Përplasja hyjnore

Përplasja hyjnore

146
0
SHPËRNDAJE

Ka shpërthyer një debat përçarës për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë. Kosova ka traditë për t’u përplasur për ndërtimin e objekteve fetare. Ngjashëm kishte ndodhur edhe me Katedralen, e edhe me kishën në Llapushnik.

Ndërtimi i xhamisë së madhe të stilit turk me çdo kusht; ndërtimi i saj, por objekti të jetë modern; ose, ‘asnjë lloj xhamie nuk i duhet Prishtinës”, janë vetëm disa nga qëndrimet për ndërtimin e xhamisë qendrore në lagjen Dardania, e rreth së cilës Gazeta Express, ka folur me disa nga ata që u përfshin në debatin e javës.

Një peticion i nënshkruar nga rreth 30 aktivistë të shoqërisë civile krijoi temën që do të shoqëronte fundjavën e kaluar. Ndërtimi i xhamisë së madhe në Dardani, pranë Post-Telekomit, modeli i saj dhe hapësira ku po ndërtohet solli opinione nga më të ndryshmet.

Bashkë me xhaminë, u përmend edhe emri i arkitektes Zaha Hadid, përkatësisht projektet e saj, të cilat po vlerësohen më të hijshme, më moderne, e më të përshtatshme me planin urbanistik, se sa modeli i përzgjedhur i Bashkësisë Islame.

Në letrën adresuar BIK’ut, e nënshkruar nga 30 veta, ndër të tjera, thuhet se “Objekti i përzgjedhur nga Bashkësia Islame e Kosovës ka stil arkitektonik tërësisht në kundërshtim me kontekstin dhe ambientin përreth të lagjes për shkak se është projekt me stil arkitektonit të shekullit XV dhe XVI, përderisa objektet përreth i takojnë stilit modernist utilitarian të arkitekturës.”

Pra, nënshkruesit e peticionit bëjnë të ditur nuk janë kundër ndërtimit të xhamisë, madje nuk po i pengon as lokacioni i përcaktuar. Problemi tyre është objekti i përzgjedhur nga BIK, i cili, sic thuhet në letër, nuk përputhet aspak me planin urbanistik të xhamisë.

Objekti, kopje e një xhamie në një shtet tjetër që është përzgjedhur, sipas atyre 30 personave, duhet të  anulohet, për t’i lënë hapësirë një përzgjedhjeje të re.

Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, ka shkruar se xhamia do të ndërtohet, duke iu drejtuar kundërshtarëve të tij, pa qartësuar as kohën kur do të ndërtohet e as nëse do të merret parasysh peticioni.

Socilogu Jusuf Thaçi i ka thënë Gazetës Express se polemikat e krijuara rreth objektit të famshëm të xhamisë, nuk mund të quhen as debat, pasi sipas tij, po bëhet luftë se kush është më i forti.

E ai shton se krejt çka është e ditur deri më tani është nevoja e komunitetit mysliman që të kenë një xhami ku përmbushin obligimet e tyre fetare.

Ndërsa pamja e xhamisë, për Thaçin, nuk është primare, aq sa është nevoja e myslimanëve të kryeqytetit qe ta kenë një xhami.

As gazetari Adriatik Kelmendi nuk la pa u përfshirë në debatin e Xhamisë. Me anë të postimeve të tij në Facebook, u pa se gazetarit do t’i pëlqente që Prishtina të kishte një objekt fetar, nga ato të stilit të arkitektes Zaha Hadid.

Sipas Kelmendit, praktikuesit e fesë islame që kanë nevojë për një xhami dhe ata që duan që Prishtina të duket bukur, duhet të takohen në një pikë të përbashkët e që është ndërtimi i një xhamie moderne që do të përmbushte nevojat dhe të krijonte një atraksion fetar e turistik me të cilën edhe do të mburreshin edhe pjesa tjetër e kryeqytetit.

Debat të ashpër kishte pasur edhe vite më parë për një objekt tjetër fetar. Është fjala për katedralen në qendër të Prishtinës, me lejen e Presidentit Ibrahim Rugova, që u konsiderua si objekt fetar me motive politike. Ngjashëm ndodhi edhe me kishën në Llapushnik.

Nuk ka si të mungonin reagimet dhe qëndrimet e Bashkësisë Islame për një temë të tillë. Dëshira për të pasur një xhami në kryeqytet i ka dhënë Myftiut Tërnava vetëbesim të bollshëm për të deklaruar ndërtimin e e xhamisë, nëse është nevoja, edhe pa leje, e përgjegjësinë për këtë ta merrte vetë ai.

Tërnava, që drejton institucion shtetëror në një intervistë për televizionin publik, nuk ka hezituar të deklarohej se xhamia do të ndërtohet edhe nëse kjo shkel ligjin.

Ai tha se xhamia në Dardani do të ndërtohet së shpejti – edhe pa leje të komunës, nëse kjo e fundit nuk i kthen përgjigje.

Por, a është ndërtimi i xhamisë aq i shenjtë sa që për të të shkelej ligji, siç paralajmëron myftiu?

Gazetari Kelmendi thotë se “në shtetin e Kosovës nuk duhet të ketë asnjë person, asnjë organizatë, asnjë institucion mbi ligjin. Nëse ligji vlen për një duhet të vlej për të gjithë, pavarësisht se kush është, pavarësisht se për çfarë bëhet fjalë”.

Në mesin e shumë qëndrimeve rreth këtij objekti fetar, pati edhe nga ata qe parimisht besojnë se kryeqyteti nuk ka nevojë për një xhami të madhe në mes të saj.

As projektet e Zaha Hadidit e as ato të xhamive tradicionale, një prej të cilës zgjodhi BIK’u, nuk janë të nevojshme për kryeqytetasit, sipas Bleron Baraliut, pjesëmarrës aktiv në debate shoqërore.

Ekonomisti Baraliu është nga ata që nuk fshehu irritimin që po i shkakton fakti që në vend edhe më tej fokus të madh kanë objektet fetare, duke u lënë nën hije arsimi dhe zhvillimi ekonomik.

“Përderisa pjesa përparimtare e botes po e rritë nxitimin drejt diturisë e shkencës, Kosova (bashkë me Arabi, Rusi, Turqi etj.) po vazhdon intensitetin drejt fanatizmit, naivitetit, e dështimeve rekord ne arsim, shëndetësi, e zhvillim ekonomik”, ka shkruar ai në Facebook.

E në qoftë se lejon komuna ndërtimin e Xhamisë dhe në qoftë se BIK ka dëshirë e nuk do të ishte i verbër, sipas Baraliut, do të duhej ta përzgjedhte projektin e arkitektes Hadid, Por kjo, siç thotë ai, nuk është e rëndësishme pasi që ‘paketimi nuk ndryshon substancën’, as në këtë rast. /Express/