Kronika e eksodeve dhe vendbanimet arbëreshe në Itali 1272-1278

Kronika e eksodeve dhe vendbanimet arbëreshe në Itali 1272-1278

2465
0
SHPËRNDAJE
Afresk i vitit 1525. Pamje e komunës arbëreshe e Mezzojuso, e ngrijtur në këmbët e dy kodrave Brigna (Brinja) dhe Dirrachion (Durrësi).

Nga Prof. Dott. LUTFI ALIA

1503:
Pas dështimit të kryengritjes së përgjithëshme të viteve 1501 – 1503, të udhëhequr nga Princi Gjergji II Kastrioti (nipi i Skenderbeut) dhe nga konti Progon Dukagjini, shumë familje albaneze emigruan në Itali, ndërsa Gjergji II Kastrioti me familjen e tij dhe një grup të vogël albanezësh, shkuan në Qipro.

1500 – 1540:
Arvanitas dhe grekë të Korone dhe Modone, dy qytetet më të rëndësishme të Moresë, të frikësuar nga lajmet e dhunës dhe të masakrave, që kryenin turqit ndaj popullatës në Zante, vendosën t’ia dorëzojnë qytetin Sulltan Bajzitit II, i cili më 9 gusht 1500 e pushtoi pa luftë. Ky vendim për t’u dorëzuar turqëve pa luftë, nuk i favorizoi banorët e këtyre dy qyteteve. Të ndodhur para presioneve dhe persekutimeve të vazhdueshme të ushtrisë
turke, shumë arvanitas dhe grekë, të udhëhequr nga kapidani arvanitas Mark Militani emigruan drejt Italisë. Grupet e para të refugjatëve u vendosën në komunën Kaxhiano (Caggiano-Salerno). Trojet e kësaj komune dikur ishin feud i Luigi Gesualdo, i cili me që ishte përfshirë ne komplotin e baroneve kunder Ferdinadit II Aragona, pronat e tij ia mori mbreti dhe iu dha arbëreshëve të Xhiakomo Karaçiolos dhe më pas arvanitasve, që  arrijtën nga Korone. Në vitin 1595, familjet arbëreshe në Kaxhiano, u përjashtuan nga taksa e zjarrit (Archivio di Stato di Napoli: Processo R. Cam. Nr 1251, vol 134).

Pas Korone dhe Modone, në vitet 1533 – 1540 ranë njeri pas tjetrit qytetet greke Egina, Malvasia, Naupalia dhe Patrassa në Morè. Pushtuesit turq edhe në këto qytete vazhduan me persekutime dhe masakra, andaj shumë familje arvanite dhe greke, i kërkuan Papes dhe perandorit Karlit V, të ndihmonin për shpëtimin e tyre. Sipas relacioneve të Giustiniani, në vitet e pushtetit të Perandorit Karli V, drejt Italisë vërshuan shumë
familje arvanite dhe greke, mes tyre dhe pjestarë të familjeve mbretërore bizantine Laskari dhe Paleologu, që ishin zotër të shumë feudeve të Moresë, të banuara masivisht nga arvanitas. Në vitin 1533, me ndërhyrjen e Papës Klementi VII dhe të Urdhërit Kavalierët e Shen Gjonit të Jerusalemit, perandori Karli V, vuri në dispozicion 200 anije tregtare, për të ndihmuar largimin e këtyre banorëve. Zevendës Mbreti i Napolit Pietro da Toledo, urdhëroi admiralin Andrea Doria, të transportonte familjet arvanite dhe greke në Napoli. Një pjesë e këtyre refugjatëve u sistemuan në Napoli, por shumica shkuan në komunat e banuara nga albanezët, të vendosur aty vite më parë.
Arvanitasit e Korone, te udhehequr nga kapidani arvanit Lazaro Mathes, themeluan fshatrat Barile, San Kostantino Albanese, San Paolo Albanese, Ginestra, Maschito (në provincën e Potenca); Castroregio (Kastrorexhio) e Farneta (në provincen e Kozenca); Greci (Avellino), San Xhiakomo, ndërsa një grup familjesh shkuan në ishullin Giglio (Xhilio) në Toskana.
Sipas shumë historianëve, qëllimi i pranimit të emigrantëve albanezë në trojet e mbretërisë së Napolit, inspirohej dhe nga qellimi për t’i rekrutuar burrat ne repartet e famëshme të stratioteve, që u shquan në luftimet në Itali, France, Bohemi, Dalmaci,
Spanje etj. Bashkë me banorët, në anijet e admiralit Andrea Doria ishin Ipeshkevi orotodoks i Korone hirësia Benedetti, ipeshkevi i Modone hirësia Gerasimo, ipeshkevi Monemvasia hiresia Makario, si dhe familje tregëtarësh e fisnikësh albanezë dhe grekë.
Shumica e luftetarëve arvanitas nga Korone dhe albanezët nga Himara, u mobilizuan në
gardën e oborrit të mbretërisë së Napolit, madje iu paguhej rrogë e mirë dhe shumë prej tyre janë shkruar në “Librin e artë të patricëve”, mes tyre dhe stërgjyshi i Antonio Gramshit. Stratiotëve albaneze u lejohej të mbanin armët, madje kishin të drejtë të hynin të armatosur në apartamentin e princit dhe konsideroheshin “le lance spezzate del re di Spagna“.

