Ndryshimet mes veriorëve sipas atë Anton Harapit

Ndryshimet mes veriorëve sipas atë Anton Harapit

668
0
SHPËRNDAJE

Në rrethin poliedrik mes të cilit atë Anton Harapi endej, shpesh ndalonte në talentin e tij për të qenë shkrimtar duke u kthyer në një ndër më të shquarit e fillimit të letërsisë shqipe.

Një ndër librat e tij është “Valë mbi valë”, libër i cili shkruhet me mall për vendlindjen e tij, fshatin e vogël dhe piktoresk të Shirokës, buza e të cilit puthte buzën e Liqenit të Shkodrës.

Para se të shkosh në Shirokë, duhet të kalosh nga Bexhisteni, pazari më i madh i dikurshëm në gjithë veriun e Shqipërisë i cili ndodhet pranë lumit Buna. Dita e mërkurë ishte “dita e pazarit” dhe ai vend mbushej plot me njerëz nga çdo anë e vendit që vinin të shisnin e të blinin.

Në një ditë të tillë, personazhi kryesor i “Valë mbi valë” kalon nga ajo rrugë dhe sheh njerëz me tipare dukshëm të ndryshme. Kështu, ai vetvetiu, bën një krahasim mes gjithë atyre krahinave, fiseve, bajrakëve, malësorëve, katundarëve, qytetarëve, të pasurve e të varfërve të cilin po e paraqesim më poshtë duke e standartizuar gegërishten me të cilen është shkruar:

Qe, mbishkodraku (ai që jeton që zonën e mbishkodrës), që më shumë se për asgjë tjetër, ka nevojë për fisnikëri deri në madhështi; Dukagjinasit, që i kufizuar me trup e me shpirt brenda rrethit të ngushtë të vendit, i është bërë mendja kubure, për besë e për bukë, për mik e për trimëri. Sa është mbishkodraku i gatshëm të dalë e të hapet, aq kërkon dukagjinasi të rrijë brenda vetes dhe bajrakut.

Zadrimasi dhe bregabunasi (ai që jeton në krahinën e Zadrimës dhe ai që jeton në fshatrat buzë bregut të Bunës), katundarë në kuptimin e parë të fjalës, rritur e qëndruar gjithnjë me frikë, gjithnjë ndër baltë, as guximtarë as kurrë të përulur shpirtërisht. Mirditasi (mirditori) të cilit, për fe e për hajni i shkojnë për shtat. Shqyrtues i mirë, i matur ndër punë, i ndalur ndër fjalë, i ngadalshëm në të sjellur, mos me u dukë një grusht njeri, por i fuqishëm në qëndresë.

Krajani (ai që jeton në Krajë, atëherë pjesë e Shqipërisë, sot i takon Malit të Zi) me shestanasin (ai që jeton në Shestan, vend që njëlloj si Kraja atëherë i takonte Shqipërisë, ndërsa sot Malit të zi), burra të mëdhenj e azganë të rrahur e të shëtitur, por edhe mjaft të thjeshtë e të arsyeshëm.

Shkodrani, me shpirtin dhe karakterin e tregtarit, i zgjuar sa të duash, por që së fundmi bën kryq veç për vete. E kështu, të tjerë njerëz e të tjerë mentalitete të çdo lloji.

(Përshtatur nga vepra “Valë mbi valë”, botuar nën kujdesin e atë Daniel Gjeçajt, Romë 1995) /konica.al/