E jashtëzakonshme: Ali Pasha dakordësoi me tre pashallëqet shqiptare, për të krijuar...

E jashtëzakonshme: Ali Pasha dakordësoi me tre pashallëqet shqiptare, për të krijuar shtetin e pavarur shqiptar

1902
0
SHPËRNDAJE

Roland Qafoku/

Ju keni botuar një sërë librash, për ajo që mendoj se mbetet një botim i veçantë, është ky i fundit mbi Ali Pashë Tepelenën. Çfarë është kjo dosje me 4 mijë dokumente?

Dr. Irakli Koçollari: Ky është një libër që del tani, dhe kam afërsisht 3 vjet që punoj. Ne nuk kemi pasur shumë dokumentacione të vjetra, sepse dokumentacioni ynë filloi atëherë kur filloi edhe shqipja të shkruhej.

Ç’lidhet para kësaj, është ajo që u përket dokumentacioneve të huaja dhe arkivave të tyre. Për herë të parë pas 200 vjetësh, grekët publikuan dokumente personale të Ali Pashës dhe të stafit të tij. Këto dokumente janë greqisht.

Koçollari: Pra të dhënat e mëparshme se Ali Pasha nuk dinte të shkruante rezultojnë të pavërteta?
Këto janë naivitete, sepse ai dinte shkrim dhe këndim: osmanishten, greqishten dhe dinte të lexonte edhe italishten. Sigurisht që të parën kishte gjuhën e nënës, shqipen, e cila në atë kohë nuk shkruhej.

Ai shkroi në greqisht edhe pse vendet nën Perandorinë e Otomane shkruanin në osmanishte. Kjo ka një domethënie shumë të madhe, sepse ai ka një komunikim me Carin e Rusisë dhe mes tyre ka një marrëveshje shumë interesante.

Për cilin vit bëhet fjalë?
Koçollari: Qershor 1791, dhe unë e kam këtë dokument. Ky dokument është bërë i njohur nga një akademik rus, Grigori As, nga arkivat ruse.

Çfarë ishte kjo platformë nga Ali Pasha për krijimin e një shteti shqiptar?
Koçollari: Kjo është një projektmarrëveshje dypalëshe mes Rusisë dhe Ali Pashës.

Rusia këtu kishte interesat e saj dhe në rrethanat kur Aliu shikon se ishte e interesuar, dhe Rusia mendoi ta shfrytëzonte atë për një interes madhor: shkëputjen nga Perandoria Osmane. Është një platformë me nëntë pika.

A do të quhej shteti Shqipëri?
Koçollari: Nuk bëhet fjalë për këtë, por ai thotë se interesi i tij ishte të shkëputej, por nuk mund ta bënte këtë fare lehtë, pasi vetëm tre vjet kishte në krye të pashallëkut dhe e dinte cila ishte fuqia e tij para asaj superfuqie.

Ai kërkon nga Rusia reparte ushtarake të zgjedhura për t’i pasur në mbështetje, derisa të bënte spastrimin e ushtarakëve osmanë me ushtarakët e tij shqiptarë. Në këtë platformë flet edhe për shkrimin ku thotë se do të hiqte osmanishten dhe do të vendoste shqipen, pasi ajo gjuhë flitej.

E në fakt, që nga ajo kohë, administrata e tij shkruan në greqisht. Ka të dhëna të plota se Ali Pasha, shumë çështje të besuara, i shkruante në shqip me gërma greke. Ishte koha kur Bonaporti kishte nisur invazionin e tij drejt Europës, ndaj po shkonin edhe drejt Ballkanit. Por ata e dinin se në Ballkan ishte dhe Aliu, ndaj e ndjenin rrezikun e goditjes nga ushtria e tij.

Pikërisht në këtë moment vjen edhe interesi i britanikëve për Ali Pashën. Gjatë kësaj periudhe shihen edhe dokumentet e para të britanikëve për Shqipërinë dhe Ali Pashën, të cilat më parë nuk njiheshin.

Anglezët dërgojnë për herë parë një misionar, Xhon Morier, i cili flet për Shqipërinë dhe Çamërinë. Dokumenti për Çamërinë flet për popullsinë, territorin, kulturën dhe dokumentet datojnë në vitin 1801.. dhe është dokumenti i parë dhe i plotë për këtë vend. Pas kësaj, Morier ka informacione të tjera mbi territorin, sepse ishin të interesuar se ku mund të zbarkonin francezët dhe si do t’i priste ushtria vendase.

Anglezët në të këtë kohë tregojnë interes për Ali Pashën, edhe vetë mbreti anglez së bashku me kryeministrin dërgon një agjent fare të ri, Uilliam Martin Lik, i cili dërgon raporte të rëndësishme për Ali Pashën. Mes tyre gjejmë edhe se si ndryshon mendimi i Ali Pashës për shtetin shqiptar.