1552:
Grupe familjesh albaneze, zbarkuan në Pulja dhe u shperndanë në feudet e Rignano (Rinjano), Lesina, Guglionisi (Gulionizi), Ischitella (Iskitella), Carpino (Karpino), Bari, Civitate, San Martino, Foggia (Foxhia), Vico Garganico (Viko Garganiko), Larino, Apricena, Pescchici (Peskiçi), Monopoli, Manfredonia, Ruvo, Cassano di Acquaviva (Kasano Akuaviva), Casamassima (Kazamassima), Gioia (Xhioia), Toritto, Bitetto, Palo, Giovinazzo, Bisceglie (Bishelie), Molfetta, Andria, Barletta, Terlizzi dhe Bitonto. (Palumbo Manfredi: I comuni Meridionali, Montecorvino Rovella: 1910. f. 340).

Historiani Bernardino Biondelli ne vepren: “Prospetto topografico-statistico delle colonie straniere d’Italia”, in: Annuario geografico italiano pubblicato dall’ufficio di corrispondenza geografica in Bologna.
Libreria Rusconi, 1845 shkruan:
“Në disa qendra banimi si Portocannone, Ururi, Chieuti (Kieuti); Campomarino (Kampomarino), Santa Croce di Greci, Montelongo, Canore (Kanore) etj, banorët flisnin vetëm gjuhën albaneze, madje dhe në kishë, ritet liturgjike dhe meshën e zhvillonin në gjuhën albaneze”.

1647 – 1664:
Eksodi i arvanitëve dhe i grekëve nga Maina, të cilët u transportuan nga anijet veneciane. Pjesa më e madhe zbarkuan ne Livorno, një pjesë në Volterra, ndërsa 700 emigrantë shkuan në Korsikë.

1691 – 1750:
Vazhduan eksodet sporadike të albanezeve dfrejt Italisë. Në vitin 1691, ipeshkevi i Palermos Imzot Ferdinando Bazan, sistemoi shumë familje refugjatësh albanezë në feudin e Santa Cristina (Shen Kristina), ndërsa 82 albanezë i dergoi në Piana Albaneze (Hora Arbereshe). Albanezët punonin tokat e Ipeshkevisë të Palermos dhe të Dukës së Gela (Xhela), por me që tokat ishin larg qendrave të banimit të Piana Albaneze, banorët e porsardhur, filluan të ndërtonin shtëpitë e veta rreth vendeve të punes. Në vitet e më pasme, me ardhjen e arvanitëve nga Morea, kjo qendër banimi u zgjerua dhe u organizua në komunë autonome me emërin Santa Cristina Gela.

1743:
Me 4 mars 1743, nje grup familjesh himariote dhe çame, arrijnë në Pulja dhe me urdhër
të mbretit Alfonsi III Borbon, u sistemuan dhe themeluan Villa Badesse, ne provincen e Peskares – Abruco. Një grup prej 18 familjesh ishin me origjinë nga Piqerasi, ndërsa të tjerat nga Lukova, Kudhesi, Shen Vasili dhe Çameria. Së bashku me keta familjes ishin dy prifterinj ortodoksa, që iu dedikuan jetës shpirtërore të ketyre banorëve të rinj.
Si shkruhet në enciklopeditë italiane, arbëreshët e Villa Badesse, e kane ruajtur kulturën etnike, ritin ortodoks dhe gjuhën albaneze.

