Butrinti, qyteti antik i ndërtuar mbi legjendën e Eneas (VIDEO)

Butrinti, qyteti antik i ndërtuar mbi legjendën e Eneas (VIDEO)

2744
0
SHPËRNDAJE

Ankizi me anijet u nis nga Ambrakia dhe duke lundruar pranë bregdetit, arriti ne Butrot, liman i Epirit. Enea në anën tjetër, me ushtarët më të zgjedhur, pas një udhëtimi që zgjati dy ditë, arriti në Dodonë, me qëllim që të kërkonte mendimin e perëndisë; këtu gjeti edhe ata trojanë që kishin ikur bashkë me Helenin.

Si morën përgjigje hyjnore mbi punën e kolonisë, i dhuruan zotit, bashkë me dhuratat e tjera trojane edhe kratere bakri, disa nga të cilat ndodhen edhe sot akoma aty, me mbishkrime shumë të vjetra, që tregojnë emrat e dhuruesve;…së këtejmi, pastaj arriti tek anijet pas një udhëtimi që zgjati më se katër ditë…

Në fund të viteve ’30 të shekullit të kaluar, arkeologu italian Ugolini përmend gojëdhënën mbi zanafillën e largët të Butrintit. Heleni që kishte ardhur në Epir nga Troja, po përgatitej të bënte flijimin ritual pas zbritjes në tokë. Lopa që do t’u flijohej perëndive, e goditur, por jo e vrarë, i shpëtoi nga duart dhe kaloi detin me not. Heleni, duke parë këtu një paralajmërim të perëndive, themeloi një qytet që ia vuri emrin Buthrotos.

Sipas Plutarkut, perëndia Pan vdiq pikërisht në Butrint dhe çasti i vdekjes së tij, u bë shkak për klithmat e shtojzovalleve, të cilat njoftonin barinjtë anekënd Kaonisë, për këtë humbje tragjike për mbrojtësin e pyjeve dhe të luleve…

Sipas Virgjilit, Butrinti u themelua nga Enea. Në një korrespondencë të gjatë të tij me Ciceronin, zbulohen përpjekjet që ai ka bërë për të mbrojtur pronat dhe interesat e butrotasve kundër përpjekjeve të Çezarit për vendosjen aty, të një kolonie romake.

Me pas, Butrinti i fortifikuar i kësaj periudhe, ka shërbyer vazhdimisht si strehë për kolonët dhe qytetarët që banonin në qytet. Gjatë periudhës së luftërave civile, Butrinti përmendet nga Çezari në veprën e tij, si një nga bazat kryesore të furnizimeve dhe pikë strategjike për zotërimin e kanalit të Korfuzit.

Kushtet e mira gjeografike dhe klimatike i dhanë një zhvillim të vrullshëm qytetit të Butrintit në shekujt e parë të e.s. Për herë të parë, Butrinti preu monedha bronzi në kohën e Augustit, ku në një prej tyre paraqitet perandori, e në faqen tjetër një ujësjellës.

Dëshmi e nivelit të zhvillimit të Butrintit janë edhe rrënojat e monumenteve antike dhe objekteve të ndryshme, të ruajtura nga ajo periudhë. Në fillim të shekullit të I-rë Pas Krishtit, u ndërtua ujësjellësi 3.5 kilometra i gjatë, që furnizonte qytetin me ujë nga burimet e fshatit Xarë, afër Butrintit.

Në këtë kohë, u rindërtua edhe skena e teatrit. Të shumta ishin ndërtimet publike e shoqërore, si banjat dhe tempulli i Asklepit, mbi rrënojat e një tempulli më të vjetër.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.

Në përbërjen e saj gjenden lloje të shumta drurësh me gjelbërim të përhershëm si, dafina, prralli, ilqe, fishekarthi, kullastra, mimoza, si dhe lloje gjetherënës. Drurët që arrijnë lartësi deri 12 metra, kanë një diametër 60-80 centimetra dhe arrijnë moshë maksimale 200 vjeçare.

Shpella e Butrintit ndodhet pranë rrugës automobilistike Sarandë-Butrint, rreth 3 kilometra larg nga qyteza e Ksamilit. Shpella, vlerësohet e veçantë për nga natyra dhe për pozicionin e saj, është e përmasave të mëdha. Ka një sipërfaqe 110 metra katrorë, ka hapësirë të gjerë me zgjerime nga hyrja e saj dhe është e ruajtur mirë, në gjendje natyrale. Sipas arkeologëve, shpella e Butrintit ka vlera të shumta shkencore.

Ujësjellësi i Butrintit ka një gjatësi prej 3.5 kilometra, lartësi të kanalit 6 metra dhe gjerësi 3.50 metra. Teknikisht është një ndërtim i arritur, ku gjatë trasesë së tij janë ndërtuar shumë vepra arti si, ura e kanale të përforcuara me mure mbajtëse, si dhe puseta dekantimi e kontrolli.

Në vitin 1992 gërmimet e ndërmarra në qendrën e qytetit antik të Butrintit, nxorën në dritë forumin romak të qytetit. Ndërtesa me tre dhoma ndodhet në pjesën jugore të Akropolit në perëndim të ndërtesës me Peristil dhe në lindje të dyqaneve romake. Mbishkrimi, i cili datohet në shekullin e Parë pas Krishtit, flet për një tempull kushtuar perëndeshës Minerva /konica.al/