Kuq e zi “vishet” në të dy anët Rruga e Kombit –...

Kuq e zi “vishet” në të dy anët Rruga e Kombit – “Dr.Ibrahim Rugova” në pritje të Batalionit Atlantiku në 20 – Vjetorin e Çlirimit! VIDEO

115
0
SHPËRNDAJE

Nga Beqir Sina

Me rastin e një ceremonie zyrtare në Bashkinë më të madhe në vend Bashkinë e Nju Jorkut, të organizuar nga Speaker Johnson, dhe këshilltari shqiptar Mark Gjonaj dhe këshilltarë të tjerë që përfaqësonin të gjitha pjesët e New Yorkut, u nderuan 6-të personalitete të komunitetit shqiptar ku në mesin e tyre ishte dhe Komandanti i Batalionit Atlantiku Gani Shehu – Kryetar i Shoqatës Atlantiku në Nju Jork.

Gani Shehu siç dihet ishte Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998 në Junik, ku pas një plagosje të rëndë në këmbë u transferua në Amerikë, nga një organizatë humanitare amerikane. Për t’u kthyer prap si Komandant me Batalionin e Atlantikut në vitin 1999 me rreth 3000 djem të rinjë të gjithë nga Amerika, deri në përfundimin e luftës së Kosovës.

Sot ai drejton Shoqatën Atlantiku një shoqatë kjo që u krijua pas çlirimit dhe pavarësisë Kosovës, pikërisht me bijtë e bijat luftëtar dhe ish veprimtar të lëvizjes për çlirimin e Kosovës në Amerikë, dhe ka mbas vetes dhjetëra anëtar aktivë, të cilët këto ditë po kremtojnë 20 vjetorin e hyrjes së tyre në Kosovë me uniformat ushtarake të Ushtrisë Çlirimtar të Kosovës emblemën e UÇK-ës.

Shoqata “Atlantiku” e njohur për lidhjet e saj në komunitet dhe veprimtarinë e saj aktive u krijua 19 vjet më parë si vazhdimësi e Batalionit “Atlantiku”, me të vetmin qëllim për të vazhduar kontributin në çështjen kombëtare, por tani në kushte të tjera , pa uniforma por nëse e lyp nevoja edhe ato ata i kanë gati dhe i veshin përsëri.

Por, tash e 5 vite Shoqata “Atlantiku” e cila është bërë pjesë e Bashkimit të të një grupi të madh të Organizatave e Shoqatave nga vendlindja në zonën e Tri-Shteshit, pra rreth 20 organizata e shoqata që veprojnë në unitet në shumë aktivitete këtu në SHBA, dhe vend-origjinën e tyre, me në krye të Këshilltarit shqiptar të Bashkisë së New Yorkut, ish Asamblesitin Mark Gjonaj, i kanë mobilizuar të gjitha forcat në një vizion për komunitetin shqiptarë, në atë se të bashkuar jemi më të fuqishëm për t’i shërbyer vendlindjes e Atdheut tonë.

Ndërkohë, që këto ditë kanë nisur manifestimet “Rrugëtimi i Lirisë” dedikuar të 20 vjetorit të formimit të Batalionit “Atlantiku’, dhe nisjes së tyre nga SHBA për në luftën për çlirimin e Kosovës, hyrjes së tyre me uniformat e UCK-ës, pjesë e së cilës u bënë këta bij e bija luftëtar sot protagonistët e këtij formacioni ushtarak, Batalioni ‘Atlantikut’, kanë mbërritur në Shqipëri së pari dhe më pas në Kosovë për shënimin e kësaj dite shumë të rëndësishme për ta dhe gjithë kombin shqiptar.

Dy dekada të Batalionit “Atlantiku” – “Rrugëtimi i Lirisë”

Për shënimin e kësaj dite, Gani Shehu, komandant i Batalionit “Atlantiku”, dhe tani kryetar i Shoqatës Atlantiku, ka deklaruar, se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë disa muaj që ishin duke punuar që 20 vjetori të kujtohet në mënyrë sa më të mirë, të dinjitetshme dhe të kujtojnë sakrificat e luftës për liri.

Rreth organizimit, ai ka theksuar se janë në koordinim edhe me institucionet e dy shteteve shqiptare, ku kanë pasur takime me presidentin shqiptar Ilir Meta, me kryeministrin Edi Rama, dhe veçanërisht takimet edhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi , kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e parlamentit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli, nga të cilët, ka marrë përkrahje dhe mbështetje në organizimin e këtij eventi.