1774:
Grupe të shumta familjesh albaneze, zbarkuan në Brindisi di Monatgna – Bazilikata, ndërsa një grup me rreth 70 persona, shkuan dhe u vendosen në Viterbo, në veri të Romës. Kur arrijtën në Brindisi di Montagna, grupi i refugjatëve u bashkua
me grupin e albanezëve, që jetonin në këtë feud, që nga viti 1536, kur i priti dukesha Irena Kastriotit, gruaja e princit Pietro Antonio IV dei Sanseverino di Bisignano. Perpos ketyre eksodeve dhe gjatë shekujve XIX, vazhduan zbarkimet, kryesisht në grupe familjesh, që lundronin drejt brigjeve italiane, me ndihmën e anijeve veneciane dhe albaneze. Sejcili nga këto eksode, përbën histori me vehte, e pamundur të trajtohen në një shkrim, andaj në vazhdim të këtyre kronikave, do të tregoj historinë e grupit të emigrantëve albanezë, që zbarkuan në Itali me kapedanin Demetrius Reres dhe për fluksin e refugjatëve albanezë te vitit 1481, të organizuar nga Gjon Kastrioti, i biri i
Gjergj Kastriotit – Skenderbeu.

EMIGRIMI I ALBANEZËVE NË VITIN 1413 – 1444.

Ernesto Skirò (Schirò), në studimin “Origine degli insediamenti albanesi in Italia-Origjina e vendbanimeve të albanezëve në Itali” – Palermo 2009, përshkruan disa nga flukset emigratore të albanezëve, që fillimisht u vendosën me banim në Siçili.
Rreth këtij libri, me 12 qershor 2009, në Palermo u organizua një “tavolinë e rrumbullakët”, e ideuar dhe e drejtuar nga arbereshët dr. Romanjoli dhe Papas Vito Stassi. Ky aktivitet u zhvillua, disa ditë pas festës të Pentekoste, që kremtohet më 31 maj, që sipas liturgjisë orientale, është dita e përkujtimit të vdekurve, por për arbëreshët,
evokon dhe dy ngjarje të dhimbëshme, thyerjen e ushtrisë të Princit Gjon Kastrioti më 1413 dhe rreth pesë dekada me pas, pushtimin Kostaninopolit nga hordhitë otomane.

Festimi nga arbereshët i Pentekoste më 31 maj, lidhet me ngjarjen tragjike të vitit 1413, kur ushtria e Gjon Kastrioti u thye dhe shumë banorë u masakruan nga pushtuesit turq. Kjo ngjarje ka mbetur e pashlyer në memorien e arbëreshëve të Mezzojuso, që e kujtojnë me shprehjen: “Është e bukur të kremtohen të gjitha festat, por e shtuna e Shkallës (Scialla), mos ardhtë kurrë!”

Kjo shprehje mallkimi, i referohet të shtunës të 31 maj 1413, ditës së Pentekoste, kur pas luftimesh të ashpra në fshatin Shkallë të Matit, ushtria e Gjon Kastriotit u thye nga hordhitë turke, çka shënoi fillimin e dominimit otoman në Mat. Një pjesë e popullatës e kësaj treve, që i shpëtoi reprazalieve turke, në vitin 1413 emigroi në Itali dhe u vendosen në troje te çpopulluara të Siçilisë.

Fotografi aktuale e Mezzojuso, me dy kodrat Brinja dhe Durrësi.
Fotografi aktuale e Mezzojuso, me dy kodrat Brinja dhe Durrësi.

