Rëndësia e relacioneve të Frang Bardhit për historinë e Shqipërisë

Rëndësia e relacioneve të Frang Bardhit për historinë e Shqipërisë

1531
0
SHPËRNDAJE

nga MARK PALNIKAJ

Në veprën e Daniele Farlatit “Illyricum Sacrum” në vëllimin VII, në faqen 271, ka një kapitull me titull “Ipeshkvijt e Sardës dhe të Sapës”. Në faqen 285 të këtij libri është shënuar “Frangu Ipeshkv i Sapës dhe i Sardës XVI” me shënimin i gjashtëmbëdhjeti. Për jetën dhe veprën e këtij ipeshkvi janë shkruar tre faqe format i madh 38X28 kurse
për pasuesin e tij, të shtatëmbëdhjetin në radhë janë shkruar vetëm gjashtëmbëdhjetë rreshta të shkurtëra në formë kolone.

Ky është një tregues se sa e rëndësishme ka qënë jeta dhe veprimtaria e Frang Bardhit
i cili jetoi vetëm tridhjet e shtatë vite dhe shërbeu si Ipeshkv vetëm shtatë vite të jetës së tij. Në disa vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj është përshkruar në përgjithësi jeta dhe vepra e këtij kleriku thellësisht atdhetar.
Unë nuk dua të ndalem në këtë pike por dua të përshkruaj shkurtimisht rëndësinë historike për vendin tonë të veprës së shkruar në formën e librave dhe të relacioneve. Kur është krijuar Propoganda Fide në Vatikan, Frang Bardhi ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe studjonte në kolegjet e Vatikanit, çka i krijonte mundësinë të ishte më afër ndryshimeve
dhe ngjarjeve me rëndësi të kohës. Njëra nga pikat e programit të Propagandës Fide ishte edhe detyrimi që relatorët të cilët do të sillnin të dhëna për vendet ku ata do të dërgoheshin. Në relacionet e tyre duhej të sillnin të dhëna që ishin të përcaktuara në njëzet e shtatë pika të përcaktuara mirë në formën e një pyetësori.
Kryevepra e Frang Bardhit konsiderohet fjalori Latinisht Shqip (Dictionarum Latino – Epiroticum) i vitit 1635. Ky fjalor është ribotuar në vitin 2008 nën kujdestarinë e studjuesit Bardhyl Demiraj dhe nga Provinca Françeskane Shqiptare dhe nuk do të
ndalem ta komentoj por më duhet të them se kjo është një vepër me rëndësi shum të madhe për gjuhtarët dhe historianët shqiptar. Edhe relacionet e dërguara nga Frang Bardhi për eprorët e vet në Vatikan ka shum vite qe janë publikuar në gazetat dhe revistat periodike dhe nga Instituti i Historisë i Shqipërisë nën përkujdesjen e studjuesit të nderuar Injac Zamputi por edhe nga disa studjues të tjerë. Ato tashmë janë publikuar dhe janë përdorur në shum shkrime dhe studime nga studjues të ndryshëm nga zona e Pukës
ku ai jetoi disa vite dhe i shkroi këto relacone por edhe nga shum studjues të krahinave të tjera të vendit tone dhe më gjerë.
I lindur në vitin 1606, ai ka vazhduar Kolegjin Ilirik të Loretit dhe në vitin 1633 ka vazhduar studimet në Seminarin ose Kolegjin e Propagandes Fide.
Ky kolegj ishte krijuar në vitin 1626 për studjuesit e huaj, pra jo Italian, të cilët do të shërbenin për përhapjen dhe predikimin e fesë në vendet e tyre prej nga vinin.
Me datën 17 dhjetor 1635, Frang Bardhi është dekretuar Ipeshkv i Sapës dhe i Sardës prej Papa Urbanit VIII. Me 30 mars 1636 Bardhi u shugurua Ipeshkv nga Kardinal Rocci. Këto dy veprime juridike, emërimi dhe shugurimi i Frang Bardhit si Ipeshkëv, janë kryer me dy shkelje ligjore për ligjet e asaj kohe. Njëra shkelje qëndron në faktin se ai duhet
ta kishte të mbrojtur Doktoraturën dhe shkelja tjetër ishte fakti që ai akoma nuk i kishte mbushur 30 vjet siç e kërkonin kriteret zyrtare të asaj kohe.
Nisur nga nevoja shum e madhe për personel fetar që kishte Kisha Katolike në Shqipërinë e asaj kohe dhe nga autoriteti që Frangu gëzonte si një studjues shum serioz, të dyja këto proçedura nuk u morën parasysh dhe ai u nis me datën 8 prill 1635 në drejtim
të vendit të tij ku, mbas një qëndrimi në Venecia, mendohet se arriti në vendlindje nga mesi i vitit 1636. Dihet se ai ka vdekur midis datave 29 qershor dhe 5 korrik 1643. Ai e ushtroi detyrën e tij ipeshkvnore saktësisht shtatë vite duke vdekur në moshë të
re, vetëm 37 vjeç. Gjatë këtyre viteve ai shkroi disa vepra dhe relacione me rëndësi shum të madhe historike dhe gjuhësore për kombin shqiptar.

