Ali Pashës.

I gjithë ky dokumentacion nuk u formua, nuk u grumbullua dhe nuk u administrua rastësisht. Ishte pikërisht ky tepelenas që për herë të parë urdhëroi e formoi kancelarinë dhe sekretarinë ku hartohej, lëvrohej dhe ruhej tërë korrespondenca, letërkëmbimi me banorë vendas apo të huaj, me tregtarë apo ushtarakë, me perandorë e kryeministra, me miq dhe kundërshtarë, brenda pashallëkut dhe nëpër Europë e Azi apo Afrikë.

Populli dhe vendi ynë përcjell nga shekujt pasuri dhe vlera materiale, të cilat formojnë fondin e trashëgimisë kulturore pra materiale të identitetit tonë kombëtar, të tilla si ura, kështjella, altarë, sanktuarë, amfiteatro antikë, kolona dhe shtatore mermeri, etj. Ndërsa ky fond, korpus dokumentar, kjo pasuri arkivore është thesar I një lloji të veçantë dhe formon pjesën e ndërgjegjes dhe “kolonën zanore” të trashëgimisë tonë nacionale e kulturore!

Kjo është ndoshta pjesa më e rëndësishme e vlerave që na vjen nga dy shekuj më parë, pasi në të është ngjizur, memorizuar lënda dhe ana spirituale, shpirtërore e shqiptarëve të identifikuar si të tillë, me emër e mbiemër, me krahina dhe fshatra, me fise dhe familje. Ata flasin, rrëfejnë, vetërrëfehen, grinden, këndojnë, ankohen, kërcënojnë, pajtohen, falin, bëjnë aleanca, shkojnë në luftë, rrëmbejnë, konfliktohen, etj, duke na ekspozuar kështu tërë skenën e madhe të teatrit shqiptar të kohës.

Dhe të gjitha këto dokumente vijnë si një dëshmi autentike dhe na bëjnë të njohur çështje me mjaft rëndësi historike, sikundër zgjimin e ndërgjegjes nacionale të shqiptarëve, nivelin arsimor dhe kulturor të tyre, depërtimin e ideve iluministe të kohës, formimin e një shtrese intelektualësh, përpjekjet e para për separatizëm, shtetformim, etj.

Po si dhe kur u gjet i tërë ky fond dokumentesh me kaq vlerë, 200 vite pas vrasjes së Ali Pashës!?

kocollari

Prof.Dr Irakli Koçollari

“Odiseja” e tyre është e gjatë dhe e çuditshme. Turqit pasi vranë Ali Pashën, morën me vete si pre lufte pasurinë e tepelenasit që gjetën brenda kështjellës në Janinë dhe gjetkë. Bashkë me të ata rrëmbyen edhe ç’menduan tjetër se kishte vlerë. Nuk përjashtohet, që mbi devetë e transportit ku u stivos prehu i luftës të jetë vendosur edhe ky dokumentacion dhe u dërgua në Stamboll. Gati një shekull më vonë, aty nga viti 1924 një shqiptar i solli ato nga Stambolli në Greqi dhe gati një shekull më pas, para pak vitesh, një studiues grek, Vasili Panajotopulos me ekipin e tij i transkriptoi (dokumentet e shkruara me dorë, në greqisht i hodhi në kompjuter), dhe i publikoi ato.  Duhet thënë se Panajotopulos së bashku me ekipin e tij ka bërë një punë të lavdërueshme.

Sa kohë keni ju që punoni me këto dokumente dhe cila është vështirësia që kini hasur në punën me to!?

Kam rreth shtatë vite që merrem me këto dokumente, përkthimin dhe analizën e tyre, pa folur këtu për gati tre dekada që merrem me Ali Pashën. Vështirësitë janë të shumta sepse gjuha e përdorur në këto dokumente është greqishtja mesjetare, së dyti autorët e hartimit të tyre nuk janë vetëm sekretarët e mësuar të sekretarisë së Ali Pashës, apo nënpunësit e tjerë të iluminuar. Pjesa më e madhe e tyre janë shkruar nga njerëz të thjeshtë, nga shqiptarë që nuk e njihnin mirë greqishten dhe që e kishin mësuar atë nga halli, në mënyrë autodidakte. Kujtojmë se shqipja nuk shkruhej ende më 1800-ën.