E shtuna e Pentekoste, për arbëreshët është dita, që evokon këtë ngjarje të dhimbëshme të lidhur me atdheun, që u detyruan ta braktisin e të emigrojne drejt trojeve italiane dhe vendosjen e tyre në Siçili, kryesisht në komunën e Mezzojuso dhe në disa komuna në Kalabri. Arbëreshët e Mezzojuso, prej 603 vite, ditën e shtunë të Pentekoste mblidhen në katedrale, ku mbahet mesha në kujtim të martirëve në betejën e Shkallës, ndërsa në
perëndim të diellit, ngjiten në majen e dy kodrave Brigna (Brinja) dhe Dirrachion (Durrësi) dhe me fytyrat e kthyera nga lindja, këndojnë të gjithë së bashku këngën e famëshme “O e bùkura Morè”, një këngë krenarie kombëtare, këngë malli e trishtimi, këngë vuajtje e dashurie pervëlimtare për atdheun.
Eshte fakt i bukur, qe ne ndertesen e Komunes te Mezzojuso, eshte një afresk i vitit
1525, ku shihet qendar e banuar ne kembet e dy kodrave, te ende ruajnë emerat albaneze, më e madhja quhet (Brigna) Brinja dhe tjetra më e ulët quhet Dirrachion – Durrësi.

Emigrantët e parë albanezë, arrijtën dhe u sistemuan në Siçili ne vitet 1413 – 1440, ndërsa në vitet 1444 – 1448, u bashkua dhe një grup tjetër, i përbërë nga tre reparte kalorësish albaneze, të komanduar nga kapidani Demetrio Reres.

Ky emigracion lidhet me dy rrethana politike të kohës:

– Së pari u diktua nga dyndjet barbare turke, që pasi i pushtuan trojet albaneze, kryen masakra në popullatën, gjenocidin e albanezëve, si dhe morën robër që i dërguan në Turqi si skllevër, ndërsa ata që i shpëtuan reprazaljeve morën rrugën e emigrimit
drejt brigjeve italiane;

– Së dyti, lidhet me konfliktet e brendëshme në mbretërine e Napolit, si me revoltën e baronëve kalabrezë, që u ngritën kundër Alfonsit V Aragona, mbretit të Napolit dhe Siçilisë, i quajturi Magnanimo (fisniku dhe shpirtmiri). Ky rrebelim, i nxitur nga Anzhuinët, i organizuar nga Markezi Antonio Centelles, që ishte zevendës mbreti per Kalabrinë, e destabilzoi situatën në Kalabri, por mbreti Alfonso V Aragona, ishte i pafuqishëm ta shuante këtë revoltë, andaj i kërkoi ndihmë Gjergj Kastriotit. Në vitin 1444, Skenderbeu iu përgjigj kërkesës të mbretit Alfonso V, duke i dërguar 200 kalorës, të komanduar nga kapedani Demetrius Reres, me dy djemtë e tij Gjergji dhe Vasil Reres, të cilët udhëhoqën luftimet dhe triumfuan kundër koalicionit të baronëve kalabrezë proanzhuinë.

Nuk ka të dhëna nga cila trevë ishte origjina e Demetrio Reres dhe e kalorësve albanezë. Sipas dokumentave Veneciane mbiemëri ishte Renes ose Renessi dhe ishte kapedan i ushtrisë albaneze, i shquar në rezistencën kundër sulmeve të ushtrisë turke. (Domenico Zangari: Le colonie albanesi in Calabria: Storia e demografia nei secoli XV-XIX.
Editore Caselli, Napoli 1941. XIX). Johann Georg Hahn (1854), duke iu referuar histroianit italian Biondelli, shkruan se emëri i tij ishte Demetrius Reres Castriota, kushëri i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, por ky opinion ka mbetur i pa konfirmuar.
(Johann Georg Hahn (1854). Geographischethnographische  Uebersicht. Sind die Albanesen Autochthonen? Alphabet. Historisches. Verlag von Friedrich Mauke).
Repartet e kalorësve albanezë të Demetrio Reres, pasi zbarkuan në Siçili, u vendosën në
kështjellën e vjetër saraçene të Bizyr (Bisiri), e ngritur në majën e një kodre, mbi fshatin e vogël Mazzarese, në krah të djathtë të lumit Mazzaro, 10 km larg nga grykëderdhja e lumit në detin Mesdhe. Kapedan Demetrio, në krye të kalorësve albanezë, i sulmoi dhe i theu njeri pas tjetrit baronët kalabrezë, qe ishin ngritur kundër mbretit.
Pas këtyre fitoreve reparti i kalorësve albanezë, u ngarkua me detyra të mbanin rendin publik dhe të mbronin bregdetin perëndimor të Siçilisë, si nga sulmet e flotës otomane, ashtu dhe nga sulmet e rastit të anzhuineve. Në vazhdim të fitoreve, Kapedani Demetrio Reres, në krye të kalorësve albanezë dhe reparteve të mbretit, i dha goditjen
përfundimtare forcave të markezit Antonio Centelles dhe në shkurt të vitit 1445, e shpartalloi dhe arrestoi markezin Centelles, të cilin ia dorezoi mbretit Alfonso V.

