‘Fosilet’ e Aleksandërit në muzeun e Rugovës (Video)

‘Fosilet’ e Aleksandërit në muzeun e Rugovës (Video)

748
0
SHPËRNDAJE

Eksponatet, të cilat shfaqin një trashëgimi të pasur që nga lashtësia në territorin shqiptar, të padeshifruara ende në gjuhën e arkeologëve, gjenden në muzeun në Drelaj të Rugovës, pronari i të cilit pretendon se nuk i kanë as muzetë në rajon.

Në këtë muze gjendet një gotë që mendohet se i takon periudhës së Lekës së Madh e për të cilën grekët kanë ofruar para të majme, por pronari shqiptar nuk e shiti

Eksponate, të cilat do të donin t’i kishin Muzeu i Kosovës, ai i Athinës, i Shqipërisë… janë ekspozuar në një muze në fshatin Drelaj, të Rugovës.

Ky muze, që pakkush ka dëgjuar për të, ndodhet në një lartësi mbidetare mbi një mijë metra dhe ka një hapësirë prej 300 metrash katrorë.

I hapur me vetëfinancim nga një prej banorëve rugovas, Besnik Lajqi, i cili ka koleksionuar me qindra eksponate të gjetura tek koleksionistët jashtë Kosovës, të cilat u blenë nga të huajt për vite të tëra në territorin shqiptar të gjetura nga vendasit nën rrënojat e lashta, madje diku duke i marrë pa pyetur askënd e as banorët e Kosovës.

Në këtë muze janë të ruajtura, si pretendon Lajqi, me dhjetëra e qindra eksponate që i takojnë periudhës ilire, romake, krishtere, bizantine dhe osmane.

Lajqi përderisa rrëfen për secilin eksponat që i ka takuar kësaj periudhe thotë se bazohet dhe në vlerësimet e vizitorëve nga vendet e huaja në mesin e tyre edhe arkeologë.

Muzeu është falas për vizitorët. Eksponatet shfaqin një trashëgimi të pasur që nga lashtësia në territorin shqiptar, të padeshifruara ende në gjuhën e arkeologëve.

E që nuk kanë zgjuar as interesimin e Ministrisë së Kulturës, që Lajqi thotë se e ka lajmëruar me kohë, por që zyrtarë të saj nuk kanë ardhur asnjëherë këtu dhe as që kanë dërguar dikë të vërtetojë lashtësinë e këtyre eksponateve.

Gota e kohës së Aleksandërit të Madh, në Rugovë 

Në këtë muze mbi një komodinë druri të gdhendur gjendet një gotë, që Lajqi thotë se pretendohet se i takon periudhës së Aleksandërit – Lekës së Madh, e për të cilën grekët erdhën në Rugovë, qëndruan tri ditë për ta bindur që t’ua shiste atyre.

Por, Lajqi thotë se pavarësisht çmimit të ofruar ai nuk e dorëzoi gotën, e cila, sipas tij, është e punuar nga floriri dhe një material tjetër.

“Aleksandri ishte ilir, prandaj edhe ne duhet t’i kemi këto eksponate”, thotë ai teksa tregon se në këtë gotë janë gdhendur kafshë të ndryshme, duke përfshirë demin dhe të tjera kafshë, që u takojnë vendeve, të cilat i ka pushtuar Aleksandëri.

“Këtë gotë e kam blerë nga një koleksionist i vjetër që e ka pasur shumë vite tek shtëpia e tij në koleksionin e tij dhe pretendohet se është që nga koha e Aleksandërit dhe e ka një etiketë prej plumbi”, thotë ai.

Lajqi thotë se për këtë eksponat i ka njoftuar institucionet, por nuk ka pasur interesim nga to që të vijnë dhe t’i vlerësojnë.

Ai tregon se ka mbledhur edhe eksponate nëpër gjithë trevën e Rugovës, e cila njihet si pikë turistike, por edhe që ruan një trashëgimi të pasur kulturore.

Shpatat me doreza të kryqëzuara

Në këtë muze qëndron dhe një rreth prej një metali të rëndë që ka në brendi të gdhendur Jezusin e kryqëzuar dhe që, sipas Lajqit, është gjetur e ruajtur tek banorët e Rugovës prej qindra vjetësh.

Madje edhe një rrotë që përdorej në kishat e dikurshme të Rugovës e ndërtuar nga druri dhe e ruajtur po ashtu nga banorët vendas që llogaritet se janë ndër të fundit që pranuan fenë islame gjatë pushimit osman.

Lajqi shpjegon se kjo rrotë shfrytëzohej si mekanizëm për të goditur kambanën. Që nga koha krishtere në këtë muze ruhen edhe disa shpata që kanë të gdhendur kuaj që ecin, pastaj lule dhe gjethe.

Të tilla janë tri copa. “Shpatat janë origjinale dhe shumë të vjetra që tejkalojnë vitet 400-500-vjeçare. Ka përveç këtyre dhe shpata të kohës osmane”.

Pastaj armë të periudhave të ndryshme sipas zhvillimit të prodhimit të tyre sikurse janë dhe koburet e varura në këtë muze të gdhendur po ashtu.

Në këtë muze, ai thotë se  ka me qindra eksponate që i takojnë periudhës, siç thotë Lajqi, që e kanë vlerësuar vizitorët e huaj në mesin e tyre arkeologë të huaj, periudhës ilire, romake, krishtere, bizantine dhe osmane.

Një mburojë, ai thotë se i takon periudhës ilire, në një pjatë tjetër nga një metal i rëndë është gdhendur një kokë me përkrenare që ai tregon se është vlerësuar se e mbanin ushtarët ilirë.