Po ashtu edhe autoritet shqiptare e të Kosovës që janë të angazhuara me diasporën – dy përfaqësitë tona diplomatike në Uashington dhe Nju Jork, kanë dhënë mbështetjen e tyre institucionale që Rrugëtimi i Lirisë, i ish luftëtarëve të “Atlantikut”, në Shqipëri, fillimisht, dhe pastaj në Kosovë të kaloj sa më mirë, dhe ashtu si e meritojnë.

Këtij manifesti të madh i ka paraprirë dhe realizmi i një filmi dokumentar të RTK me producent Ridvan Berishën për “Atlantikun” i cili do të shfaqet javën e ardhshme në Kosovë dhe një këngë e këngëtarit të mirënjohur i këngës të mirëfilltë patriotike shqipe Ilir Shaqiri, i cili me një realizmi të këtij video clipi në Nju Jork, është rikthyer me një këngë të re, të cilën e solli në bashkëpunim me Arben Krasniqin artistin nga Kosova në Nju Jork.

Kënga është e titulluar “Batalioni Atlantiku”, i kushtohet të rinjve shqiptaro-amerikan, të cilët në fillim prillin e vitit 1998, lanë gjithçka çfarë kishin, familjen, shtëpitë, punën në SHBA dhe erdhën në Kosovë për t’iu bashkuar luftës çlirimtarë të popullit të Kosovës.

“KUQ e ZI” “vishet” në të dy anët “Rruga e Kombit” – “Dr.Ibrahim Rugova” në pritje të Batalionit Atlantiku në 20 – Vjetorin e Çlirimit!

Bazuar në gjendjen e krijuar në Kosovë, si pasojë e luftës së armatosur në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese serbe, lindi nevoja që edhe mërgata shqiptare në SHBA përveç ndihmës së vazhdueshme financiare, dhe lobimit të gjatë të saj të mobilizoj edhe vullnetarët bijtë e bijat e saj nga Amerika, që drejtpërdrejtë të inkuadrohen edhe në frontet e luftës.

Kjo ndodhi pikërisht mbas Marsit të vitit 1999, daljen në fushën betejën e luftës të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës UCK-ës, dhe krijimin e formacionit ushtarak të organizuar në zonën e “Tri-Shteshit”- New York, të quajtur “Batalioni Atlantiku”, i përberë nga vullnetar të të gjitha Trojeve etnike Shqiptare.

Organizimi dhe mobilizimi është bërë nga veprimtarë të shumtë të diasporës ne SHBA, dhe një rol e kontribut të madh dha Fondacioni Vendlindja Thërret. është për të cekur se i tërë ky aktivitet ka ndodhur i papenguar nga shteti Amerikan, që në atë kohë ishte i vendosur plotësisht në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të saj në luftën e tyre për Liri dhe Pavarësi.

Gjatë ceremonisë solemne dhe tejet madhështore me rastin e betimit si ushtarë të UÇK së, në qytetin Yankers të New Yorkut në oborrin e Hotelit “Royal Regency”, ishin tubuar mijëra shqiptarë në mesin e tyre familjarë të ushtarëve tani me të mobilizuar dhe me uniformë ushtarake.

Kjo ceremoni pati jehonë të madhe dhe u transmetua nga mediat më të fuqishme amerikane, si ato elektronike edhe ato te shkruara.

Rrugëtimi ishte me aeroplan special, i dedikuar vetëm për pjesëtarët e Batalionit ‘Atlantiku’, filloi nga aeroporti “Newark” i New Jersey me ndalesa në Toronto të Kanadasë, Belfast të Irlandës, Romë të Italisë për të mbërritur në aeroportin Rinas në Tiranë.

Pika e parë e vendosjes ishte Golemi i Durrësit, ku qëndruan për 5 ditë në përgatitjen teorike dhe fizike nga eprorët e Batalionit të ardhur nga Amerika, si dhe eprorë të ushtrisë Shqiptare. Një Skuadër e Batalionit ushtrimet i bëri në Dajt.

U vazhdua në mënyrë të organizuar me mjete të motorizuara rrugëtimin për në Burrel, që ishte qendër e mobilizimit dhe stërvitjes për ushtarët vullnetarë në radhët e UÇK-së.