Por, nuk është kjo vështirësia e vetme. Pjesa më e madhe e dokumenteve është e shkruar me shumë gabime, herë herë pa kuptim dhe formuluar në mënyrë telegrafike e konfidenciale për njerëz që njihnin kontekstin e ngjarjeve. Në këto rrethana, nëse nuk njeh mirë tërë kronikat e ngjarjeteve në pashallëk e më gjërë, kohën kur ato kanë ndodhur, vendin ku ato kanë ndodhur, qytetet, fshatrat, shtigjet, fortifikimet, objektet e kultit, fortesat, urat, gjeografinë e vendeve ku zhvillohen eventet, emrat dhe personat që përmenden në dokumente, roli dhe vendi që ata kanë pasur në administratën e pashallëkut apo jashtë tij, ushtarakë, taksambledhës, tregtarë, korrierë, diplomatë, lidhjet familjare dhe fisnore të Pashait, emrat dhe mbiemrat, etj., mund të ngatërrohen lehtësisht ngjarjet, vendet dhe personazhet historikë.

Mund të them me këtë rast se kam pasur fatin t’i shkel me këmbë dhe të njoh me hollësi pjesën më të madhe të territoreve ku zhvillohen këto ngjarje që përshkruhen në këto dokumente, vendet ku u zhvilluan beteja, fortesat ku u krye rezistenca, rrepet ku u ekzekutuan apo varën brigantët, banesat e miqve apo kundërshtarëve të Pashait, pozicioni gjeografik që ndodhen rrugëkalimet apo fshatrat e krahinat, armët e përdorura, artileria dhe vendvendosja e tyre, etj.

Pra, nuk mund të kuptosh dot kurrsesi përmbajtjen e dokumentit aq më pak ta interpretosh dhe t’ja ofrosh atë publikut dhe studiuesve nëse nuk njeh këto dhe shumë hollësi të tjera të kësaj natyre. Më keq akoma mund të bësh interpretime të gabuara që deformojnë të vërtetat historike, ngjarjet dhe personazhet.

Interesi për Ali Pashën dhe epokën e tij vitet e fundit është rritur shumë. Ç’mendime kini për shkrimet, gjetje që shpesh paraqiten si “shumë të mëdha”, si “shumë të rëndësishme”, si “të panjohura më parë”, si “zbulime unike”, etj!?

Zgjimi i interesit për eventet historike të së shkuarës apo për figurat historike të popullit tonë, është një lëvizje me vlerë e koshiencës humane të një populli për të gjetur, kontribuar dhe dimensionuar identitetin historik dhe nacional të tij. Në këtë kuptim, pavarësisht se nga kush dhe si shkruhet ato duhen përgëzuar.

Padyshim, mes autorëve të këtyre shkrimeve ka syresh që nuk respektojnë regullat apo kriteret, metodologjitë apo standartet e liçensuara shkencore, apo të tjerë që nuk respektojnë sqimën dhe etikën komunikative. Shpesh në shkrimet e tyre nuk përmëndin as burimet nga i marrin të dhënat, kujt dokumenti apo arkivi i referohen, ku gjendet burimi, etj.

Ka të tjerë që në shkrimet e tyre shtjellojnë legjenda urbane dhe shpesh në këto shkrimet gjen shprehjet “… siç flitet në këto anë…. siç kujtojnë pleqtë….. siç më ka thënë gjyshi….. “, etj. Por, historinë nuk e bën as gjyshi dhe as gjyshja, historinë e bëjnë provat, gjetjet dhe dokumentet autentike, arkivat dhe burimet shkresore, madje burimet, autorë dhe studime serioze, të vlerësuar dhe provuar si të tilla, të konfrontuara me gjetje të tjera, nga shumë drejtime, të pavarura dhe bindëse. Historinë e bëjnë metodat dhe metologjitë shkencore, vlerësimet dhe analizat e ngritura mbi këto kritere.

