Feja e pellazgëve ka qenë natyralizmi, perënditë e tyre ishin personifikime të...

Feja e pellazgëve ka qenë natyralizmi, perënditë e tyre ishin personifikime të forcave në natyrë (Pjesa 4)

166
0
SHPËRNDAJE

vijon nga pjesa e tretë

ETIMOLOGJITË E FJALËS ΑΠΟΛΛΩΝ. Forma më e lashtë e emrit Apollon është forma pellazge Απελλων, prej nga rrjedhin Απολουν dhe Απλων, po ashtu pellazge. Formës së prejardhur të parë Απλουν i afrohet emri etrusk: [u]Aplu[/u] ose [u]Apulu[/u] dhe forma Απελλων është e afërt me formën oske[u]Apellun[/u] me gjithë emrat e vjetër grekë: Απελλας, Απελλης, Απελλις, Απελλικoς etj.

Duke u mbështetur në format etruske [u]Aplu[/u] dhe [u]Apulu[/u] e në oskishten [u]Apellun[/u], ne mundemi nga ana jonë, që me ndihmën e shqipes të japim etimologji shumë më të pranueshme, se ato të dhëna që nga Platoni në Kratilin e tij e deri te të dhënat e ndryshme të shumta të dijetarëve të sotëm, që duket se nuk kanë bashkuar gjithë mendimet e paanshme.

Etimologjitë që ne propozojmë, pra mbi bazën e Aplu, Apulu, Apellun dhe Απολλων kanë kuptimin: që bën të lindë ylli, pa dyshim, është fjala për yllin e mirëfilltë, Diellin; që bën të agojë ylli ose më mirë akoma: ap udhën = që hap rrugën ose dielli paraardhës. Për këtë arsye, pa dyshim, grekët e shënonin Delosin, ku ishte tempulli më me emër i Apollonit, si ”ishulli i diellit lindës” ose “η νισος του ανατελλοντος ηλιου.” Fakti që ishte hyjnia Dielli, hyjnia i dritës i sillte atij, në fakt, këtë cilësi si [u]Paraardhës[/u] ose Προδρομος, sepse në të vërtetë dhe praktikisht ai që sjell dritën dhe, me më shumë arsye, ai që e krijon vetë është “ndriçon”, ai që u hap rrugën gjithë të tjerëve, në të gjitha degëzimet e veprimtarisë njerëzore: artet, letrat, muzika etj. Që këtej fare mirë mund të paraqitet hipoteza se [u]Apullen[/u] për [u]Apudhën[/u] do të thotë etimologjikisht pikërisht: udhëndriçues: ai që hap rrugën, paraardhësi bartës i dritës. Për më tepër, a nuk paraqitet ai duke drejtuar një koçi katërshe, me rreze mbi kokë dhe me Aurorën përpara, bijën e tij?

Atributet e Apollonit. Apolloni është shpikësi i lirës, λυρα ose i kitarës, κιθαρα, dhe hyjnia i muzikës e poezisë, cilësi ose atribute që e bëjnë simbol ose personifikim të harmonisë universale dhe që i japin një fuqi të re qytetëruese. Ai njihet mirë si kitarist dhe në veçanti si kreu i muzikës përgjithësisht, dhe me këtë cilësi kryesonte korin e Muzave; së fundi, ai ishte hyjnia i konkurseve poetike e muzikore, që kanë luajtur një rol shumë të madh civilizues te grekët. Por ndonëse ai ishte hyjni, Apolloni kishte megjithatë një cen: ishte xheloz dhe hakmarrës; si hyjnia i veçantë i kitarës ai kishte një antipati të madhe kundër veglave të tjera muzikore; ai e ropi të shkretin [u]Marsias[/u] sepse ai guxoi, duke i rënë fyellit, të konkurronte atë, Apollonin, duke i rënë lirës, dhe veshët e të gjorit Midas, mbretit të frigasve, i ktheu në veshë gomari, sepse ky i fundit, duke parapëlqyer fyellin ndaj lirës ose kitarës, e shpalli Marsiasin fitimtar të konkurrimit. Megjithatë kjo fyerje, që i bëri Apolloni fyellit, u la dhe u ndreq në Delf, sepse argësi Sakadas me anë të një kompozimi të përshtatshëm e bëri të fitonte një çmim në Lojërat pitike, dhe e bëri që ta pranonin gjithë grekët dhe qyteti i Delfit. Si rrjedhim i çmimit të marrë, që nga ajo kohë Apolloni pushoi së pasuri antipati për fyellin dhe nuk i ndiqte më ata që i binin. Ai madje u bë mbrojtës i gjithë sistemeve të veglave muzikore, që ndihmonin të gjitha për madhështinë dhe shkëlqimin e festave të tij, si dhe frymëzues i poezisë, që ishte e pandashme nga muzika. Po ashtu Delosi dhe Delfi, qendrat kryesore të kultit të Apollonit u bënë shkolla të vërteta të artit lirik.

