Imzot Dodë Gjergji: Gjergj Kastrioti, mbrojtës i qytetërimit euro-arbëror!

Imzot Dodë Gjergji: Gjergj Kastrioti, mbrojtës i qytetërimit euro-arbëror!

60
0
SHPËRNDAJE

I nderuar Kryeministër i Kosovës, z. Ramush Haradinaj,

I nderuar Kryetar i Prizrenit, z. Haskuka,

Ministra, personalitete të kulturës,

Vëllezër dhe motra,

Jemi bashkuar sot, në vigjilje të ditës së flamurit, për të inauguruar këto afreske të restauruara në Katedralen tonë të vjetër të Zojës Ndihmëtare në Prizren, që është qyteti më i bukur i Kosovës, pasi këtu historia e lashtë ka vu shtresa të ndryshme kulturore, etnike dhe religjioze.

Veçoria e kësaj ngjarje është afresku ose piktura murale e Heroit tonë kombëtar në këtë Katedrale, të cilën e zbuluam në kuadër të 550-vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit, që bie, mu në vigjilje të festës së flamurit, që Gjergji e kishte bartur me krenari, në betejat e veta për mbrojtjen e qytetërimit euro-arbëror.

Figura e Heroit na ka përcjellë në vuajtjet tona historike dhe na ka motivua për qëndresë gjatë gjithë këtyre shekujve. Për 550 vjet, ai ka qenë figura më e rëndësishme që na ka udhëhequr në ecjen tonë si komb. Prandaj, Ai ka qenë, është dhe do të mbetet Ati i Kombit tonë Shqiptar.

Figurën e tij, Kisha katolike ndër shqiptarë, e ka ruajtur me xhelozi në gjirin e vet, që mos të harrohet nga të vetët, mos të përvetësohet nga të tjerët dhe të mos përdhoset nga të huajt. Sepse kemi dashtë që ai të jetë pasqyrë në të cilën të gjithë shqiptarët do të mund ta njohin vetën e vet. Ai është biri më i ndritur i kombit dhe model për të gjithë: për burrështetas, për gjeneral, për diplomatë, për qytetarë, po edhe për burra e gra të tjerë të kombit, që gjatë historisë kanë kërkuar një model, se si duhet vlerësuar vetën, si duhet dashur kombi, atdheu. Po edhe kur kanë dashtë të vlerësojnë se sa e rëndësishme është liria, uniteti dhe identiteti i kombit, në figurën e Gjergj Kastriotit, e kanë gjetur modelin më të mirë.

Duhet vlerësuar guximi i Kishës, që kishte vendosë këtë portret në kohën e trazimeve të shumta dhe rreziqeve të mëdha, që ishte koha e lidhjes së Prizrenit. Sot, në rizbulimin e pikturës së tij të restauruar në këtë Katedrale, akoma s’ka përfunduar rreziku dhe kërcënimi i atëhershëm për kombin tonë. Këndej, është më se e rëndësishme që fytyra e tij të rishfaqet e shkëlqyer, e pastër, e dëlirë, fisnike. Lypet që të gjithë të pajisemi me vlerat dhe virtytet e Tij, mbi të cilën do të duhej të projektohej e sotmja dhe ardhmja e jonë si komb. Mu ashtu si Papa Pali VI kishte uruar shtegtarët shqiptarë para 50 viteve, që të jetësohej projekti i Gjergjit tonë, i cili, siç tha Papa Françesku këto ditë, ka thadruar identitetin tonë kombëtar. Këndej, të bashkuar si vëllezër e motra, pa përçarje dhe përjashtime të restaurojmë dashurinë për tokën tonë, vlerat tona, traditën tona të lashtë arbërore dhe lidhjet tona me miq, me qytetërimin perëndimor dhe me Selinë e Shenjtë.

Vetëm kështu, do të mund ta rizbulojmë fytyrën e Gjergjit të vërtetë në mendjet dhe zemrat tona. Fytyrën e këtij burri fisnik dhe europian, mbrojtës i pa kompromis i vlerave të stërgjyshërve, këtij guximtari arbëror i të vërtetës shpirtërore, kulturore, politike dhe kombëtare të shqiptarëve.

Në fund, e falënderoj vikarin ipeshkvor Don Shan Zefin, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrin e Financave, e në veçanti Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, për kontributin e dhënë. Nuk mund të harroj edhe kontributin e besimtarëve të Prizrenit dhe gjithë të tjerëve./drita.info

(Fjala e plotë e Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkvit të Dioqezës Prizren-Prishtinë, në akademinë solemne të zbulimi të pikturës së restauruar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Katedralen e Prizrenit, e martë, 27 nëntor 2018)