Kështjella e Porto Palermos, ideale për një muze arkeologjik nënujor në Shqipëri

Kështjella e Porto Palermos, ideale për një muze arkeologjik nënujor në Shqipëri

113
0
SHPËRNDAJE

Arkeologu edhe studiuesi Neritan Ceka flet për ekzistencën e pasurive nënujore, që zotëron vendi ynë. Teksa tregon për ekzistencën e anijeve antike, ai ndalet edhe tek propozimi i studiuesve, që kështjella e Porto Palermos të kthehet në një muze arkeologjik nënujor.

Shqipëria është një nga vendet e fundit në Mesdhe, që nuk ka njohuri për pasuritë e mëdha nënujore që zotëron. Krijimi i një muzeu nënujor, ka qenë dëshirë e kahershme e arkeologëve. Aktualisht janë duke u zhvilluar dy ekspedita nënujore, një në Kepin e Rodonit dhe Liqenin e Ohrit, ndërsa tjetra shtrihet deri në ishullin e Sazanit. Arkeologu dhe studiuesi Neritan Ceka teksa flet për ekzistencën e 20 anijeve, si pasuri arkeologjike, që vazhdojnë të qëndrojnë nën ujë, për shkak të banditizmave. Ai ndalet edhe tek indiferenca e madhe, që kanë treguar qeveritë kundrejt kërkesës së arkeologëve, që Kështjellën e Porto Palermos ta kthenin në muze

Neritan Ceka, arkeolog: “Kemi dy ekspedita njëra është për njollose dhe zhvillohet në Kepin e Rodonit dhe në Liqenin e Ohrit. Ndërsa, tjera ka nisur identifikimin e relikteve nënujore, duke ardhur deri në ishullin e Sazanit. Janë zbuluar mbi 20 anije antike me pasuri arkeologjike, kryesisht amfora që tregojnë për lëvizjen e transportit, të cilat jemi të detyruar që t’i lëmë nën ujë, por edhe mos t’i bëjmë publike, sepse rrezikohen gjithmonë nga banditizmi, që ushtrohet”.

Ka një indiferencë të plotë qeverive, të atyre që kanë ikur, të atyre që janë edhe kam frikë të atyre që do vijnë. Është bërë një propozim për krijimin e një muzeut të arkeologjisë nënujore, në Porto Palermo një kështjellë, që mund të kthehet në një muze, që mund të tërheq mijëra turistë, por edhe ku mund që të instalojmë një laborator për përpunimin e materialit arkeologjik.

Një problem i madh, sipas arkeologut është edhe mungesa e laboratorit, që shërben për ruajtjen e materialeve që dalin nga kërkimet

Arkeologu Neritan Ceka: “Kemi një mini laborator të tillë, se kërkon një përpunim të tillë me ujë, për disa muaj, është në Durrës. Por një laborator na është propozuar që mund ta vendosim në Porto Palermo edhe nuk ka asnjë lloj përgjigje. Nuk ka asnjë dialog, që zhvillohet midis pushtetit. Këtu vendos gjithmonë kryeministri. Nuk është puna se vendos ministrja. Edhe kur ministrja që kaloi kishte në dorë diçka zhduku një nga laboratorët, e zëvendësoi më zyra, ishte një nga laboratorët e dhuruar nga fondacioni Roma, që kushtoi 100 mijë euro. Për të vendos tavolinat e nëpunësve, që po rriten si kërpudhat pas shiut, por kur s’ka laboratorë, të gjithë merren me tenderë, të gjithë duan tenderë. Edhe në rastin e arkeologjisë nënujore. Nëse u jep një tender më 1 mln euro janë gati ta bëjnë, nëse u thua që është gatis nga partnerët tanë nuk të dëgjon asnjë”.

Por cili është potenciali i arkeologjisë nënujore në vendin tonë?

Neritan Ceka: “Kemi një nga potencialet më të rëndësishme të Adriatikut. Bregu jonë ka qenë bregu i lëvizjeve në kohën antike. Një pjesë e mirë e anijeve kalonin nga Greqia, vinin deri në Otranto edhe pastaj kalonin. Kjo ishte rruga më e lehtë. Prandaj në këtë internerar kemi nj numër pafund anijesh, që vijnë deri në luftën e parë botërore. Por nëse ne bëjmë një muze të arkeologjisë nënujore, nuk do të kufizohemi vetëm tek amforat edhe materialet antike, por do ta çojmë edhe më përpara. Për të dhënë një pamje të zhvillimit të lundrimit në brigjet tona, në mënyrë retrospektive”.

Ndonëse kanë kaluar disa nga vite nga dorëzimi i projektit në Institutin e Monumenteve, që kalaja e Porto Palermos të kthehet në muze, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete

Ceka: “Projekti është gati i dorëzuar në IMK, nga Rais Petrela, i cili ka bërë një projekt shumë të mirë të arkeologjisë nënujore, shpresoj mos të kenë zhdukur. I është paraqitur qeverisë më parë, Berisha e miratoi në parim. Por qëllimi është se kujt do t’i jepet kështjella, se ka rreth 200 kërkesa për ta bërë bar, lokal, çdo gjë. Por në atë kohë pati një bonsens për ta bërë për arkeologjinë. Por pas ndryshimit të qeverisë mbeti në pritje. Ka vite që ia kam propozuar kryeministrit Rama, por deri tani nuk ka asnjë përgjigje”.

Kalaja e Porto Palermos është një monument i trashëgimisë kulturore e ndërtuar në një gadishull midis Himarës dhe Qeparoit.