Aleksandër Rankoviq, i dekoruar nga Enver Hoxha për maskakrat ndaj shqiptarëve në...

Aleksandër Rankoviq, i dekoruar nga Enver Hoxha për maskakrat ndaj shqiptarëve në Kosovë

8176
0
SHPËRNDAJE
Në fotografi: të dekoruarit nga satrapi Enver Hoxha, Josip Broz Tito dhe Aleksandar Rankoviq.

Në vitin 1946 gjatë vizitës zyrtare në Beograd, Enver Hoxha dhe delegacioni i Partisë Komuniste të Shqipërisë dekoruan me Urdhërin Ylli Partizan i Klasit të Parë, kryevrastarin e shqiptarëve, Aleksandër Rankoviq, për meritat e tij të jashtëzakonshme në thyerjen e kryengritjes së Kosovës. Përgjatë viteve 1944 – 1946, forcat e bashkuara komuniste serbo-shqiptare, vranë e maskaruan rreth 70 000 shqiptar. Në trojet e ripushtuara nga Jugosllavia komuniste, për fatin e shqiptarëve këtej e tutje kujdesej OZNA, organizatë e themeluar nga shoku besnik i Enver dhe Fadil Hoxhës, Aleksandër Rankoviq.

Inkuadrimi i shqiptarëve në Bashkësinë Europiane nënkupton domosdoshmërisht edhe nxjerrjen e një rezolute parlamentare me anë të së cilës dënohen krimet dhe gjenocidi komunist, përfshirë në këtë rezolutë edhe dëmshpërblimin për të gjithë ata që përjetuan kalvarin e diktaturës komuniste. Duke parë rrezikun e humbjes së pushtetit faktik mbi viktimat e dikurshme dhe trashëgimtarët e tyre, pasardhësit e pushtetarëve të regjimit komunist po e mbajnë qëllimisht peng inkuadrimin e shqiptarëve në strukturat euroatlantike. Për të realizuar planin e tyre ogurzi të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht, pasardhësit e komunistëve kanë vënë në përdorim të gjithë arsenalin mediatik që aktualisht e posedojnë. RTSH dhe RTK janë bërë vegla të regjimeve. Zërat opozitarë nuk gjejnë hapësirën e duhur dhe jo rrallë ngulfaten qëllimisht. Këto mediume që financohen nga taksat e qytetarëve shqiptarë, nuk e përkujtuan dot as me një fjalë të vetme përvjetorin e Masakrës së Tivarit! Kjo politikë e mediumeve shtetërore na bënë të dyshojmë se në një të ardhme të afërt, sundimtarët komunist shqiptarëve do ua ndalojnë edhe përkujtimin e sakrificës së familjes Jashari në Prekaz, se lere më përkujtimin e veprimtarisë politike të personaliteteve të veçanta të periudhës historike 1990 – 1999! Realisht, kjo gjë duket të jetë e pamundur në momentin aktual, megjithatë, nëse i referohemi të kaluarës sonë e cila na mëson se ne “dijmë” të harrojmë shumë shpejt, atëherë nuk duhet përjashtuar edhe rivlerësimin e të ardhmes harrestare për ngjarjet e të kaluarës sonë të afërt.

Për t’a pamundësuar deri në një masë të pranueshme ripërsëritjen e historisë, nuk mjafton vetëm të përkujtojmë njërën nga metodat propagandistike me të cilën komunistët e arsyetojnë tradhtinë e madhe historike ndaj kombit shqiptar! Ne të gjithë së bashku jemi dëshmitarë të kohës sonë dhe dëgjojmë e lexojmë për çdo ditë se si komunistët në prononcimet publike deklarojnë dhe mburren me baballarët e tyre që kinse u rreshtuan në krah të fituesve gjatë Luftës së Dytë Botërore! Se ky pohim i tyre nuk përkon fare me realitetin shkencor, kjo për ta nuk luan ndonjë rol me rëndësi të veçantë. Ata vazhdojnë të besojnë se ky pohim i tyre i ripërsëritur me mijëra herë, tashmë është bërë “shkencë” ose ka gjasa të mëdha të bëhet argument shkencor i pathyeshëm. Prandaj, për të rrënuar kullën e gënjeshtrave të historisë së imponuar komuniste, shqiptarëve të orientuar kombëtarisht nuk ju mjafton dëshmia se komunistët nuk u rreshtuan në krah të forcave demokratike si SHBA, Angli, Francë etj. Komunistëve duhet rikujtuar kudo, se ishin baballarët e tyre ata që u rreshtuan në krah të pushtuesve më të ndyrë të tokave etnike shqiptare, në krah të Rusisë dhe Serbisë, në krah të atyre që historikisht masakruan dhe ushtruan gjenocid të paparë ndaj shqiptarëve. Për të rrënuar kullën e gënjeshtrave komuniste të Enver dhe Fadil Hoxhës, shqiptarët kanë nevojë të punojnë shumë dhe të ndriçojnë pa asnjë hezitim çdo detal të historisë së popullit tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Historia e kombit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore kërkon një rivlerësim thellësisht shkencor dhe kjo punë voluminoze nuk mund t’i lihet në dorë pasuesve politik të sllavo-komunistëve, siç janë p.sh.: Pëllumb Xhufi e Paskal Milo. Kombi shqiptar nuk mund të pranojë që historinë e kombit tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore ta shkruajnë ata që i zbatuan urdhërat e komandës jugosllave dhe shkatërruan tërësisht institucionet e shtetit shqiptar të kohës!

Ftojmë opinionin publik, intelektualët, historianët dhe të gjithë shqiptarët vullnetmirë që të bashkojnë zërin e protestës qytetare me Ballin Kombëtar Demokrat, kundër mynxyrës dhe njollës së zezë me të cilën komunistët e Enver dhe Fadil Hoxhës stolisën muralet e gjakpirësve të kombit shqiptar.

 

SHPËRNDAJE
Postimi i kaluarLetërsi Kombëtare: NJË VEND ËSHTË DIKU
Postimi i ardhshëmIsa Boletini