Ndodh e gjen në këto shkrime edhe raste kur dokumente apo gjetje të studiuesve vite të shkuara i paraqesin si “zbulime autentike” apo “gjetje unike që do të ndryshojnë historinë”! Ka të tjerë që ngazëllehen kur shohin një dokument dhe mendojnë se me atë në duar do të përmbysë tërë historinë e mëparshme, pa verifikuar më parë se kush është autori i dokumentit, cila është besueshmëria e tij, ka qënë autori i dokumentit, studiues, njohës i subjektit apo një amator kalimtar.

Por, sidoqoftë çdo lloj përpjekjeje duhet vlerësuar dhe përshëndetur….

Por, a ka Ali Pasha edhe anë të errëta të jetës dhe veprës së tij?

Pa më të voglin dyshim, po!

Nuk ka monark në mesjetë, jo vetëm në Ballkan por kudo nëpër Europë që nuk ka anë të errëta, kurthe, hakmarrje ekstreme ndaj kundërshtarëve, dëshira për fuqi, pasuri dhe lavdi dhe të gjitha këto realizoheshin përmes mjeteve të dhunës, luftrave, rrëmbimit dhe pushtimit dhe zgjerimit të territoreve. Kur themi monarki mesjetare nënkuptojmë pushtet absolut, të drejta të pakufizuara në duart e një njeriu të vetëm, që ky mund të thirrej mbret, princ, sulltan apo pasha. Ishin sistemet dhe kohët e shpatës dhe të dhunës dhe jo e “të Drejtave të parashikuara në Kartën e Helsinkit”.

Prandaj të gjitha ngjarjet dhe personazhet e mësipërm duhen gjykuar me parametrat e kohës.

Ka njerëz, të cilët megjithëse nuk kanë lexuar asgjë për Ali Pashën përcjellin opinione përçmuese, cinike dhe fyese, të njëjta me ato që ngriti propaganda perandorake osmane për të, një pushtues barbar pesqindvjeçar i popullit tonë. Por harrojnë këta individë se të njëjtat fyerje dhe etiketime përdori kjo perandori edhe për heroin tonë kombëtar – Skënderbeun!

A mendoni se dokumentacioni që renditet në këtë botim voluminoz do të sjellë të papritura për lexuesin shqiptar!?

Botimi sjell në tërë volumin e dokumenteve të tij ngjarje dhe evente të panjohura, personazhe të dëgjuar dhe të padëgjuar më parë, emra dhe mbiemra pafund shqiptarësh. Shumë prej shqiptarët e ditëve të sotme mund të gjenden përpara të papriturave të këndshme, sikundër mund të ndodhë të gjejnë pararendësit e tyre të para dyqind vitesh.

Të tjerë mund të gjejnë fshatrat dhe qytetet e tyre, me se merreshin parendësit, çfarë kultivonin, cila ishte fuqia e tyre ekonomike, çfarë taksa paguanin, me kë ishin në konflikt, me kë kishin aleanca, cilat fise emigruan, ku emigruan, etj.

Në to gjenden dokumente me karakter juridik, të asaj që i themi e Drejtë Zakonore por edhe të së Drejtës Pozitive, të cilat do t’i shërbejnë historisë të së drejtës shqiptare. Në to sqarohen edhe çështje të tjera të strukturave sociale të shoqërisë, llojet e profesioneve dhe të zanateve që ushtroheshin në trevat shqiptare, cila ishte kurinarija shqiptare, diplomatët dhe politikanët e kohës, etj. Por, këto dhe shumë të tjera le t’i thotë vetë botimi me plot të panjohura dhe të papritura…

/gazetadita.al/