Në këtë qendër që kishte rreth 3600 vullnetarë është punuar në mënyre intensive në përgatitjen luftarake, janë stërvitur nga njësia elite e akademisë së mbrojtjes në Tiranë e përbërë nga 50 oficerë të ushtrisë Shqiptare.

Destinacioni i fundit ishte Fronti i luftës me pjesëmarrjen fizike në kuadër të Operacionit “Shigjeta” në frontet e Pashtrikut dhe të Koshares, deri në përfundimin e luftës.

Pjesëmarrja e Batalionit “Atlantiku”, në luftën për Liri kishte edhe pasojat e veta, ky Batalion lirisë së Kosovës i dha tre “Dëshmorë” vëllezërit Agron,Mehmet dhe Ylli Bytyqi, dy Invalid te luftës dhe 14 të plagosur.

E veçanta e Batalionit Atlantiku ishte se në radhët e veta kishte ushtarë nga të gjitha trojet Shqiptare , kishte ushtarë të lindur dhe të rritur në SHBA, dhe po ashtu këtij Batalioni ju bashkëngjitën edhe vullnetar të huaj si anglez, izraelite, kanadez, gjerman, finlandez dhe francez, shkruanjti dje në llogarinë e saj në Facebook “JamShqiptar”.

Gani Shehu: Gjykata Speciale për Kosovën “E padrejtë dhe qëllimkeqe!”

Intervistë me komandantin i Batalionit Atlantiku, z. Gani Shehu, kryetar i Shoqatës Atlantiku, vitin e kaluar me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Ish komandanti i UÇK-së në Junik dhe më vonë komandant i batalionit Atlantiku z. Gani Shehu, aktualisht kryetar i Shoqatës së Atlantiku, me ish luftëtarët e lirisë së Kosovës, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës nga New Yorku foli për gazetën Bota sot, me gazetarin Beqir Sina, në SHBA, interviste te cilën po e risjellin ne ribotim me rastin e 20 vjetorit te Batalionit Atlantikut.

Gani Shehu: Gjykata Speciale, të ndalet gjuetia e shtrigave ndaj ish-luftëtarëve të lirisë

Si e po pret 10 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë Batalioni Atlantiku?

10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës ne ish ushtarët e Batalionit “Atlantiku “ po e presim me gëzim të madh si çdo përvjetor tjetër, për kontributin e dhënë gjatë luftës . Po ashtu jemi pjesëmarrës edhe të organizimeve në kuadër të komunitetit shqiptar këtu në New York.

A është Kosova, aty ku ju do të dëshironit, sot pas 19 vjet çlirim dhe 10 vjet pavarësi?

Kosova si shtet i ri ka bërë progres të madh në shumë fusha por duhet bërë me tepër në fushën ekonomike , që nënkupton hapjen e vendeve të punës dhe krijimin e perspektivës për të rinjtë dhe atë të sundimit të rendit dhe ligjit, e që nënkupton luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

A mendoni se janë vlerësuar dhe parë drejt të gjitha vlerat e luftës së UÇK-së, si vlera të të gjithë shqiptarëve, sidomos nga institucionet e Kosovës?

Mendoj se vlerat e luftës së UÇK-së as nuk janë parë drejtë dhe as nuk janë vlerësuar sa duhet . Mos të harrojmë se vlerat e luftës për liri janë vlera të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve dhe si të tilla duhet ti mbrojmë dhe ruajmë me fanatizëm. Institucionet e Kosovës do të duhej të nxjerrin ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së lavdishme të UÇK-së.

Si ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe më vonë komandant i Batalionit Atlantiku – i cila tani mban emrin Shoqatës “Atlantiku” në SHBA, cili është kontributi juaj dhe bashkëluftëtarëve tuaj në ecjen përpara të Kosovës sot?

Edhe unë personalisht por edhe bashkëluftëtarët e mi vazhdojmë të punojmë me sa kemi mundësi në kuadër të komunitetit shqiptar këtu në New York, në avancimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës.

Lidhur me marrjen për statusin e veteranit të luftës së UÇK-së, në diasporë, cili është mendimi juaj?

Dihet botërisht se cilët janë ushtarët që në mënyrë të organizuar dhe direket, shkuan dhe Ju bashkuan luftës për liri. Në po ashtu në mënyrë të organizuar kemi dorëzuar aplikacionet me listën e të gjithë ushtarëve që shkuan në frontin e luftës. Mendoj se edhe nga këtu por jashtë Atlantikut janë bërë keqpërdorime sa i përket marrjes së statusit të veteranit të luftës dhe besoj që të gjithë keqpërdoruesit një ditë herët a vonë do të përballen me drejtësinë, për mashtrime me këtë status të lavdishëm.

