Tribaldët e Pollogut ishin thjesht shqiptarë

Tribaldët e Pollogut ishin thjesht shqiptarë

970
0
SHPËRNDAJE

Një nga veprat e shënueshme që doli nga gjiri i inteligjencës shqiptare në mërgim është edhe ajo e Abaz Ermenjit për historinë e Skënderbeut.

Veprimtaria e ish-ballistit të përndjekur vazhdoi në Francë si ligjërues i historisë. Qysh me titullin domethënës ‘Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë’, Ermenji gjakonte të vendoste princin kastriot si ‘gur themeli në historinë e Shqipërisë’ rreth të cilit u ngjiz ideja e njësisë kombëtare, shkruan Konica.al.

Ndonëse trajtesa nuk shoqërohet me punë metikuloze të bibliografisë, autori ka një sens zhbirues që e bën studimin e tij mjaft serioz.

Duke qenë se në burimet e kohës së humanizimit krahina e Pollogut quhej me emrin antikizues Triballi, e rrjedhimisht familja sunduese quhej Tribalda, Ermenji e pranon të mirëqenë etimologjinë e hedhur qysh nga Hahni se emri i tribalëve ilirë përbëhej prej dy kompozitave shqipe: tri + ballë.

Nisur nga një deduksion i tillë, autori beson që ‘familja sundonjëse Tribalda ishte fjeshtë shqiptare’.

Në vazhdim të debatit polemizues që përftoi pandehma e publicistit Mustafa Nano mbi përkatësinë etnike të Vojsava Kastriotit, portali Konica.al sjell për lexuesit një shkëputje interesante nga libri i Ermenjit:

“Gjon Kastrioti ishte martuar me Voisavën, të bijën e sundimtarit të Pollogut, krahinë që shtrihej midis Tetovës dhe Shkupit. Megjithëse një pjesë e banorëve të Pollogut përbëhej prej Bullgarësh, familja sundonjëse Tribalda (ose “Triballorum princeps” siç e quante Barleti, emër që vjen nga dy fjalët shqipe : Tri-ballë) ishte fjeshtë shqiptare dhe i vazhdonte martesat me dyer shqiptare.

Sipas Gjin Muzakës, Voisava lidhej nga e ëma me familjen e Muzakajvet. Prej kësaj martese Gjon Kastrioti pati pesë vajza dhe katër djem: Stanishin, Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin. Ky m’i vogli u bë Skënderbeu i famshëm.

Duket se Stanishi i qe dhënë peng Sulltanit disa herë, dhe ish martuar me një zonjë turke nga e cila pati një djalë, Hamzë Kastriotin që e nisi aq mirë dhe e sosi aq keq historinë e tij. Katër nga vajzat i martoi Gjon Kastrioti në familje të mëdha, duke zgjeruar rrethin e lidhjevet miqësore.

Më të voglën, Mamicën, e martoi Skënderbeu me Muzakë Thopinë, pasi e çliroi principatën prej Turqvet”.

(Abas Ermenji, Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë, Çabej, 1996, f.26) – konica.al