Çfarë tregoi Katerina Marku, apo teta Pina, kushërirë e bashkëmoshatare e Shën...

Çfarë tregoi Katerina Marku, apo teta Pina, kushërirë e bashkëmoshatare e Shën Terezës

68
0
SHPËRNDAJE

Nazim Rashidi, BBC

(RIBOTIM)

18 tetor 2003 – Një e afërt dhe moshatare e Anjeza Gonxhe Bojaxhiut, apo Nënë Terezës, hedh poshtë të gjitha dyshimet për origjinë e shqiptare të saj.

Katerina Marku nga Shkupi, 90 vjeç, ka lidhje gjaku dhe është rritur bashkë me Nënë Terezën në vitet e para të jetës së murgeshës me origjinë shqiptare.

Zonja Marku apo Teta Pina, siç i thonë miqtë dhe të afërmit, është një nga pjesëmarrësit në ceremoninë e lumturimit të Nënë Terezës në Romë e ftuar drejtpëdrejt nga Motra Nirmala, e cila zëvendësoi Nënë Terezën në urdhrin bamirës “Motrat e Mëshirës” në Kalkuta të Indisë.

“Thirrjen e kam direkt prej Nirmalës, zëvendësja e Nënës Terezë. Do të më japin një murgeshë me vete të më bëjë shoqëri,” thotë ajo.

“Jam shumë nervoze!” thotë ajo për vizitën në Romë.

Mosha e rinisë

Babain e kanë pasur shqiptar, ata kanë folur shqip në shtëpi.

Drania, e njohur e Nënë Terezës Teta Pina flet për BBC në shqip lidhur me vitet kur ajo dhe Gonxheja ishin shoqe të të afërta.

“Jemi shoqëruar më tepër në kishë, në obor të kishës kishim shoqërinë për këngë, shoqërinë dramatike,” tregon ajo.

“Për ditë jemi parë. Edhe unë edhe motra ime e kishim shoqe.”

“Gjyshi im dhe gjyshja e saj nga nënë, motër e vëlla,” thotë ajo.

Teta Pina thotë se Gonxhe Bojaxhiu gjithmonë ka qënë humane, bashkë më nënën e saj kanë ndihmuar vazhdimisht të varfërit, pa dallim nga feja ose përkatësia e tyre etnike.

Ajo thotë se Gonxheja gjithmonë ka lexuar dhe i është përkushtuar fesë.

“Në familjen e saj nuk ka pasur priftërinj, dhe ka përbërë habi fakti që ajo kishte vendosur të bëhej murgeshë,” thotë ajo.

“Megjithatë familja e saj e kishte përkrahur në vendimin e saj.”

Largimi

Ja si e kujton Teta Pina ditën kur Nënë Tereza u largua nga Shkupi:

“Gati krejt Shkupi u çua në këmbë, edhe janë çuditur që po shkon dhe po lë shtëpinë e vetë e po shkon për murgeshë,” tregon ajo.

Nënë Tereza ka vazhduar komunikimin me Teta Pinën, ata kanë pasur letër këmbim, por gjithashtu Nënë Tereza e ka vizituar atë edhe në shtëpinë e saj.

“Kemi shkruar letra. Dy ditë para se të vdesë na erdhi një kartolinë prej saj. Në këtë shtëpi ka qënë tre herë,” thotë ajo.

Në Shtëpinë e Teta Pinës ishte edhe Drania, një katolike tjetër shqiptare, e cila gjithashtu ka pasur lidhje me nënë Terezën.

“Nëna Terezë më ka pagëzuar, më ka vënë emrin Drane, si nëna e saj Drane,” tregon ajo.

Origjina shqiptare

Të njohura të Nënë Terezës Si Teta Pina ashtu edhe Drania pohojnë plotësisht origjinën shqiptare të të dy prindërve të saj duke hedhur poshtë sekullimet se i ati mund të ketë prejardhje vllahe.

“Jo nuk është e vërtetë. Mua motra më ka treguar – ajo tashmë ka vdekur – se babain e kanë pasur shqiptar, ata kanë folur shqip në shtëpi,” thotë Drania.

Teta Pina thotë se asnjë më parë nuk ka përmendur Gonxhe Bojaxhiun pa u bërë e njohur.

“Jo, përpara asnjë nuk e ka ditur, e kanë ditur komshijtë dhe të afrëmit. Vonë u bë e njohur ku u tha se do të bëhet shenjtëreshë”.

Ajo thotë se mesazhi i saj është që të gjithë shqiptarët të jenë të bashkuar pa dallim nga përkatësia fetare, sepse Nënë Tereza vazhdimisht është lutur për të mirën e të gjithëve, në të gjithë botën.