Një rikthim “arnaut” në Jemen

Një rikthim “arnaut” në Jemen

1369
0
SHPËRNDAJE

SHQIPTARËT SHKUAN SI NIZAMË NË SHUMË VENDE TË ARABISË DHE AFRIKËS. DISA U BËNË UDHËHEQËS DHE SHUMË PREJ TYRE MBETËN E JETUAN NË ATO TOKA TË LARGËTA

FATOS BAXHAKU

Nuk thonë kot se historia përsëritet. Ndryshojnë emrat, veshja, arsyet, teknologjia, mjetet e transportit, porse fataliteti është gjithnjë aty, i gatshëm të dëmtojë, të frenojë dhe të largojë njerëzit nga vatrat e tyre familjare.

Lajmi se tre marinarë shqiptarë mbahen si të dyshuar për kontrabandë armësh drejt Irakut për llogari të një armatori grek, sikur e theu disi të përditshmen tonë, të ndërtuar vetëm mbi premtime të bujshme elektorale dhe mbi vrasje të përditshme absurde.

“Hiç s’po dim nano, kah po na çojnë/ Për Jemen nano, do t’na fillojnë/ Zhezvja n’zall o nano atje do të valojë/ Nanës e babës mos t’i kallxojnë se janë pleq e s’mund t’i durojnë…”, kjo këngë e Kosovës e fillimit të shekullit XX, fsheh në vetvete një realitet ngjethës, me dhjetëra mijëra rekrutë shqiptarë, sidomos nga Kosova dhe nga Maqedonia e sotme lanë eshtrat me mijëra kilometra larg vendlindjes së tyre. Këta ishin fatkëqijtë e famshëm nizamë.

Duhej të shkonin ushtarë për Perandorinë Osmane ndër vende të largëta që më parë as që i njihnin. Më së shumti kosovarë, nizamët shqiptarë u shuan me mijëra ndër shkretëtirat e Arabisë. Vapa e padurueshme e ditës dhe i ftohti ngjethës i natës ishte kur e ku me motin e bjeshkëve ku ata ishin lindur e ishin rritur.

Ndryshe nga Hixhazi, territoret e dikurshme osmane në Arabinë e sotme, (ku bënin pjesë edhe vendet e shenjta Meka dhe Medina, edhe këto të qeverisura për shumë kohë nga shqiptarë) Jemeni ishte një vend i panënshtruar.

Territori ishte i ashpër dhe popullsia vendase ishte shiite, krejt ndryshe nga sa mendonte sulltani sunit, që e konsideronte veten edhe si kalif të fesë islame. Në fillim në Jemen, më shumë se me popullsinë vendase, osmanët kishin të bënin me portugezët, lundërtarët e shkathët dhe trima.

Këta deri andej nga fundi i shekullit XVI e konsideronin Oqeanin Indian si një det të madh, të cilin e kishin fituar me mund e sakrifica. Në një farë kuptimi kishin të drejtë. Vetëm më 1539, osmanët arritën të vendosnin një pashë në krye të administratës së brishtë jemenitase. Jemeni u bë kësisoj pika më jugore, por edhe më e brishtë e Perandorisë Osmane.

Në përpjekje për të mposhtur luftën çlirimtare të këtij populli të çuditshëm në mes të shekullit XVI, Stambolli e ndau Jemenin në dy vilajete më vete. Njëri zotëronte territoret në bregdet dhe tjetri brendësinë e vendit. Mirëpo kjo masë e ndrojtur nuk çoi asgjëkundi.

Në 1567 fiset vendase arritën që të çlironin pjesën më të madhe të territorit nga garnizonet osmane. Kjo histori vazhdoi për dy vjet me radhë, deri kur Selimi II ngarkoi gjeneralin e famshëm shqiptar Sinan Pasham, asokohe Vali i Egjiptit, për zaptimin përfundimtar të Jemenit. Në mars të 1969, Sinan Pashë Shqiptari u nis nga Egjipti në krye të një armate të madhe. Sinani fitoi mbi fiset vendase. Ai qëndroi në Jemen për afër dy vjet, deri më 1571.

Pastaj u tërhoq duke lënë në krye të punëve një tjetër shqiptar, nipin e tij Hasanin, që u vendos në Aden në kryeqendrën e atëhershme të vendit. Historianët vendas e kujtojnë Sinan Pashën si një “njeri të besës dhe fort të respektueshëm”. Ky la në Aden edhe disa monumente e një xhami.

Në 1619, fiset jemenitase arritën të sigurojnë sërish pavarësinë de facto. Në 1669 shfaqet këtyre anëve Veziri i Madh me origjinë shqiptare, Ahmet Pashë Qypryliu nga Roshniku i Beratit.

Pashai i madh, i mësuar me fitore, i nënshtroi edhe për pak kohë të pabindurit, porse fitorja nuk shkoi gjatë, sepse në Jemen osmanët duhet të mungonin edhe dy shekuj të tjerë duke lënë pas një vend të qeverisur nga ligjet lokale.

