Bektashizmi Naimian në shërbim të kombit

Bektashizmi Naimian në shërbim të kombit

833
0
SHPËRNDAJE

Dr. Vehbi BEXHETI

Figura më e shquar dhe më e ndritur e Rilindjes sonë Kombëtare është poeti, mendimtari dhe atdhetari i madh, Naim Frashëri. Ai me tërë qenien dhe fuqinë kreative intelektuale u vu nëshërbim të kombit. Vepra e tij ishte dhe është udhërrëfyese për popullin shqiptar.

Kjo fuqi krijuese luajti rol të madh historik e kulturor sepse është kuptimplote, e gjallë dhe e fuqishme. Krijimtaria e tij që u shqua gjatë kohës së Rilindjes, e që mbeti e freskët dhe frytdhënëse edhe sot, është nxitëse dhe burim i pashtershëm për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare.

Vepra e tij në radhë të parë i kushtohet atdheut dhe popullit të vet, por ajo ndonjëherë i kalon kornizat kombëtare dhe i takon njerëzimit në tërësi.

Naimi është para së gjithash humanist, që për të mirën e popullit flijon dhe digjet si qiriri për t’i bërë dritë tjetrit. Edhe bindja fetare e Naimit është në shërbim të njeriut dhe njerëzimit.

Si njeri që ka fituar dije bashkëkohore nën ndikimin e shkrimtarëve dhe filozofëve të racionalizmit dhe iluminizmit në njërën anë, dhe atyre të Lindjes me besim islam të sektës bektashiane.

Naimi ka qëndrimin e vet edhe ndaj fesë, sidomos kur ajo mund të ndikojë në përçarjen midis njerëzve. Te Naimi qëndron edhe vetëdija për vëllazërinë e njerëzinë pa dallim feje,prandaj edhe thotë:

 

“Çdo njeri vëlla e kemi,

gjithë nga një balë jemi,

kemi një shpirt një vetijë,

jemi gjithë një fëmijë,

një mëmë e një atë kemi,

me një fytyrë po jemi”.

 

Pas bejtexhinjve, Naimi qe poeti i parë mysliman që e ngriti zërin aq ashpër ndaj sunduesve osmanë. Një vjershë e Naimit i tronditi dhe i magjepsi zemrat e shumë shkrimtarëve shqiptarë të krishterë që atë kohë gjendeshin në Bukuresht.

Për Naimin çështja kombëtare ishte mbi të gjitha. Ndasia fetare për të ishte e papranueshme, prandaj për të më fatlum ishte besimi panteist që do të ndikonte në unitetin e shqiptarëve që ishin me tre besime

Në shumëllojshmërinë e veprës së Naimit ndikoi ambienti familjar, besimi bektashian, letërsia antike greke e romake dhe idetë e iluminizmit dhe të romantizmit evropian.

Kur i kemi parasysh të gjitha këto, e kemi lehtë të konstatojmë pse Naimi u gjend në një udhëkryq midis civilizimeve e kulturave, në atë të Perëndimit dhe të Lindjes. Mendimi iluminist rrezatoi dukshëm te një pjesë e madhe e mendimtarëve shqiptarë, madje u bë sundues edhe në botëkuptimin e tyre. Këto ndikime që vijnë nga Perëndimi depërtuan edhe në botën shpirtërore nëpërmjet veprave të Naim Frashërit.

Aspektet filozofike mbi jetën dhe vdekjen, të bazuara gjithashtu në filozofitë pozitiviste evropiane, edhe për Naimin ishin mësime se si njerëzimi duhej të shpëtojë nga kotësitë e filozofive të vjetra.

Nga ana tjetër, Naimi nuk mundi e as që deshi të shkëputet nga botëkuptimi fetar islam pa besimin monoteist duke e përkrahur bektashizmin. Këtë e dëshmon me poemën “Qerbelaja” dhe përmbledhjen poetike “Fletore e baktashinjët”, apo ndonjë krijim tjetër.