Por, Lajqi thotë se ende nuk pati fatin të takojë një arkeolog kosovar që do t’i vlerësonte këto eksponate për Kosovën dhe jo për qëllim individual.

Gur me figurën e Yllit gjashtërremësh gjendet në Drelaj  

Në këtë muze ndodhet dhe guri që ka të gdhendur yllin gjashtëkëndësh që njihet ndryshe si Ylli i Davidit.

Për këtë gur shfaqën interesim për ta blerë shtetas francezë, por Lajqi që thotë se guri u gjet në oborrin e një shtëpie në Rugovë nuk e dha dhe nuk do ta japë çfarëdo çmimi që ofrohet nga të huajt.

“Është gur që është gjetur në fshatin Drelaj dhe në bazë të asaj që më është thënë nga një francez daton para 2 mijë vjetësh”. Ky gur ka dhe disa figura të vizatuara, një si formë trekëndëshi.

Ky gur, Lajqi thotë se, është i gjithë popullit dhe do t’ia dhuronte institucioneve me kusht që të mos keqpërdorej.

Në muze ruhet dhe një pjesë që vendoset në kokë të krevatit dhe që Lajqi thotë se është koleksionuar nga banorët e Hunzës që jeton në malet ndërmjet Afganistanit dhe Pakistanit, si dhe janë një popullsi e bardhë që historia e tyre lidhet me ushtarët e Aleksandërit që u strehuan në këto male dhe shihen si pasardhës të tyre.

“Këtë e ruaj mbi 20 vjet, ma ka sjellë një punëtor imi që është nga Afganistani dhe sipas bisedës së tij ai më tha: ‘keni fjalë shumë të ngjashme që flasin disa banorë në një territor tek ne, që janë sikur ju të bardhë dhe quhen hundakë’ dhe ai që ta vërtetonte këtë më tha se do të më sjellë diçka dhe ma solli këtë kokë krevati në të cilën është e gdhendur koka e Aleksandërit, si dhe ushtarëve të tjerë të tij”, thotë ai.

Kjo kokë krevati është e përpunuar nga një metal druri dhe peshon rëndë.

Eksponate të ruajtura me qindra vjet nga banorët brez pas brezi

Lajqi, i cili 35 vjet të jetës së tij i ka kaluar në Danimarkë ku ka udhëhequr një restorant pronë e tij, thotë se rreth 33 vjet të jetës së tij ia ka kushtuar edhe mbledhjes së eksponateve.

“Pothuajse në çdo fshat apo qytet që të rastisë të vizitosh nëpër Evropë has në një muze dhe kështu më lindi dhe dëshira që një të tillë ta bëja në vendlindjen time.

E nisa ndërtimin e muzeut me kursimet e mia disavjeçare dhe asnjë ndihmë s’e kam pasur nga institucionet”, thotë Lajqi, i cili rrugën malore deri tek muzeu prej 6-kilometrash thotë ta ketë hapur me mjetet e tij dhe për ta bërë të kalueshme për vizitorët që duan të shkojnë dhe ta vizitojnë këtë muze, ku ai pretendon se mban eksponate që nuk i kanë muzetë në rajon.

Lajqi thotë se vendi ku është ndërtuar muzeu quhet “Laknat e Kolës” një emër i njohur për këtë zonë. Muzeu i filluar së ndërtuari prej tri vjetësh ka ende punë që të përfundojë, por Lajqi thotë se do ta çojë deri në fund ëndrrën e tij dhe që Rugova, e cila përbëhet nga 13 fshatra të grumbullojë ende nga trashëgimia e saj e pasur.

Lajqi thotë se ka hulumtuar dhe nëpër Rugovë dhe është befasuar nga ajo që ka gjetur –eksponate të ruajtur me qindra vjet nga banorët brez pas brezi. “Pas luftës dhe këndej kam blerë gjëra të vjetra të ndryshme e të cilat ndodhen të ekspozuara këtu”, thotë ai.

Madje, Lajqi thotë se ka eksponate që nuk ka arritur ende t’i ekspozojë e të cilat pretendon se shteti nuk ka dëgjuar për to e arkeologë e historianë tanë as që i kanë parë ndonjëherë.

Muzeu, falas për vizitorët

Muzeu është i hapur për vizitorët. Lajqi thotë se asnjëherë nuk ka menduar të ketë përfitim personal, por të krijojë diçka që rikthen identitetin në vendin e vet.

“Gjatë kohës sa kisha restorantin në Danimarkë aty kur vinte klientela dhe flisja me ta më tregonin që kishin diçka nga identiteti ynë dhe unë e blija, doja ta kisha në koleksionin tim”, thotë Lajqi duke treguar se ka menduar gjithmonë se pushtuesit që erdhën në territorin shqiptar dhe sollën kultura të ndryshme duhet një ditë që kultura “jonë të kthehet në identitet që e kishim para pushtuesve”.

Ai ka një dëshirë që të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës. “Dëshira ime është të bashkëpunoj me Ministrinë e Kulturës, por ata s’janë të interesuar. Kam kontaktuar personalisht me ministrin, kam qenë në zyrë të tij (ministrit Kujtim Shala), por nuk kam marrë asnjë përgjigje”.

Lajqi thotë se kishte kërkuar nga ministri ta dërgojë një profesionist që ta vlerësoj saktë periudhën që i takojnë eksponatet dhe ato të rëndësisë tejet të madhe historike të jenë pronë e shtetit, por, sipas tij, sërish nuk ka marrë përgjigje për ekspertin që do të duhej t’i vinte.

“Këto këtu që janë ekspozuar janë vetëm disa, ka dhe të tjera që do të ekspozojmë. Kjo do të ndodhë në të ardhmen brenda një kohe të shkurtër dhe do t’i shihni këtu ato gjëra që s’i ka askush”, thotë ai.