Ramush Haradinaj edhe njëherë kundër Hashim Thaçit: Njohja nga Serbia nuk vjen...

Ramush Haradinaj edhe njëherë kundër Hashim Thaçit: Njohja nga Serbia nuk vjen duke i falë territor, por në këtë formë

1894
0
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se prej se e ka marrë këtë pozitë, i ka parë se cilat punë i ka Kosova që mund të kryhen në mënyrë që të forcohet Kosova.

Haradinaj, gjatë një fjalimi para qytetarëve të Suharekës, ka thënë se ndërkombëtarët i kanë thënë se duhet pyetur Serbinë për ushtrinë e Kosovës. Mirëpo, sipas tij, Kosova s’mund ta pyes Serbinë për ushtrinë e saj pasi që Serbia kur po blen armatim nga Rusia, nuk po e pyet Kosovën.

“Kur e mora postin e kryeministrit, më thanë, për disa punë duhet t’i kryeja, ‘duhet të shkosh në Bruksel të flasësh me Evropën e Serbinë për disa punë të vendit tënd’. Për ushtrinë tonë, e cila është nisur nga Blerimi (Kuçi), Balia (Muharremi), e Blerimi duhet të shkojë edhe njëherë të tregojë se kemi pasur të drejtë… Ne, për ushtrinë tonë kaq të vogël, po u dashka të shkojmë ta pyesim Serbinë, kurse Serbia, kur po shkon të blejë armë në Moskë, neve s’po na pyet. I kam pyetur njëherë disa të huaj, të cilët po më thoshin të mos ngutesha e duhet të merreni vesh, u thash, ‘a është normale, ne populli viktimë, që na ka mbyt ajo ushtri, s’po kemi të drejtë t’i japim të drejtën vetes vetëm të mbrohemi’. U thash se ‘ushtria që na ka mbytur ne, i ka të gjitha që i ka pasur, dhe po blen edhe më shumë armë, është e njëjta ushtri që na ka mbyt dhe s’po na pyet gjë’. U thash, ‘juve ju ka humbur rruga në oborr, bashkësisë ndërkombëtare’, sepse, u thash, ‘ju jeni detyruar në atë kohë të ndërhyni të ndalni atë ushtri, e ju po vini sërish po i thoni viktimës, të dobëtit, mos e bëj ushtrinë. Ju është dashur të shkoni t’u thoni atyre, hiqeni ushtrinë sepse e keni keqpërdorur dikur’. Kështu kanë shkuar punët”, ka thënë Haradinaj para qytetarëve të Suharekës, raporton Koha.net.

Ai theksoi se pas këtyre fjalëve të përsëritura disa herë, ndërkombëtarët i kanë thënë se “në rregull është, ecni përpara”.

Kreu i ekzekutivit kosovar foli edhe për qasjen e Serbisë ndaj Kosovës, siç është politika e çnjohjeve ndaj pavarësisë së Kosovës.

“Na bllokoi në Interpol, tentoi të na destabilizojë edhe brenda. I ka lejuar 3 mijë rusë të shëtisin nëpër Serbi si në shtëpi të vet. E kur ne u detyruam të mbrohemi, të vendosim taksën e famshme, ata shkuan u ankuan në mbarë botën, duke thënë se ‘shihni çfarë po na bën Kosova’. Ata janë të mirë për të vajtuar, s’ka më të mirë. Kanë shkuar nëpër botë duke thënë se Kosova po e lë popullin serb pa bukë, kanë shkuar tek miqtë tanë. E kur këta miq vinin tek ne, u dashke t’u tregojmë se nuk është ashtu. Ka 20 vjet që Serbia ka vënë tarifa ndaj mallrave tona. Qe 20 vjet shet mallra tek ne, e me ato para blen armatim në Rusi, dhe s’po na njeh. Ka ardhur koha të merremi vesh si na ka hije. Edhe ne jemi njerëz, jemi në tokën tonë. E kur ua kemi sqaruar se si është puna, kanë filluar të ndryshojnë ngapak, kanë filluar ta shohin si është puna”, tha Haradinaj, duke iu referuar për këtë të fundit miqve ndërkombëtarë.

Tregtia mes Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë kur kjo e fundit të njohë pavarësinë tonë, tha Haradinaj.

Ai theksoi se “miqve ndërkombëtarë ua kemi treguar si është puna, dhe u kemi thënë mos keni frikë”.

“1 milion njerëz jemi detyruar ta lëshojmë Kosovën. Edhe ata që kanë qenë brenda s’e kanë bërë gjumin gjumë. Kanë jetuar me drojë. 2 milionë njerëz kemi qenë në atë zor. Janë shkatërruar shtëpi, familje, janë dhunuar gra. E tash po kërkojnë të japim edhe diçka për njohje. Kur po flasin miqtë tanë, e po thonë ‘çka jepni ju për njohje’, më besoni, është sikur të më bie diçka e madhe në kokë. Për të drejtën tonë që të jetojmë në vend tonin, s’kemi çka të japim më. Kemi dhënë më shumë se gjithkush. Madje edhe jemi zvogëluar. Nuk mund të japim, mundemi të pajtohemi të ecim përpara, jo të harrojmë. Njohja duhet të vijë si kërkimfalje, por jo duke dhënë tokë, duke i hapur kufijtë tanë, duke bërë eksperimente”, deklaroi Haradinaj.