Si e shikoni ju këtë zhvillim më të fundit në Kuvendin e Kosovës mbi krijimin e Gjykatës Speciale dhe Demarkacionin ? A pajtoheni edhe ju me këtë mendim se: ”Me krijimin e Gjykatës Speciale, nuk do të njolloset UÇK-ja”?

Krijimi i Gjykatës speciale është një padrejtësi e madhe që i është bërë Kosovës dhe besoj se do të jetë edhe akuza të padrejta ndaj atyre që do të përballen me këtë gjykatë . E them këtë sepse dihet se “dëshmitë” kjo gjykatë i ka kryesisht nga Beogradi dhe disa shqiptar që janë në shërbim të politikës serbe .

Unë nuk pajtohem me mendimin se krijimi i Gjykatës speciale nuk do të njollosë luftën e drejtë të UÇK-së , mendoj se kjo gjykatë është politike dhe se do të mundohet të kriminalizojë luftën e UÇK-së.

Nga vendet e luftës në ish- Jogosllavi, askush si Kosova nuk ka bashkëpunuar dhe përgjigjur drejtësisë ndërkombëtarë dhe Gjykatës së Hagës , dhe tani 19 vite mbas lufte të krijohet kjo gjykate vetëm për shqiptarët ?

E padrejtë dhe qëllimkeqe.

Pse qeveritë e ardhura pas luftës dhe kjo aktuale ende nuk kanë përdorur ndonjë mjet juridik, për ta fajësuar Serbinë për krimet e kryera në Kosovë?

Ju vetë a jeni në gjendje dhe gatshëm për ta paditur Serbinë për krimet kundër njerëzimit?

Mendoj se Kosova ka dëshmi të bollshme dhe edhe mjete juridike për të paditur Serbinë, për krime kundër njerëzimit,, por mendoj se arsyeja pse nuk është ngritur padia është edhe neglizhenca e institucioneve të Kosovës e edhe pengimi nga ndërkombëtarët që në emër të “stabilizimit “ të raporteve në mes dy vendeve padia eventuale do ta hidhëronte Serbinë.

Para disa ditësh ju u takuat me dy ministrat e diasporës së dy shteteve tona, dhe keni kërkuar një obelisk të UÇK-së në Tiranë, pse dhe si u pritë nga zoti Majko kërkesa juaj?

Po ne u takuam para disa ditësh me dy ministrat e diasporës se dy shteteve tona .Kishim një bisedë të ngrohtë dhe miqësore dhe kërkesa për një obelisk të UÇK-se në Tiranë, do ti bënte nder edhe Shqipërisë dhe do të ishte një mirënjohje edhe për ata që lanë familjet , bizneset dhe ëndrrën Amerikane, dhe shkuan për ti dalë zot atdheut. Kërkesa jonë për një obelisk në Tiran, u prit shumë mirë nga ministri Majko. Gjithashtu bashkëluftëtarët bashkë me ministrat Majko dhe Gashi , ambasadoren Teuta Sahatqija, konsullin Ylber Kryeziu, si dhe prindërit e tre vëllezërve dëshmore Bytyqi, Agron, Memhet dhe Ylli, ishim për homazhe te varrezat e tre vëllezërve.

A mendoni se diaspora duhet të bëj edhe më shumë për vendlindjen ose vend origjinën e tyre ? tani që Kosova, është e lirë dhe e pavarur, çështja shqiptare është më e avancuar!

Kombi ynë ka gjithmonë nevojë për bijtë dhe bijat e vet dhe shtetet shqiptare janë me fat që kanë një diasporë shumë të fuqishme në SHBA që nuk ndalet asnjëherë duke punuar në avancimin, konsolidimin dhe zhvillimin e kombit tonë në të gjitha trojet shqiptare.

Së fundi një mesazh i juaj në këtë 10 Vjetor të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës?

Të gjithë shqiptarëve, në këtë ditë madhe gjej rastin me anë të kësaj interviste t’ua uroj 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me shpresën se do të bashkohemi për të mirën e përgjithshme – dhe Bashkimin tonë tonë Kombëtar!!