Shqipëria nuk mund të quhet më “Toka e harruar e Europës”

Shqipëria nuk mund të quhet më “Toka e harruar e Europës”

403
0
SHPËRNDAJE

Nga Spartak Ngjela

I gjithë abuzimi shekullor që kanë bërë pushtetarët e korruptuar në Shqipëri, ka qenë i ndihmuar nga kjo harresë tragjike: “Shqipëria një tokë e harruar e Europës”.

Kështu ka qenë quajtur Shqipëria në analet ndërkombëtare që nga fillimi i shekullit të kaluar. Por sot ka ndryshuar gjithçka.
Në fakt, pati një përpjekje nga Ahmet Zogu që ta nxirrte Shqipërinë nga harresa shekullore europiane, por, për shumë arsye, me gjithë paratë që mori nga Musolini, nuk e nxori dot Shqipërinë në hapësirën e dukshme ndërkombëtare si një shtet me personalitet të Europes.
Lufta e Dytë Botërore, si pasojë e Aleancës antifashiste që bënë komunistet për operacione konkrete gueriliesh kundër italianëve pushtues në Shqipëri, dhe ardhja në pushtet e tyre, pas Luftës, si pasojë e kësaj aleancë, e kishte mundësinë reale për ta nxjerrë Shqipërinë nga harresa europiane. Por Enver Hoxha prishi aleancën me anglosaksonët, dhe e rreshtoi Shqipërinë në botën komuniste, ku kjo mbeti sërish një vend i papërfillshëm europian.
Shkëputja që Hoxha bëri nga Moska në vitin 1961, sërish mund ta kishte sjellë me personalitet Shqipërinë në Europën mospërfillëse, por Enver Hoxha shkoi edhe më thelle: ai e izoloi Shqipërinë nga krejt Perëndimi.
Ky izolim, e thellon edhe më tepër mendimin se “Shqipëria është një tokë e harruar e Europës”.
Rënia e komunizmit në rrafshin botëror, nxori në pah domosdoshmërinë e rreshtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por këtu filloi në fakt lufta e pushteteve politikë shqiptarë që ta bllokonin identifikimin europian të Shqipërisë mes Bashkimit Europian. Dhe, të gjitha qeveritë në 25 vjet, që nga viti 1991, e bllokuan realisht këtë proces. Cilat janë arsyet, dhe pse, tani janë të dokumentuara. Por ne na duhet të theksojmë se të gjithë fqinjët tanë përreth nesh, kanë punuar me ngulm që Shqipëria të mbetej gjithmonë një “tokë e harruar e Europës”.
Sot ka ndryshuar gjithçka. Politika amerikane i mundi të gjithë kundërshtarët e daljes së Shqipërisë nga harresa europiane. Reforma aktuale do të zgjidhë gjithçka, dhe është risi historike që qeveria aktuale është tërësisht me Reformën që amerikanët dhe europiano-perëndimorët po ndërmarrin në Shqipëri.
Udhëheqësit politikë shqiptarë, ne rreth 20 vjet, u pasuruan me korrupsion dhe nëpërmjet krimit të organizuar shqiptar, sepse siguroheshin gjithmonë me anë të “harresës europiane” ndaj Shqipërisë. Tani që harresa mbaroi, dhe vendi do të hyjë realisht në Reformën e tij Perëndimore, fundi i tyre është i pashmangshëm, prandaj po “përpëliten” duke shprehur lloj – lloj “arsyesh” banale kundër Reformës që do të nxjerrë Shqipërinë përfundimisht nga ajo harresë makabër, që i ka shkaktuar vuajtje të mëdha shqiptarëve në keta 100 vjetët e fundit. Por janë përpjekje të dështuara. Harresa tani është grisur.