Zadrima në optikën dhe penën e artë të humanistit Marin Barleti

Zadrima në optikën dhe penën e artë të humanistit Marin Barleti

112
0
SHPËRNDAJE

Shkruan: Paulin ZEFI

*”Princërit shpirtmëdhenj Nikollë e Pal Dukagjini, që të dy të sprovuar në luftë, por Pali, në krahasim me të tjerët, ishte më i dëgjuar për përkushtimin e veçantë ndaj fesë. Këta zotëronin vendin përtej lumit të Drinit, që epirotët(arbërit) e quajnë Zadrimë të Sipërme, gjer në Misinë e Sipërme, krahinë e gjerë e pjellore për prodhime, e vaditur nga burime e përrenj tërë shëndet dhe e banuar nga burra fort trima. Atje shihen shumë gjurmë të lashtësisë, qytete, ndërtesa e tempuj fort të përmendur të Perëndisë, të cilët tani, të sheshuar e të bërë gjithkund gërmadhë, po dergjen me shumicë përpara syve tonë. Por në atë vend vërehen edhe përmendore prej mermeri, në të cilat mund të shikohen shumë emra perandorësh romakë dhe të tjerë, ndër këto edhe disa gjurmë, nga të cilat kuptohet me një mënyrë të mjaftueshme se po këtu apostulli Pal(Shën Pali) u ka predikuar njerëzve besimin e Krishtit (M.Barleti, Marin, Historia e jetës dhe e veprës së Skënderbeut (përkth. prej origjinalit dhe hyrja e librit nga Stefan Prifti), Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Botimi i 1-të, Tiranë, 1964, f.93)”.

*Ndërsa vendlindja ime, “Fishta”, shfaqet për herë të parë në burimet e shkruara në një dokument të vitit 1459, dokument, i cili lidhet me marrëveshjen e paqes që u nënshkrua midis Republikës Veneciane dhe princit Leka III Dukagjini me 19 shkurt të vitit 1459 në qytetin e Shkodrës. Sipas marrëveshjes në fjalë, princi jonë famëmadh, Leka III Dukagjini, do të dorëzonte rrethinat e Shatit dhe autoritetet veneciane do t’i kthenin atij kështjellën e Shatit, e cila mbahej e pushtuar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, por me kusht që të mos rindërtonte muret e rrënuara. Sinjoria, nga ana e saj, pranoi t’u jepte Dukagjinëve, “përveç fshatrave që mbanin përtej malit të Katit (Catti) edhe feude të tyre si dhe fshatrat; Paulatium (Pulati/Pulti, është fjala për krahinë?!), Animelle (Mnela), Petra Rubea (Guri i Kuq), Scaramum (Skarramani, sot lagje e fshatit Nënshat?!), S.Martinum (Shën Martini), Fontanellam (?), Chimerchichi (Qimekeqin), Jansi(?), Craglianum (Krajen), Fistam (Fishta), Chermichi (Kermizi), Caxonglini (Kazolini) dhe Stefanbergum (Shtjefni)”. Ndërsa fshati i Troshanit, që mesa duket ishte një feud i madh e i pasur, do t’i mbetej Republikës së Shën Markut. Asokohe, të Parët e mi(sipas gojëdhënave) u larguan nga Rrafshi i Dukagjinit së bashku me shumë dukagjinas të tjerë dhe u vendosën në Grykë Orosh të Mirditës. Kurse, në vitin 1770 ne ishim familja e parë mirditore që u vendosëm në fshatin Fishtë të Zadrimës, ngjarje kjo e dokumentuar në relacionet kishtare të klerikëve katolikë që shërbyen në Famullinë Troshan-Fishtë(Dioqeza e Sapës). Çdokujt i duket vendlindja e vet një vend i bukur, por Fishta është me të vërtetë një fshat shumë piktoreks dhe me njerëz të mrekullueshëm.