Vepra e këtij kleriku të nderuar por edhe atdhetari të madh është thellësisht më tepër atdhetare se sa fetare. Pa i mbushur akoma 30 vjet, në përgjigje të propagandas
antishqiptare të fqinjëve tanë dhe shpifjeve për origjinën dhe kombësinë e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenërbeu, Bardhi shkroi një libër mbi jetën dhe veprën e Skëndërbeut.
Gjatë rrugës për në Shqipëri që ai në veprën e vet e quan Epir, e shkroi këtë libër si kundërshtim i fallsifikimeve historike nga autorë të kohës për jetën dhe veprën e Skëndërbeut.
Unë do të citoj nga libri i Bardhit disa rreshta në fillim të tij: “… meqënëse dy gjëra, d.m.th. e vërteta dhe metoda, rekomandohen veçanarisht në histori mbi çdo gjë tjetër si dy parime themelore të saja, (megjithse ne shkruajmë këtu më tepër aplogji sesa histori, por edhe histori, në rast se kjo vepërz e meriton këtë emër), unë premtoj se çdo gjë, që i përket së vërtetës, do ta ruaj me respekt. Sepse dëshëroj që gjatë gjith zhvillimit të fjalës time, të mos thuhet asgjë, që të mos konfirmohet nga gjykimi dhe autoriteti i shkrimtarëve të sprovuar.” Frang Bardhi, “Skëndërbeu”,  botues NF, Tiranë 1999, faqe 25. Nuk mund të kalohet pa u vënë re serioziteti i shkrimit të Bardhit për shkruarjen me fakte dhe dokumente të të gjith asaj që shkruan. Të vjen keq që sot në shekullin XXI,
tregu i fjalës së shkruar është mbushur me shkrime absurde ku bëhet fjalë për histori të trevave të ndryshme të pa mbështetura në asnjë fakt historik ose dokument por vetëm me hamendje dhe gojëdhëna.
Ky është një problem i kohës që po kalojmë, ku në emër të lirisë së mendimit dhe të fjalës, lejohet publikimi i librave me karakter historik pa kaluar asnjë lloj kontrolli shkencor nga institucione të specializuara të shtetit. Kjo krijon sot, por do të krijojë edhe në të ardhmen probleme shum të mëdha për studjuesit kur të përballen me një mal me libra të shkruar pa asnjë lloj serioziteti dhe kontrolli shkencor. Le të kthehemi përsëri tek vepra e Bardhit. Ai në shtatë vite të aktivitetit të tij pas mbarimit të shkollës, na la dy libra me rëndësi kapitale për historinë dhe gjuhën shqipe, librin Skëndërbeu dhe Fjalorin Latinisht Shqip.
Për nevojat e punës dhe të profesionit të tij, i vihet menjëherë punës për përkthimin e liturgjisë në gjuhën shqipe dhe në fillim të vitit 1637 ai ka përkthyer “Besojmën” (Professione della fede) dhe Rendin e Sinodit të vendosur në pontifikatin Romak
(Ordine dell sinodo posto nel Pontif. Romano). Siç lexohet në relacionet që Bardhi ka dërguar në Vatikan, ai ishte shum i shqetësuar për faktin se besimtarët rrëfeheshin tek prifti që nuk e dinte gjuhën shqipe dhe ky veprim kryhej nëpërmjet një personi të
tretë që merrej si përkthyes midis priftit dhe atij që rrëfehej. E fshehta rrëfimit nuk ishte e sigurtë mbasi ajo merrej vesh nga më shum se dy persona. Ky ishte shkaku që priftërinjtë me kombësi jo shqiptare, kërkohej me domosdo që të mësonin gjuhën shqipe