Ministri anglez dërgon Lik për të kuptuar se cili ishte mendimi i Ali Pashës në lidhje me invazionin francez dhe a ishte i gatshëm ai të ndalonte francezët, duke u mbështetur me armatime edhe nga anglezët dhe çdo të bënte ai nëse për një moment Turqia do të dobësonte pozitat e saj, për shkak të krizës që po kalonte. Pas takimit me Lik, i cili është i pasqyruar me detaje, Ali Pasha thotë:

“Unë jam përgatitur dhe i kam marrë të gjitha masat që në një moment të caktuar, unë të shkëputem dhe të shpall pavarësinë e atdheut tim”. Këto kanë qenë fjalë për fjalë ato që ka thënë Aliu të pasqyruara në faksimilet e Lik, të shkruara në anglisht.

Ku do të shtrihej ky shtet?

Koçollari: Në periudhën në të cilën flasim, pra rreth viteve 1806-1807, Aliu ka qenë në kulmin e pushtetit dhe shtrirjes së tij. Në këtë shtrirje territoresh përfshiheshin, nga Elbasani, pra si veri kishte Shkumbinin dhe më pas në Ohër, deri në afërsi të Manastirit, gjithë territoret e Maqedonisë së sotme, deri në afërsi të Selanikut më pas në Thesali, Magnezi e Peloponez, pa përfshirë këtu Athinën, edhe pse në atë kohë nuk ishte ende një qytet, por një fshat i banuar nga arvanitasit.

Pra, të gjitha këto ishin territoret në qeverisjen e Ali Pashës, por si do të funksiononte ky shtet?

Koçollari: Në dokumentat britanike thuhet se ai do të krijonte shtetin e tij të pavarur, pra “indipendent Albania” shkruhet në to. Por Lik e pyet sërish: “Ju kërkoni të krijoni një shtet të pavarur, por a e dini se kufizoheni nga dy pashallëqet e tjera shqiptare? Ata si do të reagonin?”.

Ali Pasha jep një përgjigje shumë të mençur, duke thënë: “Unë kam biseduar edhe me ata të dy dhe ne kemi rënë dakord që të krijojmë një shtet të përbashkët me të gjitha pashallëqet, madje bashkë edhe me ne të tre, pra Shkodrës, Beratit dhe Janinës, do të bashkohet edhe Selim Pasha i Seresit”. Seresi është një qytet në Greqi dhe unë nuk e e kam ditur që edhe ai ishte shqiptar.

E si do të bashkoheshin këta, pasi kjo nuk është diçka e lehtë?

Koçollari: Më lejoni t’ju them ato që Lik ka raportuar për Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm britanik. Pas kësaj përgjigje të Ali Pashës, Lik hap një pjesë të veçantë në dokument dhe thotë: “Zoti Kaning, kjo më kujton të njëjtin qëndrim që ka mbajtur Pashai i Beratit një vit e gjysmë më parë, informacion të cilin e keni”. Kjo më hap derën mua dhe të tjerëve që merren me këto çështje, që të kërkojnë më shumë në arkivat britanikë.

Përse nuk u formua ky shtet, çfarë e pengoi?

Koçollari: Ka shumë faktorë, por do të them një më të rëndësishmin që e thotë një analist britanik, që për mua është racional. Xhon Begëlli është një studiues, i cili ka bërë një analizë për Pashallëkun e Janinës. Në 1818, Ali Pasha “de facto” e kishte krijuar shkëputjen nga Perandoria Osmane, sepse ai nuk i paguante më taksa apo t’i dërgonte trupa ushtarake, dhe pikërisht në këtë kohë, ai i kërkon ndihmë konkrete Britanisë për të thyer trupat osmane.

Ndaj Begëlli thotë këtë: “Ai do të kishte krijuar “de facto” shtetin shqiptar, nëse Anglia, qoftë edhe pak do ta kishte ndihmuar.

Por Anglia, e nisur nga interesa edhe më të mëdha, sepse në Turqi erdhi një sulltan i fuqishëm, i cili krizën që kishte shpërthyer e rimëkëmbi dhe kjo ishte në interesin e Anglisë, pasi e shihte më mirë që të mbështetej tek kjo fuqi më e madhe, sesa tek Ali Pasha”. Pra unë po citoj ato çka thotë ky studiues anglez dhe në fakt, kjo është e vërtetë.

Ali Pashës iu ofrua më pas mbrojtje e tij dhe pasurisë që ai kishte nga britanikët, por nuk pranoi dhe luftoi me forcat turke edhe për gati 1 vit e nëntë muaj, derisa vdiq dhe i prenë kokën.

Përgatiti: SHQIPTARI.EU
Po e risjellim për botim këtë intervistë, pasi ajo zbulon secrete të historisë sonë,, dhe përpjekjet e mëhershme për krijimin e shtetit shqiptar, gati një shekull para Rilindjes kombëtare, madje në territory shumë më të madh se sa që edhe sot mendohet ‘Shqipëria etnike’.