Kur do të flasësh o Ali Podrimja

Kur do të flasësh o Ali Podrimja

133
0
SHPËRNDAJE

Një poezi e njohur e Ali Podrimjes, dhe ndër më të pëlqyerat edhe të vetë shkrimtarit, është “Kur do të flasësh o Ali Podrimja”. Poezia është shkruar në vitin 1990, një vit i cili ishte dëshmitar i ndryshimeve në sistemin jugosllav dhe fillimit të vuajtjes për shqiptarët në këtë sistem.

Në shuplakë fiket ylli
na shikon në sy dhe përbihesh
shpinën pa na kthyer asnjëherë o ali podrimja

Rri atje nën qiellin e ftohtë dhe hesht me vjet
beson ende
në njeri

E emri të falsifikohet
mbiemri nënshkrimi datëlindja
emir i nënës i babait i vendlindjes i të parit
përrallat fëmijërore vallet lodrat
heronjtë këngët vajet kremtet

Mbi gjuhën tënde të lashtë mbi fisin
shqirren
dhe derdhen përronj të zez

E ti hesht o ali podrimja
beson ende
në njeri

Në hone të errta në bodrume mesjetare
elaborate emërtime të çuditshme rrënime
mallkime
lehje ndjekje kyçje
gjueti e egër

Ndizen fiken qirinj erë temjani pikojnë fjaët
trupat rezervati
nën sjetull të fatit dheun marrin fëmijët
Gruaja end e shkreh pëlhurën
në Kullë letre
Mbi kokë zgjatet hija sorrat korbat qiellit
kaçurrelat e verdha kreh
me një grusht dhé në gji
nisesh larg larg

Në Evropën mondane je albanais
arbëresh në Itali në Greqi arvanitas
arnaut në Turqi hamdurlah
në Amerikë mish konservash
e asgjë tjetër
e asgjë tjetër

Kushedi sa gjuhë flet zoti yt
E ti hesht o ali podrimja
beson ende
në njeri
Por por
kur do të flasësh o burrë i dheut
apo më parë duhet të lindësh
Kulmin tënd ç’e mbulojnë myshqet

Ali Podrimja