dhe, për mësimin e një gjuhe të huaj, ndihmësi më i mirë është fjalori. Pikërisht këtë bëri edhe Bardhi, hartoi një fjalor Latinisht – Shqip. Ky fjalor tashmë është i publikuar dhe i komentuar nga shum studjues. Është shum larg të qënit një vepër e përsosur por për kohën kjo ka qënë më e mira dhe ka qënë një kontribut shum i madh.
Por duhet marrë në konsiderate fakti që fjalorët e shqipes të botuar gjatë shekullit XX dhe XXI, të botuar nën masa kontrolli nga organe të specializuara, kanë po aq gabime sa kishte fjalori i Bardhit i hartuar nga një person i vetëm dhe pa eksperience në botime të mëparshme. Gjatë analizave që i kanë bërë kësaj vepre persona të specializuar, veçanarisht Selman Riza, Jup Kastrati, Bardhyl Demiraj dhe ndonjë studjues tjetër kanë vënë në dukje një sërë të metash të këtij fjalori, por nisur nga sa tham më sipër, të
metat janë të pa rëndësishme dhe plotësisht të justifikuara.
Është i njohur fakti që menjëherë mbas krijimit të Kongregacionit të Propagandës Fide me 6 janar 1622, ka filluar një punë serioze për përkthimin dhe zhvillimin e propogandës fetare në gjuhën shqipe. Këtë punë e kanë marrë me seriozitetin më të madh në dorë kleri katolik shqiptar të cilët kishin arsimin dhe njohuritë e nevojshme për ta kryer këtë
punë. Në vitin 1632 është hapur në fshatin Pllanë shkolla për mësimin e gjuhës shqipe dhe në vitin 1675 në fshatin Rrjoll ne veri të Shkodrës shkolla shqipe me mësues Marin Gjini. Në vitin 1689 krenat e Gashit, nga fshati Geghyseni i sotëm, i kanë shkruar Papës letër në gjuhën shqipe e cila tashmë është bërë publike. Shumica e klerikëve shqiptar u përfshinë në shkrimin shqip por Frang Bardhi mbetet njëri nga kontributorët më të mëdhenj në këtë aktivitet. Ai na ka dhuruar Fjalorin.
Njëra nga 27 pikat që duhet ti përmbaheshin klerikët kur do të dërgonin relacione në Vatikan, sipas urdhërit të Propogandës Fide ishte që “Nëse punonin në Europë do të dërgonin një relacion çdo vit dhe ata që punonin jashtë Europës duhet të dërgonin
së paku një relacion çdo dy vjet”.
Në relacionet e Frang Bardhit, ndryshe nga relacionet e kolegëve të tij si Benedikt Orsini, Gjergj Bardhi, Gjon Kolesit, Pjetër Mazrekut, Mark Skura, Domeniko Andreas dhe të disa të tjerëve, bie në sy një ndryshim në mënyrën e të shkruarit të relacioneve.
Nga data 7 shtator 1636 deri me date 19 prill 1641 janë të njohura njëmbëdhjetë letra dhe relacione dërguar eprorëve të vet në Vatikan, përkatësisht me datat 7 shtator 1636, 8 shtator 1636, 8 shkurt 1637 (Imz. Ingolit), 8 shkurt 1637 ( Prop. Fide), 5 maj 1637, 28
maj 1637, qershor 1637, qershor 1638 (relacion), qershor 1638 (kërkesë për fonde shtesë), 2 relacione me 19 prill 1641. Ky është relacioni i fundit i publikuar por kjo nuk do te thotë se nuk ka relacione të tjera të tij të pa publikuara. Mbetet të bëhen kërkime
në Arkivin e Propagandës Fide dhe në Bibliotekën Apostolike në arkivin me 80.000 dorëshkrime të shpërndara në 126 fonde (29 të hapura dhe 97 të mbyllura). Fondet e Bibliotekës Apostolike, pjesa për Shqipërinë, janë pothuaj të pa studjuar deri tani