Me cilësinë e perëndisë së hyjnizimit, Apolloni nxiste gjithë frymëzimin profetik dhe për nder të tij u ngritën shumë tempuj dhe orakuj. Besimtarët vinin për të marrë predikimet e pitoniseve. Në disa raste orakujt thoshin gjëra të vështira, të pakuptueshme ose me dy kuptime; natyrisht, me gjithë namin se kishin dijeni dhe përvojë, priftëreshat që i shqiptonin, nuk mund të parashikonin të ardhmen.

Ndër shembujt e fatthënave të orakujve me dy kuptime dhe që të çonin në gabime po citojmë një thënie, e cila përkthehet kështu: ”Krezi, duke kapërcyer Halisin, do të shkatërrojë një perandori të madhe”. Meqë ne jemi të bindur se kjo fatthënë nuk iu komunikua mbretit Krez greqisht, ashtu si na e njofton Herodoti, por më tepër pellazgjisht, siç duhej ta thoshte vetë orakulli, ka gjithnjë një kuptim të dyfishtë. Krezi, pa marrë mundimin ta rilexonte e të thellohej në tekst, mori përshtypjen e parë, domethënë se duke kapërcyer Halisin, ai do ta shkatërronte Perandorinë e madhe Perse. Por kur u shpartallua plotësisht dhe e kapën rob, ai u ankua kundër orakullit; atëherë të dërguarit që u nisën për të kërkuar shpjegime nga pitonisa, kur u kthyen i këshilluan Krezit që të mos kapej me orakullin, por me vetveten, sepse orakulli, i thanë ata, të kishte paralajmëruar mirë, duke të thënë: ”Krezi, duke kapërcyer Halisin, do të shkatërrojë perandori të madhe, domethënë perandorinë e vet”.

ATRIBUTET DHE SIMBOLET E APOLLONIT[/i]. Lira, harku, shigjetat, këmbjet, dielli dhe dhuntia e parashikimit ose e njohjes së të ardhmes janë atributet më të zakonshme dhe më karakteristike të Apollonit. Si simbole të Apollonit janë përdorur, midis të tjerave: lauri dhe hurma; ndërsa midis kafshëve: mjellma, këndesi, miu dhe gjarpri.

Gjithë atributet që do të citojmë dhe shumë të tjera, që grekët i vishnin Apollonit dhe kryesisht aftësinë për të parathënë të ardhmen, i bënin tempujt e tij qendra të mëdha fetare dhe në veçanti Delfin, i cili u bë metropoli fetar i gjithë Greqisë dhe kryeqyteti politik i gjithë qyteteve të lira dhe gjithë shteteve greke, që dërgonin delegatë në Asamblenë Amfiktionike, e cila mblidhej pranë shenjtores.

Edhe barbarët dërgonin në Delf dhurata e flijime me vlerë të madhe, gjë që provon se ndonëse ata nuk cilësoheshin helenë, përsëri ishin të po asaj race dhe kishin po ato zakone e po atë gjuhë stërgjyshore si ata, domethënë pellazge.

Për më tepër, ne e quajmë me vend të themi këtu, se Apolloni ishte një hyjni dor i mirëfilltë, hyjnia i racës, domethënë i popullit doras e si rrjedhim, i racës pellazge. Ky kult u ishte transmetuar nga pellazgët, kur ende ishin në Thesali dhe në atë kohë dorët emigruan nga Thesalia, nga Hestreotida dhe Focida për të shkuar në Peloponez, ku ndërtuan tempujt e Delfit dhe u përhapën në këtë gadishull.

KULTI I APOLLONIT TE LATINËT. Kulti i Apollonit, që ishte i panjohur në Romë në kohët shumë të lashta, hyri kur romakët ranë në kontakt me grekët e Italisë së Jugut, ose me atë që quhej Greqia e Madhe. ndonëse quheshin gjithnjë grekë, popullsia e këtij rajoni italian ishte në të vërtetë, që nga lashtësia më e madhe, pellazgë të degës dore. Sipas Tit Livit, romakët kanë hyrë në marrëdhënie me Delfin mjaft herët. Kamili u këshillua me Pitinë e Delfit gjatë rrethimit të VEIES, qytet etrusk, dhe pasi e mori më 395 para K., i dhuroi tempullit të Apolonit një të dhjetën e presë së luftës. Në epokën e Dekarkisë, në Romë kishte një tempull të ngritur për nder të Apollonit për shkak të një zie; kështu, siç duket, për këtë arsye Tit Livi e quan hyjninë që adhurohej aty: Apollon Mjeku. Që nga koha e Augustit Apolloni zuri vend në Kapitol, pranë Zeusit, dhe mbeti atje deri në fund të fesë pagane hyjnia më i nderuar i Romës.

Kulti i veçantë që Augusti i kushtoi Apollonit vinte për shkak të fitores që korri pranë tempullit të tij në Akcium, në vitin 31 para K., fitore që i dha gjithë pushtetin mbi gjithë perandorinë e pafund të njohur.

Shkëputur nga libri: ” Enigma nga pellazgët te shqiptarët ” Robert d’Angely