Hylli, mbreti i parë i ilirëve dhe misteri i kafkës së kristaltë...

Hylli, mbreti i parë i ilirëve dhe misteri i kafkës së kristaltë (Pjesa 1)

432
0
SHPËRNDAJE

Shkruan: ALBERT HITOALIAJ

Në maj të vitit 2008, Harrison Ford e gjeti veten përsëri në xhirimet e një prej roleve më klasikë të aventurës, Indiana Jones. Drejtuesi i këtij filmi ishte i famshmi Steven Spielberg dhe në qendër të aksionit ishte beteja që zhvillohej për zotërimin e një kafke të kristaltë, e cila kishte fuqi të mbinatyrshme.Filmi, duke qenë se trajtonte edhe një prej çështjeve më misterioze reale ekzistuese, atë të kafkave të kristalta, për vitin që shkoi u rendit në vend të dytë në radhën e fitimeve që sjellin filmat e shfaqur në kinema.

Pavarësisht se ky është thjesht një film, ai të sjell ndërmend një prej historive më misterioze që vazhdon edhe sot të jetë në qendër të interpretimeve e studimeve të ndryshme.

Bëhet fjalë për kafkën misterioze, me madhësi sa ajo njerëzorja, që arkeologu anglez Albert Mitchell-Hedges, bashkë më të bijën Anën, e gjeti në vitin 1927 në xhunglat e Amerikës Qendrore e më saktësisht në Jukatan aty ku civilizimi Maja kishte lënë ndërtesat e tij.

Kafka ilire

Kushdo që e prekte atë kafkë provonte ndjesi të çuditshme. Pas vdekjes së të atit, Ana, aty nga fillimi i viteve ’60 e shtyrë nga mendimi se ajo kafkë kristali e gjetur mes rrënojave në xhungël, ishte tepër perfekte për të qenë e punuar nga fiset vendase pre-kolumbiane, vendos t’ia japë këtë kafkë shkencëtarëve me qëllim një hetim të hollësishëm të saj. I pari që u mor me këtë punë, ishte kritiku i artit Frenk Dordland.

Natyrisht që ai ishte edhe i pari që u mrekullua me atë kafkë. Frenku, pas një hetimi të hollësishëm, vuri re se kafka kishte një sistem të komplikuar kanalesh, prizmash e lentesh, të cilët krijonin efekte optike.

Por më e çuditshmja ishte se këto punime ishin në brendësi të kafkës. Sipërfaqja e saj ishte perfekte dhe e lëmuar e në të nuk gjendej asnjë shenjë punimi.

Po si ishin bërë kanalet, prizmat e si ishin gdhendur lentet në brendësi të saj? Frenku nuk e la hetimin e tij. Në vitin 1964, ai i drejtohet specialistëve të kompanisë Hewlett-Packard, të cilët ishin nga më të aftët në ndërtimin e qarqeve elektronike.

Ai nuk ishte i vetmi shkencëtar që ngeli pa fjalë kur hetoi kafkën. E njëjta gjë ndodhi edhe me shkencëtarët e Hewlett-Packard. Pas një vëzhgimi të hollësishëm ata vunë re se kafka kishte tre pjesë në brendësi të vetes dhe ishte ndërtuar e gjitha nga një copë e vetme kristali, bashkë me nofullën e poshtme.

Kristali ka një fortësi që shkon pak më poshtë se topazi, korundumi dhe diamanti. Ai mund të pritet vetëm me diamant. Është përtej habisë, por indianët e lashtë, në njëfarë mënyre e kanë prerë aq mjeshtërisht duke mos lënë asnjë shenjë, madje duke gdhendur imtësisht bashkë me dhëmbët edhe nofullën e poshtme, e cila është e lëvizshme.

Dikush e ka bërë këtë kafkë nga një kristal i vetëm në mënyrë aq mjeshtërore, sa duket sikur kristali nuk është prekur kurrë nga dora e njeriut. Gjëja më mahnitëse ishte se kafka ishte 5.13 kg, 203.4 mm e gjatë dhe 125.4 mm e gjerë, e gjitha nga një kristal i vetëm dhe kjo gjë ishte në kundërshtim me ligjet e fizikës.

Kristal me një cilësi të tillë nuk mund të gjendej në zonën në të cilën ishte gjetur kafka dhe laboratori i veçantë që u mor me analizimin e hollësishëm të saj, arriti në përfundimin se ajo kafkë ishte punuar para se të shfaqeshin civilizimet e para në Amerikë.

Në pjesën e pasme, në brendësi të kafkës ndodhej një prizëm dhe çdo rreze drite që binte mbi sytë e gdhendur të kafkës pasqyrohej atje. Nëse shikoje në brendësi nga drejtimi i syve të kafkës, mund të shikoje gjithë dhomën të reflektuar në atë prizëm.

Përfundimi i ekspertëve të Hewlett-Packard ishte se kafka ishte bërë pavarësisht thyerjes së rregullave dhe ligjeve të natyrës. “Kjo gjë “e mallkuar” nuk mund të ekzistojë fare. Ata që e kanë bërë, nuk kishin idenë e kristalografisë apo të fibrave optike.

Ata njerëz kanë qenë komplet në injorancë për sa i përket aksit të simetrisë, i cili duhet të ruhet nëse punohet një kristal me qëllim parandalimin e ndarjes së tij gjatë procesit. Është e çuditshme se përse nuk është thërrmuar!” Por nuk ka rëndësi se sa e çuditshme dhe e pabesueshme mund të duket ajo kafkë.