Pas 1864, kur Porta e Lartë vendosi një riorganizim të ri të vilajeteve, por sidomos pas 1872, kur u forcua detyrimi për shërbimin ushtarak, kronika është e mbushur me mijëra shqiptarë të vdekur në Jemen, jo aq nga plumbat sesa nga largësia, malli, moti, vapa dhe ushqimi i keq.

Shkruan një studiues i njohur i kësaj periudhe, Muhamed Mufaku: “Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, me zhvillimin e vetëdijes kombëtare si në viset shqiptare, ashtu edhe në ato arabe, shqiptarët shprehin gjithnjë e më tepër pakënaqësinë e tyre për të shkuar në Jemen që të shtypnin kryengritjen e fiseve në atë vend, pasi ata kanë një fat të njëjtë me jemenitasit.

Kështu, në fillim të shekullit XX, kryengritja e fiseve jemenitase mori një hov të madh, aq sa humbjet vjetore të ushtrisë osmane rreth vitit 1903 arrinin në 10 mijë viktima. Më 1905, kryengritësit çlirojnë edhe qendrën e Jemenit, Sana…”. Në ato mijëra viktima të luftës kishte pa dyshim edhe shumë shqiptarë të dërguar me forcë ndër zona që nuk i njihnin aspak dhe për një luftë që nuk u përkiste.

Sipas historianëve, pikërisht në këtë periudhë, një pjesë e mirë e shqiptarëve kaluan në anën e kryengritësve. Organizata Kombëtare Arabe, duke e kuptuar pozicionin e vështirë të nizamëve shqiptarë, u dërgoi atyre një thirrje për dezertim masiv. Gazeta “Drita” e Bukureshtit e botoi atë në shkurt të 1906, nën titullin “Kush vete në Jemen le të marrë një qefin, që ta ketë për xhehenem”.

E njëjta gazetë bënte me dije se Jemeni tashmë ishte shndërruar në njërën prej varrezave më të mëdha shqiptare jashtë vendit.

Mirëpo, megjithatë kishte ende një numër nizamësh shqiptarë në Jemen që luftonin kundër kryengritësve vendas. Punët ndryshuan disi, kur në 1911, Shqipëria, në Veri të Perandorisë dhe Jemeni, në Jug, u ngritën në kryengritje të dyja bashkë. Që në atë kohë dezertimi i nizamëve shqiptarë u bë masiv.

Në 1911, Perandoria Osmane, tashmë e dobësuar deri atje ku nuk mbante më, arriti një marrëveshje me kreun vendas Jahja Hamidudi. Marrëveshja parashikonte autonominë e Jemenit në suazën formale të Perandorisë Osmane. Shqiptarët e mbetur në shkretëtirë nisën të kthehen ndër shtëpitë e tyre. Vetëm pak syresh ia arritën të mbijetojnë.

Në të gjithë këtë histori shkretëtire kemi harruar një personazh emblematik. Ky quhej Ahmet Pasha dhe ishte shqiptar. Ka qenë aktiv andej nga vitet ’30 të shekullit XIX.

Kur shqiptari Mehmet Ali Pasha i Egjiptit, djali i tij Ibrahim dhe nipi i tij Ahmet, nënshtruan arabët ndër vendet e shenjta Meka dhe Medina, fati e desh që si guvernator të emërohej për pak kohë një shqiptar tjetër, një farë Ahmet Pasha.

Kronikat e cilësojnë si “tyrkçe bylmez”, që do të thotë në osmanisht se nuk dinte asnjë fjalë tjetër përveç shqipes, gjuhës së tij të mëmës (fjalë për fjalë injorant në turqisht). Ky Ahmeti nuk e pati jetën të gjatë, sepse u zëvendësua nga sulltani me një tjetër.

Kronikat thonë se shqiptari i inatosur me një mijë shqiptarë besnikë arriti të marrë edhe Mekën, por sundimi i tij nuk zgjati gjatë, sepse pas një tërheqjeje të shkurtër në Jemen, ai dhe njerëzit e tij përfunduan në Indi, ku u zhdukën pa lënë asnjë gjurmë.

Këto që ju thamë nuk janë gjë tjetër veçse disa paralele historike që na bëjnë me dije se dikur kemi qenë shumë të afërt edhe me popuj që sot i konsiderojmë si të largët.

Sigurisht, për fat të mirë, kohët kanë ndryshuar dhe “sulltanët” dhe “pashallarët” e sotëm janë tjetër gjë, porse historia e marinarëve të sotëm të prangosur në Jemen dhe e nizamëve të dikurshëm seç ka një dreq gjëje që i bashkon. Mos vallë është vetmia dhe harresa?

mehmet-ali-pasha-i-egjiptit jemeni-shkretetire jemeni grand-vizier-koprulu-fazil-ahmed-pasha

(Për këtë shkrim u përdorën materiale nga Muhamed Mufaku; Shqiptarët në botën arabe; Rilindja, Prishtinë 1990). – gazeta-shqip.com