Albanologu që vdiq në një kamp përqëndrimi

Albanologu që vdiq në një kamp përqëndrimi

785
0
SHPËRNDAJE

Mbrëmjen e kaluar, në rubrikën “Amarcord”, kryeministri Rama kujtoi një figurë të shquar e studiues të njohur të gjuhës shqipe, Norbert Jokl për të cilin Çabej shkruan:


Norbert Jokl mes Poradecit (djathtas) dhe Asdreanit (majtas)

… Përsa i përket caktimit të karakterit gjuhësor të shqipes, Jokli është një pasardhës i Gustav Meyerit. Ky i pat shënuar kësaj gjuhe vendin e një gjuhe satem (indoevropiane lindore) me karakter verior.

Për periodën antike të shqipes, ka rëndësi fakti që Jokli pas hullisë sidomos të Holger Pedersenit, e uli pjesën që i bie latinishtes në formim të leksikut të shqipes, pjesë që Gustav Meyeri e bashkëkohësit e tij e kishin çmuar tepër lart.

Po më anë tjetër bash Jokli është ai që ka zbuluar huazime latine të pavëna re më parë në gjuhën shqipe.

Në çështje të lidhjeve t’afërsisë të shqipes me gjuhët indoevropiane motra, dijetari ynë e ka vërtetuar dhe thelluar rrugën që pat rrahur G. Meyeri, domethënë që shqipja ka lidhje të ngushta sidomos me gjuhët baltike, dhe që të parët e shqiptarëve, duke zbritur nga vise më veriore ngulen në brigjet e Mesdheut…” (E. Çabej), Studime gjuhësore V, Rilindja, Prishtinë, 1975, f. 205.


Norbert Jokl

Norbert Jokli është gjuhëtar austriak, indoeuropianist dhe albanolog.

Lindi në Bzenec të Moravisë. U diplomua për drejtësi në Universitetin e Vjenës dhe më pas për gjuhësi, 1908. Jokli nisi të studiojë shqipen si autodidakt, më 1907. Pastaj punoi bibliotekar në Universitetin e Vjenës, duke dhënë njëkohësisht mësim si pedagog i jashtëm për shqipen, baltishten etj..

Me aneksimin e Austrisë nga Gjermania naziste, 1938, Jokli u përndoq, u dërgua në një kamp përqendrimi, ku dhe vdiq. Nobert Jokli ia kushtoi tërë jetën e tij studimit të gjuhës shqipe nga shumë aspekte.

Ai punoi sidomos në fushën e etimologjisë e të fjalëformimit historik, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhë të tjera, për fonetikën e morfologjinë historike të saj. Si vëllime më vete albanologu austriak arriti të botonte vetëm veprat:

  • “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung” (Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes), 1911 dhe
  • Linguistisch- kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen” (Gjurmime gjuhësore e historike- kulturore nga lëmi i shqipes), 1923.

Por Norbert Jokli hartoi studime të shumta, që u botuan në përmbledhje e organe shkencore të ndryshme, disa edhe pas vdekjes.

Me artikullin “Naim Be Frashëri e pasunimi i gjuhës shqipe” (1925) vlerësoi punën e N. Frashërit e të rilindësve për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe dhe ndikoi për vijimin e saj me baza filologjike.

Mbajti rubrikën e bibliografisë për gjuhën shqipe në organin vjetor ndërkombëtar “Indogermanisches Jahrbuch”  (1916- 1940), ku paraqiti sistematikisht, me vlerësime dhe analiza të gjitha botimet albanologjike të atyre viteve.

Në punimet e tij, N. Jokli trajtoi çështje të rëndësishme të historisë së gjuhës shqipe, në veçanti trajtoi problemin e burimit të gjuhës shqipe.

Ai shqyrtoi marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e lashta jogreke të Ballkanit, me ilirishten e trakishten dhe shtjelloi tezën e tij të prejardhjes së gjuhës shqipe, duke u përpjekur të bëjë një sintezë të tezave ilire e trake.

Mbrojti autoktoninë e shqiptarëve, po duke e vendosur djepin e parë të tyre në Dardaninë e lashtë (Kosova e sotme).

N. Jokli i kushtoi vëmendjen më të madhe elementit vendës, në radhë të parë elementit trashëgimor indoeuropian. Ai i çoi mjaft përpara gjurmimet etimologjike shqiptare.

Rishikoi mjaft etimologji dhe hodhi dritë mbi prejardhjen e shumë fjalëve të shqipes, duke provuar burimin vendës të mjaft elementeve të mbajtura si huazime. Mbante lidhje të rregullta me gjuhëtarë shqiptarë bashkëkohës.

Vizitoi Shqipërinë më 1937, me rastin e 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Vdekja tragjike nuk e la t’i përqendronte arritjet e tij në vepra përgjithësuese. /konica.al/