Kushdo mund ta shohë atë të ekspozuar në Muzeun e Indianëve të Amerikës. Kërkuesit panë se kristali ishte gdhendur kundër aksit natyral të kristalit. Skulptorët modernë të kristalit, gjithmonë kujdesen që të dinë sesi është aksi ose simetria e orientimit molekular të kristalit, pasi nëse ata do të gdhendnin në drejtim të kundërt me këtë aks, atëherë kristali do të thyhej, madje edhe nëse do të përdornin lazer apo teknika të tjera të avancuara për gdhendje.

Hipoteza më e mirë që dha Frenk Dorland, ishte se kjo kafkë mund të ishte prerë fillimisht me diamant e më pas ishte trajtuar me ndonjë rërë silici dhe ujë derisa kishte marrë formën e dëshiruar.

Duke imagjinuar se kjo mund të ishte e vërtetë, atëherë ndërtuesit të saj do i duheshin së paku 300 vjet për t’i dhënë formën. E megjithatë, kjo është vetëm një hipotezë. Në lidhje me gjetjen e saj, është debatuar shumë, pasi thuhet se Albert Mitchell-Hedges e ka blerë atë në Londër dhe ka gënjyer kur ka thënë se e ka gjetur në Jukatan.

Por sidoqoftë, pavarësisht vendit ku është gjetur (duke i marrë të vërteta ato që thuhen për blerjen e saj), ngelet i pandryshueshëm fakti që, kafka e Albert Mitchell-Hedges, është një prej objekteve më misterioze ekzistuese. Kjo ishte me pak fjalë historia e një kafke të rrallë, e një kafke kristali. Ndoshta e asaj më të përfolurës. Por ajo nuk është unikale.

Ka edhe kafka të tjera të kristalta dhe misteri që i rrethon ato shoqërohet me histori të ndryshme. Në botë ka njerëz të ndryshëm që janë në kërkim të tyre dhe në kërkim të një shpjegimi sa më të drejtë në lidhje me funksionin e tyre.

Pikërisht, një prej këtyre njerëzve është edhe personazhi i këtij shkrimi. Një njeri i cili ka në koleksionin personal një prej këtyre kafkave të kristalta, e cila është ruajtur shekull pas shekulli me fanatizëm prej shqiptarëve.

Por para se të ndalemi në historinë tonë, le të bëjmë një shikim të shkurtër, me qëllim ndërtimin e një pamje pak më të gjerë në lidhje me shpërndarjen, gjetjen dhe klasifikimin e kafkave të kristalta.

Një histori e shkurtër e kafkave të kristalta

Publiku filloi të njihej së pari me kafkat e kristalta, aty nga fundi i shek. 19. Në këtë kohë, shumë muzeume të botës filluan të shfaqnin interes për paraqitjen e objekteve antike nga civilizimet e shkuara.

Në këtë mënyrë në vitin 1878, “Musèe de l’homme” në Paris dhe “British Museum” në Londër, kishin secili në pronësi nga një kafkë të kristaltë, të cilën e shfaqnin para vizitorëve.

Besohet se që të dyja këto kafka e kanë origjinën nga Meksika (ka mundësi që të jenë të lidhura me rrënojat antike dhe varret e lashta) dhe lidhen me pushtimin francez, që u bë në vitin 1860 atje. Fillimisht i pati në dorë një shitës antikuariatesh e më pas ato përfunduan në muzetë e lartpërmendur.

Nuk ka asnjë proces, i cili mund të ndihmojë në datimin e kafkave të kristalta. Karbon 14 mund të datojë vetëm substancat organike dhe kristali i kuarcit nuk është. Një prej mënyrave me të cilat kërkuesit dhe koleksionuesit e tyre përpiqen të njohin vjetërsinë e një kafke të tillë, është nëpërmjet sensitivëve (persona me aftësi psikike të zhvilluara në drejtimin e shikimit të së shkuarës dhe të së ardhmes).

Një mënyrë tjetër është edhe vëzhgimi i sipërfaqes së tyre nëpërmjet mikroskopëve shumë të fuqishëm. Për datimin e tyre shfrytëzohen edhe legjendat dhe informacioni që kanë indigjenët apo që kanë pasur në lidhje me këto kafka.

Po çfarë duhet pasur parasysh kur thuhet kafkë e kristaltë? Një kafkë kristali është një copë kristali kuarci e gdhendur në formë (ose përafërsisht) të një kafke njerëzore. Ka dy tipa kafkash që ekzistojnë.

Ato që janë gdhendur nëpërmjet një procesi të njohur nga gdhendësit modernë të kristalit, të cilat quhen kafka të tanishme dhe të tjera që janë gjetur në rrënoja të lashta apo që kanë kaluar dorë më dorë që nga kohëra të shkuara e që quhen kafka të lashta kristali.

Më interesantet ndër këto kafka janë pa dyshim të lashtat. Këto kafka janë gjetur kryesisht në rrënojat e civilizimeve të vjetra të Amerikës (Maja, Astekë etj.), por edhe në vende të tjera të botës janë gjetur po ashtu kafka të tilla. Njihen katër tipa kafkash të tilla: prej kuarci të pastër, ametist (e purpurt), kuarc rozë dhe kuarc i mjegulluar (nga gri deri në të zi).

Kafkat e lashta të kristalta kanë habitur gjithmonë shkencëtarët. Disa prej tyre janë çuar për t’u vëzhguar e kontrolluar në laboratorët e veçantë që ka HeWlett-Packard, në San Francisko, pasi kjo kompani është e zhvilluar në drejtimin e kërkimit në fushën e kristaleve dhe ka laboratorë nga më të mirët në botë.

Asnjë prej shkencëtarëve nuk arrin dot të japë një përgjigje se si civilizime primitive kanë arritur të bëjnë një gjë të tillë pa pasur asnjë aparaturë të sofistikuar e ç’është më e habitshme, në kundërshtim edhe me ligjet e fizikës.