Revolta e para të Himariotëve në 1433, të mbështetuar nga Gjergj Arianiti

Revolta e para të Himariotëve në 1433, të mbështetuar nga Gjergj Arianiti

116
0
SHPËRNDAJE

Në këtë skenar të luftës, rajoni i Himarës luajti një rol të rëndësishëm në luftën kundër turqve me mbështetjen spanjolle.

Përveç qytetit që i jep emrin, rajoni përfshin gjashtë fshatra të tjerë, Palasë, Dhërmi, Vuno, Pilur, Kudhës dhe Qeparo.

Afërsia me Italinë e bëri atë një vend të përshtatshëm për një zbarkim të mundshme të trupave të krishtera dhe, anasjelltas, një rrezik për kalimin e bregdetit të Pulias në duart e turqve.

Terreni i saj i thyer e bënte të lehtë mbrojtjen nga sulmet e brendshme, por kundrejt këtij avantazhi kishte disavantazhin e varfërisë së saj bujqësore dhe mungesën endemike të ushqimeve, të cilat në rast të vendosjes së forcave spanjolle do t’i bënin të varur gjatë gjithë kohës ndaj furnizimeve nga jashtë.

Përveç fshatrave të përmendura, kishte edhe rajone të tjera fqinje të Himarës që morën pjesë rregullisht në kontaktet spanjolle-himariote, të tilla si Himara e brendshme (Labëria) ose fshatrat bregdetare nga Borshi në Sarandë.

Në tekstet e shekullit të XVI-të, zakonisht nuk bëhen dallime midis tyre, por të gjitha bashkë quhen me emrin Himarë.

Kur turqit e morën Janinën në vitin 1430, pothuajse i gjithë Epiri mbeti në duart e tyre, përveç zonave të izoluara si Parga, Butrinti apo Himara.

Revoltat e para të himariotëve janë dokumentuar tashmë nga këto data. Në vitin 1433 ata mbështetën Jorge Arianites (Gjergj Arianitin) dhe menjëherë pas kësaj u bashkuan me luftën e Skënderbeut.

Në luftën e parë turko-venedikase (1463-1479) stratiotët në shërbim të Venecias kapën fortesën e Borshit (Kalaja e Borshit) ndërsa himariotët pushtuan qytete të tjera.

Megjithatë, me paqen e vitit 1479 të gjitha territoret e pushtuara iu kthyen Turqisë, mes tyre, dhe qyteti i Himarës. Dy vjet më vonë, Corcodilo Cladás, një estradiot i Peloponezit që kishte luftuar kundër turqve dhe që pas nënshkrimit të paqes kishte kaluar në shërbimin e Ferrantes I të Napolit, zbriti në Vlorë dhe pushtoi pesëdhjetë qytete, mes tyre, sërish Himarën, që iu dorëzua Gjon Kastriotit, djalit të Skënderbeut.

Gjatë luftës së dytë turko-venedikase (1499-1503), Veneci humbi pothuajse të gjitha zotërimet kontinentale të Ballkanit, duke përfshirë edhe qytetin e Durrësit.

Në këtë mënyrë Perandoria Osmane përforcoi dominimin e saj territorial dhe hapi një fazë të re në të cilën do të nhdërrohej në një fuqi të madhe detare. Deri në fund të shekullit të XV-të banorët e Himarës kishin pasur mbështetjen detare të Venedikut, por kur turqit kishin nën kontroll qytetet bregdetare të Adriatikut dhe Jonit (Durrës, Vlorë, Lécautë, Lepanto, Coron, Modon), situata ndryshoi rrënjësisht.

Presioni otoman erdhi duke u rritur gradualisht, duke u ndier veçanërisht në zonat e brendshme, të cilat ngadalë-ngadalë iu nënshtruan një procesi islamizimi.

Ky presion kërkonte të eliminonte privilegjet e dhëna fillimisht dhe të fuste në Himarë institucionet themelore të dominimit të Perandorisë Osmane, siç është tatimi mbi kapitalin e vendosur ndaj jo-muslimanëve (haraçi), marrja e fëmijëve të krishterë për ushtritë qendrore të sulltanit (devşirme/jeniçerët) dhe sistemi i shpërndarjes së tokës në pjesë (timareve) që ishin caktuar për kalorësinë feudale (spahiet).

Në 1518, veziri i parë Ajaz Pasha, një vendas i fshatit Palasë, në shkëmbim të një sërë privilegjesh, duke përfshirë përjashtimin nga tatimi i kapitalit, pavarësinë administrative dhe gjyqësore dhe autonomia ushtarake, i detyroi himariotët t’i dorëzoheshin Portës së Lartë.

Ata vetëm duhej të paguanin një taksë të vogël vjetore si njohje ndaj sovranitetit të sulltanit dhe të kontribuonin me një regjiment për ekspeditat e Portës. Në këto rrethana të reja, himariotët shkuan për të kërkuar ndihmë nga spanjollët e Napolit.

Kështu filluan marrëdhëniet që do të zgjasnin, me ulje e ngritje, gati dy shekuj. Tre janë periudhat më të shpeshta të kontaktit në shekullin e XVI-të dhe dekadat e para të shekullit të XVII-të, që përkojnë me periudha të tjera të kulmeve të luftës të Perandorisë Osmane: vitet 1530 me luftën kundër perandorit në Danub; vitet rreth Lepantos, nga përpjekja e dështuar osmane kundër Maltës (1565) deri disa vjet pas Lepanto, dhe vitet e fundit të shekullit dhe fillimi i shekullit pasardhës, që përkon me luftën kundër Perandorit në Danub (1593-1606) dhe kundër shahut Abbas të Persisë (1602-1614).