VARRI I NJE LUFTETARI NE TUMEN E APOLONISE

VARRI I NJE LUFTETARI NE TUMEN E APOLONISE

227
0
SHPËRNDAJE

Shkruan: Vangjel DIMO

Mburojë bronzi, nr. inv. 3730, e dëmtuar nga oksidimi, i cili ka arritur deri në shkallën e njohur si stadi i bronzit të sëmurë, por ruajtja in situ e të gjitha pjesëve të thyera ka lejuar mundësinë e restaurimit të plotë të saj. Diametri i mburojës është 75 cm. Fletës së bronzit i është dhënë trajtë konvekse (konveksiteti pas restaurimit është rreth 11 cm) për të mundësuar rritjen e rezistencës së mburojës ndaj palosjeve .

Ajo është e përforcuar gjithashtu nga elementët dekorativë si dhe me materiale të tjera që i janë ngjitur nga brenda fletës së bronzit. Kështu, shtatë grupe me nga tre rrathë koncentrikë të realizuar me rrahje përbëjnë motivin dekorativ kryesor të mburojës. Ata kanë shërbyer njëherazi edhe për rritjen e rezistencës së fletës. Rrethi qendror është zbukuruar me portretin e një Meduze në relief , e cila sipas mitologjisë antike e ngrinte dhe gurëzonte cilindo që shkëmbente vështrimin me të, pra e favorizonte luftëtarin përballë kundërshtarit të vet. Grupi i shtatë rrathëve që përmendëm, qarkohet me katër rrathë perimetrikë të mburojës, ndërsa hapësirat midis grupimit të rrathëve janë mbushur me burma gjysmësferike te realizuara gjithashtu me rrahje.
Restaurimi i mburojës është kryer nga Frederik Stamati ndërmjet viteve 1983-2011

Siç thamë më lartë, për rritjen e rezistencës së fletës së mburojës ndaj palosjeve dhe sidomos ndaj goditjeve janë përdorur shtresat e materialeve të tjera që i ngjiten asaj nga ana e brëndshme. Këto materiale janë shtresa e lëkurës dhe e drurit, gjurmë të të cilave ruhen poshtë mburojës. Këto ishin kapur me fletën e bronzit me gozhdë të vogla bronzi, ndërsa dy dorezat e krahut kanë qenë të fiksuara me preçina.

Deri në momentin e tanishëm nuk kemi arritur të gjejmë shembuj të tjerë analogë nga territori i vendit tonë, gjë që do na mundësonte të bënim krahasimet e rastit që do të ndimonin për datimin e mburojës tonë. Shembuj konkretë për mburojat i ndeshim monedhat, në shpinën e të cilave është punuar modeli i mburojës. Konkretisht, një nga monedhat e Lisit ka si simbol në faqe një mburojë të quajtur “ mburoja maqedone”, ndërsa në shpinë mban një përkrenare të tipit ilir (H. CEKA) . Motive të përafërta me mburojën tonë i ndeshim në mburojën e një relievi në Apolloni, të gdhendur si dekoracion në një bllok gëlqeror, në faqen e të cilit paraqitet skena mitologjike e luftës së amazonave. Blloku është gjetje rasti me nr. Inv. 134. Po ashtu të njëjtat motive me mburojën tonë paraqet një relief i zbuluar në Ballsh, ku është punuar një mburojë e konsideruar si mburojë ilire (S. ANAMALI )

Në bazë të shëmbujve të cituar më sipër, mund të themi se kemi të bëjmë me mburojën ilire, të cilën luftëtarit tonë të varrit 56 ja kanë vendosur në varr për ta marrë me vete për në Hades për meritën e fitoreve dhe bëmave në jetën e tij.

Helmetë bronzi, nr. inv. 3729. Helmeta është e copëtuar në pjesë të vogla si pasojë e oksidimit në shkallë të rëndë të bronzit, por megjithatë me mundësi restaurimi. Ajo është e zbukuruar me realizimin e burmave gjysmësferike, që dalin nga brumi i fletës së ballorit dhe mbrojtësve të faqeve, duke marrë më tepër trajtë spirale të realizuar me teknikën e rrafjes. Në këtë kontekst hyjnë edhe figura e një shqiponje të vogël bronzi me flatra të mbyllura e aplikuar me saldim në qëndër të ballorit ku edhe sot dallohet gjurma e saj me ngjyrë më të celët nga sipërfaqja e ballorit rreth saj. Përkatësia ilire e përkrenares tonë argumentohet nga simbole të monedhave ilire të zbuluara në zonën e Lezhës dhe Shkodrës, por edhe nga burime të tjera për helmetën ilire të gjetura në territorin e vendit tonë. Të gjitha këto përkojnë me formën e ndërtimit dhe dekorin e helmetës sonë

Shpatë hekuri, nr. inv. 3739. Shpata është e plotë por me gjurmë të thella oksidimi. Gjatësia 65cm, gjerësia maksimale e fletës 5,5 cm. Shpata është e drejtë, me një teh e me majë të mprehtë. Doreza, 8 cm e gjatë, është pjesë unike me tehun

Thikë hekuri, nr. Inv. 3732. Thika është e fragmentuar në majën e tehut dhe në dorezë. Gjatësia 19cm dhe gjerësia maximale e fletës 3 cm.

Objektet e qeramikës janë katër, dy skifosa dhe dy kupa me vernik të zi. Për nga ndërtimi i trupit, verniku i përdorur dhe në mënyrë të veçantë nga balta e kuqe e fortë, duket qartë që dy skifosat janë importe nga Atika. Në krahasim me ekzemplarë të ngjashëm, ata datohen nga fundi i shek V