Mirdita sipas autorëve të huaj

Mirdita sipas autorëve të huaj

1787
0
SHPËRNDAJE

Mirdita nuk i përket si term kohës së lashtë ilire. Për herë të parë ndeshet si mbiemër në Kadastrën Venedikase të Shkodrës në fillim të shekullit XV.

“Në katundin Menshabardh të krahut të Nënshkodrës, banonin në vitet 1416-1417, Gjon dhe Pjetër Mirdita”. Ata ishin të ardhur nga viset midis lumenjve Fan dhe Mat”.

Kështu e fillon artikullin e tij “Mirdita & Arbëria e mbetur” autori i mirënjohur shqiptar Gjet Ndoj.

Sipas mendimit të tij në vitin 1467 në Dibrën e poshtme në katundin Suhadoll, banonte Ndre Mirdita, ndërsa në katundin Shipshan, Gjon Mirdita.

Si emër katundi, vendi e krahine, Mirdita gjendet në në regjistrat osmane të Sanxhakut të Dukagjinit të viteve 1533-1536, 1571 dhe 1591. ‘Më 1533-1536 Mirdita si krahinë, kishte 9 katunde dhe 161 shtëpi.

Për vitin 1571 regjistri s’përmban të dhëna, sepse mirditasit nuk kishin pranuar të regjistroheshin. Në vitin 1591 Mirdita përmendet si katund me 46 shtëpi, si krahinë me 9 katunde dhe me 168 shtëpi”.

Në dokumentet paraosmane Mirdita quhet herë si Ndërfana, herë si Dukagjini.

Ndryshimi i emrit të krahinës, nga Dukagjin në Mirditë, është bërë gradualisht. Por kjo njësi, në kuptimin etno-kulturor, ekzistonte më parë, pavarësisht nga emri.

Fakti që në kishën e Shën Llezhdrit, apo Shën Aleksandrit, sipas Shuflajt në Shkallën e shenjtë, në bjeshkët e Oroshit, kishte varreza ku varroseshin të vdekurit, nga të gjitha zonat përreth e deri në Kreshtë e Shkodër dhe kjo e tregon një gjë të tillë.

Edhe shtrirja e pronave të Abacisë së Shën Llezhdrit, nga afër qytetit të Burrelit të sotëm e deri në Shkodër e tregon ekzistencën e krahinës në fjalë Mirditë, Dukagjin apo Ndërfanë qoftë.

Në Kuvendin e Dukagjinit të vitit 1602 tek Kisha e Shën Lezhdrit, në Shkallën e Shenjtë të Oroshit. “të parët nënshkruan vendasit, krerë të njohur Mirditas, atëherë dukagjinas si Gjin Gjergji, Gjon Qefalia, Gegë Zajsi etj”.

“Më 1610 M. Bici shkruan një letër për Dukagjinasit e Kthellës” dmth edhe kthellasit (nga Rrësheni në Burrelin e sotëm” ashtu si Mirdita quhen Dukagjin, përmend Fanin si krahinë krahas Mirditës, etj.

Nuk është e rastit që në Kosovë dhe në Kukës mirditasit i quajnë “Fanë”, madje dhe Kthellasit, kurbinasit dhe në përgjithësi katolikët e tjerë të ngulitur atje.

Në anë të Tiranës dhe Shijakut, të Fushëkrujës, ka raste që katolikët i quajnë Kthellas, etj.

Në Kuvendin e Kuçit, 14 korrik të 1614-ës, ndër krerët e Besëlidhjes nënshkruan dhe Gjiergj Bardhi prej Mirdite.

Më 1621, Pjetër Budi e shënon Mirditën si një nga trevat e popujve të Dukagjinit”.

Më 1629 përmenden “popuj të quajtur mirditas, shqiptarë, por armiq të turqve”.

Më 1637 M. Skura shkruante :”Mbërrita në Mirditë dhe po e lëshoj katundin e Mirditës së Epërme, atë të Zajsit përfshitas”.

Ndërsa K. Jereçcek thotë:”Më 1426 shënohej vetëm Kisha e Shën Llezhdrit mbi mal”. Në vitin 1638 I shtohet “mbi malin e mirditasve”.

Më 1461-po sipas Shuflaj:dalloheshin rreth Kështjellës së Lezhës, rrjedhën e poshtme të lumit Mat dhe rreth Kurbinit. “Shqiptarë të maleve, mirditasit, bulgjrakët e selitasit, të cilët turqit i quajnë kryengritës e tradhëtarë”.

Në këtë zonë, pra në Mirditë”…këtu përmendet për herë të parë tituli prinq-pringji “Prenk,  të cilin e mbajnë dhe sot e kësaj dite krerët e malsive katolikë të Mirditës, që janë vazhdimisht nën ndikimin e fortë të abatëve benedektinë, të Shën Lleshit, në Malin e Shenjtë. Ky manastir u shdërrua në kohën e turkut në kështjellë në të cilën u zhvillua lokaliteti me emrin Orosh”.

Në një njoftim të vitit 1468 thuhet:”Meqënëse filluan ndjekjet, ai iku në Dibër, pra midis mirditasve”.

Më 1649, F. Bolica kumtonte :”Misioni i Mirditës përfshin vetë Mirditën, Fanin e Vogël, Kthellën, Selitën. Macukullin e Prellin, Lurën, Vlashajn e Qidhnën, Bazin e Rrënxën, të gjitha ndër male, ku ka shumë popuj, më tepër të rreptë se të egër”.

Më 1650, B. Orsini shkruante:”Po mbahem në mëshirë të klerikëve të Mirditës”.

Më 1666 P. Bogdani përmend:”Popujt e maleve të Mirditës, Kurbinit dhe të Arrnit”.

“Nisa nga Blinishti dhe mbërrita në Mirditë e cila kishte, kishën e Shën Kollit (Fanë). Mirdita si famulli, ka katundet Orosh, Lagje, Mashtërkohë dhe Tumerisht. Në mal është Abacia”.

Në hartën e P. Koronelit, të botuar më 1688 dhe në atë të G. Kantelit, të botuar më 1689, shënohen “Popujt e mirditasve”.

Ndërsa Ipeni vinte në dukje:”Mirdita nuk është emër fisi, por hapësirë vendi hinderlandi, Landehafti, territori”.

Sipas të dhënave, por dhe gojëdhënave embrioni Mirditë si territor është emër fshati Grykë-Orosh dhe zbret deri afër Repsit. Pastaj më vonë ky katund emrin e tij do ta humbiste, sepse ky emër do të përfshinte territore e banorë nga Drini e deri në Mat, nga Arrni e deri në Kurbin, nga Çidhna e deri në Shëngjin. /konica.al/