Pas kësaj fitoreje, kalorësit albanezë qëndruan dhe dy vjet të tjera në keshtjellën e Bizyr (Bisiri) dhe ndonëse nuk u impenjuan në luftime, ata kryen funksione të rëndesishme
civile dhe në mbajtjen e rendit publik. Ne mbyllje të konfliktit, mbreti Alfonso V i Napolit i
konfiskoi pronat e markezit Antonio Centelles, të cilat ua dhuroi ushtarëve albanezë. Në vitin 1445, disa kalorës të Demetrio Reres u shpërndanë në Kortone, Katanzaro dhe Belkastro, ku u vendosën në fshatrat e çpopulluara nga banorët vendas dhe pasi i sistemuan tokat bujqësore dhe blenë bagëti, filluan jetën e re në këto troje.
Këto vendbanime me albanezë, dokumentohen në relacionet e Lorenzo Giustiniani (bibliotekar), i cili në fillimet e viteve ’800 ia dorëzoi Miliorinit, ministri i Drejtësisë i Mbretërisë të Napolit, për ta informuar rreth zotrimeve të albanezëve në këto troje. Si tregohet në relacionet, prezenca e kalorësve albanezë, u vleresua pozitivisht dhe u mirëprit nga feudalët e vegjël, që u ndjenë të sigurtë me albanezë, pasi vetë nuk ishin në
gjendje të mbronin pronat nga sulmet, nga grabitjet dhe shkatërrimet nga konfliktet ndërmjet baronëve.
Kontributi i kalorësve albanezë, ishte vendimtar për normalizimin e jetës shoqërore,
ekonomike, bujqësore dhe ushtarake në rajonin e Kalabrisë, andaj mbreti Alfonso V Aragona i Napolit, në vitin 1448 e emëroi kapedanin Demetrio Reres – guvernator i Provincës të Kalabrisë.
Kontributi i kapedanit Demetrio Reres, u vlerësua nga fisnikët dhe nga populli kalabrez dhe në nderim të veprës së tij, në komunën San Nicola Dell’Alto (Shën Nikolla e Sipërme) në Krotone të Kalabrisë, një nga rrugët kryesore mban emërin e tij: Via Demetrio Reres. Në vitin 1450, përfundoi misioni ushtarak i forcave albaneze e një pjesë e kalorësve u transferuan në malet përtej lumit Belice, në bregun e Siçilisë jugore, në pritje për t’u riatdhesuar, por edhe ata ndryshuan mendim dhe qëndruan në Siçili e disa te tjere ne Kalabrinë jugore.

Bartolomeo Facio, në veprën: “De rebus gestis ab Alphonso I, botuar më 1562, shkruan:

“Quo tempore Scanderbecus nobilis in Epiro Regulus ac magnae et spectatae virtutis adversus Tureos, a quibus obsidebatur, ad Alphonsum legatos auxilium oratum misit…”, pra për të shpërblyer ndihmën e ushtarëve të Skenderbeut, që luftuan
dhe e thyen revoltën e baronëve, mbreti vendosi t’i dhuroi troje në Siçili dhe në Kalabri, ku shumica e këtyre ushtarëve themeluan, ose ripopulluan Piana degli Albanesi, Contessa Entellina (Kundës – Kudhësi), Santa Cristina Gela, Palazzo Adriano, Mezzojuso, Bronte, Biancavilla, San Giuseppe di Mastellaro, Sant’Angelo e San Michele, Taormina (in Si-cilia); Caraffa di Catanzaro, Carfizzi, Gizzeria, Pallagorio, San Nicola dell’Alto, Vena, Amato, Andali, Arietta, Belvedere, Marcedusa, Zagarise e Zangarona (ne provincen e Katanzaro).
Afresk i vitit 1525. Pamje e komunës arbëreshe e Mezzojuso, e ngrijtur në këmbët e dy kodrave Brigna (Brinja) dhe Dirrachion (Durrësi).