Plot 800 mijë euro për Liridon Latifin

Plot 800 mijë euro për Liridon Latifin

279
0
SHPËRNDAJE

Liridon Latifi ka bërë një tjetër paraqitje mbresëlënëse në ndeshjen e fundit në Kazakistan, ku ishte rrezik permanent për Kairat Almaty, madje edhe goli i barazimit erdhi pikërisht nga gjuajtja e tij, që më pas e shtyu në rrjetë Nimaga. Në fakt, nuk është hera e parë që ai bën diferencën te Skënderbeu dhe jo më kot De Biasi e ka grumbulluar edhe me Kombëtaren.

Të pranishmit në stadium e kanë pëlqyer lojën e Liridon Latifit, të cilët në fund të takimit nuk i kanë kursyer elozhet për lojtarin e kombëtares shqiptare, por ka pasur edhe nga ata që kanë kërkuar menjëherë informacion në klub për këtë futbollist. Kanë qenë të shumtë skuadrat që kanë kontaktuar menjëherë klubin bardhekuq, i cili është tunduar disi nga këto oferta në drejtim të Latifit.

Bisedimet priten të bëhen pas këtij turi eliminator, ose nëse Skënderbeu kalon më tej pas përfundimit të aventurës europiane. Megjithatë, një fakt konkret është se Liridon Latifi po luan ndeshjet e fundit në Korçë me Skënderbeun dhe pritet që nga momenti në moment gjatë kësaj dritare merkatoje të largohet në drejtim të një kampionati elitar Europian.

Ofertën më të lartë për momentin te Skënderbeu për Latifin e ka bërë Oostende. Mësohet se klubi belg ofron deri në 800 mijë euro, por korçarët po rezistojnë, pasi pretendojnë të fitojnë më shumë. Si për koincidencë, klubi belg e nis aventurën europiane për këtë sezon nga turi i tretë paraeliminator i Ligës së Europës, raund të cilin Skënderbeu kërkon ta arrijë pas ndeshjes së kthimit.