Kur Gjon Kastrioti luftonte kundër Venedikut dhe osmanëve

Kur Gjon Kastrioti luftonte kundër Venedikut dhe osmanëve

185
0
SHPËRNDAJE

Jeta e Gjergj Kastriotit ka qenë shumë e komplikuar, jo vetëm për faktin se iu desh që në moshën 9- vjeçare të përballej me turqit, por edhe lufta e përhershme që po bëhej për fronet.

Pas 1443 na vijnë disa fakte historike të ndryshme, por çfarë ka ndodhur para këtij viti, si ka qenë situata dhe si është përballuar ajo. Çfarë ka ndodhur me vëllezërit e tij Stanishin, Kostandinin dhe Reposhin? Duke e parë në këtë këndvështrim, ajo që na intereson më shumë dhe në mënyrë të veçantë, është kryengritja shqiptare e viteve 1428 deri në 1430, ku një influencë të madhe për sa i përket ngritjes së supozimeve, ka pasur letra e Gjon Kastriotit në 17.VIII.1428, të cilën ia drejtonte Serenisimës. Tre shënime turqisht të bëra me ndërhyrjen e Skënderbeut në defterin e sanxhakut të Shqipërisë në vitet 1431-1432 dhe letra e një funksionari të lartë turk, pa datë e pa vendimin e dërgimit, me emrin Mustafa. Edhe pse nuk del drejtpërdrejtë emri i Skënderbeut, por i të atit të tij Gjonit, na lejon që të futim këtu edhe “Fetihname”-ia (Shpallja fitimtare), të cilën sulltan Murati II ia drejtonte sundimtarit të Egjiptit, me rastin e luftës për pushtimin e Selanikut (1428-1430).

Vlerësimet, hipotezat dhe debatet kanë qenë të shumta për këtë kryengritje, ku më afër realitetit mund të konsiderojmë tashmë sugjerimet e studiuesit A.Plasari, i cili shkruan se: “më 1428-1429 Kastrioti (është) përfshirë në një lëvizje politike që nuk përbën as thjesht kryengritjen kundër turqve dhe as vetëm mospërmbushje të detyrimeve të vasalit ndaj sulltanit” (Plasari 2010: f. 275.)

Për të kompletuar më tej këtë ide duhet thënë se nuk kemi më një kryengritje të karakterit lokal, por tentativën e parë për bashkimin e trojeve shqiptare, ndoshta nën drejtimin e Gjon Kastriotit, si më i moshuari, apo Stafan Maramonte – Balshës si një trashëgimtar i radhës së parë për gjithë zotërimet e Balshajve. Fakt është që Skënderbeu, Stanishi, dhëndri i Gjonit i Stefano Maramonte, Tanush Dukagjini, Koja Zaharia e më shumë të ngjarë edhe Kostandini e Reposhi u aktivizuan njëkohësisht në një sërë frontesh.

Mësa transmetohet nga dokumentet veneciane të periudhës dhjetor 1429- mars 1430 apo nga fakti i ndërhyrjes urgjente të Isak bej Evrenozit (maj-qershor 1430), kuptohet qartë që koalicioni familjar i Gjonit, apo i princave që e kishin halë në sy Venedikun – e thënë sipas mënyrës të kriputar të Marin Beçikemit (ndryshe Barletit), e kishte tronditur rëndë si autoritetin e Portës së Lartë, po ashtu edhe atë të Republikës së Shën Markut në viset shqiptare, i cili duket se ishte afër fitores nëse nuk do të kishte rënë Selaniku më 29 mars 1430.

Kjo çështje deri më sot e paqartë ndriçohet në kronikat e A. Morozinit të mbetura jashtë vëmendjes të historiografisë kastriotiane. Në një kronikë ditore të regjistruar nga sekretari i Serenisimës, ku mes të tjerash marrim këtë informacion:

“(1429) – E Gjergj Strazimirit Skaninderbieg
Nuk kemi lajm tjetër veç asaj të zotnisë Gjergj Strazimirit, Zot i Moresë këtu në Shqipëri, me Zotërinjtë tanë po synon luftë të plotë, e duket se ngado që shkon kërkon të rrëmbejë e humbasë të gjitha viset tona që janë blerë nga Sinjoria ne zonat e Durrësit, Shkodrës, Drishtit e Lepantos…. e nuk dëshiron të bëjë marrëveshje me ne në asnjë mënyrë. Dhe në viset e Lezhës kemi lajme se po rrëmben e po plaçkit. Mirëpo u vendos nga ana e Senatit të dërgohen atje të gjitha ose pjesë të anijeve tona nga të Gjirit dhe të paraqitet aty zoti Silvestër Morozini, që është bërë kapiteni ynë i përgjithshëm, dhe me dy kokë (tip anije. I.K.) të mëdha të Komunës, me tetë anije, madje edhe më shumë në se do të jetë nevoja…dhe e gjitha u vendos kaq lirisht e do të mbetet kështu. Krishti bëftë gjithmonë më të mirën për Venedikun.

Kështu kronika, jo vetëm që konfirmon prezencën e Skënderbeut për periudhën në shqyrtim (1428-1430), por në të njëjtën kohë e paraqet atë në një pozicion parësor e të ndërlikuar luftarak në ato vite. Nga informacioni mund të perceptohet qysh në këtë periudhë embrioni i strategjisë së përgjithëshme të Kastriotve si trashëgimtarë të Balshajve për bashkimin e trojeve shqiptare. Jo pa qëllim i është bashkëngjitur emrit të tij cilësimi Strazimir. Kronika pasuron më tej jetëshkrimin e Skënderbeut si “Zotëri i Moresë”, më shumë të ngjarë me një pikë nisje aty rreth vitit 1428, pra një situatë krejt e panjohur deri më sot në historiografinë kastriotiane.

Kështu, deklarata e kronistit Stefan Magno më 1443, i cili na trasmeton bëmat e Skënderbeut duke thënë se ai: “në tri ditë çliroi vende të tjera në Shqipëri dhe u bë i fuqishëm, duke thënë se meqë ishte trashëgimtar i Balshës deshte trojet që ishin të tijat” na vendos një paralele me formën e paraqitjes së emrit dhe në mentalitetin e strategjinë e njëjtë të veprimeve luftarake mes dy datave 1429 dhe 1443.

Nëse Skënderbeu u ngarkua nga Porta e Lartë me ndonjë detyrë të karakterit ushtarak apo administrativ kundrejt Moresë, ajo ka qenë e kondicionuar sigurisht me prezencën masive të shqiptarve në këtë provincë të Bizantit dhe rolin e rëndësishëm që ata luanin aty si nga pikëpamja ushtarake po ashtu edhe ekonomike. Në vetvete termi Zotëri i Moresë për Skënderbeun mund të krahasohet në një farë paralelizmi historik të mëvonshëm me despotin bizantin të Moresë Manuel Kantakuzenin kur do ta quanin “despot i Shqiptarëve” (ό δεσπότης τών Άλβανιτών).

Sidoqoftë më 1428-1430 Skënderbeu me Stefan Maramonten u përpoqën të përfitonin nga situata e favorshme ndërkombëtare, kur Perandoria Otomane ishte e angazhuar në luftë kundër Venedikut për marrjen e Selanikut. Në aspektin lokal situata duket të jetë tensionuar më shumë kur me vdekjen e Stefan Lazareviçit, i cili ishte dhe daja u Balshës III dhe djali i mbretit të Serbisë, në korrik të vitit 1427, Serenisima vazhdoi t’i njohë të drejtën e trashëgimisë të Balshajve e detyrimet përkatëse kundrejt asaj pasurie të birit të Vuk Brankoviçit, Gjergj Brankoviçit i cili ishte në atë kohë despoti serb i Rashës, i cili në fakt e pretendonte këtë pasuri vetëm në linjën femërore, mbasi e ëma e tij Helena Balsha kishte qenë e bija e Balshës III.

Pra, injorohej e shmangej një trashëgimtar më i ligjshëm siç ishte dhëndri i Gjonit, Stefan Maramontia. Ky i fundit kishte pasur për baba Kostandin Balshën, mbretin e vetëshpallur sipas shembullit të mbretërve ilirë, post të cilin ai duhet ta ketë pasur aty nga vitet 1392-1395. i cili u ekzekuta nga venecianët në Durrës më 1402. Kjo reflektohet në pesë monedha prej argjendi të nxjerra prej tij, ku në ballor lexohet mbishkrimi M. REX. COS TANTINIUS (I MADHDHËRISHMI MBRET COSTANDIN) ndërsa mbrapsht S. STEFANU S. SCUTARENSI (SHËN STEFANI SHKODRANI.) Në disa variante gërma M.(agnus) është zëvëndësuar me D.(ominus). Ja pra, në linjë mashkullore nga ana e të atit ai ishte një Balshë e për më tepër me idenë e pretendent si “bir mbretërori”.