Deri më tani shumë studiues të veprës së Naimit u angazhuan të vijnë në një përfundim lidhur me atë se a ishte Naimi nën ndikimin e filozofisë materialiste, a kishte pikëpamje ateiste, monoteiste apo panteiste. Pati edhe të atillë që dhanë vlerësime se Naimi në disa vepra të tij prezenton vetëm pikëpamjet fetare islame të bazuara në ajetet kuranore.

Lidhur me këto, mendojmë se për Naimin vlen vetëm një e vërtetë kryesore. Të gjitha angazhimet e tij për të prezentuar frymën romantike, që padyshim u ndikua nga ai evropian, dhe pikëpamjet iluministe e racionaliste që nëpërmjet panteizmit të tij të kalojnë te një besim qoftë edhe thjesht islam, ishin në interes të kombit dhe të atdheut të tij.

Vetëm duke u nisur nga kjo e vërtetë më lehtë mund t’i kuptojmë edhe pikëpamjet racionaliste, iluministe e panteiste që vijnë nga Perëndimi dhe ato të ngjashme me parimet fetare islame të sektës bektashiane dhe të filozofisë së Lindjes në përgjithësi.

Elementi fetar bektashian dhe ai panteist ishin në shërbim të formimit moral e shpirtëror të shqiptarëve. Kjo është me rëndësi për Naimin dhe veprën e tij. Edhe vlerësimet se Naimi ishte një besimtar që u bazua në parimet kuranore, por që qenka infektuar nga pikëpamjet racionaliste e iluministe të Dekartit, të Volterit e të Rusoit, deri te ekstremi tjetër se ai qenka bile edhe ateist.

Këto dilema, që edhe sot  janë ndonjëherë aktuale, nuk e luhasin të vërtetën për të konstatuar se Naimi ishte dhe mbetet me rëndësi historike për kombin. S’ka dyshim se Naimi është religjioz, është deist, por feja në kuptimin e tij nuk është kurrfarë veçantie e kombit dhe kërkon me ngulm zhdukjen e ndasisë fetare ndër shqiptarët,thotë Rexhep Qosja.

Naimi edhe kur shpreh besimin në një zot, ai zot për të nuk është allahu që e krijoi njeriun dhe gjithësinë, ai që do t’i gjykojë gjynahçarët në botën e amshueshme. Ai është herë perëndi, e herë zot. Dashuria e tij ndaj asaj perëndie nuk është më e fuqishme se ndaj pyjeve, shkëmbinjve dhe lumenjve të Shqipërisë. Edhe njeriun, edhe bagëtinë ai i do njëlloj sikurse perëndinë.

Aspektin fetar naimian duhet shikuar gjithanshëm duke i analizuar të gjitha pikëpamjet e tij që kanë të bëjnë me fenë dhe kombin. Kur t’i kemi parasysh të gjitha këto, edhe çështja e besimit në veprën e tij, si çështje më e ndieshme e më komplekse, do të mund të kuptohet shumë lehtë nga lexuesit, e sidomos nga studiuesit e kësaj vepre.

Ky konstatim aspak nuk e përjashton edhe ndikimin e librit të shenjtë – Kuranit në disa vepra të poetit, e sidomos në atë “Mësime”. Edhe në këtë vepër, ku elementi fetar është më islam është më i dukshëm, Naimi nuk paraqitet një fetar aq i disiplinuar. Ai e porosit popullin ta duan dhe t’i luten zotit të madh e të vërtetë, por ai gjithashtu e porosit shqiptarin ta dojë më tepër atdheun dhe gjuhën amtare:

“Duaj zotn’ e madh e të vërtetë dhe falju duke i bërë mirë njerëzisë.

Duaj më shumë nga gjithë Mëmëdhenë, mëmëdhetarët dhe gjuhën tënde”

(N.Frashëri Vepra 5, “Mësime”, Prishtinë, 1978, fq.39).