nga asnjë studjues. Në dijeninë time, janë publikuar deri tani vetëm disa letra të Vinçes Zmajeviçit, mbas vitit 1700 kur ai ishte Ipeshkv i Tivarit të cilat i ka publikuar albanologu Peter Bartl. Në relacionin për operacionet ndëshkimore të Vuçi Pashës në Këlmend
në vitin 1638, Bardhi ka përshkruar me një realizem por edhe me një dashuri shum të madhe luftën e pamëshirshme të pashait boshnjak dhe qëndresën e pamposhtur e popullit të Këlmendit. Në relacionet e tjera vihet re përshkrimi me realizem i jetës së mjeruar
të popullit shqiptar nën zgjedhën turke por edhe zhvillimi i jetës me të gjithë elementët social të sajë.
Në relacionet del e qartë si drita e diellit edhe lufta e paprinciptë që zhvillohej nga kundërshtarët e tij për të penguar punën e tij atdhetare. Ai ndryshe nga një klerik, si një gazetar profesionit, në relacionet e tij përshkruan me shum saktësi zakonet, doket, mënyrën e ushqimit dhe të gatimit, mikpritjen, gatishmërinë luftarake kundër pushtuesit, zgjuarsinë natyrale të burrave të malsisë ku ai kalon. Në relacionet e tij ai përshkruan edhe bestytni dhe çdo aspekt të jetës së popullsisë së këtyre maleve të ashpra. Një pjesë nga këto relacione i kam cituar në librin tim për Pultin në kapitullin për arsimin në Dioqezën e Pultit dhe Historikun e Bajrakut në Nikaj Mërtur dhe zonat për rreth tyre, si edhe në disa kapituj të tjerë. Të nderuar pjesëmarrës! Relacionet dhe veprat e Frang Bardhit janë të publikuar shumica dhe unë në këtë simpozium nuk kam ndërmend ti analizoj ato. Mjafton të ju kujtoj që në librin tim për dioqezën e Pultit të cilin e kam
publikuar disa muaj më parë, relacioneve të Frang Bardhit ju kam referuar njëmbëdhjetë herë. Studjuesit Bardhyl Demiraj, Tonin Çobani, Stefan I. Prifti, Selman Riza, Jup Kastrati, Injac Zamputi dhe shum studjues të tjerë kanë shkruar me realizem për veprën
e këtij kleriku dhe atdhetari të nderuar. Me një referat të mbajtur në këtë simpozium nuk besoj se mund të sjell ndonjë gjë të re, të pa njohur dhe të pa publikuar
më parë për Frang Bardhin.
Por për një gjë jam i sigurtë, që jeta e tij 37 vjet dhe aktiviteti i tij 7 vjet në shërbim të çeshtjes kombëtare e bëjnë të pavdekshëm prandaj, populli i dioqezës së Sardës dhe të Sapës, posaçërisht populli i Pukës i mbetet borxh këtij kollosi të shqiptarizmës për ti ndërtuar një bust memorial në kujtim të veprës së tij atdhetare. Ndoshta organet shtetërore të shtetit shqiptar dhe ato kishtare do të hezitojnë të vënë në dispozicion fondet e nevojshme për këtë memorial. Jam i mendimit që, ashtu siç u ndërtua
Statuja e Lirisë në Nju Jork me donacione nga populli francez por jo nga shteti francez, edhe memoriali i Frang Bardhit duhet të ndërtohet me donacione nga qytetarët dhe biznesmenët kryesisht nga Puka dhe nga Shkodra. Unë shpresoj në ndjenjat kombëtare
të popullit të Pukës dhe besoj se së shpejti do të kemi një memorial dinjitoz për këtë patriot të madh të kombit shqiptar i cili me veprën e tij, e ka bërë veten të pavdekshëm.

/rrenjet/