Nga nëna, Maromontia, ishte i biri i Helena Topisë, e cila Kostandinin e pati si dashnor, duke u lidhur me të në një martesë të dytë. Kuptohet, jo gjithçka sipas kanoneve kishtare. Nga ana e saj, pra Helena Topia, ishte e bija e Karl Topisë. Pra Stefani ishte edhe pretendent për Krujën, e cila kishte qenë dikur e nënës së tij.
Luftën me Venedikun Stefan Maramontia e kishte nisur së bashku me Balashën III qysh në vitet 1417-1420. Madje venecianët kishin dashur ta korruptonin që të vriste Balshën, duke i premtuar atij të gjitha zotërimet e fisit të madh mbretëror.

Shkalla e alarmit dhe mobilizimit tërësor i Senatit Venecian ishte reflektim i drejtpërdrejtë i veprimeve luftarake që e kishin vënë në një rrezik shumë të madh ekzistencën e Republikës Veneciane, në qendrat kryesore të saj si Durrës, Lezhë, Shkodër, Drisht, Ulqin, etj. Për rolin parësor të Kastriotit në ato ngjarje e tregon edhe fakti i ndërhyrjes të venecianëve për të bërë marrëveshje pikërisht me Skënderbeun, të cilat ai i kishte refuzuar. Rezultati i këtyre veprimeve luftarake ishte i tillë që deri nga fundi i vitit 1429, Skënderbeu dhe Maramontia kishin vënë nën kontrollin e tyre pjesë të rëndësishme të trojeve shqiptare pa arritur akoma të merrnin kështjellat kryesore.

Më 1 janar 1430 Senati i Republikës, pra Venediku, merr vendim për vrasjen e Maramontes dhe cakton shpërblimin për vrasësin 500 dukatë dhe dy kuaj. Në këtë luftë ishin angazhuar gjithashtu Stanishi, Tanush Dukagjini e Koja Zaharia. Në një front antiturk duket Gjoni së bashku me dy djemtë e tij Kostandinin dhe Reposhin. Asnjë informacion i drejtpërdrejtë nuk na vjen për këtë front të dytë që duhet të jetë zhvilluar në brendësi të viseve shqiptare, por prezencën e tij duhet ta nënkuptojmë së pari nga ekspedita e menjëhershme e Isak bej Evrenozit, fill pas rënies së Selanikut që desh të thoshte se luftimet në Shqipëri, jo vetëm nuk ishin duke u zhvilluar në favor të Portës së Lartë, por madje edhe kundër saj, paçka se në ndonjë formacion ushtarak mund të kishte edhe ndonjë kontigjent me ushtarë turq.

Kjo duket mjaft qartë jo vetëm në përshkrimet e kronikanëve turq, por edhe në “Fetihname”-ia (Shpallja fitimtare) që folëm më lart. Në këtë dokument sulltan Murati II mes të tjerash shkruan: “Në tokën shqiptare ndodhet një sundimtar i quajtur Ivan, i cili zotëronte shumë fortesa dhe qyteza. Ai nuk rrinte asnjë çast pa bërë akte dëmtuese dhe armiqësie… Atëherë ne morëm vendim të niseshim me ushtrinë fitimtare për shkatërrimin e vendit të tij, për shfarosjen e veprave të tij, për rrënimin e strofkës së tij dhe për rrafshimin e fortesave të tij, derisa të mos mbetej gur mbi gur.” Gjoni, nga ana e tij, nuk ishte i përgatitur për këtë sulm të befasishëm dhe ndoqi taktikën e tërheqjes e të mosrezistencës.

Pas këtyre ngjarjeve dihet se vdes Reposhi (25.VII.1431), jo si murg, por si “dux illyricus” në manastirin e Hilandarit dhe Kostandini gjithashtu ka humbur jetën në rrethana të paditura. Mund të supozojmë me këtë rast që u eliminuan vetëm dy djemtë që morën pjesë në luftë kundra Perandorisë Osmane dhe mbetën në jetë Gjergji dhe Stanishi që luftuan kundër Venedikut.”