 

Pikërisht nga këto qëndrime të Naimit mbi fenë dhe besimin, që nuk paraqiten vetëm bardhezi, e kuptojmë më lehtë edhe praninë e panteizmit që paraqitet aq dendur në disa vepra të tij. Adhurimi i natyrës, por edhe bukuria e hënës, e diellit dhe e yjeve për Naimin janë vetë zoti, sepse pa to nuk ka jetë, që do të thotë se zoti i Naimit është padyshim krijues edhe i gjithësisë por njëkohësisht ajo gjithësi është edhe vetë zoti.

 

“Është në shesh Perëndia,

I verbëri s’mund ta shoh,

Ajo është gjithësia,

I dituri mund ta njohë” (………

Krahas panteizmit, që është aq i shprehur në veprën e Naimit e që buronte nga romantizmi, racionalizmi evropian dhe iluminizmi, një element tjetër shumë karakteristik i veprës së tij është edhe filozofia bektashiane që ndërlidhet me panteizmin, sepse edhe kjo sektë e besimit islam është e lidhur me zotin, natyrën dhe njeriun.

Këtë sekt të drejtimit shiit, si më të përparuar të besimit islam, Naimi e përkrahu nga dy arsye, se i takonte familjarisht e tradicionalisht këtij besimi dhe pse u ndikua nga filozofia e kultura e Lindjes, sidomos nga ajo persiane. Edhe këto ndikime, që me vullnet u përqafuan nga Naimi, veprës së tij i sollën një freski dhe baraspeshë që ajo të jetë në shërbim të kombit dhe atdheut.

Në epin heroik fetar “Qerbelaja”, shkrimtari, përveç dëshirës për të paraqitur një faqe të historisë së islamizmit dhe bektashizmit, deshi të tregojë se si luftohet e keqja e të ngadhënjejë e mira dhe e vërteta.

Naimi duke e njohur mirë këtë filozofi bektashiane që karakterizohej me tolerancën ndaj feve dhe sekteve tjera fetare, e që në plan të parë e ka humanizmin, tolerancën  dhe dashurinë njerëzore e hyjnore, u përcaktua edhe në krijimtarinë me këtë temë.

Ashtu si “Historia e Skënderbeut” edhe “Qerbelaja” por edhe një varg poezishë tjera lirike shprehen me zjarrin e fjalës kundër të keqes, kundër pushtuesit si shkaktar i të gjitha të këqijave, (Naim Frashëri, Vepra 1, Prishtinë, 1978, fq. 25), e kjo gjë gjithsesi ishte në interes të shqiptarëve që luftonin kundër robërisë osmane.

Në këngën e  XV dhe të fundit të “Qerbelasë”, Naimi flet për shqiptarin trim me fletë, për dashurinë e tij që ka ndaj Shqipërisë dhe për gatishmërinë që të flijojë jetën ashtu si shumë personazhe tjerë pozitivë të kësaj vepre që ranë dëshmorë në betejën e Qerbelasë:

 

“Shqipëtari trim me fletë,

Si ka qenë le të jetë,

Të ketë gjithë urtësinë,

E të dojë Shqipërinë,

Të vdes për Mëmëdhenë,

Si myhtarë për hysenë,

Të ngjajë me ibrahimnë,

Dhe me Eba Myslimnë”

(N.Frashëri, Vepra 4, “Qerbelaja”, Prishtinë, 1978, fq. 49).

“Naimi humanist e identifikonte fenë me njerëzinë, ishte kundër obskurantizmit, paragjykimeve, absurditeteve fetare duke dhënë kështu një tjetër ndihmesë me vlerë që më vonë do të çelte udhën e afetarizmit dhe të ateizmit në mendimin përparimtar shqiptar.

Një pjesë e këtij mendimi jep vlerësime reale por që rezulton me një konstatim joshkencor kur thuhet se Naimi do të çelte udhën e afetarizmit dhe të ateizmit në mendimin përparimtar shqiptar, që do të thotë se një mendim sado të jetë përparimtar do të vareshka me atë se sa do të jetë antifetar.

Naimi nuk e çeli rrugën e përparimit të kombit pse ishte antifetar, sepse i këtillë as që ishte, ashtu si nuk ishte edhe një fetar i shkëlqyeshëm i besimit mysliman. /konica.al/